E enjte, 25.04.2024, 11:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Një amerikane e verbër na uron

E enjte, 28.11.2013, 08:04 PM


NJË AMERIKANE E VERBËR, NA URON  FESTËN E PAVARËSISË …

Nga Murat Gecaj

1.

Tashmë, janë të njohura shkëmbimet e ndërsjellta të mesazheve ndërmjet njerëzve, të njohur ose të panjohur. Këtë mundësi na e jep një ndër shpikjet më të rëndësishme të njerëzimit, siç është Interneti. Pa u zgjatur më tej, dëshiroj t’u tregoj lexuesve, se para një muaji mora një mesazh, që m’u duk ndër më interesantët dhe më domethënësit. Atë ma dërgonte zj.Carrie Hooper, nga Nju Jorku i SHBA-ve. Më bëri shumë përshtypje se, megjithëse e vërbër, ka një veprimtari shumë të dendur dhe se, ndër vendet,  që ajo nderon e vlerëson, është Shqipëria jonë dhe, ndër gjuhet e shumta, që ka mësuar në largësi, është gjuha jonë amtare.

Për kureshtjen e  lexuesve, ja çfarë shkruante ajo, ndër të tjera, në mesazhin e saj:

“I nderuar Prof. Murat Gecaj, përshëndetje! Unë quhem Carrie Hooper dhe jam nga Elmira të Nju Jorkut në ShBA. E mora emailin tuaj nga Dalip Greca,redaktori i Gazetës “Dielli”. Kam lexuar shumë shkrimet tuaja dhe më pëlqyen shumë.

Jam amerikane, pa asnjë prejardhjeje shqiptare. Jam krejt e  verbër që nga lindja dhe punoj si pedagoge të gjermanishtes dhe  të italishtes tek Elmira College, në qytetin tim të lindjes. Më  tej jap piano dhe kanto në shtëpinë time dhe jap koncerte vokale  në vende të ndryshme. Përveç kësaj këndoj në dy kore dhe i bie  pianos. Më pëlqen të mësoj gjuhë të huaja dhe përveç italishtes  dhe gjermanishtes, kam mësuar suedisht, spanjisht, pak  finlandisht, pak frëngjisht, pak rusisht, dhe latinisht.

Para pesë vjetësh fillova ta mësoja gjuhën shqipe pasi kisha një  student nga Shqipëria në kursin tim të italishtes. Në fillim  përdora një libër në brail dhe pastaj dëgjova një kasetë me  përralla në shqip. Gjithashtu bleva një fjalor shqip-anglisht, që  një grua e transkriptoi në brail për mua. Në verën e vitit 2009  dhe në verën e vitit 2010 ndoqa kurse të gjuhës shqipe, te  Arizona State University, në Tempe të Arizonës.

Shkruaj poezi shqip dhe disa nga poezitë e mia janë botuar në  Gazetën “Dielli” si dhe në revistën “Kuvendi “,që botohet në shtetin e  Michiganit. Më tej, kam shkruar artikuj për Gazetën “Dielli”.  Gjithashtu, kam dhënë intervista për Radio Kosovën, për Radion “E  diela”, një program ,që transmetohet në Toronto të Kanadasë, për  emisionin Shqiptarët e Amerikës, me gazetarin kosovar Qazim Doda,  si dhe për Gazetën “Dielli” e për gazateren Rajmonda Moisiu. Për  më tepër, kam kënduar për veprimtari të organizuar nga bashkësitë  shqiptare në Nju Jork, Detroit dhe Toronto

Gjuha shqipe është gjuha ime e preferuar dhe i dua shumë  shqiptarët, sepse kanë ngadhënjyer dhe mbijetuar megjithë kushtet  e rënda gjatë historisë së tyre. E adhuroj shumë mikpritjen e shqiptarëve. Do të dëshiroja ta vizitoja Shqipërinë. Nga:  Carrie Hooper (e-maili: hoot751@stny.rr.com)”.

2.

Siç vërehet edhe më lart, amerikanja zj. Carrie Hooper është shumë e lidhur me historinë dhe jetën e Atdheut tonë e të njerëzve të tij. Prandaj, duke e ditur mirë se këto ditë ne do të kemi një festë tjetër të gëzuar, pra 101-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë,  ajo nisi një mesazh tjetër, në të cilin shprehet me ndjenja të pastra për të gjithë shqiptarët, kudo që ata ndodhen. Titulli është: “Gëzuar Ditën e Pavarësisë!” Ja, përmbajtja e tij dhe çdo koment më dukët i panevojshëm:

“Përshëndetje! Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Është interesante, se kësaj radhe Festa e Flamurit bie në të njëjtën ditë, si Festa amerikane e Falënderimit. Të jemi mirënjohës për dëshmorët e Kombit Shqiptar, që jetën e shkrinë për lirinë e mëmëdheut. Të nderojmë ata, që ranë për ta çliruar Atdheun nga robëria  pesëshekullore osmane. Të lartësojmë në mendjen tonë atdhetarët, që themeluan shkolla shqipe, me gjithë ndalimin e përdorimit të gjuhës shqipe, gjatë kohës së sundimit osman. Të falënderojmë,  në shpirtin tone, shqiptarët në Diasporë për punën e tyre të palodhur për ruajtjen e kulturës shqiptare, duke dhënë mësim në shkollat shqipe, duke kënduar dhe vallëzuar dhe duke krijuar letërsi.

Rroftë Shqipëria dhe rrofshin shqiptarët, kudo që ndodhen!

Të fala, Carrie Hooper”.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora