E enjte, 28.03.2024, 11:23 AM (GMT)

Mendime

Alma Lama: Një popull e vlerësoj nga gjuha

E hene, 02.12.2013, 07:55 PM


Një popull e vlerësoj nga gjuha që përdor

Nga Alma Lama

Media të lira e të varura... Media spekulative dhe të dirigjuara... Media biznesi dhe haraçi... Media të verdha dhe joetike... Media jomedia…

Këto fjalë nuk tentojnë të thurin ndonjë përkufizim. Thjesht një perceptim i imi, si një vëzhguese e rregullt dhe profesioniste e mediave në Kosovë. Thashë të lira por të varura. A mund të shkojnë bashkë këto dy elemente themelore të gazetarisë? Natyrisht që jo. Por në mënyrë cinike dua të rrëfej vasalitetin vullnetar të disave prej tyre.

Jemi dëshmitarë të një gjendjeje të rëndë të mediave në tërësi, të atyre të shkruara dhe elektronike, pasi mbijetesa është bërë e vështirë. Por nga ana tjetër jemi dëshmitarë të humbjes së madhe të etikës profesionale të pothuajse të gjitha mediave në Kosovë. Kanë agjenda politike, spekulojnë sipas këtyre agjendave, kanë interesa ekonomike, dhe po përdoren si armë kundër atyre që ua zënë rrugën për të përmbushur agjendat në fjalë.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, tani është shtuar një problem i ri.

Ne sërish jemi dëshmitarë të përditshëm të gjendjes së rëndë që po krijojnë mediat online, me spekulimet e pafund dhe me gjuhën e degjeneruar. Këtu do ndalem. Jo për të parën herë, por as të fundit. Sepse shoqëria jonë po rrezikohet nga një degradim total i vlerave morale, degradim i gjuhës dhe komunikimit njerëzor, politik e shoqëror.

Mjafton të hedhësh një sy në mediat online dhe do të ndjesh të gjithë neverinë e botës për gjuhën e komenteve. Është e vërtetë se mediat e reja, këto të internetit, të krijojnë komoditetin e anonimatit, pra mund të thuash çfarë të duash pa e marrë vesh se kush je. Por nga ana tjetër mua dhe kujtdo tjetër i lind e drejta të mendojë se këto media e kanë zhveshur plotësisht këtë shoqëri nga maska apo kamuflimi kulturor.

Pra unë shtroj pyetjen: a këto qenkemi ne të vërtetët? Vulgarë, banalë, të pakulturuar, shovinistë, spekulantë, shpifës? Natyrisht duhet të kemi rezerva kur përdorim përemrin vetor NE. Sepse komuniteti i njerëzve që zgjedhin shkarravinat si mjet komunikimi, në vend të gjuhës së civilizuar, është i kufizuar.

Në fakt janë dy grupe që po e ndotin më së shumti diskursin publik, dhe këtë e kam thënë edhe herë tjetër, janë disa besimtarë të indoktrinuar dhe mbështetësit e subjekteve politike me prirje fundamentaliste, të cilët janë më të sofistikuar; në fakt propaganda e tyre është tipike fashiste, por që bashkohen në një pikë me të parët, në vulgaritet.

Kjo gjuhë veçanërisht është perverse për gratë dhe vajzat, sidomos ato që merren me politikë. Unë mund të them pa frikë se mediat online po luajnë një rol jashtëzakonisht destruktiv e dekurajues për gratë që të merren me politikë, e kjo po na e shkatërron të gjithë punën që po bëjmë ne si gra aktiviste, për t’i nxitur pjesëmarrjen e tyre në këtë sferë.

Sepse secila prej nesh duhet të matet mirë kur të hyjë në politikë, të durojë shpifje të ulëta, fyerje të ndyra dhe lloj- lloj vulgariteti e shovinizmi. E gjitha kjo sepse nuk kemi media të përgjegjshme, sepse janë pikërisht këto që po i japin hapësirë mendjeve perverse, vetëm e vetëm për të rritur numrin e klikimeve, sepse klikimet ju sjellin profit. Pra këto media dinjitetin tonë e kanë shndërruar në biznes. Po luajnë me moralin tonë, me emrin tonë, me dinjitetin tonë, në mënyrë që të fitojnë më shumë para.

Nuk besoj se janë aq naivë gazetarët që punojnë në këto media, sa të mos e dinë që ajo çfarë publikojnë krijon opinion publik. As komentuesit nuk janë naivë. Ata përpiqen që me anë të gjuhës së tyre degraduese të degradojnë personalitetet tona, pra të krijojnë një opinion të keq për ne tek publiku; duke plasuar gënjeshtra të shtrembërojnë plotësisht realitetin. Tipike ajo që ka thënë Lenini “një gënjeshtër kur përsëritet shpesh, bëhet e vërtetë.” E në Kosovë fatkeqësisht nuk mungojnë as ata që lexojnë e frymëzohen prej mësimeve të Leninit.

Nga ana tjetër, kjo po ndodh sepse nuk kemi shtet ligjor, nuk kemi gjykata që funksionojnë, që nuk i zvarrisin me vite lëndët, që japin vendime të drejta,. Kemi gjyqtarë që ende nuk janë të edukuar se çfarë është liria e shprehjes dhe kur ajo mund të kufizohet. Disa media të papërgjegjshme po e shfrytëzojnë në mënyrë tinëzare këtë dobësi të sistemit të drejtësisë.

Këto media I kanë modelet se si duhet të veprojnë në raport me komentet. Janë gazeta më të njohura në botë qa tashmë kanë krijuar rregullat dhe etikën për këtë fenomen të ri. Por këto nuk janë të interesuara t’i marrin, sepse ju duhet profiti. Kjo është shkalla më e ulët e të bërit gazetari. Mediat në vend që të edukojnë njerëz, po i çedukojnë ata.

Mediat online sot nuk ndryshojnë shumë nga rrjetet sociale, të cilat gjithashtu në vend që të përdoren për informim e komunikim, janë shndërruar në WC publike, ku sharjet, fyerjet, etiketimet, perveristetet janë bërë gjërat më normale.

Publiku i gjerë është mirë ta dijë se tashmë baza ligjore është shumë e fortë për të dënuar secilën prej mediave që publikon sharje e fyerje, sepse Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka marrë një vendim për një çështje të tillë, dhe Gjykatat e Kosovës, në bazë të Kushtetutës, janë të obliguara të njohim këto vendime. Në vendim thuhet shprehimisht se komentet janë përgjegjësi e mediave online. Nga ana tjetër edhe në lidhje me rrjetet sociale, vlen ligji kundër fyerjes dhe shpifjes, i cili është në fuqi prej disa vitesh në Kosovë. Fyerja pra dënohet, pavarësisht se ku të bëhet ajo, në publik apo privatisht.

Nga ana tjetër të gjithë duhet t’i vëmë gishtin kokës, e të bëjmë analiza të thella se si ka mundësi që na është shfaqur ky nivel kaq i ulët i komunikimit, i diskursit publik? Është për shkak të nivelit të ulët të edukimit, arsimimit, traditës familjare, lidhet me shërimin e komplekseve të disa të rinjve, mungesa e lirisë a në fëmijëri apo çfarë?

Është më se e qartë se brezi i moshës së mesme, ka një kod të komunikimit që e ngërthen bashkë edhe kulturën e qytetëruar por edhe tradicionalen. Trashëgimia shqiptare përsa i përket kodeve zakonore të komunikimit, unë mendoj se është mjaft e pasur dhe e qytetëruar. Në ditë e sotme duket se s’po mbetet asgjë as nga këto, përkundrazi po importojmë një model të gjuhës krejtësisht skualifikuese dhe perverse.

Kjo është gjuha e urrejtjes të cilën më parë Kosova e ka njohur deri diku për regjimin e Millosheviqit, por jo shqiptarët për njëri-tjetrin. Ose paku unë kështu dua të besoj.

Kjo që po ndodh është e rrezikshme sepse gjuha e ndërton diskursin dhe diskursi mund të konstruktojë një realitet, e ky realitet mund të degjenerojë edhe në dhunë. Sepse siç thotë populli, gjuha kocka s’ka, por kocka thyen.

Personalisht, një popull e vlerësoj edhe nga gjuha që përdor….



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora