E merkure, 24.04.2024, 03:51 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Nacionalizmi grek i prefektit, mblidhet urgjent parlamenti

E enjte, 29.05.2008, 07:31 PM


Nga Tedi Blushi

Pjesëmarrja e prefektit të Gjirokastrës, Spiro Ksera në tu bimin antishqiptar të 18 majit në Konicë, shkakton reagimin e menjëhershëm të Parlamentit shqiptar. Komisioni kuvendor i marrëdhënieve me jashtë, i mbledhur dje në urgjencë me kërkesë të opozitës ka vendosur në unanimitet të plotë, t’i kërkojë ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, të japë sqarime të hollësishme lidhur me këtë ngjarje. Sekretarja e marrëdhënieve me jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, njëherësh ish-ministre e Jashtme e Shqipërisë, bëri të ditur në një prononcim për GSH, se shkak për këtë vendim u bë shqetësimi i ngritur pak ditë më parë në Kuvend nga deputeti i LSI-së, Pëllumb Xhufi, si edhe nga faktet e botuara një ditë më parë nga GSH. Dade, në cilësinë e propozueses së kërkesës për llogaridhënien nga ana e MPJ-së për rastin “Ksera”, tha se “kërkova jo vetëm nga MPJ por edhe nga kryeministri Berisha, që të ndërhyjnë urgjentisht duke ushtruar autoritetin që i jep ligji, që të ndalojnë këta përfaqësues të OMONIA-s apo PBDNJ-së, të cilët në mënyrë të përsëritur marrin pjesë në të tilla tubime apo bëjnë thirrje për realizimin e ëndrrës së vjetër të qarqeve shoviniste greke për të ashtuquajturin Vorio-Epirin”. Sipas ish-titullares së diplomacisë shqiptare, nëse kryeministri Berisha nuk jep sqarime lidhur me këto ngjarje, ai të paktën duhet të sqarojë pozicionin e qeverisë shqiptare ndaj këtyre qëndrimeve antikombëtare që bëjnë qoftë kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, apo qoftë Prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera. Në vijim të këtij argumenti, Dade vuri ndërkaq në dukje se nuk do të dëshironte aspak që këto qëndrime të këtyre zyrtarëve të lartë shqiptare apo dhe të qarqeve nacionaliste greke, të ishin qëndrime zyrtare të Athinës. “Nuk kemi arsye të mendojmë që këto janë qëndrime zyrtare të Greqisë, as nuk do të dëshiroja të ishin të tilla. Por dua të theksoj se këta individë, qoftë Bollano apo Ksera, me qëndrimet e tyre publike nuk bëjnë gjë tjetër, veçse cenojnë marrëdhëniet shumë të mira që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë mes dy popujve tanë fqinjë, Shqipërisë e Greqisë”, - përfundoi zyrtarja e lartë e selisë rozë.

Shkarkimi

Prefekti i Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera me qëndrimin e tij publik për çështjen e Vorio-Epirit si dhe me pjesëmarrjen e tij në një tubim antishqiptar si ai i 18 majit në Konicë, rrezikon shkarkimin nga ky funksion por edhe dënimin me burg deri në 10 vjet. Ksera ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë, që ndalon nxitjen e urrejtjes etnike dhe ndarjen e territoreve shqiptare por edhe legjislacionin shqiptar. Duke qenë se Prefekti emërohet e shkarkohet nga kryeministri, pritet me interes çfarë qëndrimi do të mbajë Berisha në këtë rast: do të respektojë Kushtetutën e legjislacionin në fuqi, apo do të pranojë në heshtje atë që përfaqësuesi i qeverisë në Gjirokastër kërkon publikisht: autonominë e Jugut të Shqipërisë.

Kryebashkiaku i PS takon “sekretarin e Vorio-Epirit”
 
Rritet në mënyrë të frikshme numri i zyrtarëve të lartë shqiptarë, që mbështesin ëndrrën e vjetër shoviniste të “Vorio-Epirit”. Pjesë e skandalit kësaj here është bërë një përfaqësues i Partisë Socialiste, e konkretisht kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime. E përditshmja greke “Anerksatitos”, në numrin e saj të djeshëm i ka kushtuar një hapësirë goxha të konsiderueshme takimit të zhvilluar vetëm pak ditë më parë, mes Bimes dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Epirit, Dimitris Panozachos. Gjatë këtij takimi të zhvilluar në Gjirokastër, “Anerksatitos” pretendon se kreu i Bashkisë së këtij qyteti të ketë kërkuar ndihmën e shoqatave vorio-epiriote për modernizimin e infrastrukturës së Gjirokastrës. Duke cituar shprehimisht këtë të përditshme, Bime mësohet të ketë thënë: “Kemi nevojë të na ndihmoni për zhvillimin e infrastrukturës dhe turizmit, të shkëmbejmë eksperienca në shumë fusha që për ne janë problematike dhe të na gjendeni pranë në situata emergjente”. Referuar “Anerksatitos”-it, Sekretari i Përgjithshëm i Epirit, Panozachos ka shprehur nga ana e tij gatishmërinë për të ndihmuar Gjirokastrën, të cilësuar prej tij si “krahinën periferike të Epirit të Veriut”. Panozachos, sipas kësaj të përditshmeje, ka vijuar mandej të shprehë dhe njëherë vullnetin se “ndihma e grekëve për grekët”, duke nënkuptuar me këta të fundit gjirokastritët, nuk ka për të munguar asnjëherë.

Takimi me Kserën

Sekretari i Përgjithshëm i Epirit, Dimitris Panozachos gjatë vizitës së tij në Gjirokastër, ka zhvilluar gjithashtu një takim edhe me prefektin, Spiro Ksera, i cili ashtu si në 18 maj në Konicë ka shprehur mbështetjen e tij për projektin e Vorio-Epirit. Përfaqësuesi i qeverisë Berisha, ashtu si edhe kryebashkiaku socialist Bime, ka ftuar këto shoqata të nacionalistëve grekë të ndihmojnë në zhvillimin e Gjirokastrës. “Insistoj në zhvillimin e bashkëpunimit tonë ndërkufitar, sepse zhvillimi i rajonit të Epirit do të rrjedhë pikërisht nga kjo. Burimet njerëzore të rajonit të Epirit duhet të na ndihmojnë edhe këtë vit, sikundër bënë verën e kaluar”, - është shprehur Ksera. Ndërkohë që nga ana e tij, Panozachos ka përsëritur vullnetin për të ndihmuar Gjirokastrën, të cilësuar prej tij si “kështjellën e shenjtë” të Epirit.

Vorio-Epiri

Për të dalë jashtë kornizave të trajtimit të këtij “lajmi të madh”, sikundër e cilëson “Anerksatitos”, e vërteta e thënë troç është që Gjirokastra moderne synohet të ndërtohet nga Bime e Ksera, pikërisht me lekët që qarqet nacionaliste greke grumbullojnë për të realizuar ëndrrën e tyre të vjetër “Vorio-Epirin”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora