E shtune, 20.04.2024, 10:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Një antologji që bashkon

E diele, 01.12.2013, 06:33 PM


NJË ANTOLOGJI QË BASHKON

Shënime për librin:”Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës”

NGA QAZIM D. SHEHU

Në një aktivitet në Tropojë, poetët Muharrem Kurti dhe Lulëzim Logu më dhuruan një libër me përzgjedhje poetike nga poetët e Malësisë së Gjakovës.Një libër është pashaporta më e mirë e një vendi, lejekalimi për të ecur në udhë të historisë dhe për të ndjekur gjurmët e poetëve. Sidomos një libër ku përfshihen disa nga poetët e kësaj treve, me emër në arsenalin e fjalës shqipe, aktivë e produktivë të njohur, jo vetëm në Shqipëri po të përkthyer e të çmuar edhe në gjuhë të tjera si:Mujo Buçpapa, Anton Papleka, Skënder Buçpapa, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Hamit Aliaj, etj, etj.

Botimi i një antologjie të tillë është një akt patriotik para se të jetë poetik, sepse ai ve një shenjë bashkimi në këto troje, shtylla të shqiptarizmit, të cilat u prenë nga bisturia shovene për një shekull; një libër është një shenjë për të kuptuar se këto troje janë një;një në frymimin shqip, tradita, zakone, dhe se kanë nxjerrë aq poetë me zë sa ndoshta nuk i ka nxjerrë krahinë tjetër ,pa marrë përsipër eksluzivitetin e së vërtetës.Kjo ishte frymëzimi i parë, ose ngacmimi i vetishëm që vjen kur je i informuar paraprakisht për diçka.

Dhe fillova ta shfletoja librin,botuar me një përkujdesje grafike të mirë.Hartuesit janë nisur në vendosje nga kriteri alfabetik, po kjo nuk nënkupton që librin duhet ta lexosh radhazi.Kriteret e vlerave përcaktohen nga krijimtaria e poetëve dhe shija e lexuesit.Ajo që më bëri përshtypje në paslexim është se kjo antologji përfshin poetë të vërtetë dhe se hartuesit janë treguar të zotë në përzgjedhje; ata kanë ditur të përzgjedhin poezitë më të mira, aq sa, poetëve,besoj-në paragjykim –nuk duhet t`u ketë mbetur qejfi nga kjo gjë.Kjo ndodh se Muharrem Kurti dhe Lulëzim Logu , janë vetë poetë , janë në kontakte me leximet, njëkohësisht shija e tyre ka fituar një mprehtësi përzgjedhje dhe dashamirësia që kanë, sugjeron një konformim të mirë me të bukurën e arritshme për çdo poet të futur aty.

Bajram Curri dhe Gjakova ,dy qytete afër e afër, po i gjejnë çdo ditë fushat e komunikimit, duke bërë manifestime letrare, për të cilat, ndoshta, do ua kishte zili edhe ndonjë qytet tjetër më i madh se to i trevave shqiptare.Dhe në këtë pikëpamje janë për tu përshëndetur organizaorët ,po edhe mekanizma të tjera të shoqërisë që e kanë prirjen për të ndihmuar artin.Në këtë kuptim kjo antologji bëhet model si mund të bëhet diçka dhe si ajo të mos mbetet hap i parë po të vazhdohet e të vazhdohet për të treguar se poezia mbetet përherë një shprehje tërësore dhe vertikale e etnisë sonë, ajo bën pjesë në vështrimin më të fortë të thelbit shpirtëror shqiptar që përcaktohet nga qëndresa dhe delikatesa kur është fjala për të bukurën.

Poetët e përfshirë në të janë të kohëve të ndryshme, po ata kanë një përbashkësi që nuk i bën uniform.Në gjithë krijimtarinë e tyre,ndihet se janë nga kjo trevë, ndihet që rreh pulsi i jetës dhe halleve të kësaj zone të bukur, të bjeshkëve , fushave,Rrafshit të Dukagjinit, qytetit, etj.Kjo tematikë përbashkuese  sjell ata në dallime jashtë krahinore, po sa të ndryshëm janë në këndvështrime.Për shembull, Mujo Buçpapa,që është një poet që krijon kontrapunkte dhe sjell në poezinë e vet imazhe befasuese me lidhje tërthore të largta, ndryshon nga vëllai i vet, Skënderi; ashtu siç ndryshon edhe Skënderi me vargun e vet elegant dhe të shtrirë plot delikatesë dhe mençuri nga Hamit Aliaj që është një poet i ritmit dhe tragjikës së kombit e nostalgjisë së vatrës.Po kështu Anton Papleka, një poet i afirmuar dallohet për proemën,ku vargjet e tij mbartin një intonacion të thellur të mençursë e përshkrimit duke na inkuadruar pamje të gjëra të shpirtit dhe jetës në një rrafsh filozofik.Jaho Mrgjeka gjithashtu mbetet një poet i detajit me një lirizëm të butë dhe zbulime të rëndësishme që portretizojnë një botë shpirtërore në kërkim të vazhdueshëm;ashtu siç flitet për Besnik Mustafajn një poet i vargut të kulturuar me peshë emocionale të drejtpeshuar.I njohur si përkthyes i dorës së parë,Uk Zenel Buçpapaj, herë herë vjen me poezi trallisëse që kapërcejnë rendin e zakonshëm të të shprehurit Një poet me nerv mbetet edhe Asllan Osmanai,Azem Balia,Alfons Zenelj,.E në këto radhë nuk duhet harruar Gjon Neçaj,një poet i vargjeve të shqetësuara dhe të sjella me nayrshmëri, brenda modestisë poetike të një poeti të spikatur..Po kështu mund të flitet për Agim Gjakovën përkthyer në Poloni,një poet i Çabratit dhe Gjakovë martire, një poet i pashkëputur nga kjo qytetari aristokratike.Besim Mhadri mbetet një poet i Hasit dhe Gjakovës , mbetet një shpalosës i vargut duke e shtrirë imazhin brenda kohrave me shqetësimin e truallit.

Për Ali Podrimen është folur gjatë dhe herë tjetër ,po vlen të theksohet se ai u bë vetishëm një poet i guximit dhe befasimit duke u bërë në mënyrë moderne tribun i kombit e njëkohësisht një artist i përthekur i fjalë.

Fjalë të tilla mund të thuhen edhe për Din Mehmetin, poet i kahershëm ,mjaft i hollë e meditativ, tepër i përcaktuar brenda origijinalitetit të vet, poet i qytetit të Gjakovës dhe më shumë se kaq I cili me poezinë e vet dha modelin se deri ku duhet të shkojë fjala shqipe.Skënder Sherifi është një poet që nuk mund të anashkalohet, ai vjen nga metropoli i Parisit po Brukselit, po në poezinë e tij ndihet pikërisht ai guxim i kapërcimit të zakonshmes duke thyer tabutë provinciale për të ardhë tek një njeri që kërkon ta jetojë jetën me modernitetin e fjalës.Një poet inteesant mbetet Jak Përpali,poet i Nikj Mëturit,ardhë me befasime të një butësie përsiatëse duke mos harruar Tahir Bezhaniin, qytetar Gjakove e nip Tropoje, po njëkohësisht një poet që i lidh fijet e shpirtit në gjerdanin e metaforave befasuese.Qemajl Juniku dhe Hali Haxhosaj si dhe Albert Shala,janë poetë të Gjakovës të cilët me vargun e tyre transmetojnë ngacmime filozofike të përditshmërisë prej së cilës zbërthehet të jetuait me poezinë.Nuk mund të rrishë pa folur edhe për Gentiana Muhaxhirin apo Brunilda Rogovën dy poetesha gjakovare, të cilat sjellin në poezinë e tyre një modernitet dhe thellësi mendimi.Po kështu ,befasuese është edhe poetesha tropojaneManjola Brahaj shoqëruar nga Almona Bajrami dhe Nafie Saliaj..Antologjia poetike me poetë të Malësisë së Gjakovës jo vetëm që sjell poetët në zë, po bën një rrugëtim të mirë për tek lexuesi dhe krijon vetiu,një përfyyrim të plotë të njerëzve të këtij trualli i cili ka qenë në pararoje të betejave kundër invazioneve sllave të cilat, sado të egra të kenë qenë, nuk kanëmundur të rrudhosin dhe zhbëjnë sadopak këtë shpirt shekullor.Përmes kësaj antologjie ne na jepet një poezi e nivelit të spikaur artistik, me imazhe dhe figura të bukura, me gjendje shpitërore që reflektojnë kohë dhe hapësira, me rritjen e këtyre njerëzve drejt së bukurës, pa braktisur kurrë bukuritë nayrore të kësaj treve të bekueme prej zotit.

Po kështu, shumë poetë kanë mundur të krijojnë shkolla poetike,të kenë pas ndjekës dhe të merren si shembull ,duke sjellë kështu në gjeografinë kombëtare dhe atë universale të poezisë, një zë, një portret jo vetëm të tyrin po edhe të trevës.Poezia e tyre ngrihet në konvencën e miteve kombëtare,aq sa ajo bëhet personale dhe lirike që zbërthehen bashkë me tonet epike ashtu siç rrjedh Valbona dhe Ereniku e Drini i Bardhë drejt detit të madh .

Kështu kjo poezi bëhet poezi e sintezës dhe e ka kapërcyer dukshëm teknikën rrëfimtare që e vret poezinë.Karakteri sintetik ka dalë si veçori talenti personal, po edhe si rezultat i asaj fryme që sjell poezia e folklorit të Veriut, sidomos me Ciklin e Kreshnikëvë qëlindi dhe u strehua në këtë zonë.Po kështu kjo dëshmon edhe për përpjekjet individuale të këtyre poetëve për të mbajtur kontakte me poezinë më të mirë kombëtarëe po edhe atë botërore.Këtë e dëshmon me përkthimet e veta Skënder Buçpapa dhe Anton Papleka.Jashtë këtij libri kanë mbetur sa e sa poetë, hartuesit e thonë këtë, po kjo ishte vetëm një mundësi. Ajo tregon se arti poetik në këtë trevë nuk shter kurrë, se çdo ditë dalin talente të reja, veçse kjo nismë e realizuar me profesionalizëm jep një model që pritet të vazhdohet, dke e sjellë poezinë gjithnjë brenda kohës sonë, si një përcaktim të qenësishëm.

Në përfunim:Kjo antologji na dha një tufë me lule nga kurora më e paprekshme e bjeshkëve tona, një frymë të gjërë nga fusha e paanë e Rrafshit të Dukgjinit, një gëzim se shohim një projekt poetik me shenja afrimi që modelojnë nxitjen për një sjellje ndryshe dhe të kuptuarit se çdo barrierë midis nesh është e kotë, jashtëfunksionale, se gjithnjë duhen bërë projekte e duhen ndjekur me përkushtim ,ashtu siç kanë vepruar Lulëzim Logu dhe Muharem Kurti.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora