E merkure, 24.04.2024, 04:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndërron jetë shkrimtari Abdullah Konushevci

E diele, 01.12.2013, 06:55 PM


Ndërron jetë poeti e studiuesi i shquar, Abdullah Konushevci

Pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 55 – vjeçare, të dielën vdiq poeti dhe studiuesi ynë i shquar, Abdullah Konushevci.

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës mban mbledhje komemorative sot, më 1 dhjetor 2013, në ora 12, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ndërkaq varrimi bëhet po ashtu sot në varrezat e Prishtinës.

Për vdekjen e poetit Konushevci, ka dërguar një telegram ngushëllimi edhe Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

“Me pikëllim dhe dhembje të madhe morëm lajmin për shuarjen e jetës së poetit, kritikut, studiuesit dhe letrarit të shquar, Abdullah Konushevci”.

“Abdullah Konushevci ishte dhe do të mbetet ndër profilet më të kultivuara intelektuale albanologjike, një nga penat më të mprehta, që me erudicion dhe saktësi lazerike ka lënë gjurmë të përjetshme në letërsinë shqipe”.

“Vdekja e hershme e Abdullahut është humbje e madhe e familjes dhe miqve të tij, është humbje një talenti, intelektuali dhe dijetari të përmasave kombëtare”.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në letrën ngushëlluese të Thaçit.

Abdullah Konushevci lindi më 1 maj 1958 në Prishtinë. Mbaroi fakultetin filozofik në Prishtinë e Zagreb. Punoi në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në gazetën “Rilindja”. Pas mbylljes së “Rilindjes”, mbeti pa punë.

Ka botuar me qindra artikuj dhe recensione për letërsinë e shkruar dhe gojore, për çështje të gjuhësisë dhe onomastikës, si dhe ka përgatitur për shtyp një numër të madh veprash e revistash letrare. Shumë poezi të tij janë pëkthyer anglisht, spanjisht, gjermanisht, rumanisht, sllovenisht, kroatisht, sllovakisht dhe turqisht. Ai ishte laureat i shumë çmimeve kombëtare për letërsinë si dhe autor i disa teksteve shkollore për letërsinë.

Ka përkthyer nga gjuha angleze disa prej autorëve të letërsisë botërore, si: Hemingway, Tagore, Ludo Hupperts etj.

Krijimtaria letrare Abdullah Konushevcit, veçan poezia, me rizbulimin dhe pleksjen e bukurisë së lashtë me të sotmen, me gjetjen e kodit të mëvetësishëm të formulimit poetik të historisë, të etnopsikologjisë e të dashurisë, me urtinë e kthjelltësinë e vargut dhe me lojën e tij deri në kulmet magjike, me përmasën e re të gjeografisë poetike të etnisë, me shpirtëzimin dhe rikuptimësimin e mitit pellazgjiko - shqiptar, gjeti, në të vërtetë, Fyellin Magjik që e bëri vargun e tij emblematike jo vetëm për brezin e poetëve të viteve tetëdhjetë dhe, mbase, jo vetëm për poezinë shqipe.

Konushevi botoi këto vepra:

*“Pasqyrë dhe diell” (poezi,1979),

*“Rënia e mollës” (poezi, 1981) ;

*“Qerrja e diellit”, ( poezi, 1983);

*“Loja e strucit” (poezi, 1987);

*“Të qenët të mosqenë” ( poezi, 1990);

*“Pikat AD” (poezi, 2002);

*“Dashni dhe vdekje” (poezi ,2011);

*“Lutje dashurie” poezi,

*“Gjuha shqipe XI”, (tekst shkollor, 2004, 2009),

*“Demaçi, vepra letrare”, (monografi, 2008);

*“Për poezinë” (artikuj dhe vështrime, 2008);

*“Romani ‘Gjarpinjtë e gjakut’ (artikuj të zgjedhur letrarë, 2011),

*“At Gjergj Fishta” (2011) ;

*“Gjinollët e Prishtinës” (monografi, 2013);

*“Toponomia e Gallapit” (2013) dhe

*“Jetë e dytë” (poezi dhe dramë, 2013)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora