E merkure, 24.04.2024, 07:39 PM (GMT+1)

Mendime

Vangjush Saro: Shqipëria në “dimër”...

E hene, 16.12.2013, 09:24 PM


Shqipëria në “dimër”...

Titull tjetër, si grishje: Urrejtja nuk na ndihmon

Nga Vangjush Saro

Dy gjëra të bëjnë përshtypje më së shumti këto ditë: Ngazëllimi i një pjese të opozitës pse Shqipëria nuk po arrin të bindë BE-në t’i japë statusin e vendit kandidat për anëtar në këtë komunitet; dhe së dyti, zhurma (gjithaq e opozitës) për “shkatërrimin e administratës”. Duket se promotor i këtij qëndrimi refraktar është drejtuesi formal i PD-së, L.Basha. Nuk dua ta besoj, por ai dhe ata që fshihen (ose nuk fshihen fare) prapa tij, duan të përfitojnë ende dhe po ngrenë strategji mbi dy terma në skorje e me të cilët vendi duhej të ishte ndarë qyshkur: Revansh dhe Urrejtje. Prej shumë e shumë kohe, këto terma e këto mentalitete të trashëguara s’mbahet mend prej kur, po e lodhin gjer në stërmundim këtë vend dhe qytetarët e tij. I kanë raskapitur madje.

Për fat të keq, disa të tukequr në politikë, edhe pse të rinj në moshë, nuk ndahen dot nga termat e Komunizmit dhe nga mentaliteti me “izolim” e “armiq të jashtëm dhe të brendshëm” i së shkuarës. (Aq më tepër, kur kanë ndër sy ende një sufler bash të asaj kohe.) Është për të ardhur keq; disa politikanë shqiptarë e disa djem të gjendur rastësisht e përulësisht në politikë, nuk u bënë dot burra. Shkoi e vate. Ani. Mediet iu kanë kujtuar heraherës këtyre djemve - zemërdhembur për popullin - se në kohën e tyre pati disa ngjarje të rënda. Gërderci. 21 janari. Më tej, iu kanë përmendur pushimet masive në fillim të vitit 2005 e më tej, e në vazhdimësi; pa u tutur nga asgjë. Nuk na premton koha të rimarrim një sërë letra e ndërhyrje të partnerëve dhe të BE-së, që grishnin për kujdes në reforma dhe me administratën; sepse djemtë e nxituar reformat i gjenin si zëvëndësime njerëzish e vendesh pune.

Ishte partia e këtij zotërisë që çirret sot, një nga protagonistët kryesorë kur lindën dhe u pagëzuan në moskuptim e urrejtje: krahinarizmi dhe militantizmi i verbër. Kjo komedi, duhej ta kishte ulur siparin njëherë e mirë. Nuk qenka e lehtë. Gjithsesi, unë mendoja se përfaqësuesit e opozitës e kishin fjalën që, midis të tjerave, janë pa punë shkrimtarët e njohur Behar Gjoka dhe Viktor Canosinaj; (se ky kolegu i tyre që po shkruan këto radhë, u harrua). Unë mendova se opozita po kujton rastin e atij piktorit të Ujësjellësit...Shumëkujt mbase i kujtohet ai djalë që u përmend atëherë edhe nga kryetari i opozitës. Pra, ishte piktor, e çuan në një detyrë të rëndomtë; e bëri edhe atë nga e keqja; por pastaj, e pushuan fare; dhe ai djalë u sëmur...Askush nuk u përgjigj për jetën e atij njeriu. Në kohën dhe në pushtetin e Bashëve, gjer edhe pastrueset e shkollave u flakën në rrugë. Në Dhomat e Tregtisë, të cilat i njoh mjaft mirë, edhe shoferi (miku im B.Baci) u përzu nga puna; megjithëse ishte një profesionist me licensë kamioni, e nëse doni të dini, shumica e njerëzve të tij ishin me PD-në(!) Dhe është ende pa punë...

Jo. Opozita e paska gjetkë hallin. Ajo do të përfitojë me doemos nga hallet e Shqipërisë. Kjo nuk shkon. Klanet kanë shkaktuar këtu qindra drama njerëzore. Ato u sollën me njerëzit jo si shqiptarë, por si “bajlozë” të ardhur nga përtej detit. Kjo të jetë mirë në vëmendjen e politikanëve oreksprishur. E kam shkruar edhe më parë: Pozita nuk duhet të sillet edhe ajo si bajloz,  t’i prekë ata që janë në punë, sidomos ata që kanë një status, një shkollë të merituar dhe një përvojë që duhet vlerësuar. Përpara se të bëjnë gjyqe djemtë e “vonuar” në PD, opozita të marrë vendime të peshuara, në akord me të gjitha ligjet dhe rregullat që janë në fuqi. Jo po, shpejt a vonë, të përgatisë tabutin e vet.

Por ndërkaq, djemtë e vonuar në politikë të mos ngrenë stuhira në gotë. Ata nuk janë aq pa përvojë e të padjallëzuar, sa të mos e dinë që jeta, siç na e ka mësuar J. Hashek (“Ushtari i mirë Shvejk”), nuk është “shkollë sjelljesh fisnike”, ndërkohë që një nga personazhet e Xh. Xhojs (“Ulisi”) ofshan: “Përndjekja; e gjithë historia e botës është e mbushur me të...” Askush të mos mendojë se pozita e sotme do të rrijë me dorë në zemër për gjithkënd e për çdo të punësuar padrejtësisht. Opozita - jo me bujë, por me korrektësi e përgjegjësi - të ndjekë rast pas rasti padrejtësitë reale dhe jo historitë qesharake të lloj-lloj nëpunësve të emëruar në zyra për “vendosmërinë” e tyre politike e jashtë kritereve. Kjo është përtej fjalëve boshe. Nëse ende duhet të merremi me të tilla, jemi duke u kthyer prapa...Këto shikojnë partnerët, mes shumë e shumë halleve të tjera, prandaj nuk iu dhemb fort “dimri” në të cilin është zhytur Shqipëria. Fjetur në këtë stinë gjumi dhe abuzimesh, shteti-amë po dëmton edhe Kosovën, edhe çështjen mbarëshqiptare në përgjithësi.

Revansh e urrejtje janë “dimri” më i madh e që duhet kapërcyer me doemos. Por kjo s’mund të bëhet duke ushqyer pareshtur pakënaqësi dhe revolta, të cilat dikur frymëzuesit e tyre i kanë shtypur në mënyrën më të egër, edhe pse ato kishin motive ku e ku më bindëse nga sot...



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora