Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: O shoku kumandar...na mori malli!...

| E shtune, 30.11.2013, 03:42 PM |


O shoku kumandar...na mori malli a mavri!... (na ikën edhe ca të burgosur, jo për gjë).

Nga Elvi Sidheri

Java e shkuar, cazë si e thatë për nga evenimentet për të cilat do të kishte lindur apo të qe ngjizur ideja për t’i komentuar apo bërë ndonjë shkrim nisur prej tyre, sidoqoftë na la dy ngjarje për t’u komentuar.

1)...”Të shtatët e Apokalipsit” (apo ishin katër ata të Biblës se u ngatërrova)...ia mbathen lirisht, pasi patën fshehur kallashnikovët në xhep të këmishave, brenda ndonjë libri apo në frigorifer a ku merret vesh...dhe pasi u larguan nga Drenova malore e Asdrenit dhe bandës muzikore që dikur ka interpretuar me lavdi edhe himnin tonë kombëtar, bënë një “xhiro ajri të pastër” një pjesë deri në Përrenjas dhe tjetra gjer aty nga Kosturi në Greqinë fqinjë.

2)...”Kumandarin” (për të cilin ndokënd e merr përherë malli, jo vetëm ndoca nostalgjikë pensionistë mbathje-rënë e tru-currufjepsur, ish-partizanë që s’kanë shkrepur qoftë edhe një plumb të vetëm kundër as italianit e aq më pak gjermanit që s’ta zgjaste shumë...por edhe rioshë të ndryshëm e proletarë të tjerë që gëlojnë ende nën hijen dhe “mësimet” e paharrueshme të Merhumit tonë gjakatar)...shokun Enver dhe një alamet fotoje a pikture të tij të ndritur, e nxorën në shesh të burrave tek Varrezat e Dëshmorëve dhe ua vunë si për “sfidë” apo për t’a thënë më shqeto, për “karshillëk”, prapa...figurave kryesore për nga rëndësia, në shtetin aktual “demokratik” shqiptar (presidentit, kryetarit të kuvendit dhe kryeministrit 1 milionë votësh).

Këto dy gjëra e shenjuan thellësisht edhe një javë normale si kjo që dukej të qe në kalim e sipër, pa lënë ndonjë gjurmë në memorien tonë kolektive fund-nëntorase.

28 Nëntori as që u ndje fare (në kuptim të përgatitjeve që shtetit i takojnë me detyrë dhe protokoll që t’i bëjë me këtë rast), ndërsa populli festoi lokaleve apo nëpër shtëpitë e veta, veshur me kombinimin patriotik Kuq e Zi, në kujtim të ditës që na dha pavarësinë aq shumë të pritur, gjakosur dhe të djerësitur nga dhe për ne shqiptarët.

Pamë sërish në çdo televizion “Nëntorin e Dytë” dhe Ismail Qemalin e Isa Boletinin që na mallëngjen gjithmonë sinqerisht kur bashkë me trimat e tij ia dalin që pas mijëra peripecive të arrijnë në Vlorë shëndosh e mirë, për të puthur më pas me ethe dhe pasion, flamurin tonë të shenjtë dykrenarësh.

Do pranuar se edhe loja aktoriale e të madhit Sandër Prosi (që mua dhe shumë të tjerëve na është njëhësuar me Ismail Bej Vlorën e vërtetë, falë këtij roli) dhe Reshat Arbanës që merr trajtën e Isës, kanë hyrë tashmë në panteonin e kinemasë shqiptare, prandaj edhe ky film transmetohet rregullisht dhe asnjëherë, mua të paktën, nuk më është bërë sadopak patetik.

Gjithësesi, cektësia e festivitetit dhe dekorit festiv, atmosfera e vakët në Tiranë, por fundja edhe në Vlorën e flamurit, s’të lënë ndonjë shije të mirë.

Nuk besoj se nevojitet të presim edhe 100 vjet të tjera për të qenë të lirë dhe të mbështetur edhe nga shteti me dekor e aktivitete, që të festojmë sërish denjësisht (pa ato ekzagjerimet groteske, edhe fyese me raste dhe provokuese, që u vunë re vjet, por kur sidoqoftë po ashtu edhe krenaria, shqiptaria dhe dëshira jonë si popull për të festuar shtetin tonë modern, doli në pah me forcë).

Qeveria bën mirë që mbështet Natën e Bardhë, Pezën e ku di unë çfarë më tepër.

Jam i mendimit se çfarëdo arsye për të festuar, është e mirë papërjashtim.

Ne shqiptarët si popull, jemi mjaftueshëm fatalistë si karakter (qënia jonë mesdhetarë dhe lidhja e gjatë me turqit, na e kanë tiposur këtë tipar), të prirur për vuajtje dhe që gotën zakonisht e shohim gjysëm të zbrazur.

Prandaj edhe festat, sa më të shumta të jenë, aq më mirë është për ne.

Dhe në fund të fundit, kur qeveria e djathtë me të drejtë vuri 8 dhjetorin pushim si “Dita e Rinisë” për të kujtuar protestat studentore që na sollën demokracinë dhe lirinë në 1990-ën, atëherë edhe të majtët do kujtojnë Konferencën e Pezës, apo 29 Nëntorin, datë që e shohin jo vetëm si “Festën e Jugosllavisë”, por eventualisht edhe si çlirimin e Shqipërisë nga NaziFashistët.

Sepse mesa di unë, por edhe çdokush që merr pak erë nga burimet historike, Jugosllavia e Dytë, ajo Federative dhe Popullore, e popujve Serbë, Kroatë, Boshnjakë, Maqedonas, Sllovenë e Malazezë (shqiptarët e Jugosllavisë s’i përmendte kush në 29 Nëntor të vitit 1945)...ka lindur si Republikë (se u hoq regjimi monarkik) pas Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në këtë datë që Partia jonë largpamëse, na e përcaktoi edhe neve, shqiptarëve si datën e çlirimit të atdheut tonë nga nazistët gjermanë.

Për të mos thënë edhe të vërtetën tjetër të njohur historike, që qysh në 29 Nëntor të 1943-shit, pati ekzistuar një Jugosllavi Demokratike dhe Federative, ashtu siç qe vendosur gjatë punimeve të mbledhjes së “AVNOJ” në Jajce nga partizanët dhe komunistët jugosllavë.

Pra siç shikohet qartë...”rastësisht” ky 29 Nëntori i çlirimit tonë, del kështu si pak i shtypur si “sanduiç” brenda shtrëngimit të dy 29 Nëntorëve të sllavëvë të jugut, apo Jugosllavëve.

Të mos them pastaj që edhe termi “Republikë Popullore” për Shqipërinë e pas luftës në 45-ën, është i njëjtë tekstualisht, me atë të Jugosllvisë së po të njëjtës periudhë kohore (Republika Federative Popullore e Jugosllavisë dhe Republika Popullore e Shqipërisë).

Ndërsa më vonë Jugosllavia u bë edhe “Socialiste” përveçse Federative në 1963-shin, neve u bëmë edhe zyrtarisht “Socialistë” në 1976-ën.

Ka gjë nevojë për shpjegime të mëtejshme në mënyrë që të shpjegohen këto “rastësi” të jashtëzakonshme që lidhnin gati pazgjidhshmërisht shtetin tonë totalitar me Jugosllavinë Titiste (të mos ishte Koçi Xoxe dhe prishja e Titos me Stalinin, për rastësi nuk do flisnim dot sot, se rrezik që do ishim tashmë një tip ish-republike jugosllave edhe ne)??

Sidoqoftë, kush ka dëshirë të mendojë dhe të gëzojë bindjen se gjermani i fundit, po i fundit fare...fare, edhe ai që do ketë qenë duke ia marrë një syri gjumë mbi triçikël, apo që po pastronte automatikun ose që ishte duke ia mbathur nga vendi ynë apo që qe fshehur në ndonjë plevicë andej nga Shkodra, ka ikur pra nga mëmëdheu ynë pikërisht me datë 29 Nëntor të 1944-ës, është i lirë t’a ketë këtë mendim.

Demokracia pranon mendimet e ndryshme edhe për ngjarje me rëndësi kardinale për një vend si i yni, siç ka qenë çlirimi i vendit nga nazifashistët, në një konflikt që megjithë trajtat e forta të “Luftës Civile” mes shqiptarësh (partizanësh kundër nacionalistësh ballistë e legalistë), sido që të jetë, na vuri të tërëve si popull në krahun e duhur të forcave aleate.

Nuk mund të mendoj kurrë se partizanët e thjeshtë që morën malet për të ngritur tytën e pushkës kundër okupatorit fashist apo nazist, të kishin ndonjë përgjegjësi për vendimet e errëta për të ardhmen e vendit, që “Kumandari” (ky që ia ngrenë portretin për turp të Zotit në mes të Varrezave të Dëshmorëve, në 2013-ën, pas 23 viteve demokraci, si pa gjë të keq!)...dhe të tijët tashmë kishin marrë.

As tërë ballistët, këta nacionalistë të mirë në origjinë, ithtarët e Mit’hat bej Frashërit, nuk ishin as përtacë, as njerëz që nuk dinin apo që nguronin përjetësisht të merrnin vendime jetësore, se me kë dhe kundër kujt të luftonin ...(të bëheshin apo të rrinin asnjëanës ndaj nazistëve pushtues që po pretendonin se na kishin bashkuar me Kosovën dhe trojet e tjera etnike, apo të mbanin lidhje me komunistët që drejtonin brigadat dhe bataljonet partizane, por të cilët jo vetëm flirtonin, por edhe qenë ideuar dhe mbështetur e krijuar si entitet politik nga dora e emisarëve titistë në 41-shin).

Po aq edhe Legalistët nuk qenë aspak më të tërhequr dhe Abaz Kupi ishte organizatori i rezistencës 7 orëshe ndaj zbarkimit italian në Durrës (veprim që na zbardhi faqen si popull, pasi do pranuar se për arsye ende të pasqaruara Mbreti Zog, jo vetëm që iku megjithë familje, ashtu siç bëri edhe Mbretëresha e Holandës për në Angli fundja...dhe holandezët nuk e trajtuan kurrë si tradhëtare për shkak të këtij gjesti....por as nuk organizoi ndonjë lloj rezistence sado simbolike pas largimit të tij nga vendi).

Unë vetë pa qenë historian, por edhe me çfarë më ka rënë të lexoj ose dëgjoj, akoma s’e kam të qartë kur qenkemi çliruar realisht.

Rëndësi ka që në fund u çliruam dhe këtë e bëmë vetë, me gjakun dhe mundin tonë, të atyre pikësëpari mijëra e mijëra partizanëve, por edhe ballistëve apo legalistëve që luftuan pushtuesit nazifashistë.

Kur e kaloi kufirin tonë shtetëror gjermani i fundit, nuk është se e dinë fiks as vetë gjermanët më duket e jo më ne!

Prandaj kush ka dëshirë t’a festojë 29 Nëntorin, le t’a bëjë, kujt s’i pëlqen dhe këtë datë e sheh si përputhje dhelpërake me Festën e Jugosllavisë (“Dan Republike”...Dita e Republikës i kanë pas thënë serbët që e festonin zyrtarisht këtë datë deri në vitin 2002)...po ashtu ka të drejtën të mos t’a ndiejë këtë datë si të festueshme për shkaqet që citova më lart, por çlirimin t’a festojë me 28 Nëntor bashkë me Pavarësinë e Shqipërisë dhe Ngritjen e Flamurit në Krujë nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në vitin 1443.

Jemi të lirë brenda suazave të të qënit një popull...edhe që të mos biem dakort për disa gjëra dhe sërish mund të jetojmë fare mirë në paqe dhe harmoni mes njëri-tjetrit, të bashkuar edhe në ndasitë tona politike apo në vizionin tonë lidhur me disa pika kyçe të historisë sonë të përbashkët.

Prandaj mua më tepër se fakti që të majtët sipas traditës, sapo erdhën në pushtet, mezi duruan që të merren me 29 Nëntorin, më ra në sy domosdo ai portreti i madh i “Kumandarit” gjatë homazheve zyrtare të krerëve të shtetit tonë tek Varrezat e Dëshmorëve.

“Atë ditë që erdh haberi, dilni se erdhi Enveri”...këndonin dikur!

T’a mbajnë me shëndet meqë e duan fort!

Në këto raste, roitja dhe ftohja nga trutë e ndokujt që e gjen të udhës të na ngrejë lart e më lart (si flamujt e kongresit)...foton e “xhaxhit”, duhen konsideruar si simptoma të një degjenerimi mendor që është thjesht i pakthyeshëm dhe totalisht i parekuperueshëm.

Për të tjera, ”të shtatët” i kapën pa u bërë akoma “të shtatat” e arratisjes së tyre spektakolare.

4 të parët kishin vajtur gjer në buzë të rezervuarit ujëndenjur të Përrenjasit, ndoshta për t’u larë pak në ujë të freskët apo për të soditur “bukuritë e rralla” të natyrës së minierës së abandonuar të asaj zone.

Ata 3 të tjerët të cilët ia mbajtën majë mushkave për në Kostur...edhe ata i patën kapur “gafil” grekët dhe do i sjellin prapë mbrapsh.

Por të mos harrojmë që ky sukses, ishte i tëri i policisë sonë (kur gjysmën i kapën grekët, pasi të tanët i lanë të ikin sa nga burgu, aq edhe jashtë kufirit)!

Rëndësi ka që askujt s’i bënë dëm dhe tashmë për t’a urohet të mos dëgjojmë më në të ardhmen.

Kaq kisha për sot lexues të dashur...kokteji i sotshëm “eksploziv” me bazë “Kumandarësh lugetër varrezash dhe të burgosurish në arrati jetëshkurtër”...përfundon me kaq.