E premte, 26.04.2024, 12:35 AM (GMT+1)

Mendime

Sabit Gashi: Një dasmë - dy flamuj

E enjte, 29.05.2008, 06:53 PM


Një dasmë - dy flamuj

Nga Sabit Gashi
     
Më ra rasti që në qytetin e Gjilanit të shoh me sytë e mi dy flamuj multietnikë në ballë të vargut të veturave të një dasme. Në fakt, në veturën e parë valonin tre flamuj. Dy flamuj ishin flamuj multietnikë që valonin në të dy anët e saj, kurse një flamur kombëtar shqiptar ishte mbërthyer disi sa të mos binte në tokë, në pjesën e jashtme të prapme të së njëjtës makinë, me shtizë në drejtim të kundërt me drejtimin e lëvizjes së saj. Pamë këtë skenë teksa prisnim të vinte ora e hyrjes në një orë përkujtimore për atdhetarin e madh dhe poetin Rexhep Elmazi. Ishte e diel. Muaji Maj. Në të kthyer nga Gjilani për në Prishtinë në magjistralen Prishtinë - Gjilan, në të dalë nga Hajvalia në drejtim të Gjilanit, ecte një varg veturash me dasmorë. Në ballë printe vetura me flamur kuq-e-zi, me rreth me thek me ngjyrë ari që mbahej me shumë dinjitet. Dy dasma. Dy simbolika. Katër flamurtarë. Një risi në traditë. Një debat i pafund. Ahtisari plak e ka ndezur debatin jo vetëm ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, por edhe ndërmjet vetë shqiptarëve, duke e zhvendosur debatin nga Kuvendi i Kosovës në dasmat shqiptare. Zhvendoset debati në ngjarjen ku zë fill jeta. Hapet debati që nuk do të duhej të hapej kurrë ndër shqiptarët dhe sidomos jo aty ku zë fill jeta! Dhe mbi të gjitha nuk do të duhej të hapej për gjënë më të padiskutueshme të tyren. Debatet, thuhet, nisen me të qeshura dhe mund të përfundojë me vajtime; dhe në vend se të zërë fill jeta, zë fill vdekja.
Të nesërmen në një gazetë ditore na zë syri një fotografi të një dasme po me flamur multietnik krahas atij kombëtar shqiptar. Nuk ka koment fare pranë fotografisë. Nuk paska qenë vetëm një dasmë me flamuj multietnikë krahas flamurit kombëtar. Në dasmën shqiptare duken shenja të fillimit të ndryshimit të traditës shekullore. Si pa të keq në dasmën shqiptare ftohet flamuri multietnik. Nuk e dimë se kush ka vendosur, nuk e dimë se pse i zoti i dasmës e ka marrë një vendim të tillë. E pamë vetëm skenën në rrugë. Ftohet ky flamur për t’i bërë karshillëk flamurit kombëtar. Diku madje i bëhet vend në ballë, duke e spostuar flamurin kombëtar shqiptar. Dhe ku? Në një aheng tërësisht privat. Në një ngjarje të shënuar familjare. Në një ngjarje që shekujt kanë vendosur rregulla shumë strikte për vendin dhe nderin e flamurit. Nuk e dimë në sa dasma kanë valuar flamujt multietnik këtë të diel maji. Nuk dimë gjithashtu se në sa dasma ka valuar ky flamur që prej 17 shkurtit. Nuk besoj të jenë shumë. Mirëpo, qoftë edhe kur janë pak, është një provokim i mendjes për të analizuar psenë. Për të analizuar dhe gjetur burimin e kësaj force me aftësi kaq të madhe për ta dehur aq shumë mendjen e shqiptarit që ta shtyjë të prekë me kaq lehtësi në traditën shekullore. Shfletimi i historisë së kombeve nuk na ndihmon për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, sepse Kosova vërtet po bëhet sui generis në të gjitha dimensionet e jetës shoqërore. Apo mos është një fantazmë e padukshme që me një të rënë të një tasti po kaq të padukshëm këputka rrënjët e traditës që do të kërkonte shekuj kohë për të ndryshuar?!
Dasma me gjithë se është krejtësisht private dhe është e drejtë e secilit që ta ngjyrosë me ngjyra gjurmëlënëse siç ka dëshirë i zoti i saj, kur prishet zakoni shekullor dashur pa dashur të shtyn të mendosh pse këta njerëz vendoskan me kaq lehtësi të ndërrojnë zakon, apo zakoni paska qenë kaq i brishtë. Të kenë qenë rrënjët e traditës të cekëta nuk ka se si të besohet. Po të ishin të tilla nuk do t’iu qëndronin gjithë atyre furtunave të shekujve. Megjithëse shpjegimi duhet kërkuar në gjakimin e politikanëve shqiptarë që nga fillimi i viteve ‘90 për pavarësi me çdo kusht e me çdo çmim, duke pranuar edhe heqjen dorë nga identiteti kombëtar shqiptar dhe megjithëse shembuj të tillë mund të jenë të paktë, na bëhet me dije se kriza e moralit kombëtar tek populli shqiptar është tepër e thellë. Një ditë Albin Kurti e tha shumë bukur: një komb është i fortë për aq sa ka gjëra të padiskutueshme brenda tij. Kur filluan debatet në lidhje me simbolikat për shtetin e Kosovës, politikanët tanë bënin zhurmë deri në ndotje të ambientit duke thënë se flamuri i shtetit të Kosovës është një e keqe e domosdoshme që duhet ta përpijmë për hir të pavarësisë, përndryshe flamuri kombëtar e ka vendin e nderit dhe gjithnjë do të valojë krahas atij të shtetit të Kosovës. Deri sa e krijuan opinionin për ta pranuar një flamur, që në thelb ka për qëllim ta largojë flamurin kuq e zi fare nga Kosova, politikanët (që në ndërdije iu është krijuar dashuria për veten e tyre si baballarë të kombit të ri) përbetoheshin në flamurin kuq e zi dhe në simbolet tjera kombëtare si vlera të shenjta. Kur arritën që nëpër deriçkë dhe në një moment euforie të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ta shpallnin flamurin me gjashtë yje që përfaqëson gjashtë komunitete (njëri nga të cilët simbolizon shqiptarët si komunitet dhe aspak komb), filloi një fushatë e re. Fushata e imponimit të “dashurisë” për flamurin e ri. Filloi fushata e shpërndarjes së flamujve nëpër shkolla dhe në familje të respektuara shqiptare. Tashmë flamuri multietnik, në vend se të trajtohej si një e keqe e domosdoshme që ishte proklamuar prej këtyre “baballarëve”, filloi të trajtohej si një krijesë e dashur e tyre dhe me cinizëm të shpallej si një fitore e Kosovës që duhej festuar me të në ballë. Shpejt u hoq flamuri kombëtar nga institucionet e Kosovës me urdhrin e vetë atyre që na thanë në fillim se nuk do ta hiqnin përjetë. Dashur pa dashur duhet ta pranojmë se “baballarët e kombit kosovar” kanë arritur që të keqpërdorin taksën e shqiptarëve dhe ta përdorin atë në dëm të traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Sidoqoftë, është fakt se ende jemi në fazën e euforisë së madhe. Si çdo gjë tjetër edhe euforia do ta ketë fundin e saj. Pas kësaj do të filloj këndellja. Pas këndelljes do t’i kaplojë turpi disa që me mendjelehtësi u kanë besuar këtyre “baballarëve” dhe kanë ndjekur me devotshmëri shembullin e tyre, duke lejuar të fusin tharmin e përçarjes deri edhe në dasmat e tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora