E enjte, 28.03.2024, 10:15 AM (GMT)

Mendime

Arbana Xharra: Ndëshkimi i pushtetit arrogant

E hene, 02.12.2013, 07:06 PM


Ndëshkimi i pushtetit arrogant

Nga Arbana Xharra

Ata të cilët e kanë parë Kosovën si pronë të tyre, me komoditetin e pushtetit të vazhdueshëm, me bindjen e sigurt se nuk mund t’i rrëzojë askush, njëkohësisht të forcuar financiarisht, kanë marrë një mesazh të qartë në këto zgjedhje. Votuesi u ka bërë me dije se nuk njeh më arrogancën e grupeve të caktuara, të cilat për vite të tëra kanë krijuar bastionet e tyre politike.

Këto zgjedhje i treguan qartë skenës politike se populli sovran di edhe të ndëshkojë dhe se ka filluar ta ndryshojë mentalitetin e votimit. Duke demonstruar kulturë votimi, njëkohësisht duke dhënë sinjal të evoluimit në demokraci, votuesi qysh në raundin e parë të tre nëntorit tregoi se i ka ardhur fundi durimit.

Derisa na është shfaqur shembull i qytetarisë pa skandale dhe solidaritet drejt ndryshimit nga ana e votuesve, njëkohësisht fushata për balotazh na ka shfaqur një arrogancë dhe gjuhë tmerrësisht fyese, të padëgjuar më parë mes partive politike. Sinjali për rënie iu dha qartë “Të fuqishmëve”, të cilët për disa vjet me radhë me çdo kusht e kanë mbajtur pushtetin. E duke e ndier humbjen në vazhdimësi, efekti i reagimit është përcjellë me shantazhet e formave më të egra, me tendencë për të dëmtuar partitë në avantazh.

Qytetari i Kosovës, kësaj here kërkoi frymë të re qeverisëse, me të kaluar të pastër, duke i numëruar skandalet e kapadainjve, që në emër të qeverisjes kanë keqpërdorur çfarëdo që u ka dhënë mundësia.

Fatkeqësisht ka ende përjashtime prej kësaj fryme te re, pasi ka ende njerëz që paradite bënin fushatë, dhe pasdite përballeshin me akuza për keqpërdorime të taksave tona.

Sidoqoftë, futja e mijëra votuesve të rinj kësaj here ka treguar se ata nuk kanë ndjesi nga thirrjet e të kaluarës, duke kërkuar diçka tjetër. Katërmbëdhjetë pas luftës, Rugova dhe UÇK-ja, dalëngadalë po mbesin pjesë e fletave të historisë, të cilat kujtohen me mburrje, por që nuk mund të vazhdojnë të mbesin në pushtet në emër të së kaluarës. Asfalti, kanalizimi, universitetet nëpër çdo komunë e qindra miliona euro premtime të rrejshme, nuk kanë arritur të bindin votuesin kësaj radhe.

Por nuk duhet harruar se këto zgjedhje, derisa sollën ndryshim për shumë komuna, pjesa veriore, dhe disa komuna të tjera me shumicë serbe u kanë dhënë mbështetje direkt strukturave të Beogradit. Presionet direkt nga Beogradi i dhanë efekt rritjes së listën “Srpska”, e cila u certifikua pak ditë përpara zgjedhjeve.

Beogradi zyrtar ka arritur qëllimin që në komunat me shumicë serbe në Kosovë, të fitojnë kandidatët e listës “Srpska”, të cilët marrin direktiva direkt nga Serbia. Me dy realitete të reja do të ballafaqohen shumë komuna në Kosovë. Por, fitorja tash për tash është vetëm e kandidatëve. Ata bartin mbi vete barrën e madhe të premtimeve sepse u votuan si individë dhe jo si parti.

Kurse ndëshkimi ka shkuar direkt për partitë, të cilat do të reflektojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve nacionale. Për të dyja palët fituesit dhe humbësit do të jetë në interes mbajtja sa më shpejt e zgjedhjeve nacionale. Fituesit për të shfrytëzuar besimin e votuesit, ndërkohë që humbësit për të ndalur rënien e vazhdueshme.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora