E marte, 23.04.2024, 10:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Ermira Plaka: Vjeshta në Sulovë

E shtune, 30.11.2013, 06:51 PM


VJESHTA NË SULOVË…

NGA ERMIRA PLAKA

Një shkrimtar i madh ka thënë: “Nëse do të zgjidhja mes stinëve ajo do të ishte vjeshta ...”

Në çdo stinë natyra të mahnit me bukurinë. Gjithkujt kur vjen për herë të parë në luginën e Sulovës, i lë përshtypje peizazhi i saj. Kodrat e larta si dëshmitare të historisë, me pamjen e valëzuar e bëjnë më të bukur. Të jetosh në këtë luginë me ajër të pastër gjen qetësi shpirtërore, është edhe ajo që në çdo vend e në çdo kohë shpirti njerëzor e kërkon.  Në stinën e pranverës mrekullohesh nga gjelbërimi gjithë ngjyra të gjalla. Filizat e blertë në çdo hap që hedh janë gjëja e parë dhe më kuptimplotë teksa përshkon itinerarin e rrugëve, të cilat shtrihen deri në lartësitë shkëmbore. Shumëllojshmëri lulesh, aromash bimësh, cicërima zogjësh, mori drurësh frutorë e jo frutorë, ndërtimet të bukura e të reja, banorët mikpritës, punëdashës. Temperaturat e larta në verë nuk mungojnë, veç freskia e mëngjezeve dhe mbrëmjeve kur edhe banorët u japin jetë bimëve, drurëve frutorë, shpendëve e kafshëve shtëpiake, në ara, shtëpi përjetohen këndshëm... Frytet e bukurisë verore i merr vjeshta. Aroma e saj, trokitjet, ndjehen më shumë atëherë kur në oborret e dritaret e shtëpive me lule e gjelbërim freskia venit bukurinë e tyre të brishtë, e rrugët, arat, çatit e shtëpive mbushen me gjethe të zverdhura e të thara, të cilat bien ngadalë nga pemët e larta me fëshfëritje kërkëllitëse.  Era i shtyn me një tingull të butë vazhdimisht sh-sh-sh-sh... edhe ato pak gjethe të mbetura ende në degë. Sa mrekulli kur të zë gjumi nën këtë ninullë mërmëritjesh. Shirat me zhaurimë nga mëngjesi në mbrëmje, nëpër trungjet e degët e nxira nga dielli janë zhurmat e tjera të stinës.

Pena e poetit Xhevahir Spahiu ka sjellë një poezi të bukur, që ndoshta, shumica prej nesh mund ta ketë hasur, ku në çdo varg jepet karakteristika e kësaj stine të bukur:

 

Kur vjeshtës vendin i lë vera

Dhe zogjtë shtegtojnë larg e larg

Nga pemët gjethet rrëzon era

Si fjongo të arta përmbi park.

 

Kur vjeshta vjen, zverdhon në vreshta

Bistaku i rrushit bukuri

Me begatinë që sjell vjeshta

Gëzohem unë, gëzohesh ti.

 

O vjeshtë e artë, o stinë e zjarrtë

Ti mrekulli e punës sonë

Nga fryt i begatë

Njeriut faqet i kuqojnë.

 

Stina e vjeshtës në vetevete është e rëndësishme. Mblidhen prodhimet. Drithërat, perimet, frutat. Gratë kanë rolin e tyre kryesisht në gatimet e shumëllojshme të cilat konsumohen në dimër.  Banorët e Sulovës janë punëtorë, që nuk mendojnë vetëm për të tashmen, por e ardhmja është një prioritet që fitohet me punë e mundim. Njeriu të veprojë, duhet të besojë se ajo që bën, është një gjë e mirë dhe e rëndësishme. Kjo është e domosdoshme ndryshe ai s’bën dot gjë. Të moshuarit trasmetojnë përvojën. Jeta e tyre deri në momentin e fundit u paraqitet tejet e bukur dhe e vështirë njëkohësisht, por, që po të mundeshin ata do ta jetonin përjetësisht. Dhe jo rrallëherë ndodh, që të moshuarit, të mos ruajnë përfytyrimet rinore, dëshirat njësoj si të rinjtë. Por pleqëria është një moshë delikate e vrulleve të punës.

Natyra është treguar bujare me sulovarët dhe në çdo kohë ata kanë punët e stinëve për të bërë. Kjo është për ta trashëgimia më e madhe, pasuria më e madhe. Kjo do të thotë që jeta ndërtohet me punë  e përreth një mjedisi me banesat, rrugët, bagëtitë, të cilat përshtaten me shpirtin e tyre: drunj, lule, det tingujsh e ngjyrash. Jetojnë e punojnë, duke i dhënë prioritet sigurimit të kushteve për të jetuar denjësisht në këtë globalizëm që ka sjellë zhvillimi.

Stina e dimrit vjen me të ftohtin dhe borën. I ftohti të bën të vishesh mirë edhe pse rrezet e diellit ngrohin e të japin dritë në çdo gjë. Në fakt Sulova ka një lidhje tjetër me diellin. Ne jemi një krahinë ku kodrat na qëndrojnë mbi krye. Rrezet e para teksa derdhen në luginë lindin  mëngjezeve pikërisht nga këto kodra. Nga studimet që janë kryer mbi emërtimin e emrit “Sulovë”, thuhet se ka të bëjë me diellin, vend i ndriçuar nga dielli. Studiuesi, shkrimtari, historiani Dr. Moikom Zeqo shprehet se ky emër lidhet me një toponim të periudhës antike me emrin latin të diellit që quhet “sol”. Gjithashtu dielli është kulti pagan mitologjik që Ilirët dasaretë kanë pasur. Që në origjinë ne banorët e krahinës Sulovë jemi të ndriçuar nga dielli, të bekuar që kemi gjithmonë rreze drite mes nesh.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora