E enjte, 25.04.2024, 11:32 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Puls dashurie në peshën e kohës

E hene, 02.12.2013, 08:54 PM


PULS DASHURIE NË PESHËN E KOHËS

Vështrim rreth vëllimit me poezi “Nesër ju them gjysmën e mbetur” të poetit të ri Artan Almeta

NGA PËLLUMB GORICA

Vëllimi me poezi “Nesër ju them gjysmën e mbetur” i poetit të ri Artan Almeta nga Librazhdi është një udhëtim i konceptuar me të gjitha ndjesitë, duke u ndalur në katër stacione që të ngacmojnë e të bëjnë ta duash jetën ashtu siç është, me të mirat dhe problematikat e saj. Ky udhëtim nis nga stacioni qendror “Jam shqiptar”, duke qenë i mbrujtur si individ dhe pjesë e shoqërisë me këtë krenari, vazhdon drejt stacionit të dytë, duke shprehur gjithë respektin e mallin njerëzor për njeriun më fisnik në botë, siç është nëna dhe pasi nuk e shpreh kurrë me fjalë mallin e birit për nënën, duke mos u çmallur asnjëherë me të, mediton shpirtërisht: “Më prit nënë”. Artani tregon se nuk lodhet kurrë së ngopuri me jetë. Komplekset jetësore tek ai nxisin vrullin për zhvillim dhe ndonëse i duket vetja i ri, nuk harron kurrë “ se vjen një ditë”, që tek ai do të ndryshojë vetëm fuqia fizike, dhe jo ambicia për të bukurën, por pa na thënë se është lodhur, poeti vetëm në fund sikur dorëzohet, e “nuk ka ç’t’i bëjë zemrës që do”. Në fund të fundit, njeriu është gjithë mendje e arsye, por edhe zemër e ndjenjë.

Ky është udhëtimi poetik i Artan Almeta. Rend nëpër viset e Kosovës, të cilat të etura për liri sakrifikuan gjakun e djemëve, gërmon në labirintet e një dashurie që nuk mbaron kurrë për nënën, kërkon kujtimet e fëmijërisë të lëna pas dhe shpejt vihet në kërkim të një shoqërie te sinqertë, dhe pastaj kur nuk i gjen të gjitha ato që do një zemër që pulson dashuri e ardhmëri njerëzore, sikur ndjen një farë ndrojtje e bën një farë autokritike, që nuk ua plotëson të gjithëve atyre që e rrethojnë, dashurinë e respektin njerëzor, që nuk është krejtësisht i kompletuar për të zënë vend në gjithë universin që e rrethon, ai pasi sheh hapësira të reja, por duke parë edhe pamundësinë e rrokjes së tyre, kërkon të largohet diku në një vend të papërcaktuar, e të tjerët të mos e kërkojnë më. Jo se poeti është fajtor për çdo mangësi e boshllëk, por si një intelektual që ecën me peshën e kohës mbi shpinë, ai ndjehet borxhli ndaj njeriut dhe jetës, që nuk ia plotësoi deri në detaje misionin e e marrë përsipër. Edhe pse e di, që e kërkojnë, i ndërgjegjshëm se ka për të thënë dhe shumë të vërteta, ai përsëri ndjehet i obliguar ndaj jetës dhe sikur e plotëson borxhin e detyrimin e tij ndaj saj duke qenë larg:

Mos më kërkoni, mos më kërkoni,

si vesë mëngjesi jam tretur unë.

Më s’kthehem pas, nuk mundem dot,

kam ikur larg, pa nam pa gjurmë.

Lajtmotivi i pjesës së parë: “Jam shqiptar” është dëshira dhe thelbi i shqiptarit për të qenë i lirë, për të punuar, krijuar dhe ëndërruar nën këtë qiell që na fali natyra dhe perëndia. Për këtë u shkrinë të parët tanë, për këtë sakrifikoi gjithçka Kosova, për këtë flasin lapidaret dhe historia, dhe se për shqiptarin liria ka qenë dhe do të mbetet përjetësisht sinonim i jetës.

Liria është të marrit frymë,

dhe e dimë pa frymë nuk mund të rrosh.

Kështu duke ruajtur traditën e poezisë popullore apo të poetëve tanë të Rilindjes, herë me vargun 8 e herë me vargun 10 rroksh, ai mbledh nektar si bleta kudo, në një lëndinë kosovare, nën hijen e një lisi plak, në një mall e merakosje nëne, në një xixë zjarri, në një zemër vashe, në një dëshirë të pathënë, në një dasmë të shokut, në një muhabet të rinjsh, dhe të gjitha këto i mbrun me duart e tij me kallo, i kalit me ndjenjën e një njeriu që është i etur për jetë,i ngjesh në magjen e vrullit rinor, dhe pastaj deklarohet i thjeshtë i sinqertë se ka edhe shumë e shumë për të thënë e për të bërë për shokët e miqtë. Me vargjet e tij poeti i ri Artan Almeta deklamon se theksimi i sinqertë e me këmbëngulje “Jam shqiptar” nuk do të kuptohej kurrë pa një mall të pashuar nëne apo pa të ardhmen që do të vijë ndryshe, nëpërmjet shtigjeve të njohura dhe të panjohura, e të gjitha këto poeti mundohet t’i mbajë në një linjë konceptuale se gjithçka lind nga një nënë, nga një burim, e ka një pikënisje, e pastaj rritet, ecën me kohën dhe konkludon natyrshëm se asgjë nuk përfundon në rrethin vicioz e në përfundime të pranueshme. Poeti mundohet të vërtetojë se jeta është pambarimisht në rrjedhat e pafundësisë me terë larminë format dhe e ritmet e saj. Pavarësisht se poeti Artan Almeta kur thotë se “Nesër ju them gjysmën e mbetur” e ka direkt fjalën e lënë për gjysmë nga ndrojtja për vajzën që do:

Të kërkoj ndjesë sonte moj vajzë,

që gjuhë e zemër më janë mekur,

gjysmën e fjalëve sonte ta thashë,

nesër të them gjysmën e mbetur.

Nënkuptimi është i qartë për lexuesin: poeti ka dhe shumë të vërteta për të thënë. Se edhe dashurinë për vajzën, që ka kaq ndrojtje, nuk e shikon si harbim, ndjenjë të çastit, apo dashuri rrethanash, por si diçka që nuk fitohet lehtë, e koncepton si përtëritje jete e premisë të fillimit të diçkaje të mirë, të përsosur e plot ardhmëri. Një dashuri e konceptuar kështu, është pjesë jete dhe inkurajim shprese, ndaj dhe meriton t’i kushtosh diçka, jo vetëm ndjenjat e sinqerta, fjalët e mençura, bukurinë trupore, por edhe tërë përkushtimin dhe sakrificat që mban njeriu në vetvete. Poeti e koncepton dashurinë si gjeneruese të një jete kuptimplote, ndaj duke dashur ta përjetojë atë deri në detaje, sikur harron vetveten dhe shkruan:

Po më pas vallë si do të jetoj?

Pa shpirt pa zemër dhe pa ndjenjë,

gjithë këtë dhembje s’e meritoj,

të mbetem dru pa degë pa rrënjë.

Dhe pikërisht tek ky mohim i vetes, ndodh pohimi i gjithçkaje, i një ndjenje dhe dëshire që kërkon të ngrejë në piedestal jetën me tërë bukurinë dhe pulsimin e saj.

  Poezitë e përmbledhjes poetike "Nesër ju them gjysmën tjetër" janë të çiltërta, si është Artani, janë të pastra, si shpirti i tij, por ai ka borxh për "gjysmën tjetër", që pa dyshim "nesër", do na gëzoj edhe me përmbledhje të tjera, sepse ai vazhdimisht është i lidhur ngushtë me poezinë e ndjesive të thella poetike dhe filozofike.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora