Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Babadimri grushtohet në Shkup

| E shtune, 21.12.2013, 11:10 AM |


BABADIMRI GRUSHTOHET NË SHKUP

SI “I DËRGUARI SHEJTANIT”

NGA KALOSH ÇELIKU

Interesant, Babadimri ka pasaportë diplomatike (sa për sy e faqe) dhe nuk ka kufinj politik nëpër botë si ne shqiptarët. Mirë. do të ishte këtë pasaportë diplomatike ta kenë artistët, po ja që pak veta e kanë deri në Ditën e sotshme. Pajtimi ndërkombëtar: krahas politikanëve, mirë që e ka Babadimri. Edhe, mirë që nuk e kanë këtë dhuratë politike ndërkombëtare bashibozukët. Shkaku se, në Shkup do të mund të hynin me këtë dokument udhëtimi përveç artistëve të vërtetë, edhe të rrejshmit me shalla të larmë turko-arab përqafe. Dudumë, që kohën e fundit kur e gjejnë veten nëpër shkrimet e mia publicistike, tërbohen dhe marrin guximin të dalin me emër e mbiemër. Mendja i rren se, unë do merrem me ta si haxhuze Bit-Pazari që i ka falë Zoti, humbë kohë me shpifjet e tyre dhe sharjet e nënkryeme teknefese. Pavetëdije, të shkretët mbyten në hurdhë, nuk e dinë se nga kemi ecur kemi lënë gjurmë aq të thella, që nuk i fshinë dot asnjë stuhi, borë e madhe. Herë duan të duken shkrimtarë, kritikë letrar, fetarë e herë psikologë të “Shtëpive rehabilituese”. Diagnozën e tyre  shpallin haptas për mua si shkrimtar në rolin e “mjekut specialist”, nguten të ma nxjerrin nga xhepi pa “korrupsion”, pa u trokitur kurrë në Ordinancën e tyre mjeksore.

Megjithatë, aspak nuk u hidhrohem të arratisurve politik, kur i shoh kaq “trima” mbi gomarë me kunguj Stambolli në kokë, që plasën të më dalin në dyluftim në fushën e mejdanit, t’i masim forcat krijuese. Ose, siç thotë këngëtari popullor: Hutat t’i puthim gushë më gushë. Hë për hë, nuk kam kohë.  Nesër, ndoshta gjej pak hapsirë në Shtëpinë publike. Po, ato më do të jenë të vdekur, pushojnë në “paqe” mes varreve.

Hi-hii-hiii… Ujku, sot për sot nuk merret me këlyshë me zgjebe që i lehin me vite pas shpine, dhe kur e kthen prapa kokën, i sheh aq të mjerë e përlagur me një asht në gojë, vazhdon rrugën për në Baba Tomor. Malli më ka marrë për ujqër të maleve! E, jo për Këlyshin me zgjebe të Flakës së vëllazërimit dhe Shkollës Fillore “LIRIA” në Shkup, asaj kohe kur m’u ndërsye me shokë pas shpine me një asht në gojë. Heroikisht, si personazh letrar, hyri në librin tim me drama (satirë groteske): Kopeja me zgjebe ndjek Autorin (2000). Numri 2 i “Ditëve të Naimit”, prej nga ku e përzunë me të gjitha “plaçkat kulturore” në fshat, jetojë mes kontenierëve të bërllokut. “Burrërisht”, edhe sot me gjithë asht në gojë t’i turret përmbrapa DoktorZiut.

Përsëri, kam frikë se nuk më kuptoni, nuk dini të më lexoni mes rreshtave. Shkaku?! Vërtet, më dhimbeni si buba rruge me bishtin ndër këmbë e gjuhën e nxjerrur jashtë dypëllëmbë nga vapa. Prandaj, do të përpiqem t’ju ndihmoj pak në këtë shkrim profetik. Kurrë, nuk e kam pasur torbën me taxhi përqafe, që t’u ndërsehem personaliteteve shqiptare sa herë që Qoftëlargu të ma bëj me gisht i fshehur pas porte. Tjetër punë është ajo se, Haxhuzja e ka mizën në kësulë. Male të larta kemi në mes njëri - tjetrit si krijuesë shqiptar. Larg jemi me qindra kilometra. Baba Tomori, Mali i Perëndive nuk zbret në “Vodno”, po “Vodno” duhet të hip në Bab Tomor. E them këtë se, kët Vit të Ri iu muarr para syve të botës në kufi pasaporta edhe Babadimrit. Përmëtepër, edhe e sulmuan me grushta nëpër afishe në Çair dhe Butel të Shkupit. I thanë: mund të vijë Car Dushani, po të dojë në Shkup, Erdogani edhe Millosheviqi, po jo ti me thesin plot dhurata Natën e Vitit Ri. Ne, na sjellë dhurata Ferexhja e zezë Natën e Vitit Ri islam, kur Azreti Muhamedi a. s. u shpërngul nga Meka në Medinë (9 nëntor si festë myslimane).

Përinatë, “vëllezërit” e ringjallën dhe e sollën Car Dushanin në Shkup. Shqiptarët, në vend të duartrokitjeve dhe luleve, e pritën me çekiç, simbole komuniste. Drapëri mungonte dhe ylli i kuq komunist. Trupërojen, falë “patriotizmit” të shqiptarëve, Car Dushani e ka edhe më në nivel se gjatë pushtimeve dhe sundimit të këtyre trojeve: policinë e shtetit të “përbashkët”, nateditë të maskuar brigjeve të Vardarit.

Haxhuzja, pas teravisë shpërnda dhurata (afishe) para syve të policisë të Shtetit ligjor “demokratik”, Partive politike maqedonase e shqiptare. Vitit të Ri 2014 do t’i vë kufi politiko-fetar duke u fshehur nën petkun politik antishqiptar. Askushi nuk guxon t’i ndalë veprimtaritë “humanitare” nëpër trojet etnike shqiptare. Dhuratat e Vitit të Ri, thirrjet (afishet) e shpërndara me Babadimër duke e grushtuar në mes të ditës në Shkup para syve të policisë Shtetit, që synon nesër të shkojë në Evropë. Njësoj si Haxhuzja “shehite”, që del me emër e mbiemër nën shkrimet e mia profetike dhe kujton, e rren veten se është “Hanëm Haremi” me gjithë ashtin në gojë e  ferexhenë krahëve.

Gomarin me samarë, në të cilin mezi e hipi Partia shqiptare në pushtet (BDI) e ka shaluar me të katra nëpër Bit-Pazar. Shtetin “demokratik”, ku mund të hyjnë të gjithë edhe me qerre, po jo edhe shqiptarët me kësulën e bardhë dhe veshje kombëtare. Tashti, merreni me mend kur Babadimrit i ndalohet shfaqja në Shkup me veshje festive e thesin në shpinë për t’u shpërndarë fëmijëve dhurata si Babagjysh i Vitit të Ri, ose me një shfaqje argëtuese kulturore për fëmijët e vizitorëve të Qendrës Tregtare, ndalohet dhe më pas dhunohet para syve të botës nga një grup “myslimanësh”. Dudumët e ndaluar nga policia kanë deklaruar se: “Babagjyshi i Vitit të Ri, si e ka pranuar dhe shkenca, është i dërguari i shejtanit dhe për këtë duhet luftuar në çdo shfaqje të tij.”

Përçudi, i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi nga Forumi të Rinjve Mysliman të cilët në një deklaratë për shtyp kanë theksuar se, “në zbatim të marrëveshjes së Ohrit, policia duhet të arrestojë të gjithë personat e maskuar si Babagjyshi i Vitit të Ri, duke i dhënë kështu fund provokimeve që çdo vit i nënshtrohen myslimanët”.

Duartrokitje meriton distancimi i Bashkësisë Fetare Islame, në Shkup: “Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni, distancohet nga kjo thirrje, duke thënë që feja islame nuk promovon dhunën. Neve si mysliman kemi festat tona që duhet t’i festojmë, por tani kemi fatin që të jetojmë në një shtet multikonfesional, por megjithatë ne nuk duhet t’i fyejmë, por ti respektojmë, madje edhe të ju urojmë festat e tyre. Feja jonë nuk promovon dhunën”, tha Abaz Islami, zëdhënës i BFI-së.”

Merreni me mend, çka do të ndodhte nëse Babadimri hynte në Shkup me veshje kombëtare shqiptare, kësulën e bardhë të Bajram Currit në kokë?! “Nagantin” në brez. Sahatin me çustek përqafe. Mos e dhashtë Zoti me Millosheviqin mbi kalë me shalë. E pasqyrë në ballë Përfreri duke e tërhequr Haxhuzja, pasmesnate të na fusë në qytet. Qindpërqind, do të niste Lufta e tretë botërore.

Parashikimi për Ditën e Nesërme: Edhe gjatë kohë, nuk do të ndodhë kjo dhuratë e Zotit. Luftë t’i shpallin Car Dushanit në prag të Vitit Ri, që na erdhi në Shkup pa dhurata, e jo Babagjyshit, sipas tyre të dërguarit të Shejtanit. Shkaku se, shqiptarët ende e luftojnë armikun me gurë, sëpatë, çekiç e çaj rusi. Haxhuzja, me një torbë taxhi përqafe. Kohë kjo, kur në Ditën e sotshme këto armë të ftohta moti kanë dalë nga përdorimi i luftërave ballkanike. Ditën, kur shqiptarët do t’i ndërrojnë armët e luftës, atëherë edhe do të ndodhin çudirat mistike (ndryshimet) ballkanike. Shqiptarët do t’i dalin zot pragut të Shtëpisë. Momentalisht, e kanë vështirë mes këtij bërlloku para dere, kur në mes të Lëmës i kanë të gjitha gjallëresat me dy e katër këmbë.

Nesër?! Nesër, dihet: nis Dita e Re, që shqiptarët e presin me shekuj. Koha është, t’i dalim para me koçi, sipas zakoneve tradicionale. Pushkë të qesim në Katund. Lodrat dhe dajret t’i bëjmë copë-copë. Nusen me këngë e valle ta zbresim në Lëmë.

O, bini burrat e mejdanit, zot t’i dalim “Vatanit”!...