Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hoxhaj: Ekstremizmi fetar rrezik për Kosovën

| E marte, 26.11.2013, 07:51 PM |


Nga Selvije Bajrami

Rreziku kryesor për Kosovën, pas strukturave ilegale në veri, i cili mund ta cenojë vendin është ekstremizmi politik fetar. Kështu shkruan në një dokument të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, i cili ditë më parë i është prezantuar edhe Komisionit për Punë të Jashtme pranë Kuvendit të Kosovës nga vetë ministri Enver Hoxhaj.

Në dokumentin të cilin e posedon gazeta “Zëri”, i emëruar: “Sfidat e Sigurisë dhe Rreziqet”, radhiten shqetësimet për problemet me të cilat mund të ballafaqohet Kosova në të ardhmen.

Sipas kësaj letre, nuk ka perspektivë për ekstremizmin politik ose fetar në Kosovë që të ketë sukses, pa ndihmën nga jashtë kufijtë e vendit. “Ne kërkojmë që të mbajë marrëdhënie të mira me autoritetet që zbatojnë ligjin me fqinjët tanë të parë dhe me vendet e tjera të brengosura për mundësinë e ekstremizmit politik ose fetar”, thuhet mes tjerash në këtë dokument.

Detaje të kësaj strategjie, ministri i Punëve të Jashtme i ka paraqitur edhe të mërkurën e javës së kaluar në raportimin e tij para Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë që zyrtarët e kësaj Ministrie bëjnë të ditur se nuk ka pasur asnjë reagim nga ky komision sa i përket këtij dokumenti.

Këshilltari i ministrit Hoxhaj ka konfirmuar që kjo temë është përmendur në raportimin e fundit që ka pasur ministri tek Komisioni për Punë të Jashtme, mirëpo, sipas tij, asnjë pyetje për tri orë rresht sa ka zgjatur raportimi nuk është parashtruar përkitazi me këtë çështje që MPJ e vlerëson mjaftë të ndjeshme.

“Ne jemi shumë të zhgënjyer me mosreagimin e kryetarit dhe anëtarëve të komisionit ndaj kësaj teme kaq përcaktuese për shtetin dhe politikën e jashtme të Kosovës”, ka thënë Artan Behrami nga MPJ. Sipas zyrtarëve të kësaj Ministrie, kryesuesi i komisionit, Albin Kurti, gjatë tërë kohës është marrë me një gomë të shqyer të veturës së Ambasadës së Kosovës në Bullgari.

“Këtu shihet se z. Kurti nuk e ka shumë shqetësim për ekstremizmin fetar në rritje. Ai më shumë është përkujdesur që Komisionin për Politikë të Jashtme ta shndërrojë në komision për politika partiake”, ka thënë Behrami.

Duke u bazuar në ankesat e MPJ-së në drejtim të Komisionit për Punë të Jashtme përkatësisht në drejtim të kryesuesit të këtij komisioni, Albin Kurti, gazeta ka bërë përpjekje që të marrë të hënën përgjigje nga Kurti, mirëpo një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Pavarësisht pritjes së gazetës deri në orët e vona, Kurti nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, deputeti Hydajet Hyseni, tha se kjo çështje është përmendur kalimthi nga ministri Hoxhaj.

“Sa më kujtohet ministri këtë çështje e ka përmendur kalimthi mirëpo atë ditë ministri ka qenë i ftuar që të përgjigjet në pyetjen rreth veprimtarisë së Ministrisë dhe zbatimit të ligjeve”, ka thënë Hyseni.

Ai tha se edhe ai vetë atë ditë ka kërkuar që të fokusohen më shumë në punë të jashtme për çka edhe janë të thirrur.

Policia: Nuk ka rrezik

Policia e Kosovës vlerëson se tani për tani nuk paraqitet ndonjë rrezik i lartë nga terrorizmi në Republikën e Kosovës. “Megjithatë nuk mund të jetë imune sikurse nuk janë edhe shtetet më të zhvilluara në Evropë e më gjerë”, ka thënë Baki Kelani

Sipas tij, duke u bazuar në normat juridike në vendin tonë si dhe sipas Strategjisë Nacionale Kundër Terrorizmit dhe planit të veprimit, i cili buron nga kjo strategji, Policia e Kosovës sipas Kelanit, monitoron çdo aktivitet të personave fizikë dhe juridikë për të cilën siguron informata se mund të paraqet rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale, e gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme.

“Policia bazuar në mandatin e saj ligjor mbledh dhe analizon të dhëna për dukuri të cilat mund të paraqesin rrezik dhe kërcënim për sigurinë në Republikën e Kosovës dhe bashkëpunon me Prokurorinë për hapat e mëtutjeshëm hetimor”, ka thënë Kelani.

Pikat e tjera të dokumentit

Pos strukturave paralele dhe ekstremizmit politik fetar, radhitet rreziku nga terrorizmi ndërkombëtar, i cili sipas MPJ-së mund të vijë si rezultat i pozitës gjeografike dhe rreshtimi i saj euroatlantik.

“Kosova konsideron se terrorizmi ndërkombëtar përbën një kërcënim për sigurinë e vendit tonë dhe të aleatëve tanë. Grupet ekstremiste, të shtyrë nga agjenda politike dhe fetare, aktualisht janë të ndërlidhura mirë dhe të lëvizshme. Kosova punon ngushtë me aleatët e saj për ndalimin e terrorizmit ndërkombëtar dhe veprimtaritë e tyre në rajon”, thuhet më tutje në këtë dokument.

MPJ-ja parasheh që mund të ketë edhe sulme në internet dhe me këtë të shkaktohen dëme ndaj administratës publike, ekonomisë dhe infrastrukturës.

“Sulmet në internet mund të jenë politikisht apo kriminalisht të motivuara dhe si e tillë paraqet një kërcënim për sigurinë, stabilitetin dhe funksionalitetin e shtetit tonë”, thuhet më tutje në këtë dokument.

Detaje në këtë strategji, MPJ jep edhe për kontrollin serb të strukturave paralele në veri të Kosovës, të cilat, sipas kësaj ministrie, cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin e Republikës së Kosovës, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, etj. Fatkeqësitë natyrore dhe teknologjike, ndërkaq sipas MPJ-së janë të paparashikueshme dhe si të tilla kërcënojnë kushtet e jetesës së qytetarëve tanë dhe rrezikojnë pjesën dërrmuese të institucioneve të Kosovës për të ofruar shërbime elementare të qytetarëve të saj dhe për të mbrojtur sigurinë e shtetit.

zeri.info