| E marte, 10.12.2013, 08:55 PM |
Poezi
Nga Agron Shele
E bardha dritë
E bardha dritë,
zgjuar ujëvarave të shpirtit tim,
endur krahëve të zogut fluturim
si dikur...
paqyrim i jetës së rilindur trazim
si sot...
robuar vargjesh të dlirtë rrebelim.
E bardha shpresë,
farfurimë e jetës kolorit pa mbarim
telajo e hapur ngjyrash shkëlqim
e bukur
si ëndrrat e netëve pa kthim
shkrepëtimë,
e yllit të djegur përvëlim.
E bardha fjalë,
ngritur poltroneve të larta mendim
gdhendur orakujve të lashtë besim
derdhur,
valëmuzash dejesh poetikë
mbetur,
horizontesh përflakur perëndim.
E bardha jetë,
pasqyrë e copëzuar fatesh kryqëzim
det i thellë i brengave rrëmbim
si bora...
shkrirë rrezes së parë harbim
si gjethja...
përhumbur vjeshtës drithërimë.
Sa larg dhe sa afër
Sa larg dhe sa afër,
me gjymtyrë të mbetura kohëve trishtim,
endur shtjellave gri të pakumtimësië
tek e përshpirtshmja mllef dhe angullimë.
Sa larg dhe sa afër,
ne poseduesit e lirisë angshtim
kufijve dhe horizonteve të humbura
udhëkryqeve të fateve trazim.
Sa larg dhe sa afër,
magjisë rishfaqur vegim
te etshëm pas krenarisë boshe
dhe rrugëve tona pa kthim.
Sa larg dhe sa afër,
prekjes së ëndrrës më të bardhë
tek e nesërmja shpresë dhe nganjëdhim
tek e dlirta thjeshtësi, madhështim .
Në parkun “Sivenston”
Në parkun "Sivenston " është qetësi,
heshtje,
shkreti,
stola të përhumbur kohës herezi.
Liqenit të ngrirë dhe flatrave harruar
të mjelmave të bardha tretur shtegëtim .
Në parkun "Sivenston " është ftohtë,
fshikullin,
fryn erë.
Borë që prek me fjollëza të kristalta,
kërcëllimë hapash, të ngadaltë çapa
gjurmëhije kufijsh të stërgjatura .
Parku "Sivenston" vizion i thyer,
kryqëzim botësh,
pritje regëtimash,
trajta hireoglifesh piktuaruar buzëve
mirazhe e ëndrra copëzim kujtimesh.
Parku “Sivenston” humbëtirë e pamatë
bardhësi,
trill fatesh.
Mes reve dhe netëve pikërim të akullt,
dremit poshtë pyllit zhveshur fillikat.
Menhiri i bardhë!
Menhiri i bardhë ka mbetur atje,
fshehur pas murnajës dhe dimrit egërsi,
pas perdeve të dëborta dhe kohës herezi,
pas kthinave të maleve humbur perëndim.
Menhiri bardhë është po atje,
mes viteteve dhe jetëve kaluar tinëzisht,
mes hapave të endur gjer në fëmijëri,
mes mallit dhe dhimbjes time shpirtërisht.
I bardhi menhir harruar atje,
ndoshta pas akullit të veriut thëllim
a tretur hungërimës së ujkut tërbim,
kohë të pakohëve të fateve trazim!
I bardhi menhir, fjetur atje
poshtë cohës se qielltë, yjesh psherëtimë
zbritur dhe thyer dejesh drithërimë
ngjitur gjer në re, si në shenjtërim.
Kuq e Zi
Në shtjellën e moteve të shkuara,
moteve shekuj,
shekujve mijëvjeçarë.
Klithma e shqipes thërret përtej antikës
kohët e moçme të stëretërve pellazgë.
Në shtjellën e moteve të shkuara,
moteve plagë,
plagëve gjak.
Shquan përkrenarja e fiseve ilirikë,
ndër luftra të rrepta, ngritur mbi barbarë.
Në shtjellën e moteve të shkuara,
mote të ndritur,
mote të arbrit.
Valon flamuri i Kastriotit
shqiponjë e zezë larë në gjak.
Në shtjellën e moteve stuhi
moteve shqip ,
moteve liri.
Zbret në Vlorën e bekuar prej zotit,
ky flamur, simboli ynë , kuq e zi!
Kosova, lule gjaku!
Një lule gjaku pikon therorinë e shekujve,
barbarinë dhe kohët tinzare që e shkelën,
atje, mes shkrepëtimës me erë bore,
tek gjurmët e bijve, mbetur në legjendë!
Një lule kuqe, çel thëllimin e parë.
Një shqiponjë këlthet lartësish,
për kohën e madhe të lirisë,
dhe ëndrrat e burrave martirë.
Kosovë, lule gjaku, si me je,
shtatore e ngritur qiejsh perëndish,
baladë e dhimbjes dhe zemrës së trimit,
këngërimë e shpresës dhe fatet e bijve.
Kosovë, plagë e hapur, shqiptari!
zemër zjarr, fushë beteje, prore ti...
djep përkundur, valle hedhur, histori,
Rreth flamurit kombëtar: Kuq e Zi!
Ne poetët !
Ne poetët!
... e fjalës dhe dhimbjes së tokës.
Akreonë të ditëve trazim.
Zogj furtune ngritur rrebelim.
Ne poetët!
...e fjalës dhe muzës së shpirtit.
Flakë pasioni djegur lartësish.
Lule parë çelur në thëllim.
Ne poetët!
... e fjalës dhe kohës drithërimë.
Gjethe vjeshte këputur tinëzisht.
Blerim pranveror rikthyer sërish.
Ne poetët!
...e fjalës dhe agut të bardhë.
Krahë avioni tretur kilometra kaltërsish.
përpirës resh qiejve të grisur.
Ne poetët!
...e fjalës dhe pathirrmës ëndërr.
Shkrepëtimë yjesh feksur harbim
dhe pikëz e shiut netëve trishtim.
Ne poetët!
...e fjalës dhe humbjes meditim.
Telajo e hapur gjurmë ngjyrash rrëzëllim
Shtegëtarë të quajtur "Kozmopolitë".
Vjeshtë në Tiranë
Vjeshtë,
në Tiranën e humbur regëtimë,
bulëzave të stërgjatura xhamash kristalinë,
stolave të braktisur nga gjithë ky trazim
pemëve të zhveshura gjer në harrim.
Vjeshtë
dhe lotkthyer çastesh meditim,
harruar dashurish të vjetra kujtim,
rikthyer dhimbshëm shpirtrave të brishtë
fletë e zverdhur, e ditarit tim.
Vjeshtë,
në Tiranën e hapave të dikurshëm,
dhe stolit të veshur përherë me blerim,
gotës së fundit derdhur relievesh
copëza buzësh, qiej dashurish
Vjeshtë
dhe mall për kohët e shkuara,
për feksjen e dritës në të bardhin shpirt,
për jetën gremisur honesh refleksionesh,
për gjethen e braktisur nga gjithë ky rrëzim.
Vjeshtë
dhe gjurmë në ç' do rrahje zemre
për atë... për dikë... për dashuritë,
e paskohëve të trokitura kaq zhurmshëm
... dhe e vjeshtës, pentagram melankolik.
APOKALIPS
Zogj,
të hapësirave të pafundme të qiellit
rebus të yjeve përshkënditje drite,
këngërimë e soneteve më të vona mbrëmjesh
pasthirrmë e zjarrit dhe dritës së shpirtit.
Sii gjethja e fundit e degës së vjeshtës
valvitur në qiellin e vrenjtur rënkim
pas drithmës së ftohtë,
akullt që afron
dhe borës së parë që tokën e zbardhon.
... dhe shkojmë pakuptimësisë së hapave nxituar
drejt kujt,
...a hiçit që pret tjetërsim
avitjen e muzgut të hirtë si vetë nata
natës pa hënë,
territ të pa fund.
Të gjithë drejt portës së rëndë rendin
me makthjet,
mëkatet,
dhe mendjen trazuar
satelitë të rrethit dantesk rrotulluar
... ndoshta në agun e shkëlqimit Beatriçe.
dhe i hirti pluhur vellon ka stisur,
vello harrese
vel i perdes hekur
burgosur ndjenjash tretur largësisë
së jetëve që shkojnë
dhe jetëve që vijnë
Dhe rendin e rendin kështu frymët tona
nga ushtat dhe shpatat
tek armët dhe bombat
fjala dhe ligji kapërcen baronët
kryqëtarët e rinj
ikuizatorët modernë.
Dhe fati e deshi të soset ky mallkim
në dhimbje a në paqe,
të bëhet si flijim
për atë që koha e fshin pa përtim
për atë që jeta stinët përtërin.
Ti humbe...
Humbe krejt paritur udhëkryqit të rrugëve,
pa semaforë,
as drita jeshile me ngjyrime të poetëve
humbe ashtu mjegullnajës mendimeve
tretur pas klithmave të përvuajtura të shpirtit .
Humbe ylbereve që presin koloritë
pafundësish prizma qiellorë të thyer
në krahë copëzuar regëtima pulëbardhash
të ujëvarave që zbresin mijëra valëzime
përthyerje resh bulëzime.
Humbe yjësisë shkrepëtimë perëndimi
ëndërrimesh të befta me krahë ëngjëllorë
fantazi e majave që prekin fantazinë
e dashurive zjarr,
që terret përvëlojnë.
Humbe thellësisë blu të detit
dhe tajfuneve që jetët dallgëzojnë
maja ajsbergu që prekin kaltërsinë
... dhe të fateve,
besytni dëshirash që trupin mëkatojnë.
Humbe thëllimit të parë të dimrit
akullnajizim ndjenjash të ngrira në park,
...a stolit të vetmisë së jetës të pafat
nga dhimbja
e të ftohtit ethshëm zemërak
Humbe ngjyrash të thella shikim
syve që prekin horizonte pa kufi,
qerpiikë të lodhur nga ditët e pritjes
dhe të fundit lot
kristal të xhamtë të larë trishtim.
Humbe pakuptimësisë jetë braktisje
sfondesh akuartitet simfoni e dhimbjes
e kohëve që shkuan rrëmbimthi pa kuptuar
...mbi ndjenja harbuar
përjetimesh drithërimë.
Humbe rafteve të librave shkrim
dhe bojës së fshirë nga gjithë ky harrim
vargëzime fjalësh djegur në pasione
vargëzime fjalësh djegur dashurish.
Botë e grisur
Botë e grisur,
faqe meriadianësh gjer në shformësim
hapësirash memorie prerë ngutësisht
Kohë e njeriut,
skllav dhe padron i fateve të tij .
Botë e krisur,
kristale hirëzuar reve galaktikash
nga pika e lotit dhe dhimbjes së tokës,
për jetën,
humbur udhëkryqesh nga pesha e kohës.
Botë e egër,
rrëmbyer tinëzisht skutave të errëta
nga demonët e përbindshëm të shpirtrave fatalë,
të etur,
për gjakun e shpezit të bardhë.
Botë e madhe,
zvogëluar retinave të mjegullta angushti
dhe zemrave që rrahin për hegjemoni
Faqe paralelesh ndezur në zjarrmi
nga përskuqja e kozmosit djegur eremi
Botë e thellë,
ngritur përmbi kulte, trajta huazimesh
...a kultesh deshifruar në gjuhë perëndie
Atdheu im!
Atdheu im!
I lodhur dhe munduar sa më s' ka
I lodhur dhe munduar gjer në deje,
nga pesha e kohës egërsi,
dhe fataliteti i demarshit të kombeve.
Atdheu im!
Kohë e klithmave të shekujve të tu,
ngritur mbi zjarre e bedena legjendash,
plagë e gjakut të martirëve fli
s' provë e fateve të trimit.
Atdheu im!
I rrudhur nga prika e tributëve të tu
lakej të ngritur mbi tribuna dhimbjesh ,
egzaltime turmash gjer në marrëzi,
nënëshkruesve të kohës herezi.
Atdheu im!
këngërimë e zogut të parë në agim
erë e tokës veshur në blerim
muzë e qiejve pëherë në kaltrim
lule e verës përherë në shkëlqim.
Atdheu im!
Shpresë dhe faltore e bijve të tu
mund i sakrilegjit ngritur mbi liri
rrënjë e vjetër e themelit njerëzi
zë përjetësie në të fundit amshim.