E premte, 19.04.2024, 01:13 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Në këmbë të ecim dhe bar të hamë!

E diele, 22.12.2013, 09:00 PM


Në këmbë të ecim dhe bar të hamë!

Nga Elvi Sidheri

Ishte dje një ditë e madhe për vegjëlinë (popullin, gjindjen e thjeshtë) shqiptare.

I madhi, ai që vjen në pushtet me 1 milionë shpulla për të “udhëhequr” dhe jo qeverisur, qe ulur “gju më gju me popullin” e ia pati nisur një diskutimi më tepër të gjerë sesa të gjatë, mbi çështjen e ngritjes së taksave për naftën.

...”O ç’gëzim i madh o ç’gëzim i madh, gëzim i madh more për ne”!-citohet një këngë nga epoka moniste, kur gjithmonë populli, në atë rast i Myzeqesë, kremtonte festën e grurit ashtu siç të tjerë u gëzoheshin “shtëpive me tulla” të cilat domosdo përballë kashtës ose qerpiçit, kishin mjaft lezet e si të mos harrojmë edhe të tjerë banorë të atdheut tonë të atëherëshëm që këndonin me tërë mend “Kemi pasqyrë për me u kqyr, lum si ne që jetojmë në Pukë”!

Tek i shihja ata pensionistët që thaheshin së ftohti (se secili takim i mirëfilltë gju më gju me popullin, në natyrë bëhet) aty të ulur në karriget krah “udhëheqjes”, po prisja që dikur edhe ndokush t’ia merrte këngës së lumtur e të hareshme me qëllimin tejet fisnik që të na njoftonte të gjithëve, porsi kasnecët e kahmotshëm me tupanë mes qytetit, lidhur me të mirat dhe gëzimet që një vendim i tillë i qeverisë do të paraqesë për të tërë banorët e këtij vendi.

Po e kam seriozisht!

-“Se ç’na u rrit nafta, s’i hipim dot më makinës, do e marrim me të ecur, sa të na dërrmohen muskujt e shpinës...na ka marrë cazë malli për gjimnastikën e mëngjesit të shokëve kinezë, rrofsh o qeveri që na bën të vërdallosemi në këmbë, se po bëheshim içik si tepër obezë”!

Kush të dojë t’i rregullojë edhe një dorë të shëndetshme muzikë këtij teksti të gatshëm, është i lirë t’a bëjë.

Në këtë mënyrë të sigurohemi po ashtu që të mos na mbeten jetime edhe këngët e sipërpërmendura të para viteve 90-të, po t’u japim edhe atyre një vijim llogjik sipas kushteve të sotme ku nuk ka më ara apo kooperativa, nuk u qepemi më maleve dhe kodrave për t’i bërë brezare, por sidoqoftë, qeveria mendon për të mirën tonë të përbashkët dhe bën gjithçka që t’a mbajmë trupin në formë...estetika në plan të parë përherë pra!

E dini si është punë?

Edhe mua mbipesha nuk më pëlqen.

Pa shfaqur aspak racizëm ose përçmim dhjamor, pesha e saktë, linjat e shkëlqyera trupore, format e bukura janë përherë më të preferuara se kilet e tepërta dhe në këtë pikë kryeministri ynë me prirje udhëheqëse, nuk e ka kurrësesi keq.

Pyes veten vetëm, po në këtë eventualitetin që qeveria jonë t’a ketë ndërmarrë këtë punën e rritjes së taksave të naftës, vetëm duke u nisur specifikisht nga arsye shëndetësore, humane dhe “linjadashëse”, atëherë a do të shohim vallë ndonjë ditë edhe ministrat tanë të nderuar “Rilindas”, pse jo edhe tërë deputetët e rilindur të mazhorancës ose ata shpulla-ngrënësit e opozitës, funksionarët e tjerë të shumtë shtetërorë e kështu me rradhë, që t’ia marrin udhëve të atdheut ashtu më këmbë si edhe vdektarët e tjerë të zakonshëm qytetarë të këtij vendi?

Atëherë po që do të mendoja, duke qenë kundër ose pro në parim lidhur me rritjen e taksave të naftës, që eventualisht kryeministri kishte të drejtë dhe e besonte vërtetë atë që po u kumtonte pensionistëve në mes të të ftohtit dje.

Ka mundësi të forta që kryerilindasi ynë modern, t’a konsiderojë pse jo...mbipeshën si strumbullarin e problemeve të mëmëdheut tonë!

E mundur!

E për një arsye të tillë taksat kanë nisur të rriten pandërprerë nga të jetë e mundur, për arsye se ndoshta qeverisë sonë i rezulton se populli ynë përherë “trim dhe liridashës”...i qeverisur ca si gjatë nga e djathta, është majmur së tepërmi dhe ka nisur të bëjë si ballistët në filmat e para viteve 90-të, pra të shqyejë kofsha pulash e të dëndet në pije dhe brumëra pa kriter.

Ncuq ore popull, nuk bën kështu, pse ku jemi ne, në filma me Sali Protopapër apo kulakë të tjerë?

Presim me ëndje dhe kërshëri të lartë, që ndonjë ditë, po aq të shpiket ndonjë taksë edhe për miellin, mishin e qumështin e lopëve tona apo atyre të huajava, duke ndjekur të njëjtën vijë mendimi dhe arsyetimi qeveritar.

Mjaft u zhdëpët dhe ngopët stomaqet në byreqe e bakllava, mos u nginjni më në qingja të pjekur dhe pula furre ore njerëz se ua shtuam edhe taksën e hellit pastaj!

T’i shpallet luftë e pakompromis jo vetëm krimit të organizuar, informalitetit dhe korrupsionit, por pikëspari dhe mbi të gjitha, barqeve të varur, celulitit të përhapur femëror, muskujve të flashkur e dukurive të ngjashme, që janë padyshim shkaqet që e kanë shpënë pakthyeshmërisht Shqipërinë tonë drejt rrënimit dhe varfërisë së skajshme.

Të jetë gjë që edhe Gjermania, Britania, Franca & Co na e refuzuan statusin kandidat për këtë shkak??

Ka mundësi.

Vendet e zhvilluara liderë të Bashkimit Europian, me siguri që do kenë pas vënë re sesi këta shqiptarët e pagdhendur, u kërcejnë makinave private edhe për të bërë 500 metra rrugë.

Pse ore, ku ju shpie mushka juve more shqiptarë, ç’kujtoni ju se nuk i dinë në Bruksel këto gjëra, pandehni se do ia hedhim paq ne dhe që europianët nuk do t’a marrin vesh apo s’do t’a vërejnë tendencën tonë tejet të rrezikshme dhe fort subversive e të dyshimtë, që i bën burrat tanë afër të pesëdhjetave të bëhen “tullacë e barkderra” e që grave tona ua shton kilet trupore po aq sa edhe ua zbeh hiret femërore?

E kanë syrin e mprehtë në Europë për të tilla çështje dhe nuk ua hedhim dot, jo!

Më në fund ndërkohë, edhe në Tiranë për fat të Zotit, na u instalua një ekzekutiv që estetikën jo vetëm arkitekturore, por edhe trupore e ka parësore dhe që këta shqipot do i mësojë t’a kthejnë trupin në formë, se ndryshe në Europën e qytetëruar nuk hyhet, t’a flini mendjen njëherë e përgjithmonë.

Ndoshta në SHBA do e kishim ndonjë shans për shkak se mes fast food-ësh dhe hamburgerësh pafund, qytetarët amerikanë nuk ia thonë shumë për ushqim të shëndetshëm e linja të admirueshme trupore, por me Europën “ngeci karkaleci”, s’i dilet pa bërë pak “jogging”...thënë shqip, pa ia ngjeshur në këmbë sipas direktivave të udhëheqjes.

U kuptua?

Do pranuar se kryeministri, duke gjykuar nga shpura që i vete pas (ministra e funksionarë shtetërorë) është në shoqëri të mirë.

Ministrat e rinj të partisë së tij janë në formë perfekte trupore, atletike dhe me linja të pakritikueshme.

Ka qëlluar që ndoshta duke u nisur edhe nga ndonjë pikë ende e pazbardhur e marrëveshjes në mes të dy forcave të mëdha të majta në pranverën e kaluar, vetë lideri i lëvizjes integruese sa edhe socialiste, kryetari i respektuar i parlamentit (si ka qëlluar që askush tashmë nuk i thotë më “spiker” atij siç rrekeshin pafund t’i drejtoheshin pak si me kunjë ish kryetares së mëparëshme?)...ka bërë një dietë fenomenale.

Siç duken bathët, udhëheqësi ynë rilindas nuk e pranonte kurrën e kurrës një marrëveshje me LSI, jo për shkak të lumit të akuzave të pas 2009-ës, as për 21 janarin, por vetëm për arsye se shëndeti trupor i rivalit të tij të madh brenda së majtës, ishte pengesë e “pakapërcyeshme” për një akord midis tyre.

E sapo janë ulur të akordohen për ndarjen e pushtetit post-23 qershor, kjo pikë mund të ketë qenë e panegociueshme.

Siç e pamë të gjithë me hapjen e legjislaturës së re, kryetari i ri i kuvendit e kishte firuar peshën shumëvjeçare trupore pra!

Tani po nga gjindja e thjeshtë çfarë pritet atëherë?

Në dietë e mos pipëtini!

E po nuk ditët si popull kokëfortë që të mbani dietë vetë, ç’keni juve se “përkujdeset” qeveria që t’u vërë në regjim dietetik me dëshirë apo jo!

Çfarë nuk bëhet për shëndetin dhe të mirën e popullit fundja!

Rezultatet e kësaj strategjie qeveritare, tashmë do të nisin të ndihen rreth e përqark Shqipërisë, ndërsa jo vetëm makinë-poseduesit do të jenë të këshilluar-detyruar që të përdorin në minimum automjetet e tyre private, por për shembull edhe trasportuesit e mallrave të konsumit, ndonjë ditë mund t’a shohin veten të detyruar që për transport t’u kthehen mjeteve më ekonomike si qerret me buaj apo karrocat me kuaj.

Ose përse jo...edhe t’ua vënë thasët njerëzve përmbi shpinë.

Sa për hekurudha (ore po edhe ky treni me naftë sikur punon...edhe në tren njerëzit bëhen përtacë, i ulin mollaqet në sedilje dhe ngathtësohen e priren dashur-padashur drejt mbipeshës)...ato i kemi në rrënim prej vitesh dhe nuk merren në konsideratë sido që të jetë situata.

Kurse populli i thjeshtë që dje dëgjonte veshëngritur me kureshtje shpjegimin anti-obezitet të kryeministrit, përveçse si zakonisht (Shqipëria është akoma një nga vendet me më pak makina për frymë)...do u hipi këpucëve për të ecur e përshkuar rrugët për punë, shtëpi e ku të jetë, tashmë edhe për autobuz urban, furgon linje etj, do mendohet më tepër se mirë, për shkak të çmimeve të udhëtimit që do rriten edhe ato si pasojë e këtyre taksave mbi naftën.

E përmbledhur e tërë kjo domethënë shqeto kështu: ”Merre me lëng se mishi u mbarua”...ose e përshtatur sipas rastit që po diskutohet: ”Merre me këmbë o popull se nafta u shtrenjtua”.

E vërteta e zhveshur është që një inciativë të tillë “bamirëse” nja dyzet vjet më parë e kishte ndërmarrë edhe me më tepër përkushtim e pasion përparimtar, një qeveri tjetër e jona, kur në bashkëpunim të ngushtë me shokët nga Kina e Timonierit të Madh, teksa vetë Mao Tse Tungu ia fuste një dorë not në lumin Jance, popullin tonë si dhe atë vëlla kinez, e nxirrte në pikë të mëngjesit për të bërë krose kilometrike, vrap në mes të acarit si dhe të paharrueshmen idiotësi noterike që përfaqësohej nga gjimnastika mëngjezore në punë e shkollë.

Thoshte populli njëherë e një kohë lidhur me këtë miqësi: “Populli ynë dhe populli i Kinës...bukë e ujë e grushta shpinës”!

Tek grushtat shpinës kemi qenë dhe jemi besoj ende njëlloj, tek buka e uji kam pak dyshime ndërkohë, për arsye se kinezët më duken çoku të fryrë dhe të zgjatur që pas reformave të Ten Hsiao Pin-it, me ne është problemi, se në mos tek buka dhe uji, aty pranë kemi mbetur deri më sot.

Sidoqoftë është gjë e vlerësueshme që pas tre muajsh arritëm të kuptojmë edhe një prioritet “madhor” të kësaj qeverie, estetikën pra.

Mos të habitet kush kur ndonjë ditë policët e trafikut në mos gjobisin, do të kritikojnë ndokënd ashpër lidhur me krehjen e dalë jashtë mode apo ngjyrën e pakombinueshme të celularit me kollaren e shoferit mashkull apo borsetën e dorës së shoferes femër.

E themi pastaj përse nuk bën përpara ky vend?!

Aq sa dukeshin së paku pavend “stilolapsat eskplozivë” 3 vite më parë, ndërsa themelorja ishte sulmi ndaj shtetit më 21 janar, po aq e mos më tepër tingëllojnë si të një planeti tjetër jashtë sistemit tonë diellor, këto arsyetimet naftë-shtrenjtuese të veshura me luftën komike ndaj mbipeshës.



(Vota: 39 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora