E enjte, 25.04.2024, 11:35 AM (GMT+1)

Mendime

Alma Lama: Komunat serbe dhe marrëveshja ...

E marte, 10.12.2013, 08:52 PM


Komunat serbe dhe marrëveshja e nëpërkëmbur

Nga Alma Lama

Rreth 120 mijë fletëvotime të pavlefshme nuk më duket se e mundësojnë mburrjen për një proces të mirë zgjedhor, siç po bën shumëkush këto ditë. Vërtet ka pasur përmirësim, krahasuar me vjedhjen industriale të votave të vitit 2010, por hedhja ne kosh të plehrave e një numri kaq të madh të votave dëshmon për një dështim epik në edukimin e votuesve, dështim i cili nuk mund t’i atribuohet tjetërkujt veçse Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Por nëse ka ndonjë arsye për të mos u mburrur është pikërisht ajo që lidhet me rezultatin që prodhuan për sa i përket komunave serbe. Në vlerësimin tim, këto zgjedhje ishin një keqpërdorim i madh i marrëveshjes së arritur në Bruksel me ndërmjetësimin e zonjës Ashton, marrëveshje e miratuar edhe në Kuvendin e Kosovës, me 15 pika, asnjëra prej të cilave nuk ta ngroh zemrën.

Por ndërsa shumica e partive vendosën t’i thonë po marrëveshjes, për t’i thonë po Brukselit, qeveria serbe vazhdoi implementimin e planit të saj, i cili tashmë nuk është sulm frontal e total, por lëvizje hap pas hapi deri në arritjen e qëllimit final, duke u sjellë si partnere para botës, me sharm diplomatik madje, por pa ndryshuar thelbin për sa u përket sjelljeve në terren.

Rezultati pra ishte fitorja e Listës serbe, në 9 nga dhjetë komunat, një subjekt i krijuar me udhëzime të Beogradit. Kjo listë erdhi si një produkt i mendjeve totalitare -u kërkua që krejt serbët të dalin me një listë, pra mohim i pluralizmit, por edhe pse s’pati sukses në këtë, Beogradit iu mundësua të bëjë fushatë ditë e natë brenda territorit të Kosovës pikërisht në favor të Listës.

Si të mos mjaftonte fitorja në 9 komuna e kësaj liste, dhe humbja e partive serbe që ishin integruar në institucionet e Kosovës, tani ka dalë puna me spec se kryekomunarët e zgjedhur, nuk dashkan t’iu binden ligjeve të Kosovës. Kjo po që është problem, i cili i ka zënë të papërgatitur qeveritarë e diplomatë, tamam si bora në mes të dimrit.

Hashim Thaçin duket se “mashtruan” sërish në Bruksel, kur diplomatët i thonin se kjo bëhet me qëllim që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Edhe kjo punë po del si ajo e fusnotës, e cila për mua është gjëja më absurde deri tani që I ka ndodhur republikës së Kosovës.

Po tani, po këta diplomatë që fusnota ju dukej një zgjidhje e përkohshme, sikur kanë filluar të na japin të drejtë neve që ishim kundër përmbajtjes së marrëveshjes së 19 Prillit, sepse po e shohin se Serbia është si ai ujku, që edhe pse qimen e ndërron , zakonin nuk e harron.

Një miku im diplomat më tha se vendi i tij i kishte besuar Beogradit në këtë marrëveshje. Tani e kanë kuptuar se kanë gabuar, sepse kanë parë komplet qëllime të tjera të kamufluara.

Unë personalisht besoj në qëllimin e mirë të BE-së, zonjës Ashton si ndërmjetësuese dhe të SHBA-së për ta zgjidhur një herë e mirë punën e Kosovës me Serbinë, por çështja është se nuk mund t’i besoj Serbisë. E kam fjalën këtu që edhe nëse hedhin firmën në ndonjë marrëveshje, si ajo e 19 prillit, Serbia nuk ka as vullnetin më të vogël për ta zbatuar në terren. Përkundrazi, përdor gjithë metodat e saj për ta nëpërkëmbur.

Rasti i fitores së Listës serbe është rikthim i mundimshëm i sfidës për institucionet e Kosovës. Kjo sfidë nuk është partiake; ata që duan ta interpretojnë si të tillë, ose janë naivë, ose manipulante. Kjo është sfidë e krejt Kosovës, e cila deri tani nuk ka pas as idenë më të vogël se si ta zgjidhë çështjen në veri, dhe e bashkësisë ndërkombëtare, e cila duke shpresuar se po shënon progres, ka vulosur një regres të madh, që është një bashkëqeverisje e Beogradit, me shtetin e Kosovës.

E kemi pra tani një situatë, kur të njëjtët njerëz dhe i njëjti territor do të qeverisen prej dy shteteve, ose më saktë prej njërit edhe pse në mënyrë indirekte, Serbisë. Ky është versioni më i keq i mundshëm, pas atij të shkëputjes përfundimtare territorial që është qëllimi përfundimtar i Serbisë.

E pra, kjo situata e marrëveshjes dhe zgjedhjeve, duket se po ngjan me atë përrallën popullore që përmblidhet në fjalën e urtë: shkoi te merrte veshët, i la edhe brirët.

Në rrafshin praktik, komunat e udhëhequra nga të porsazgjedhurit serbë, edhe në rast se do ta bëjnë betimin në përputhje me ligjet e Kosovës, do të punojnë përditë kundër interesave të Kosovës. Burime nga terreni flasin për terrorin psikologjik që ata kanë bërë ndaj votuesve serbë edhe gjatë ditës së zgjedhjeve. Psh, nuk e di a ka dijeni policia e Kosovës dhe e EULEX-sit dhe OSBE-ja por në Gracanicë, e ma merr mendja edhe në veri, shërbimet serbe iu kishin pas mbledhur letërnjoftimet qytetarëve të vet. Për t’i marrë ata njoftime ata duhet të shkonin të votonin dhe kuptohet se për këtë votonin. Këto shantazhe kanë ndodhur fare pranë kutive të votimit, por askush si ka denoncuar deri më sot.

Kur ende të pazgjedhur ushtrojnë terror, merret me mend çfarë presioni do të bëjnë ata mbi qytetarët e thjeshtë, pasi të zgjidhen. Në fakt këta kryetarë do të determinojnë jetën e tyre, psh, vendet e punës, presione në biznese, iniciativa private, ndëshkim për ata që nuk tregojnë lojalitet ndaj Beogradit, me një fjalë këta të shkretë në vend që të çlirohen ranë edhe në një robëri më të fortë tani, por që mban edhe vulën institucionale.

Pas këtij problem vjen çështja e ligjeve që do aplikojnë. Deri tani kanë thënë se nuk i duan ato të Kosovës edhe pse në zgjedhje morën pjesë me këto ligje. Kjo mosnjohja e ligjeve ju vjen frymëzim edhe nga BE-ja, e cila e kishte pajisur trupën e saj vëzhguese me udhëzime ambiguiteti, edhe pse këto zgjedhje u zhvilluan me ligjet e Kosovës dhe ata kishin ardhur për t’i monitoruar se a po respektohen apo jo këto ligje.

Një kryetar komune ka punë më shumë ligje, që nga ai për vetëqeverisje lokale, ligji për arsimin e mesëm e fillor, ligji për tatimet, për pronat , për shëndetësi, për polici (serbët kanë kompetenca të zgjeruara) etj. E imagjinoni dot se çfarë do të thotë të mos respektosh ligjet e Kosovës?

Pikërisht për këtë ambasadat e Quintit në Prishtinë duken të alarmuara.

Vijmë te çështja tjetër që është asociacioni i komunave. Serbët po këmbëngulin të marrin më shumë kompetenca dhe të krijojnë një nivele të mesëm pushteti. Problemi është se kur ata po kërkojnë diçka, edhe po ja dalin. Me strategjinë hap pas hapi , në fillim e siguruan shtëpinë, (asociacioni) më pas e mobilojnë (kompetencat). Fakti që pasi të krijohen askush s’ka të drejtë që t’i shuajë, është thembra e Akilit. Pra në njëfarë mënyre ai mund të dalë mbi Kushtetutën e Kosovës, dhe Gjykata Kushtetuese i ka duart e lidhura.

Tani pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, pra, situata në raport me serbët, jo vetëm që nuk është zgjidhur në pjesën e të padëgjueshmëve për vite të tëra, por është shtrirë nga veriu edhe në jug.

Është e domosdoshme që tani, të mos tolerohet asnjë kërkesë që del jashtë marrëveshjes, por mbi të gjitha që bie ndesh me Kushtetutën. Në rast se kryetarët e porsazgjedhur serbë, nuk duan t’i nënshtrohen ligjeve të Kosovës, ato komuna duhet të shkojnë në zgjedhje të reja.

(Autorja është deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës. Qëndrimet janë personale)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora