Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Aurora Bakalli: Për integrim të plotë

| E enjte, 05.12.2013, 07:01 PM |


Për integrim të plotë

(Fjalim i mbajtur në Kuvendin e Kosovës, më 5.12.2013)

Të nderuar deputetë,

Dy ditë më parë ishte dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara. Me këtë rast Handikos organizoi një marsh nga sheshi "Zahir Pajaziti" deri te Teatri Kombëtar për të prezantuar hartën e barrierave për këtë kategori të shoqërisë. Pa asnjë dyshim që Kosova, posaçërisht në aspektin infrastrukturor, nuk paraqet një mjedis miqësor për personat me aftësi të kufizuara. Por fatkeqësisht, shumë shpesh ekzistojnë edhe paragjykime për këta persona. Ndërkaq një ndër hapat e rëndësishëm për eliminimin e paragjykimeve në shoqëri karshi personave me aftësi të kufizuara është bashkëjetesa jonë me ta, gjegjësisht integrimi në shoqëri i kësaj kategorie. Duke i njohur më shumë i kuptojmë më mirë, por edhe i vlerësojmë më drejtë.

Dhe ky integrim për të qenë i suksesshëm duhet filluar qysh në fëmijëri, në mënyrë që nga moshat e reja të largohen paragjykimet.

Sot do të flasë për shqetësimet e nënave që kanë fëmijë me nevoja të veçanta me të cilat kam pasur rastin për të bashkëbiseduar.

Ato kanë shumë shqetësime e një ndër shqetësimet më të mëdha është se fëmijët e tyre nuk pranohen dhe nuk integrohen në shoqëri si pasojë e ndarjeve të instaluara qysh në sistemin shkollor fillor. Edhe pse Ligji për Arsimin parauniversitar parasheh që parimi i arsimit gjithëpërfshirës të zbatohet në Republikën e Kosovës në përputhje me normat ndërkombëtare, siç parashihen në Konventën e UNESCO-s për të Drejtat e Fëmijëve (1989), në Deklaratën e Salamankës (1994), Konventën e OKB-së për të Drejta të Personave me Aftësi të Kufizuara (2007).

Por edhe përkundër akteve normative në fuqi, pengesat e këtyre prindërve shfaqen që në fillim për shkak të mungesës së ekipit profesional vlerësues për nevojat e posaçme arsimore, të përbërë nga specialistë të arsimit, punës sociale, psikologjisë dhe të rehabilitimit. Ky ekip apo komision vlerësues që themelohet nga Komuna ndër të tjera ka për detyrë të japë rekomandime mbi metodat e mësimdhënies, mjetet e mësimdhënies dhe mbi përshtatjet e tjera të nevojshme për mësimnxënie dhe mirëqenien e fëmijës; por edhe për të dhënë rekomandime për regjistrimin e nxënësit. Në mungesë të këtyre komisioneve prindërit ankohen se hasin në përplasje me drejtorët apo psikologët e shkollave se a mund të vijojë fëmiu shkollimin në shkollën përkatëse apo jo.

Vetë prezencën e klasave të bashkangjitura nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara e shohin si problematike për shkak të ndarjes së fëmijëve, gjegjësisht mos mundësisë së integrimit dhe shoqërimit me fëmijët e tjerë. Për më tepër, shkollat nuk janë të ndërtuara me standarde që plotësojnë nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke përfshirë këtu edhe toaletet.

Prandaj, në emrin tim personal dhe të Lëvizjes për Bashkim bëjmë thirrje që të zbatohet Ligji për shkollimin parauniversitar, më konkretisht në këtë rast nenet 39 deri 42.

Ju faleminderit.

Aurora Bakalli, deputete e LB-së në Kuvendin e Kosovës