E enjte, 28.03.2024, 04:05 PM (GMT)

Mendime

Elida Buçpapaj: President kukull

E merkure, 11.12.2013, 07:33 PM


PRESIDENTI KUKULL

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Autorja e këtyre rradhëve i dërgoi më 3 dhjetor 2013 një Letër të Hapur Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ku i kërkonte të mos dekretonte Ambasador në Zvicër të birin e Xhelil Gjonit, ish-eksponent i nomenklaturës komuniste. Kjo letër iu ridërgua Bujar Nishanit po përmes dy këshilltarëve të tij për diasporën në rrugë elektronike më 4 dhjetor, shoqëruar me Apelin “Bashkohuni me ne – Jo në Ambasada e Konsullata njerëz me lidhje me diktaturën“, i cili u mbështet përmes Facebook-ut dhe portalëve online nga shqiptarë të ndryshëm, në mesin e tyre edhe figura publike.

Por Bujar Nishani nënshkroi dekretin më 5 dhjetor 2013 sa hap e mbyll sytë. Askush nuk dyshonte se do të vepronte ndryshe. Sepse Bujar Nishani njihet si një yesman i bindur. Kësisoj i ka ngjitur shkallët më të larta të pushtetit. I binduri i Berishës.

Bujar Nishani nuk përfaqëson unitetin e kombit. Ai është shprehja më brilante e klientelizmit të pushtetit. Atë e zgjodhi në postin e kryetarit të shtetit një maxhorancë me një shumicë minimale,  produkt i trafikimit të deputetëve. Kjo maxhorancë pastaj do të humbiste katastrofikisht më 23 qershor 2013.

Bujar Nishani mund të mos e kishte nënshkruar me kaq ngut dekretin. Gjatë nëntorit ai u përfol në shtypin e Tiranës se kishte refuzuar, nën presionin e Berishës, të firmoste largimin e Neritan Cekës nga posti i Ambasadorit në Romë. Ndërsa nuk e mori absolutisht parasysh Letrën e Hapur të një gazetareje dhe as Apelin për të mos e hedhur firmën për një emër që lidhet në mënyrë shumë të qartë me nomenklaturën e lartë të shtetit diktatorial.

Midis emrave që iu bashkuan Apelit përmes Facebook-ut, i cili u botua tek Zëri i Shqiptarëve www.voal-online, tek gazeta Dielli e Vatrës në SHBA si dhe në disa platforma albanofone në Perëndim - dhe vetëm tek gazeta e Durrësit në Shqipëri, - ka përfaqësues nga bota akademike, ish-të burgosur politikë, është bashkëshortja e Mandelës shqiptar, Pjetër Arbnori, është Kryetari i Vatrës Z. Gjon Buçaj, ka artistë, veprimtarë, humanistë, mjekë, gazetarë, botues, juristë, mësues, njerëz të thjeshtë, pa asnjë dallim politik dhe kufizim kufijsh. Por Bujar Nishani nuk bëri as mundimin më të vogël për të vendosur asnjë lloj komunikimi as përmes këshilltarëve të tij për diasporën, të cilët nuk u lodhën të kthenin asnjë gjysmë fjale përgjigje, ndërsa linqet që i vendosa në faqen zyrtare të Nishanit në facebook u hoqën menjëherë.

Ishte pikërisht po ky Bujar Nishani që nuk pranoi të ushtronte rolin që i jep Kushtetuta e Shqipërisë kur ish- të përndjekurit e regjimit komunist u futën në grevë urie në vjeshtën e vitit 2012. Ai as komunikoi dhe as pranoi të takohej me grevistët, megjithë lutjet e atyre njerëzve të përvuajtur dhe apelit të faktorit ndërkombëtar.

Në Letrën e Hapur i kërkova Nishanit që të kontaktonte me këshilltarin e tij të kulturës, Amik Kasoruho, një ish i burgosur i ndërgjegjes dhe vuajtës i Gulagëve shqiptarë, të jatin e të cilit diktatura e kishte pushkatuar pa gjyq, por Bujar Nishani e bëri veshin shurdh e syrin qorr. Sepse është një president kukull.

Bujar Nishani mund të kontaktonte edhe me figurat që i bënin Apel. Disa prej tyre, përfaqësues të nderuar të diasporës shqiptaro-amerikane, e kanë pritur me nderime në SHBA, si përfaqësues i unitetit kombëtar, por Bujar Nishani nuk ka si të jetë simbol i këtij unitetit, kur nuk i përfaqëson viktimat e dala nga regjimi totalitarist. Prandaj ai është një president kukull.

I tillë është sistemi zgjedhor në Shqipëri, që prodhon deputetë kukulla, institucione kukulla të cilat varen nga njëshi, që futen në lista nga njëshi, që dalin prej listave po nga njëshi. Produkt i të cilit është edhe presidenti kukull i Shqipërisë.

Sepse, nëse do të përfaqësonte unitetin kombëtar, ai do të duhej të merrte parasysh historinë bashkëkohore të shqiptarëve, përshkuar nga një diktaturë mizore; ai duhej të merrte parasysh vuajtjet e viktimave të pafajshme; ai do të duhej të merrte parasysh iniciativat e Vaclav Havelit dhe Presidentit të Gjermanisë Joachim Gauck që janë „Deklarata e Pragës për Ndërgjegjen e Europës dhe Komunizmin“, 2008 dhe “Deklarata mbi krimet e komunizmit”, 2010, ku bëhet thirrje për “dënimin e krimeve të diktaturave komuniste, të cilat duhet të vlerësohen si krime kundër njerëzimit, në të njëjtën mënyrë si krimet e Nazizmit që u dënuan nga Tribunali Nurembergut”.

Haveli dhe Gauck, ndërgjegja humaniste e Europës, kanë njohur tragjedinë e shkaktuar nga sistemi totalitarist, prandaj kanë kërkuar drejtësi, e cila nuk lejon që në administratën e lartë të shtetit, të një vendi që thuhet se ka përmbysur diktaturën më 22 mars 1992, të punësohen ose ish-zyrtarë të lartë sistemit totalitarist ose njerëz me lidhje gjaku me nomenklaturën më të lartë.

Por Bujar Nishani nuk i kupton iniciativat e Vaclav Havelit dhe Joachim Gauck. Sepse ai është një president kukull.



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora