E marte, 16.04.2024, 04:12 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Po me statusin ç’patën xhanëm?

E diele, 15.12.2013, 02:50 AM


Po me statusin ç’patën xhanëm...(holandezët)?

Nga Elvi Sidheri

Siç kanë patur zakon dhe traditë të “paharruar” të shprehen në fjalorin tipik të TVSH-së...”lind pyetja”...përse vallë miqtë tanë të hareshëm nga Hollanda e mullinjve me erë (ose ujë), nallaneve prej druri për meshkuj e femra, gjalpit të shijshëm, cilësisë së lartë të jetesës dhe atmosferës liberale në çdo fushë apo këndvështrim, e kanë parë të udhës që të kundërshtojnë statusin tonë si kandidat BE-je?

Dhe duke zgjedhur të vijoj nën të njëjtin yll polar të frazeologjisë TVSH-iste, do të përdor edhe tjetrën shprehje...”deri kur?” do të presim rrjedhimisht që ky i bekuari status si vend kandidat të na jepet ndonjë ditë, muaj apo vit të dhjetëvjeçarit të ardhshëm, shekullit në të cilin jetojmë apo edhe me tej?

Unë personalisht me holandezët në parim nuk ndiej asnjë kundërshti, nuk ushqej asfarë mërie ndaj tyre dhe për më tepër, ai vend përherë më është dukur vërtetë si pararojë e zhvillimeve përparimtare dhe modernizuese për jo vetëm kontintentin tonë të moshuar Europian, por edhe më gjerë për të tërë botën e civilizuar.

Ua kam vlerësuar holandezëve shpirtin e njohur tregtar, mënyrën sesi ata edhe duke qenë një popull dhe tokë e vogël, sërish kanë ditur në shekujt e kaluar të ndërtojnë një perandori të madhe tregtare, duke mos synuar aspak kolonizimin tipik të modelit spanjoll apo portugez (me konvertim në krishtërim për indigjenët e nënshtruar, asimilim gjuhësor si edhe kulturor).

Hollandezët me anijet e tyre të shpejta dhe syrin e mprehtë për tregti (jo rastësisht Amsterdami është njohur si qytet liberal, por edhe me një prezencë të njohur hebreje), ditën të krijojnë dominione tregtare që shtriheshin nga Surinami i sotëm në Amerikën e Jugut, ishujt e Curaçao dhe Antileve Holandeze e gjer në Indonezinë e stërmadhe të mijëra arqipelagëve.

Po ashtu njohim edhe fermerët “boerë” (fjala Boer do të thotë fermer në holandisht, ashtu si edhe Bauer-fshatar në gjermanisht)...të cilët depërtuan tokat pjellore të Afrikës së Jugut (apo edhe Namibisë) dhe që sot e kësaj dite përbëjnë motorin ekonomik të suksesit të atij vendi multiracial, ku ende minoranca e rëndësishme disamilionëshe e bardhë (po aq përgjegjëse për sistemin e apartejdit në të kaluarën), flet akoma “afrikaans”, një gjuhë që rrjedh dhe ngjan së tepërmi me holandishten.

Në Hollandë bashkëjetojnë në paqe vetë banorët autoktonë me shumë emigrantë, aty shteti funksionon më së miri, ka liri për këdo dhe qytetarët besoj se ndihen mirë që kanë lindur aty e jo diku tjetër.

Por...se shpesh ka edhe një “Por”, ç’i zuri me ne këta holandezët pra?

Ç’u patëm bërë?

Na kanë gjë inat dhe ne s’e dinim gjë?

Iu kemi ngrënë bukën, iu kemi pirë ashtu si pa leje qumështin e yndyrshëm të lopëve të tyre të majme të cilat ushqehen të kënaqura nëpër lëndinat përherë të gjelbëra holandeze (jo si lopët tona coftina dhe kockë e lëkurë, që prodhojnë jo për faj ekskluziv të tyre, qumësht skarcitet, të cilit fshatari yni mendjendritur i shton si për lezet edhe nga pak miell për të rrumbullakosur ndonjëçikë në kurriz të klientëve fitimin e tij modest)?

Tani ore njerëz, me aq shumë vende sa ka anëtarë kjo BE-ja, nga na mbinë këta holandezët që të na kundërshtojnë neve?

Ç’arsye të errëta i shtyjnë ata të jenë kundër statusit për vendin tonë këtë vit?

Pse t’a zëmë nuk janë kundër portugezët ose danezët a edhe lituanezët po pikërisht këta të Hollandës?

PIKËPYETJE

Gjallë në botë se e marr vesh cila arsye fshihet pas këtij refuzimi!

Se fakti është që me ta neve nuk na lidh asnjë lloj gjëje, fare, asnjëçikë...e atëherë ku qëndron sekreti i këtij refuzimi?

Mirë se ja edhe Britania, e njohur për qëndrimet hundëpërpjetë kundrejt kujtdo (përveç ndaj nipave amerikanë, që si pjestarë të shquar të familjes së madhe dhe të pasur e të fuqishme anglosaksone, vetëvlerësimin e kanë edhe më stratosferik sesa anglezët)...e sidomos me vendet e reja anëtare ose kandidate për BE, thuhej se nuk ishte plotësisht dakort me statusin tonë.

Por britanikët kanë fundja edhe një dorë të drejte nga ana e tyre, kur njëherë mendohen mirë para se ndonjë vend lindor, të nisi afrimin e shpejtuar për në familjen e përbashkët Europiane me qendër në Bruksel (vetëm polakë vajtën afër një milion në Britani pas futjes së Polonisë në BE në vitin 2004).

Por as ky shpjegim për ngurimin e britanikëve lidhur me ne, nuk pi shumë ujë, sepse siç dihet botërisht, statusi nuk të bën kurrësesi direkt as anëtar e as përfitues të privilegjeve që vijnë bashkë me antarësimin e një shteti në BE (rastet e Kroacisë që priti shumë vjet megjithëse kushtet i kishte të plotësuara dhe ekonomikisht ishte dhe është më lart se disa vende BE-je, apo edhe IRJ Maqedonisë që është kandidate qysh në 2005-ën, shërbejnë si udhërrëfyes).

Pra vërshim shqiptarësh në Britani nuk do ketë së afërmi e as së largu (sepse edhe kur u hoqën vizat me BE-në për shtetasit shqiptarë, Britania nuk u përfshi në këtë iniciativë po ashtu) dhe për një arsye të tillë, edhe frikërat britanike që ilustrohen me hezitimin e tyre ndaj kandidaturës sonë, janë të pathemelta.

E kthehemi sërish tek Hollanda.

Po këta çfarë patën atëherë?

Ku mbështetet kjo “JO”-ja e tyre e madhe dhe e fortë për të cilën po përflitet me aq insistim këto ditë?

Me aq vëmendje dhe interes sa ç’mund t’i kushtoja, ndoqa edhe ato që shtypi na bëri të ditur lidhur me deklaratat e ministrit të tyre të jashtëm në parlamentin holandez.

Në thelb merrej vesh se edhe sipas fjalëve të tij, neve për nga plotësimi i kushteve ishim në rregull, me zgjedhjet po ashtu i kishim bërë mirë detyrat e shtëpisë, korrupsionin (që nuk shfaroset brenda natës) po e luftonim etj, etj.

“Por...ju në rregull jeni, ato që ne dhe BE-ja u kemi thënë po i zbatoni, po sido që të jetë, prisni se ku i dihet, të dojë Zoti dhe të na e ketë ënda neve, pale andej nga fundi i 2014-ës, kaloni njëherë prapë, se po na e dha truri, atëherë po ua hapim pak derën sa për t’u dhënë (ndoshta) statusin”!

Unë të paktën kështu e sintetizova dhe përktheva fjalimin e ministrit të jashtëm holandez.

Kësaj rradhe ne vetë faj nuk kemi, në Shqipëri sipas vetë holandezëve tejet sqimatarë e lupëvëzhgues lidhur me punët tona dhe institucioneve të Brukselit, na rezulton pra që Shqipëria, shteti ynë i kanë kryer “me nder dhe lavdi” detyrat e vëna nga BE-ja.

E prapë nuk mjaftuaka!

Unë dua të mendoj që mendjet e shëndosha dhe trysnia apo mendjembushja eventuale nga të tjera vende të rëndësishme të BE-së, do të bëjnë të mundur që holandezët tanë të dashur, të ndërrojnë mendje gjatë ditëve të ardhshme lidhur me statusin tonë aq të vyer dhe të shumëpritur kaq vjet nga 2009-a tashmë.

Por sërish kam një përshtypje sa vate e iku edhe ky vit për statusin tonë.

Kjo do të thotë që edhe për një vit politika shqiptare do të ketë tehe të mprehura dhe gojë të nxehura (si hekur i shkrirë) e që politikanët tanë do të gjejnë rast nga mosmarrja e statusit, që të shqyhen ditë e natë, për shkakun ose fajtorin që na la prapë pas derës së Europës, aty në paradhomën skëterrë të BE-së, që ngjan më tepër si një purgator ku degdisen vendet e pasjellshme që s’ia mbushin syrin tërë Bashkimit Europian apo qoftë edhe një vendi të vetëm anëtar të tij.

Administrata shtetërore do të vazhdojë të qëmtohet dhe pastrohet si orizi në tavë, derisa edhe rojet e ndërtesave apo ministrive e pse jo edhe macet që bëjnë xhiro në taracat apo oborret e tyre, të filtrohen dhe të jenë çrrënjosur përfundimisht (së paku deri tek zgjedhjet e ardhshme parlamentare) së bashku me çdo shenjë të pushtetit të kaluar të krahut tjetër politik.

Me apo pa akte normative dhe ankimime opozitare apo vendime të prera të Gjykatës Kushtetuese, këto dukuri (dhe jo fenomene, siç ngulmon të theksojë një mike e imja) do të mbeten të pranishme në realitetin tonë të përditshëm shqiptar, ndërsa në rast të akordimit të statusit dhe nisjes së vrapit sigurisht të gjatë, disavjeçar dhe të mundimshëm drejt BE-së, të tilla lëvizje ala-shqiptare, vështirë se do të lejohej nga miqtë dhe partnerët tanë në Bruksel, të ndodhnin më kaq hapur e me këtë shpeshtësi shtetrrënuese.

Si qytetar BE-në nuk e shoh e as e përfytyroj aspak si një fushë me lule apo lopë për t’u mjelur nga ne shqiptarët.

E ndiej dhe mendoj afrimin me Brukselin si një mundësi dhe një tren që kalon vetëm njëherë.

Ne si popull kemi humbur shumë trena gjatë historisë sonë shumë të gjatë.

Dikur kam pas shkruar edhe se në përgjithësi, neve trenit të historisë i jemi ngjitur ndërsa ka qenë në ecje e sipër dhe që rrugëtimin tonë figurativ drejt lokomotivës (Brukselit) e kemi filluar nga vagonat e fundit...ndoshta ato të qëmotshmit e klasit të tretë, ku liheshin mallrat dhe kafshët.

Për këtë arsye kjo mundësi kurrësesi nuk do humbur apo sidoqoftë edhe lënë të na shtyhet në pafundësi, për fajin tonë dhe të sjelljes së papërgjegjshme të politikës që na drejton apo edhe për kapriçot dhe “arsyen e mosarsyes” së ndokujt brenda BE-së (çdo përkitje me holandezët, është e qëllimshme në këtë rast).

E dimë të gjithë se në Shqipëri gëlon korrupsioni, se ky vend është ende i varfër, se kemi rroga të ulta, treg informal, kontrabandë, gjëra të paimagjinueshme për botën e qytetëruar si gjakmarrja, vrasjet për vija uji apo gërvishtje makinash, vjedhje, rrugë të rrezikshme ku përditë vriten njerëz për shkak të sigurisë inekzistente, kemi konfliktualitet politik të përhershëm, polarizim të shoqërisë, plehëra anë e kënd, beton gjithandej, shpyllëzim e një Zot e di çfarë më tepër.

Por sërish statusin jam i bindur ashtu si edhe 99 % e qeverive të vendeve anëtare të BE-së, se sido që të jetë ne e meritojmë.

E meritojmë për rrugëtimin e stërgjatë dhe të stërmundimshëm që kemi ndërmarrë drejt Brukselit prej vitit 1990-të, kur mbanim rradha për vajguri dhe një kryeministër na thoshte se bukë kishim edhe për 6 ditë!

Vrapin për Europë e kemi nisur prej 600 vjetësh kur një perandori me rrënjë thellë në stepat mongole, desh na ndau përfundimisht nga kontinenti dhe kultura të cilës i përkasim gjenetikisht, historikisht dhe kulturalisht.

Më pas një regjim i fantaksur izolacionist, na largoi përdhunshëm edhe për 50 vjet nga po kjo Europë ku duam sot të prezantohemi me dinjitet si kandidatë për antërësim një ditë.

Tani na mungonin holandezët kështu?

Nuk iu doli Srebrenica atyre?

S’u ka kaluar akoma dehja e shisheve të verës së ofruar “bujarisht” nga gjenerali Mlladiç teksa shkoheshin në plumba kallashësh 8 mijë burra të paarmatosur që ishte supozuar se do të mbroheshin pikërisht nga ushtarët trima holandezë?

Të jetë gjë që frustrimet e atyre ngjarjeve të turpshme, të asaj njolle të pashlyeshme për imazhin dhe ndërgjegjen e tyre, holandezët t’i shkarkojnë edhe tek ne, ndërsa kandidaturën e atyre me të cilët ndanin gotat e verës në Srebrenicë (Serbisë) e aprovuan?



(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora