E shtune, 20.04.2024, 03:26 AM (GMT+1)

Mendime

Blerim Ramadani: Kostoja e shprehjes

E hene, 02.12.2013, 08:01 PM


Kostoja e shprehjes

Nga Blerim Ramadani

Liria e shprehjes është një nga të drejtat themelore e cila mbrohet me Konventat ndërkombëtare. Liria e shprehjes dhe komunikimi me publikun janë standarde ndërkombëtare që dallojnë shoqëritë demokratike nga ato autoritare dhe mosfunksionimi i tyre padyshim paraqet pasqyrën reale të një shoqërie demokratike. Republika e Maqedonisë me Kushtetutën e saj rregullon dhe garanton lirinë e mendimit, shprehjes dhe komunikimit. Neni 16 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë garanton të drejtën e shprehjes së mendimit në publik. Cenzura është formë e ndaluar. Shtypit i jepet e drejta që të jetë i mbrojtur sipas koneventave kur ai mbulon çështje të interesit publik. Por e njejta nuk mund të thuhet edhe për praktikën e përditshme të funksionimit të mediave. Sipas statistikave zyrtare situata tregon se në Maqedoni egziston një numër i madh i mediave, qofshin elektronike apo komerciale. Por në praktikë ato janë të ndara si në linja politike ashtu edhe etnike. Gjendja e këtillë i jep mundësi qeverisë që në mënyra të ndryshme lehtësisht të manipulojë me ato. Pikërisht duke u nisur nga numri i madh i mediave, një prej arsyeve të tilla është se mediat nuk mund të bazohen vetëm në tregun e tyre, por u duhen edhe donacione dhe sponzorime nga Qeveria, partitë politike ose kompani të lidhura me subjektet politike. Sponzorimi dhe reklamimi nga ana e Qeverisë hap mundësinë për kontroll dhe selektim të mediumeve. Përderisa nuk egzistojnë parime rreth shpërndarjes së reklamave, media e këtillë detyrimisht do të mvaret nga pushteti dhe do luaj rolin e sherbëtores. Nisur nga ky rregull, mediat janë të detyruara të mbështesin qeverinë, në vend se të sfidojnë atë duke rritur transparencën për punën e strukturave qeveritare. Këto parime të funksionimit,  do të jepnin një ndihmesë të madhe për të gjitha shtresat e popullates që ato të kenë qasje në informacionet për të zgjedhurit e tyre. Por në rastet e kundërta, që mediat kalojnë në rrafshin e tifozerisë ndaj pushtetit qëndror, nuk i ndihmojnë ndërtimit të opinionit puplik për çështjet që lidhen me vertikalen, zgjedhës-të zgjedhur. Thuajse në të gjitha vendet e ballkanit, areali medial është i ndarë në media proqeveritare dhe opozitare. Në Maqedoni, zëri i mediave opozitare është i mekët. Janë të freskëta ngjarjet kur pushteti viteve të fundit ka treguar se mund të kërcënoj dhe ndërmarr “masa” të rrepta për t’u bërë trysni mediave të cilat janë kritike ndaj programeve qeveritare ose janë të afërta me opozitën. Përfituesit më të mëdhenjë të gjithë kësaj loje pushteti shfaqen mediumet e afërta me pushtetin dhe gazetarët e tyre edhe përkundër faktit që nuk i plotësojnë standardet profesionale dhe kodin gazetaresk rreth informimit, por në këmbim të benifiteve, ndarja e reklamave të institucioneve shtetërore kanë pranuar të kryejnë punën e buletinit të partisë më të madhe që udhëheq me shtetin. Po nga ky diferencim preken edhe mediat shqipe të cilat shihen si më të shpërfillurat nga kjo qasje e veprimit të pushtetit. Mjetet e informimit, në veçanti ato kritike ndaj pushtetit dhe gazetarët hulumtues, janë nën trysni dhe të kërcënuar në mënyrë permanente. Dhuna ndaj mediave dhe gazetarëve është bërë praktikë e zakonshme e pushtetit. Në vend që të mbrojë shprehjen e lirë dhe të drejtat themelore ajo pa fijen e përgjegjësisë bëhet abuzuese kryesore e tyre. Sipas meje është vështirë të gjesh një vend në Ballkan ku fjala e lirë është e nënshtruar deri në këtë masë siç është në Maqedoni. Errësira mediatike shkon edhe pak më larg sa që nuk ndëgjohet as edhe zëri i atyre mediave të pakta që janë të afërta me opozitën. Sipas praktikës së përdorur, në Maqedoni, abuzimi ndaj shprehjes së lirë ka kaluar në dy faza. E para, përfshin mbylljen e mediave kritike ndaj politikave qeveritare. Çfarë çmimi ka mendimi ndryshe, këtë më së miri e tregon rasti i mbylljes së mediumit që sipas statistikave rezulton të ishte medium më i shikuar në Maqedoni si dhe disa gazeta të përditshme. Ndërsa, e dyta, përfëshin arrestimin dhe friksimin e gazetarëve, të cilët ndeshen me presion politik dhe kërcënime. Përdorimi i metodave të frikshme dhe kërcënuese ndaj kritikave dhe raporteve investigative kundër saj, e cila arriti kulminacionin e saj me burgosjen dhe privimin nga liria e gazetarit Kezharovski, duke përdorur njëkohësisht edhe gjykatat si pjesë e “kampanjës” qeveritare kundër shprehjes së lirë. Dënimi i tij drastik zgjoi interesin e mediumeve prestigjioze ndërkombëtare duke e cilësuar atë si rast i paprecedent. Trysnia ndërkombëtare ishte ajo që ndikoj në zbutjen dhe lehtësimin e masave juridike për mbrojtjen e tij. Egzistojnë raste kur gazetarë të afërt me pushtetin keqpërdorin të drejtën e mendimit duke mbjellë gjuhë të urrejtjes, sidomos asaj etnike dhe për to nuk ka sanksione. Jemi dëshmitar të situatave të caktuara kur nga mediat në gjuhën maqedonase është dëgjuar edhe  thirrja për mobilizim ndaj një etnie tjetër. Këto media jo që nuk janë dënuar apo në rastin më të butë këshilluar për ndërprerjen e retorikës së urrejtjes ndërnacionale, por në saje të këtij zhargoni ofendues, janë privilegjuar dhe shpërblyer në forma dhe mënyra të ndryshme. Të gjitha këto paraqesin goditje të rëndë për lirinë e mediave në Republikën e Maqedonisë. Është trishtues mesazhi që përcjell ky veprim, të jenë të kujdesshëm se për çfarë informojnë, pavarësisht nëse kanë informuar drejtë dhe nëse kanë mbrojtur interesat e publikut. E vetme që i bëri ballë kësaj furtune dhe ngriti zërin për mos-nënshtrim ishte Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, e cila, akoma mbijeton presionin dhe kërcënimin e pushtetit i filluar më 24 dhjetor të 2012,  kur ishte dëbuar kryetari i saj nga hapësirat e parlamentit. SHGM është një ndër të rrallat në Maqedoni të cilët nuk bëjnë lëshime kundrejt frikësimeve dhe presionit që bëjnë pushtet-mbajtësit për ti heshtur. Ajo ashpër kundërshton edhe propozim ligjin aktual mbi mediat të përgatitur nga Qeveria. Gjendja e këtillë e krijuar në sistemin mediatik ngriti vëmendjen dhe shqetësimin e ndërkombëtarve dhe të institucioneve relevante siç janë OSBE-ja dhe Këshilli Europian që të shqyrtojnë rekomandime dhe përforcim të këtij kushti me masa konkrete.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora