E enjte, 28.03.2024, 12:23 PM (GMT)

Përjetësi » Ismajli

Nuhi Ismajli: Replikë për çështjen e shkrimit shqip

E marte, 10.12.2013, 07:36 PM


Një replikë për çështjen e shkrimit shqip

Nga Nuhi Ismajli

-Shkrimi “Kundër standardit”,  i Milazim Krasniqit, ka mjaft pasaktësi shkencore. Kështu, sipas M. Krasniqit, gjuha shqipe “është shkruar vetëm në shekullin XVI” dhe se rrethanat për shkrimin e saj u krijuan në periudhën e sundimit osman! Vërtet, veprat e njohura shqipe datojnë nga shek. XVI, por kjo nuk do të thotë se shqiptarët nuk kanë shkruar vepra në gjuhën e tyre para kësaj kohe dhe se ata zbuluan pikërisht veprën e parë të shkruar në gjuhën shqipe. Mungesa e njohjes së veprave të mëhershme shqipe nuk do të thotë edhe mungesë e shkrimit të tyre. Nga vepra e Buzukut p. sh. sot njihet vetëm një ekzemplar i vetëm, por kjo nuk do të thotë se botimi i saj pati vetëm një ekzemplar. Sipas shënimeve të Pjetër Budit, ka ekzistuar shkrimtari Pali i Hasit, po ne ende nuk i njohim veprat e tij. Kështu, veprat shqipe të shkruara edhe gjatë shek. XVI e këtej, e lëre më ato para shek. XVI, u zhdukën për shkak të rrethanave të vështira dhe ne nuk i njohim. Ato nuk i njohim edhe për shkak se nuk janë bërë kërkime të nevojshme. Por kjo nuk domethënë se ato nuk ekzistojnë. Për ekzistencën e tyre studiuesit përmendin fakte të shumta. Sipas pikëpamjeve të Milazim Krasniqit, pasi veprat e njohura shqipe datojnë nga koha e robërisë osmane, në këtë kohë u lejua dhe pati rrethana të përshtatshme për shkrimin dhe krijimin shqip. Por, ishte e kundërta. Në rrethanat e robërisë osmane nuk kishte kurrfarë kushtesh të përshtatshme për shkrimin e shqipes. Shkrimi shqip dhe krijimi i veprave shqipe në ato rrethana nuk lejohej dhe ishte një veprimtari jashtëzakonisht e rrezikshme për autorët, si dhe për pronarët e tyre. Një sulltan turk pronarët e veprave shqipe i pati kërcënuar me djegien mbi turrën e druve. Zhdukja e veprave të hershme shqipe, prandaj, shpjegohet edhe me luftën e pushtuesit osman kundër shkrimit e krijimit shqip. Milazim Krasniqi, i nisur mbase nga pikëpamjet e tij fetare, mohon kontributin jashtëzakonisht të madh të autorëve të vjetër shqiptarë, të cilët, në rrethanat e rrezikimit tejet të madh të gjuhës shqipe dhe të vlerave të tjera të identitetit kombëtar shqiptar nga pushtimi osman, luftuan për ruajtjen e gjuhës shqipe nga zhdukja e bastardimi dhe për kultivimin e saj, si një përbërës kryesor i identitetit kombëtar. Sipas Krasniqit, “është patentuar një version ideologjik, sipas të cilit gjuhën e kanë ruajtur dhe shpëtuar priftërinjtë katolikë Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani, që e shkruan këtë gjuhë në shekujt XVI e XVII?!” Nëse njohim dhe pranojmë kontributin e vërtetë të autorëve të vjetër shqiptarë për gjuhën shqipe, atëherë nuk mund të pajtohemi se lidhur me kontributin e tyre, “është patentuar një version ideologjik”, siç thotë Krasniqi. Përkundrazi. Autorët e vjetër shqiptarë dëshmuan një dashuri të jashtëzakonshme për gjuhën shqipe. Ata gjuhën shqipe e bënë gjuhë të shkrimit, të kulturës, të artit, të shkencës, të arsimit kombëtar dhe të kishës e besimit të tyre. Autorët e vjetër, sipas veprave të njohura, duke filluar nga Buzuku, u përpoqën për një shqipe të përbashkët. Niveli dhe bukuria e gjuhës së autorëve të vjetër shqiptarë ishin aq të admirueshme edhe nga rilindësit, aq sa, gjuhën e Bogdanit p. sh., Sami Frashëri e konsideronte si më të përshtatshme për bazë të gjuhës standarde shqipe etj.. Prandaj, pohimi i M. Krasniqit, se: “Në fakt, që nga Rilindja kombëtare e këndej, gjuha shqipe ka qenë njëra nga argumentet më të fuqishme për identitetin e veçantë shqiptar dhe për idenë e krijimit të një shteti etnik shqiptar”, në radhë të parë, duhet thënë lidhur me atë që bënë për gjuhën shqipe autorët e vjetër shqiptarë.  E vërteta është se lidhjet e ndryshme të shqiptarëve me Evropën i kanë rrënuar mjaft pushtuesit e ndryshëm, por kurrë nuk kanë mundur t’i shkatërrojnë tërësisht ato lidhje, ashtu siç del nga mendimi i M. Krasniqit se marrëdhëniet e shqiptarëve me Evropën nuk i shkatërroi pushtuesi osman, po pushtuesit para tij. Në qe se akëcili pushtues arriti të shkatërrojë tërësisht lidhjet e ndryshme të shqiptarëve me Evropën, atëherë kush i krijoi lidhjet e sërishme? Apo mos, për dikë, ato lidhje mungojnë tani?!



(Vota: 29 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora