E premte, 19.04.2024, 11:06 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Rin Monajka (Dukagjini)

E merkure, 04.12.2013, 10:05 PM


RIN MONAJKA (DUKAGJINI)

Në 60 vjetorin e lindjes... (11 Qershor 1953 – 1 Maji 1997)

NGA FRITZ RADOVANI

Muri i Berlinit ra! Ora e Lirisë nuk ndalej!

Në dhjetorin e 1989, Çaushesku jep shembullin e “ruejtjes së parimëve komuniste”...

Shqipnia vazhdonte udhën e martirizimit komunist.

Me 14 Janar 1990, u thye njëherë e përgjithmonë miti i atij sistemi përbindsh!

Demostrata e heshtun në Sheshin e Dëshmorve të Shkodres, njofton Tiranën endè të kuqe, se komunizmit gjakatar i erdhi fundi!.. Mija vetë të grumbulluem në atë Shesh, presin rrëzimin e bustit të diktatorit gjeorgjianokomunist Stalin. Mija vetë drejtue sytë nga toka, presin kur po shprazën mbi kokat e tyne automatikët nga dritaret e hotel Turizmit, Sahatit Inglizit, hetuesisë apo apartamentit mbi PTT e qytetit, që ishin të mbushun me sampistë kriminel të ardhun nga Tirana, vetëm për gjakderdhje e masakra ndaj Rinisë “rebele” shkodrane.

Angazhimi i Ramiz Alisë: “Edhe bar do të hajmë e parimet nuk i shklasim!..”, asht krimi ma i madh kundër Popullit Shqiptar! Po, a u mjaftue me kaq ?

- Jo, sëpse në mbrendsinë e tij ziente krimi. Këte e vërtetojnë kufomat e djelmëve të rijë, të mashtruem ndër kufinjë, të shporuem nga qindra plumba automatiku dhe të lidhun në hunjë me tela me ferra, tue u shetitë ndër pjacat e qyteteve...të të gjithë Shqipnisë.

Rinia Shkodrane ka vendosë me u vetsakrifikue!

Mungonin disa djelmë të cilët një natë maparë ishin tradhëtue e kapë nga forcat speciale të ardhuna për këte qellim nga Tirana, të kryesueme nga krimineli Zylyftar Ramizi...

Mikrobuzët e bardhë të poliklinikës vazhdonin fotografimet dhe gatishmëninë!

Tek sheshi qendror i Deshmorëve mungonte edhe Rini Monajka, djali trim që kishte njoftue Ambasadën Gjermane për aksionin e organizuem me këte rasë. Rini ishte ndër kryesorët e kësaj vepre heroike, me të cilën do ti tregohej Botës mbarë se, në Shkoder gjaku i Martirve të ramë nën shpatën e diktaturës komuniste, po vlonte në damarët e Rinisë, dhe se, Gjaku i Atyne Martirëve nuk kishte shkue huptë...Mungonin edhe kriminelët Shyqyri Qoku me shokë...

Numri i të arrestuemëve i kalon të 120 të rinjë dhe të reja, që torturohen mizorisht nga organet e Sigurimit. Një pjesë përcillen për Tiranë ndër labirintët e zymta të Ministrisë së terrorit. Shumë familje në ankth nuk dijnë as ku i kanë djelmët e vajzat e tyne.

Diktatura komuniste me buzët e saja të gjakosuna, vazhdonte zgerdhimjen sikur të mos kishte ndodhë asgja në vendet e Europës Lindore! Flamurtarët e diktaturës krenoheshin...

Mbas disa muej tortura e vuejtje një grup u dënue me nenët 57 dhe 55 të Kodit Penal të RPSSH, që ishte në fuqi më këte motivacion: “Për krijimin e një organizate kundër revolucionare me karakter antisocialist. Për krime kundër Shtetit dhe për përmbysje të tij me dhunë...”, pra, siç shihët, rruga e hetimëve të çonte drejtë plumbit. Spaçi e Qafë Bari...ndertonin socializmin!

Rin Monajka ishte nder kryesorët organizatorë me Gjergj Livadhin, Dedë Kasnecin dhe djelmë të tjerë që nuk e “njohën” friken e sigurimit katil të shtetit komunist.

Katilëve nuk i mjaftonte fraktura e kafkës së kokës së Rinit në tortura, por duhej të vuente edhe burg nder kampet e shfarosjes. Qendrimi i Tij burrnor asht një model i qendresës kundrejt diktaturës terroriste ma mizore që ka përjetue Shqipnia për 47 vjet. Ndonse, nga kjo, Rini u torturue me mjetet ma të paligjëshme, endè sot askush nga kriminelët nuk ka mbajtë asnjë përgjegjësi, përveç asaj që terroristët janë të penduem për çka nuk kanë mujtë me ba!..

Kampi i Qafë Barit dhe Burgu i Burrelit ishin e ardhmja e Rinit.

Një çudi ndaj kësaj demostrate në Shkoder ishte qendrimi jo dashamirës i të gjitha shtetëve fqinjë. Jugosllavia sigurisht parandjente diçka, e justifikueshme.

Një stacion i radios greke pak muej para kishte transmetue: “Sikur të hapën kufinjtë e Shqipnisë, nuk kanë me mbetë as breshkat aty, edhe ato do të ikin!...”, edhe kjo një e vërtetë.

Italia si gjithnjë përsëriti qendrimin e saj që ka mbajtë përgjatë gjithë Shekullit XX. Ajo u tregue e gatëshme me ndihmue idealet e “socialistëve” të konvertuem në “demokratë” (I vuna nder thojza, mbasi asnjeni emen nuk ka ekzistue kurrë në drejtimin e shtetit që nga 1944).

Me datën 16 Janar 1990, pra dy ditë mbas Demostratës, demokristjani i njohtun Roco Butiglone, jep një deklaratë për shtypin: “Me datën 14 Dhetor unë isha në Shkoder, po gjendja në atë qytet ishte e qetë. Nuk më ka ra në sy ndonjë demostratë....”. Me plot gojë një turp për atë deputet të “demokristjanës” italiane. Ai me të vërtetë ka kenë në Shkoder, madje edhe në Kafe të Madhe, edhe i ulun tek dritaria e tretë pranë xhamit në krahun e djathtë të Kafes, sëpse, e kam pa unë me sytë e mij në ora 11.15’, pikërisht kur në shesh ishin mbi 4000 vetë në Demostratën e heshtun...dhe zotni “demokristjanit” nuk i kishte ra në sy asgja, tue kenë jo ma larg se 20 ml., nga busti i Stalinit. E çka kishin me pritë shkodranët e masakruem nga këta “demokristjanë”..?

Në vitin 1991 Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shkodres, vetë Kryetari Ferdinand Temali kërkoi me forcë lirimin e të dënuemve për rrëzimin e monumentit të diktatorit Stalin. Me pjestarët e grupit u lirue edhe Rini Monajka, ndonse i gjymtuem nga shndeti. Kur e takova mbas lirimit, ndjeva vërtetë një kënaqësi që Ky djalë i kulturuem ishte i lirë, gjithmonë me shpresë se do të përmirësohej edhe me shëndet, mbasi ngjyra e verdhë e ftyrës vazhdonte me e shoqnue... Ishte mirnjohës dhe nuk dinte sesi me u shpreh per ndihmen e madhe të Ferdinandit dhe BSPSh.

Mbas lirimit nga burgu Rini, ashtusi shumë të tjerë që dhanë kontributin e Tyne tue rrezikue jetën për të ardhmën demokratike të Shqipnisë, u harruene...shumë shpejtë!

Kishe shumë dëshirë që ti jepej mundësia e një kurimi të mirë kur mora vesh se iku në Austri...por ndodhi e kundërta...ndoshta,...autoambulanca që me 14 Janar 1990, qendronte para hotel Turizmit në Shkoder...e kishte ndjekë deri në Austri, deri në Villach, ku me 1 Maji 1997, Rini Monajka mbylli sytë pergjithmonë krejtë i vetmuem...si shumë Demokratë Shqiptarë!

Sa pak janë këto rreshta per mirënjohjen që duhet të tregojmë për ditët e Lirisë që na solli Rini dhe Rinia Shkodrane, ndonse sot, Veprave të Tyne, u kanë dalë perzot shumë prej “atyne” që po kerkojnë me i harrue ose ma keq, me rikthye “disa” foto terroristësh..!

Detyrohem me persëritë edhe njëherë një ide që kam shpreh prej sa kohe:

Dikur, në krahun e majtë të monumentit të Stalinit ishte një gur mermeri i daltuem. Ishte mendue mbi Té me u vendosë një Shqipe me krah të hapun, simbol i së ciles ishte ruejtja nën krahët e saj: “Lavdia e Deshmorëve të Lirisë”. Njëditë guri kaloi nga turizmi...

Do të ishte me vlerë për Qytetin e Shkodres, që në Parkun mbas Monumentit të Luigj Gurakuqit, të vëndoseshin disa Gurë të daltuem (25 X 35 cm.) me emnat e Martirëve dhe të Dëshmorëve të Shkodres... ku, në një prej këtyne Gurëve, duhet daltue edhe emni i nderuem i shkodranit Hero i Demokracisë:

RIN MONAJKA (DUKAGJINI) 1953 – 1997.

Rinit! Në 60 vjetorin e Lindjes së Këtij Ylli, që shndritë në qiellin e Demokracisë!

Autori...



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora