Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Refuzim!

| E merkure, 18.12.2013, 08:50 PM |


REFUZIM!

Nga Elvi Sidheri

Mbaj mend në pranverën e vitit 2009, diku përpara zgjedhjeve parlamentare që aq shumë do të kontestoheshin më pas, vizitën e ish kryeministrit tonë (Berisha) në Pragë mos gaboj dhe përqafimin e tij me homologun çek, teksa Shqipëria bënte edhe formalisht aplikimin për status vendi kandidat për Bashkimin Europian.

Të shumtë, në mos të tepërt, ishin edhe ata analistë që këtë akt të qeverisë tonë, nxituan t’a cilësonin si të pamenduar mirë, të parakohshëm e kështu me rradhë.

Them se e kishin gabim dhe që kundërshtia e tyre e flaktë, në të vërtetë, sipas një traditë të mirëngulitur tek ne, buronte nga smira për suksesin e rivalit politik ashtu si edhe nga mosdëshira për t’a parë vendin (e përbashkët) të bëjë hapa integruese përpara, falë një qeverie të palës tjetër.

Pra nuk mendoj aspak se aplikimi ynë për kandidaturë BE-je të qe i nxituar.

Dhe si po duken gjërat tashmë, teksa po mbaron edhe ky vit, paska qenë shumë më mirë që aplikuam në 2009-ën duke marrë parasysh sasinë madhore numerikisht, të refuzimeve që nga Brukseli janë duke na ardhur me përpikmëri të admirueshme.

Mendoni sikur të kishim aplikuar të themi vetëm në 2011-ën apo vjet!

Duke ndjekur zhvillimin e ngjarjeve lidhur me kandidaturën e vendit tonë, as në 2016-ën ose 2017-ën s’do ia kishim nuhatur as aromën statusit në fjalë!

Dhe ju siguroj që euroskeptikët e shumtë në Bruksel, ata që janë ngopur me zgjerimet e mëtejshme të Bashkimit Europian drejt Lindjes, zyrtarët e aparatçikët gjermanë, holandezë, danezë, britanikë e francezë që fatet dhe integrimin e vendit tonë për shembull, i lidhin me zgjedhjet e tyre lokale apo parlamentare...të tërë këta tipa që lartpërmenda, do kishin qenë më tepër se të lumtur, që statusin tonë t’a kalonin përjetësisht në kalendat greke.

Sot për fat të keq Europa (jo edhe aq) e Bashkuar, vuan nga një mungesë Lidershipi, vizioni dhe vendimarrje të theksuar.

Europa e Bashkuar është zhytur (rrezikoi fort edhe të mbytet) dhe nuk po gjen rrugëdalje nga baltovinat dhe kënetat e recesionit ekonomik e nuk po di të mësohet edhe pas 12 vjetësh me monedhën e përbashkët “Euro” (që sidomos në vendet mesdhetare jugore të kontinentit si Italia apo Spanja për shembull, po shikohet mjaft vëngër prej kohësh, si një mjet përfitimi i sajuar apostafat për të majmur gjermanët të cilët jo rastësisht me krizën nuk u takuan tërë këto vite të vështira).

Europa që mëton (pa qenë realisht akoma e tillë) të jetë e Bashkuar, po vuan nga një euroskepticizëm gjithmonë e më në rritje.

Mjafton të shikohen shembuj si ekstremistët e majtë të SYRIZA-s në Greqi (që lundrojnë përherë në ujëra të qeta prej 25% votash) apo nazistët megallomanë tashmë gati jashtë ligjit të Agimit të Artë, Fronti Nacional i Marine Le Pen në Francë, Lëvizja 5 Yje e Grillo-s në Itali, Legistët Veriorë në të njëjtin vend apo parti të ngjashme në Austri e Holandë, që të kuptohet pra, se shumë gjëra nuk shkojnë fare vaj për imazhin falls të unitetit që rreket të rrezatojë Brukseli përditë.

Po aq edhe mbledhjet e stërzgjatura, përplasjet e forta dhe vendimarrja gjysmake e pa kokë, që rezulton gjithnjë pas takimeve të nivelit të lartë për çështje të rëndësishme të BE-së, janë një pasqyrë e mjaftueshme për të kuptuar se BE-ja ka probleme shumë, po shumë më të mëdhaja se Shqipëria dhe kjo kandidatura e saj.

T’a flemë pra mendjen nga kjo anë.

Ne jemi një vend i vogël dhe jo vetëm në fushën e shahut botërore, por edhe në atë europiane, nuk kemi ndonjë rëndësi, rol apo peshë tejet specifike.

Në pranverë mesa di unë, ka zgjedhje europiane, ku në secilin vend anëtar të BE-së, populli do të vejë në kutitë e votimit për të zgjedhur parlamentarët e tij për në Bruksel.

Tashmë ndërkohë janë bërë të ditura edhe disa aleanca parazgjedhore të shumë formacioneve ekstremiste anti-europiane që nga Franca, në Holandë, Austri e Itali me qëllim që maksimizimit të votës euroskeptike dhe fitimit të sa më tepër vendeve në parlamentin europian.

Dikush patjetër në qeveritë e Francës, Holandës, Gjermanisë, Danimarkës (se Britaninë e kam tepër të vështirë t’a llogaris, për shkak se botërisht njihet si vend i cili qëndron në BE vetëm për të thithur sa më shumë fonde nga Brukseli, incentiva për bujqësinë e vet etj, por që në të njëjtën kohë, BE-së nuk i ofron praktikisht asgjë përveç vetove apo kushtëzimeve të çdo vendimarrje që nuk shkon sipas interesave britanike)...do t’a ketë lidhur pra dhënien e statusit për ne, me ndonjë rritje eventuale të euroskepticizmit të votuesve europianë gjatë muajve të ardhshëm.

Sikur në ndonjë farë forme, të ishim neve shqiptarët fajtorë për faktin që në 2007-ën po kjo BE-ja gjysëmfunksionale, e trembur në palcë nga euroskepticizmi dhe ndasitë ndërmjet vendeve të ndryshme anëtare, pranoi me krahë hapur dhe me dyer e kanata të shqyera dy vende aspak të përgatitura dhe kushteplotësuara si Rumania dhe sidomos Bullgaria që të bëhen anëtare të saj.

Kush ka bërë një xhiro ndonjëherë në Kjustendil, Pernik apo andej nga kufiri me Turqinë, në Karxhalli për shembull, mund t’a ketë konstatuar mjaft lehtë, sesa vërtetë vend BE-je është Bullgaria apo jo!

Përrenjasi, Bulqiza apo Klosi (ana verilindore e vendit tonë, ndoshta më e varfëra) në Shqipëri, pak dallim me qytetet dhe zonat e sipërpërmendura kanë.

Po ashtu nuk kemi neve asnjë përgjegjësi që sidomos Rumania, nisur nga një strategji e mirëstudiuar në tavolinë nga autoritetet e atij vendi, fill pas antarësimit në BE, i pajisi me një shpejtësi marramendëse me pasaporta qytetarët e saj të etnisë rome dhe i dërgoi ata si pako postale nëpër Europë, veçanërisht në Spanjë, Francë dhe Itali.

Sot kur vendit tonë, me të drejtë nga Brukseli i kërkohet me ngulm që të integrojë dhe respektojë “një më një” të drejtat e çdo komuniteti të margjinalizuar (siç janë fatkeqësisht edhe romët)...mua më vjen sidoqoftë pak habi dhe revoltë nga brenda...

Përse vallë Brukseli nuk i vendosi sanksione Rumanisë para 6 vjetësh kur ai vend “u dha duart” praktikisht qytetarëve të vet me origjinë rome dhe i shpërndau ata nga mundi nëpër Europë?

Fundja edhe regjimi diktatorial kuban i Fidelit andej nga vitet 80-ë nuk pati vepruar ndryshe, kur pati lënë të nisen me çfarëdolloj mjeti lundrues qindra-mijëra kubanë (dhe mes tyre edhe mijëra të burgosur për krime ordinere...duke i lehtësuar burgjet e veta nga shumë kriminelë e vrasës të rrezikshëm) për në brigjet e Floridas në SHBA.

Një shembull të kësaj që po përmend, mund t’a hasni qetësisht pa u lodhur shumë, tek filmi “Scarface” i Brian de Palma ku interpreton mjeshtërisht Al Pacino rolin e kubanit Montana.

Nuk guxoj kurrë të pohoj afërmendsh se romët e Rumanisë janë kriminelë si të burgosurit e Fidelit, por trajtimi që atyre u bëri shteti rumun pas hyrjes në BE ka qenë i njëjtë me sjelljen e autoriteteve kubane në vitet 80-ë, duke synuar t’i “ngecin” BE-së ashtu si kubanët SHBA-së, tepricat e tyre njerëzore.

Të mos flasim pastaj për sjelljen shumë “njerëzore” dhe trajtimin brenda të tëra normave të “larta” europiane që romëve u rezervohen në shtete themeluese të BE-së, me demokraci funksionale, me ligje dhe rregulla nga ato që synohet të na mësojnë edhe neve, të prapambeturve shqiptarë.

Besoj se çdokush ka parë sesi Franca e kulturuar i kthen me avion special romët për në vendet e origjinës pa pyetur për asnjë të drejtë të tyre.

Një rome kosovare e mori për leckash policia franceze pak kohë më parë në mes të shkollës si të ishte kriminelja më e shquar e gjithë Francës.

Kampet e tyre digjen e shkrumbohen në Itali e Francë dhe sërish shteti i qytetëruar francez, atdheu i “Egalité-Fraternité-Liberté” i quan romët si njerëz që: “nuk përputhen me normat e shtetit francez”, pra që nuk bëjnë dot pjesë në shoqërinë franceze, që janë pse jo...edhe të padenjë dhe të pamundur për t’u integruar dot brenda vlerave të larta morale dhe shoqërore të Francës!

Tingëllon gjë pak, po shumë pak...si racizëm e diskriminim shtetëror ky??

PO!

Në brigjet e kësaj Europe të Bashkuar mbyten përditë leckamane afrikanë e aziatikë, sirianë të ikur nga lufta e afganë të varfër dhe po kjo BE nuk e lëviz as gishtin për të bërë diçka që kjo tragjedi e pafund të ndalet.

Përse?

Sepse qënia e BE-së si “Bashkim” vlen për gjithçka përveçse për t’i ardhur në ndihmë e mbështetje pikësëpari atyre të ngratëve që përfundojnë nën ujërat e thella të Mesdheut pranë Lampeduzës apo Maltës...si dhe vendeve që në linjë të parë u ka rënë barra që të përballen me këtë prurje tragjike njerëzore, siç është Italia ose Spanja.

Përse të shqetësohen Gjermania e Hollanda ose Danimarka, që njerëzit mbyten si miza në brigjet italiane, kur ata ndodhen të qetë atje në veri të kontinentit, larg Afrikës dhe Azisë?

Le të merren italianët e spanjollët, grekët apo edhe shqiptarët me këta “dorën e ulët” sirianë, afganë, pakistanezë, libianë, afrikanë e ç’të jetë...se në veri (ku ndodhet rastësisht edhe Brukseli) kanë punë më të rëndësishme për të bërë...si për shembull që të na shtojnë kushte të reja sa herë ua jep truri apo edhe të na shtyjnë statusin në përjetësi neve.

Solidariteti dhe uniteti në BE, në pastë ekzistuar ndonjëherë, o ka vdekur fare, o ka hyrë në një letarg aq të thellë, sa s’i dihet kur dhe a do të zgjohet ndonjë ditë!

Po aq do e vënë ujin në zjarr këto lloj vendesh edhe për sa e sa emigrantë të gjorë që vdesin teksa përpiqen të arrijnë ishujt grekë apo që ngrijnë nga të ftohtët në Gjirokastër e Kakavijë, ndërsa tentojnë të kalojnë nëpër Shqipëri, me synimin për të arritur ndonjë ditë të gjallë edhe në Europën e pasur.

Por e gjithë kjo nuk do të thotë kurrësesi që BE-ja nuk është shpresë, e ardhmja, qëllimi dhe synimi e destinacioni jonë si vend e si popull.

Ajo që po ndodh në Ukrainë është ilustrimi i kësaj teze.

Mes autoritarizmit e gazit rus dhe ëndrrës demokratike dhe civilizuese e mirëqënies që përfaqësohet sidoqoftë nga BE-ja, populli ukrainas që për herë të dytë pas “Revolucionit Portokalli” të 2004-ës, po përballet në sheshe me kukullat e Kremlinit në zyrat drejtuese të Kievit, ka zgjedhur këtë të dytën.

Kjo për arsye se, sado të meta dhe krisje apo plasaritje të tregojë apo të ketë BE-ja, sado përçmuese dhe jo rrallë tepër të gabuara të jenë qëndrimet dhe vendimet e Brukselit (kundrejt vendeve si i yni për shembull)...sërish ëndërra europiane është shumë më e madhe sesa zyrtarët miopë të Brukselit apo qeveritarët e vendeve të pasura e të majmura që mbajnë fort të shtrënguar (duke mbrojtur gati ekskluzivisht interesat e tyre) frerët e mbarëvajtjes së këtij Bashkimi.

Pra shkurt e shkoqur miq, t’a bëjnë sikur edhe nesër Serbinë anëtare (ndërkohë që vetëm këto ditë qindra trupa shqiptarësh u gjetën në territorin e saj të masakruar nga lufta e fundit), të na shtojnë kushte mbi kushte po deshën, me durim e ngulmim, duke i njohur, tejkaluar e përmirësuar të metat tona të shumta...sërish ylli polar na mbetet Brukseli!