E premte, 19.04.2024, 07:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: ''Një shekull në udhën e dritës''

E diele, 01.12.2013, 07:14 PM


Vlerësim libri

“NJË SHEKULL NË UDHËN E DIJES”

(Histori e shkollës Shënavlash)

Mendime mbi vlerat e një libri, kushtuar shkollës dhe arsimit shqip

Nga Kadri Tarelli

Këto ditë Nëntori 2013, Bajram Gashi nxorri librin “NJË SHEKULL NË UDHËN E DIJES”, (Histori e shkollës Shënavlash), që përmbledh periudhën 100-vjeçare të përpjekjeve fizike, shpirtërore dhe intelektuale të mësuesve, këtyre misionarëve të gjuhës dhe shkollës shqipe, që e vunë veten në shërbim të shkollimit e përparimit të kombit. Fryma e trimërisë dhe atdhedashurisë, e mbrujtur në mendjen dhe shpirtin e tyre, u dha forcë për t’u ndeshur e bërë ballë vështirësive të kohës. Mësuesit ishin e mbeten heronj të padukshëm, duke punuar e luftuar për hapjen dhe mbajtjen e shkollave, për mësimin e gjuhës shqipe, si palca e identitetit tonë kombëtar.

Kanë kaluar kaq e kaq kohë, që nga dita e parë e hapjes së shkollës në Shënavlash, pranë qytetit të Durrësit, pak vite pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Kanë kaluar edhe shumë breza mësuesish, të cilët u përpoqën me ç’mundën, për përhapjen e diturisë edhe në këtë fshat, në kushtet e një vendi me histori mjaft të trazuar. Ndaj, të mendosh e të shkruash histori, siç bëri Z. Bajram Gashi, është guxim dhe sipërmarrje e vështirë, pasi ka mundim të madh, kërkon kohë, shpenzim dhe ca më shumë shpirt e frymëzim idealisti.

Para tre vjetësh, kur gjatë një bisede mes miqsh, Bajrami na tha, se kishte vendosur të shkruante historikun e shkollës së Shënavlashit, në të cilën ai ka shërbyer për shumë vite si mësues e si drejtues, kujtova se po bënte shaka. Por jo, ishte krejt e vërtetë.

- Mendim i bukur, gjest e veprim fisnik. – i thashë. - Më pëlqen ideja, por duhet të mendohesh mirë para se ta nisësh, sepse s’i dihet fundi. Nuk është një fjalë goje, sepse dokumentacioni i shkollave në përgjithësi, fatkeqësisht është i pakët e i varfër, aq më tepër  kur bëhet fjalë për jetën 100-vjeçare të kësaj shkolle. Nuk di sa njohje ke, por me përjashtime të rralla, asnjëherë nuk është punuar seriozisht me dokumentacionin, me pikësynim për ta ruajtur e më pas për ta shkruar historinë e një shkolle. Ndaj do të duhet të “bredhësh” sa në biblioteka e arkiva, në Durrës, Tiranë, nëpër qytete e fshatra, për të takuar drejtues e mësues të vjetër, e në pamundësi të tyre të kërkosh të gjesh pasardhësit. - Bajrami e kishte ndarë mendjen dhe mirë bëri. Vetëm kur i hyri kokë e këmbë gjurmimeve të të dhënave, më dha të drejtë, por nuk u tërhoq. Tregoi guxim.

E kam ndjekur shkrimin e librit që në hapat e parë. Bajrami ngazëllehej kur gjente dokumente me vlerë, ose kur takonte mësues të vjetër me të cilët bisedonte gjatë e shtruar dhe i jepnin fotografi. Nuk i harroj ditët kur uleshim për kafe dhe ai mezi priste të na tregonte, se kishte gjetur borderonë e vitit 1917, ku përmendej mësuesi dhe paga e tij, ose kur i ra në dorë dëftesa e klasës së I-rë e vitit 1934. E mbante si gjë të çmuar librin për Lasgush Poradecin, ““Ditar dhe korrespodencë intime”, vëllimi 3”, ku vetë Lasgushi i madh shkruante, se vinte shpesh në Shënavlash për të takuar Nafije Memën, të fejuarën e tij, e cila ishe mësuese në shkollën e fshatit.

Bajrami i përjetonte çastet e bukura, por ndjehej keq kur ato ishin të trishtueshme. Me shumë krenari tregonte për mësuesit kosovar Bajram Salihi (Gashi) dhe Haki Taha, të cilët lanë gjurmë në histori tonë kombëtare në vitet 1944-1945. I pari, Bajrami ra dëshmor duke luftuar kundër ushtrisë serbe që ripushtoi Istogun dhe Kosovën, ndërsa Hakiu vrau Miladin Popoviçin, (malazez, shumë i përfolur pranë Partisë komuniste shqiptare gjatë viteve të luftës), i cili ishte emëruar nga qeveria Jugosllave, si drejtuesi kryesor i Kosovës. Me dhimbje fliste për mësues Tofik Deliallisin, i cili u pushkatua që në ditët e para të çlirimit, duke pyetur veten dhe ne që e rrethonim: “Si mund të vritet një mësues? A mund të jetë mësuesi armik i popullit!!?” Shpesh, me mburrje tregonte për vështirësitë që përballuan mësuesit e fshatit, në ato ditë të ngarkuara me mangësi dhe reforma, me orë të zgjatura pune nëpër kurset kundër analfabetizmit, arritjet e shkollës gjatë zgjerimit dhe forcimit të saj, etj.

Bajram Gashi ndihej i përkëdhelur në sedër, kur tregonte për mikpritjen e familjeve të fshatit, që për vite me radhë mbajtën e strehuan në shtëpitë e tyre shumë mësues të ardhur nga Durrësi apo rrethe të tjera. Trishtohej kur mësonte, se disa mësues u pushuan nga puna për “njolla” në biografi, gjatë periudhës së diktaturës. Mburrej me emrat e kolegëve të dalë nga fshati, të cilët lanë gjurmë në historinë e shkollës dhe u vlerësuan me tituj nderi për arritjet e tyre në mësimdhënie e veprimtari shoqërore.

Asnjëherë, nuk e fshehu kënaqësinë e përmendjes së emrave të ish-nxënësve të dalë nga kjo shkollë, të cilët më vonë ndoqën arsimin e lartë, u bënë kuadro e specialistë të njohur në mbarë vendin. Disa edhe deputetë, kryetar bashkie e komune. Nuk habitemi me modestinë e mësuesve në përgjithësi e të Bajramit në veçanti, sepse kur binte fjala për veprimtaritë gjatë viteve të fundit, kur Bajrami ishte drejtues i shkollës, ai fliste shumë pak, pavarësisht se kishte gjëra mjaft interesante, të bukura e të dobishme për shkollën, për nxënësit dhe banorët e fshatit. Ishte ai vetë nismëtari i lidhjes së shkollës së Shënavlashit me simotrën në Vrellë të komunës së Istogut në Kosovë, duke organizuar edhe vizita të ndërsjella, që kanë lënë mbresa të pashlyeshme te mësuesit dhe nxënësit. Pikërisht gjatë kësaj kohe, ai përjetoi edhe shqetësimet dhe emocionet e ndërtimit dhe përurimit të shkollës së re, me të cilën me të drejtë mburret i gjithë fshati. Sot shkolla mban emrin “Besnik Hidri”, i shpallur “Dëshmor i Atdheut”, i cili vite më parë kishte qenë nxënës i autorit të këtij libri, ndaj dhimbja e krenaria në këtë rast qëndrojnë kaq pranë e pranë. Kjo është jeta e mësuesit, i cili shqetësohet e brengoset kur punët nuk shkojnë mirë, por edhe lumturohet kur nxënësit e tij janë bërë “dikush” në jetë.

S’kemi pse ta fshehim kënaqësinë tonë, kur puna e cilitdo vlerësohet e nderohet nga shoqëria. Pikërisht nderim dhe vlerësim kemi ne për Bajramin, i cili pa u lodhur punoi për tre vjet, për të na lënë të gjithëve historikun e shkollës. Ky libër i shkruar me shumë dashamirësi, mbështetur në fakte dhe të dhëna të shkruara për të gjithë figurat e  përmendura, bën që çdo lexues, por sidomos ata që kanë punuar e mësuar në këtë shkollë, të ndjejë krenari për shkollën dhe mësuesit e saj ndër vite. Kur njihemi me kronologjinë e ecurisë ndër vite, me dokumentacionin përkatës, ilustruar edhe me foto të ndryshme, së bashku me jetëshkrimin e drejtuesve, mësuesve dhe të ish- nxënësve, them me bindje se kemi në dorë një libër të arrirë e të përkujdesur në çdo detaj. Një vepër që u shërben të gjithëve, model i një pune studimore serioze.

Libri, “Një shekull në udhën e dijes”, historiku i shkollës “Besnik Hidri”, Shënavlash, edhe pse për Bajramin është ëndërr tashmë e realizuar, përbën një “pasuri” për shkollën dhe për fshatin. Ai e nisi dhe e bitisi, nisur nga një detyrim moral ndaj vetes, si një “borxh” ndaj fshatit dhe bashkëfshatarëve, si një amanet të pathënë, por të përmbushur ndaj të gjithë brezave të mësuesve, të cilët kanë lënë gjurmë në jetën dhe veprimtarinë e kësaj shkolle, me të cilët ai ka ndarë gëzimet dhe shqetësimet e një jete.

Çdo lexues, sidomos mësues dhe drejtues shkolle, kur arrin në faqen e fundit, gjykon dhe bindet se libri ka vlera, ndaj duhet çmuar pak më ndryshe, pasi vendos një gur të rëndë në themelet e trashëgimisë arsimore në rrethin e Durrësit e më gjërë. Të përjetësosh punën e mësuesve është vepër hyjnore.

Në përfundim, secili sjell ndërmend atë që thonë të diturit, se një libër me frymë historike, nuk është kurrë i përfunduar. Ai mund të pasurohet vazhdimisht nën dritën e fakteve dhe dokumenteve të reja.

Bajram Gashi, autori i librit që kemi në dorë, bëri diçka. Ky është vetëm fillimi dhe duhet përgëzuar. Shpresoj dhe besoj që të shërbejë si shembull për këdo, që synon dhe ka guxim e vullnet për t’i hyjnë punës së mundimshme të plotësimit e pasurimit të histrikut shkollës, si pjesë e historisë së fshatit të Shënavlashit.

Urime Bajram Gashit, me shpresë për libra të tjerë!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora