E shtune, 20.04.2024, 02:37 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Jo 29 Nëntorit - e majta të rilindë!

E diele, 01.12.2013, 06:50 PM


JO 29 NËNTORIT - E MAJTA TË MOS RILINDË ME RETORIKË, POR ME VEPRA!

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Klasa politike dha show-n e rradhës. 28 Nëntorin e festuan të ndarë e të përçarë. Njëra palë në Vlorë tjetra duke lamentuar në Facebook. S’ka shëmtim më të madh.

Sot më 29 Nëntor e njëjta histori e pështirë, njëra palë për Shkup, e tjetra për Shkodër, si dy drejtëza që vrapojnë në drejtime diametralisht të kundërta.

Kemi një çerek shekulli që përballemi me dilemën se kur është çliruar Shqipëria dhe se kur është larguar prej vendit çizmja e fundit gjermane. Këtë dilemë e kanë zgjidhur në mënyrë të politizuar historiografët që e retushuan historinë për 50 vjet sipas vullnetit të diktatorit. Këtë dilemë nuk e kanë zgjidhur historianët e shkolluar në Perëndim gjatë periudhës të tranzicionit. Dhe shoqëria sa vjen 29 nëntori thellon bipolarizimin e saj. Njëra palë insiston tjetra e mohon. Por edhe kjo që e mohon, pseudo e djathta e mohon sa për show. Sepse Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një arenë cirku dhe jo vendi ku krijohet statura e shtetit.

29 nëntorin e respekton edhe Presidenti i Republikës, kësaj here si përfaqësues i unitetit kombëtar! Po a ka unitet kombëtar kur njëra palë në mënyrë histerike mbron 29 nëntorin dhe tjetra në mënyrë pasive mbron 28 nëntorin! Jo! Presidenti i Republikës kështu respekton ndarjen dhe përçarjen kombëtare!

29 nëntori është një nga simbolet që denoncon thelbin e katrahurës të kaosit politik këta 23 vjet. 29 nëntori është njëri nga simbolet që ka lidhje me problemin thelemor i cili duhet të zgjidhet një herë e mirë nga politika shqiptare. 29 nëntori është vija e kuqe që ndan të djeshmen me të sotmen dhe që obligon dekomunistizimin e shtetit e shoqërisë shqiptare.

I pyes politikanët e së majtë, duke nisur prej kryeministrit të Rilindjes nëse e konsideron 29 nëntorin ditën e çlirimit të Shqipërisë, kur në vend u vendos një sistem totalitar barbar? Këtë pyetje ia drejtoj edhe të majtës!

Lufta partizane nuk ka asnjë lidhje me 29 nëntorin. Lufta antifashiste duhet të vlerësohet, ashtu si edhe dëshmorët e saj dhe të gjithë ata që i kontribuan. Kush konfondon Luftën antifashiste me 29 nëntorin, ose është i marrë ose synon vazhdimin e çoroditjes të shqiptarëve drejt një konfrontimi social.

Siguria, stabiliteti i vendit, ashtu si dhe standartet e një vendi demokratik nuk tolerojnë dilema të tilla. Prandaj i bëjmë thirrje politikës që ta vendosë në prioritetet e saj sanksionimin e parimeve themelore përmes Kushtetutës  ku Shqipëria përcaktohet eksplicitivisht si një demokraci perëndimore.

Në fund të fundit, e përse duhet që Shqiptarët të pranojnë 29 nëntorin si ditën e çlirimit, kur kjo ditë shënon instalimin e një diktature!

E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se diktatori e zgjodhi këtë datë për servilizëm ndaj Titos, si shenjë gjunjëzimi për ta kthyer Shqipërinë në republikë të shtatë të ish-Jugosllavisë!

E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se kjo datë lidhet pikërisht me emrin e diktatorit Hoxha, regjimi i të cilit i masakroi shqiptarët dhe izoloi e bunkerizoi vendin?

Le ta zgjedhë e majta datën e çlirimit të vendit. Le të jetë 5 Maji. Le të jetë një datë që lidhet me dinjitetin dhe sakrificat e shqiptarëve, por jo me diktatorin.

Ka ardhur momenti kritik kur politika shqiptare duhet të distancohet nga diktatura, jo në mënyrë retorike, por me ligje dhe rregulla ashtu si është vepruar në vendet e ish-Europës Lindore. Të dënohen krimet e regjimit enverist dhe nomenklatura e kuqe, e cila është e parehabilitushme.

Liderët e të majtës të mos bëjnë lojra në pikën që dallon civilizimin Perëndimor nga totalitarizmi. Shqipëria nuk mund të pretendojë të jetë anëtare e NATO-s apo të anëtarësohet në BE – kur liderët e shtetit shqiptar simpatizojnë ish-eksponentët e nomenklaturës të regjimit komunist, apo kur trashëgimtarët bilogjikë të ish-regjimit totalitar emërohen në postet më të larta të administratës publike pa u distancuar nga gjyshërit dhe etërit e tyre. Vetëm Bashkim Shehu e ka bërë këtë. Po ashtu, as e majta dhe as trashëgimtarët biologjikë nuk mbajnë asnjë qendrim mëshirues dhe nuk lypin as ndjesë për viktimat e diktaturës.  Gjermania vazhdon e kërkon ndjesë për krimet e Hitlerit, edhe kur Lufta e Dytë Botërore ka 70 vjet që ka përfunduar!

Po ashtu e majta vazhdon të ketë si gazetën e saj, Zërin e Popullit, themeluar nga diktatori, që për 50 vjet u ka shplarë trurin shqiptarëve.

Shteti i së drejtës imponon rregulla. Shqipëria rrezikon të degradojë sepse është një shtet pa rregulla, pasi mban qendrim konfondues dhe aspak të qartë ndaj të shkuarës, ku përfshihet edhe 29 nëntori.

E majta shqiptare ka plot argumenta që kjo datë të mos jetë data e çlirimit të Shqipërisë, sepse populli shqiptar u çlirua nga nazizmi por vari në qafë vargojtë e diktaturës. Do të mjaftonte lista e gjatë e vrasjeve të bashkëpunëtorëve, që diktatori i likuidoi gjatë luftës dhe për gati gjysmë shekulli prej paranojës staliniste, që e majta të reflektonte për të rilindur me vepra jo me demagogji.

Nëse e majta e pranon që periudha 50 vjeçare e diktaturës ishte një regjim mizor, kriminal, antishqiptar, antinjerëzor që mbolli vdekjen, frikën, izolimin, luftën e klasave, depersonalizmin, varfërinë dhe katastrofën kombëtare, atëherë duhet të ketë një reagim adeguat.

Nëse e pranon realitetin që ka ndodhur për 50 vjet diktaturë, atëherë duhet të gjejë kurajo për të reaguar në mënyrë civile dhe të përgjegjëshme, çka e kërkon domosdoshmërisht formati i një shteti demokratik.

Nëse nuk e pranon, dihet përgjigja!



(Vota: 3 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora