E premte, 19.04.2024, 07:12 AM (GMT+1)

Mendime

Sami Repishti: Antiamerikanizëm në Shqipëri?

E marte, 26.11.2013, 08:02 PM


Antiamerikanizëm në Shqipëri? Unë dyshoj!

Nga Sami Repishti

Ngjarjet e fundit në Shqipëri në lidhje me kërkesën e qeverise amerikane pranë qeverisë shqiptare për çmontimin e armëve kimike siriane kanë nxjerrë në shesh fenomene “të fjetuna” deri tashti. Njeni nga ata ashtë “rreziku amerikan” mbeturinë e regjimit komunist që, thuhet në publik, ka nxitë demonstratën e ambientalistëve para Ambasadës Amerikane, e para e këtij lloji në historinë e vendit tonë.

Unë mendoj se ky interpretim ashtë i gabuem! Ai ashtë rezultati i mosnjohjes së SHBA-ve, i keqkuptimeve pa arsye dhe i mungesës së transparencës qeveritare. Ka mundësi që elemente toksike të së kaluemes komuniste të kenë shfrytëzue momentin me krijue nji atmosferë ftohjeje ma parë, dhe anmiqsore ma vonë, në marrëdhanjet në mes dy vendeve tona. Por, unë dyshoj!

Njohja e mirëfilltë e Shteteve të Bashkueme të Amerikës fillon me kuptimin historik të Magna Carta (1215 AD) dhe parimeve të saje. Ky dokument themelor i kulturës perëndimore (Western culture) ashtë esenca e zhvillimit politik dhe shoqënor të SHBA-ve. Për Europën e mesjetës këto parime kanë qenë themelore, esenca e qëllimit të jetës së përbashkët që ka lidhë popujt e Europës mesjetare në përpjekjet e tyne me pengue prishjen e kombeve. Eksperienca europiane ka qenë themeli i eksperimentit amerikan në kontinentin e ri.

“Europa ka qenë vendi ku lindi Amerika. Idetë europiane dhe kultura e saj formuen republikën e re. SHBA janë nji zgjatje e qytetnimit europian, dhe Europa ashtë burimi i tyne, – burim i veçantë për të gjitha idetë çlirimtare të lirisë individuale, të demokracisë politike, sundimit të ligjit (“Non sub homine, sed sub Deo et lege” – Jo në sundimin e njeriut, por nën sundimin e Zotit dhe të ligjit”), të drejtat e njeriut dhe lirinë kulturore që përbajnë trashëgimin tonë ma të shtrenjt, e që frymëzojnë botën mbar edhe sot”, shkruen A. M. Schlessinger.

Amerika ashtë nji eksperiment europian i suksesshëm në kontinentin e ri!

“Pilgrimet” – emigrantët e parë të Amerikës (Jamestown, 1609) – janë njohë edhe si “transplantations”, çvendosje nga nji kontinent në tjetrin i të njajtit material njerëzor. Që në fillim ata kuptuen se duhet të ketë “arsye detyruese” me shikue veten si pjesëtarë të kombit të ri amerikan. Ata dëshirojshin “me harrue” të kaluemen e tyne të tmerrshme në kontinentin e vjetër dhe me përqafue nji të ardhme premtuese. (“City on the hill”.) Kështu, pikësynimet e tyne ishin emigrim, çlirim, asimilim, dhe pranimi i rolit të vendit të ri si “nji komb transformues”, eksperiencë të veçantë kombëtare të mbështetun në ideale politike të përbashkëta dhe përvojë të përbashkët: me ndërtue nji kulturë të re dhe specifike amerikane.

(Amerikanët e parë, në kundërshtim me konkurrentët e tyne spanjolë, që vërshuen Amerikën e Mesme e Jugore tue plaçkitë çdo gja që gjetën, u përqendruen me sigurue lirinë për të gjithë dhe bekimet që liria dhuron mbi adhurueset e saj. Historia 500-vjeçare u dha të drejtë!)

Megjithatë, Amerika mbetet nji shoqëni e bazueme në kulturën europiane. Që nga Revolucioni Amerikan që solli pavarësinë e Amerikës (1776) e deri sot, Amerika ashtë frymëzue nga nji “kredo” që ashtë e pazgjidhëshme me atë të Europës, e sidomos angleze, me lidhje në gjuhë, ideale dhe institucione.

Shtresa filozofike e Amerikës ashtë që ajo të konceptohet si nji komb i ri i dalun nga nji grup kombesh të ndryshme. Ky heterogjeneitet imponoi nevojën për njisim idealesh dhe kulturë të përbashkët, dhe sa ma shpejt. Kështu, SHBA përfunduen eksperimentin e tyne me sukses, dhe mbeten edhe sot nji shembull i ndritun se si nji shoqëni e shumëllojshme mund të qëndrojë së bashku vullnetarisht. Asnji vend tjetër në botë nuk tërheq njerëzit e lirë ma shumë se SHBA. Idetë e saj demokratike krijojnë solidaritet në mes njerëzve. Amerika ka pasë sukses sepse ka kombinue parimet demokratike me eksperiencën praktike të pjesëmarrjes në shoqëninë civile. Qytetarët amerikanë e ndiejnë veten faktorë aktivë, jo figura pasive. (“Qeveria duhet të bajë për popullin vetëm atë që populli vetë nuk mund të kryejë” A. Lincoln.) Edhe Kushtetuta e SHBA-ve e përcakton këtë koncept: ajo siguron të drejtat e individit, jo të drejtat e grupeve të ndryshme.

“Ne, populli i Shteteve të Bashkueme…” (“We, the people of the United States…”) përsëritet në fillim të shumë paragrafëve të Kushtetutës. Menjiherë mbas ratifikimit të saj, me qëllim përcaktimi edhe ma të mirë të të drejtave të qytetarit, paraqiten dhetë  “amendamentet” e para, që synojnë mbrojtjen e qytetarit nga pushteti. Kurdoherë që zhvillimi i vendit kërcënon sigurinë e qytetarit, “ne, populli i SHBA” ndërhynë me nji amendament të ri. Kushtetuta amerikane pasunohet vazhdimisht me ide të reja. “Ne, populli…”. Sa shprehje e fuqishme!

Sot demokracia amerikane krijon nji “shoqëni të hapun”, të mbështetun në tolerancë për “të ndryshmen” politike ose fetare, dhe ushqen respekt për këtë “të ndryshme”. Ajo ashtë sot ma e hapun se dje, dhe nesër edhe ma shumë. Ky ashtë përparim!

“Krahët e Amerikës, – shkruente Xh. Washington 250 vjet ma parë, – janë të hapun për të shtypunit dhe të përndjekunit e çdo kombi dhe çdo besimi fetar”. Këto “të shtypun” dhe “të përndjekun” në SHBA “u angazhuen në ndërtimin e demokracisë dhe në vetëqeverisje… Këto dy cilesi kanë qenë edukatorët e mëdhej dhe bashkueset e mëdhaj të kombit amerikan” (A. de Tocqueville) Asimilimi i tyne ka qenë i natyrëshëm, pa imponim, i dëshiruem nga vetë “emigrantët”. E gjithë kjo lëvizje ka nji frymë anglo-centrike, sepse institucionet amerikane, zakonet, idealet, janë angleze: dinjiteti esencial dhe barazia për të gjitha qeniet njerëzore, të drejtat e patjetërsueshme të lirisë, drejtësisë dhe dyerëve të hapuna për përparim. Nji artist entuziast, tue shikue Statujën e Lirisë, thirri: “Këtu do të bashkohen të gjithë me ndërtue Republikën e Njeriut dhe mbretëninë e Zotit!” Liri, Njeri, Perëndi!

Në vitin 1943, F. D. Roosevelt deklaronte: “Parimi mbi të cilin ashtë ndërtue ky vend dhe që ka qeverisë atë përherë, ashtë se amerikanizmi ashtë nji fenomen mendor dhe i zemrës; amerikanizmi nuk ashtë dhe nuk ka qenë asnjiherë çështje race ose i të parëve tonë. Nji amerikan i mirë ashtë ai që ashtë besnik ndaj këtij vendi dhe beson thellësisht në liri dhe demokraci”.

Natyrisht, Amerika nuk ashtë nji vend perfekt! Të parët që e pranojnë këtë premisë janë vetë amerikanët. Kritikat ma të forta nuk vijnë nga jashtë, por nga mbrenda vetë Amerikës… Kritika, dialogu, disidenca inkurajohen si faktorë pozitivë në zhvillimin e shëndoshë të nji shoqënie demokratike dhe gabimet pranohen si shprehje e “dobësisë së natyrës njerëzore”. Kërkesa e faljes për gabimet e bame ashtë traditë e fortë në Amerikë, dhe zbulimi i së vërtetës, sado e hidhët të jetë ajo, përshëndetet si nji sukses i gjithëmbarshëm.

Ka mjaft faqe “të zeza” në historinë amerikane. Trajtimi i “indianëve”, “lekurëkuqve” ashtë nji krim i pafalshëm. Përsëri ata kanë pranue shoqëninë amerikane dhe mundësitë që ajo ofron. Sot ata e quejnë veten “Native Americans”, nji pohim i pranimit të tyne me qenë pjesë e shoqënisë amerikane.

Trajtimi i zezakëve (Colored people) ka qenë ndoshta disfata ma e madhe e “kredo”-s amerikane. Por Amerika hyni në Luftë Civile dhe sakrifikoi jetën e 650 000 bijëve të vet me qëllim që “zezakët” të fitojnë lirinë (1863, Proclamation of Emancipation) dhe skllavëria mori fund si institucion kanceroz. Eksperienca e emancipimit të zezakëve, organizimi i tyne në “freedom marches” në të gjithë Amerikën dhe guximi i tyne në kërkesat për të drejtat e mohueme, – traditë amerikane – inkurajoi popujt zezakë të Afrikës dhe të Azisë me luftue kolonializmin dhe me fitue pavarësinë e vendeve të tyne. Vetëbesimi në mes të “zezakëve” u rrit. Protestat e tyne lëkundën ndërgjegjen e shumicës. Sot “zezakët” në SHBA janë ma të përparuem se në çdo vend tjetër të botës, tue përfshi edhe vendet e pavaruna të Afrikës. Sot “zezakët” quhen “afro-amerikanë” dhe i shikojnë SHBA-të si “vendi i njeriut të lirë’ dhe “djepi i lirisë”. Sot Presidenti i Amerikës ashtë nji “zezak” – Barack Obama! E pabesueshme, por e vërtetë!

Besimi që amerikanët kanë në nji filozofi që evoluon pa pushim, që plotëson idealet e veta paqësisht përmes debatit, vetëkritikës, frymës së protestës, elementit të mosrespektimit të pushtetit që abuzon, janë bazë e nji tradite që njeh të drejtën për heterodoksi, anmiqsi për konformitet dhe oportunitet për vetafirmim… “Kredo”-ja amerikane ka qenë mjeti ma i fuqishëm që i ka mundësue amerikanët, me ndërpremje sigurisht, por edhe me kambëngulje, me ngushtue hendekun që ekziston në mes të idealeve dhe të së mundshmes. Ky ashtë nji mësim që çdonjeni nga ne duhet të mësoj, tue përfshi edhe kritikët e mëdhej të Amerikës. Sepse ashtë zamka që lidhë. “Et pluribus, unum!” Të gjithë së bashku, për nji qëllim.

Dhe në qoftë se fitohet përshtypja se ka nji “hegjemoni kulturore” (thanja ashtë e arbëreshit A. Gramsci) kjo  rrjedh sepse vlerat mbisunduese dominojnë dhe hyjnë mbrenda çdo shoqënie. Idetë perëndimore (Western, oksidentale) të lirisë individuale, demokraci politike dhe të drejtat e njeriut, si dhe çmimi që i duhet dhanë diversitetit të nji kombi, janë sot ide që fuqizojnë popujt e ndryshëm të të gjithë kontinenteve, racave e bindjeve fetare. Ata janë vlera universale!

Sot, mbasardhësit e “të shtypunëve” dhe “të përndjekunëve” të së kaluemes dhe të së tashmes, bajnë çdo përpjekje me sigurue edhe për të tjerët bekimin e lirisë që ata gëzojnë në kontinentin amerikan…! Ky ashtë misioni i tyne fisnik!

Amerika! Vendi ku individët e të gjitha kombeve janë shkri në nji racë të njeriut të ri!

Nga nji vend i këtill ashtë shumë e vështirë të dalë  “e keqja” e qëllimshme. Këtë besim kam formue gjatë nji qëndrimi ma shumë se pesëdhjetëvjeçar si nji qytetar

amerikan, i lirë dhe me dinjitet.

Prandej dyshoj të ketë sot nji “antiamerikanizëm” në Shqipëri, sidomos tek elementi që njeh historinë e mirëfilltë të kësaj demokracie të shëndoshë, – sot në duert e qytetarëve që e shohin demokracinë si vlerë për të cilën janë gati të vetësakrifikohen. Natyrisht, tue përjashtue “absurden”.

*Ph.D. City University of New York.

Ish-i burgosun politik



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora