Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Le të meditojmë (s’është me detyrim)!

| E marte, 26.11.2013, 11:22 PM |


Le të meditojmë (s’është me detyrim)!

Nga Elvi Sidheri

Po mendohesha këto ditë se për çfarë të shkruaj, meqë nuk po e gjeja një temë të denjë për të cilën të shtjellohesha, thellohesha apo thjesht të reagoja...

Se reagime patëm ditë të tëra për armët kimike të Asadit dhe mirë bëmë mendoj unë...”El pueblo unido, esta vez tampoco fue vencido...señoras y señores”!

Pra e thënë në gjuhën tonë të bukur, të ëmbël dhe të dlirë padyshim...:”Populli i bashkuar (majtas-djathtas si rrallëherë, pa asnjë anti-amerikanizëm siç tani po mëtojnë të shumtët që tashmë pas pilafit, pasi u siguruan se murtajat shfarosëse të Sirisë, nuk do stivosen dhe asgjësohen në truallin shqiptar, pasi e morën me 1000 % garancinë se rrezik prej vërteti më nuk ka...ia nisën këngës sesi na qenkan prishur marrëdhëniet me miqtë dhe aleatët tanë të mirë dhe të pazëvendësueshëm amerikanë, me ata që politikën botërore, aty ku Shqipëria jonë është veçse një pikë e vockël në hartë, politikën globale pra, e bëjnë më së miri prej një shekulli, ata që na jetuakan sipas këtyre llogjikimeve...me “hatërmbetje”, se u bë kjo punë, si lojë kalamajsh lagjeje...”tuj-tuj-tuj...unë me ty jam adhnuj”)...ky populli pra, as kësaj rradhe nuk u mund e as u përkul...zonja dhe zotërinj”!

Kaloi tema e armëve kimike...deshi Zoti pa pasoja!

Ndodhi edhe një aksident tejet tragjik...që të gjithë e përjetuam me peshën e dhimbjes që shkaktoi.

Kështu kuptuam edhe njëherë po të ishte nevoja, se në çfarë stadi vrasës i kemi rrugët e atdheut tonë.

Të na rrojnë autostradat pa mbrojtëse anësore, pa ndarje në mes, pa sinjalistikë, me polici rrugore inekzistente (përveçse për të vënë gjoba xhepmbushëse pa kriter...se thonë se edhe arka e shtetit në Rilindje, se ç’na është e zbrazur) dhe me kulturë guidimi nga qytetarët, të nivelit më të ulët të imagjinueshëm.

23 vjet dhe shumë investime në infrastrukturën tonë rrugore, akoma nuk e kanë sjellë gjendjen e këtyre rrugëve, as afërsisht në lartësinë e vendeve të tjera të Europës.

Arsyet nuk duan shumë mend që të sqarohen!

Lopët nuk e gjejnë si tek ne vetveten në mes të autostradës as në Itali, jo më në Spanjë, Gjermani apo qoftë edhe në Maqedoni ose Greqi!

As lopçari i ngratë, nuk ndjen nevojën urgjente që autostradën t’a kalojë me të katërta diku në Europën e qytetëruar!

...Në pikë të vrapit pas lopës, duke marrë parasysh me hir apo pahir, edhe mundësinë tepër prezente dhe të fortë, që ndonjë Mercedes i rradhës, me 100 e ca në orë (se në autostradë nuk qarkullojnë breshka ose kërmij edhe gjetkë, jo vetëm tek ne fundja)...ndonjë makinë pra, t’i kalojë të gjorit përsipër...dhe i rroftë lopa pastaj, e cila në shumicën e rasteve fatlume për të, në anën tjetër ia del të arrijë shëndoshë e mirë, pasi shoferët tanë largpamës dhe sypishë, një kafshe shumëkilëshe i kushtojnë më shumë vëmendje (sepse lopa, delja, gomari, prishin parafangon dhe turirin e fenerët e “çmuar” të Mercedesëve apo BMW-ve të bosëve tanë...jo për gjë tjetër, kurse një katundar i ngratë kockë e lëkurë, që rropatet arave gjithë ditën e ditës duke kullotur dhentë, derisa t’i vijë ora për t’u kthyer në shtëpi...pasi të ketë kaluar “ndoshta i gjallë??” autostradën me vrap, se mbikalime e largqoftë nënkalime s’ka e s’i ka ndërtuar kush...ai pra, makinën edhe në e përplasshin apo e gremisshin si thes me lesh, prapë s’e dëmton veçanërisht shumë).

Patentat në Europë nuk i shpërndan kush si tesera partie para zgjedhjesh, siç ndodh në realitetin tonë aksidente-shumë!

Kur dikush pi alkool ndërsa është në timon, e plasin në burg si trastë bajgash.

Kur ndonjë tjetër, ia ngjesh muhabetit teksa është në timon dhe e përdor celularin pa kriter dhe kujdes, atëherë edhe në të tilla raste, ligji vepron!

Motoristët nuk lejohen me ligj të dalin rrugëve pa kaskë në kokë, këmbësorët gjobiten kur kalojnë jashtë vijave të bardha ose me semaforin në të kuqe etj!

Nuk ka nevojë të mbaj unë leksione guide këtu, pasi nuk jam ndonjë shofer i shquar vetë dhe botën me sy e kanë parë aq shumë shqiptarë, sa rregullat strikte të botës, t’i njohim të gjithë...ashtu si edhe moszbatimin e rregullt (për një gjë do jemi të rregullt edhe ne!!)...të çdo ligji e norme këtej nga anët tona.

Kur ka ligje dhe për më tepër, kur ato eventualisht edhe i zbaton shteti dhe institucionet e organet përkatëse të tij (që me këtë gjë nevojitet të merren në vend që vartësit e tyre të shtyjnë, vrasin e humbin rregullisht kohën duke dredhur zinxhirët, tundur tespijet dhe duke pritur që të ndërrohet ndonjëherë pushteti, në mënyrë që ciklikisht t’i heqi ose t’i fusë në punë “Nëna Parti” e rradhës)...atëherë pra, aksidentet fatale pakësohen, punët ecin normalisht, vendi përparon, ekonomia nuk hyn në recension, rrogat rriten, rrugët shtrohen dhe ndërtohen (edhe mbarohen e nuk lihen pa përfunduar ose pa Zot si “Rruga e Kombit”) e shteti funksionin si “Orë Zviceriane”, pra perfektësisht, , kështu që edhe qytetarët që taksat i paguajnë (se aty bëhet i egër shteti pastaj, taksat i duan, shërbime përtojnë përjetësisht të ofrojnë për qytetarin shqiptar)...do mund të jenë sadopak të kënaqur ndonjë ditë...të largët apo të afërt, pritet të shohim.

Ja u ngrit të premten e kaluar edhe gjindja, i madh e i vogël dhe iu qepën fushave plehërambushura, cepave erëqelbur, këndeve plot ndotje dhe do pranuar se brenda një dite të vetme, treguan më tepër kulturë qytetare, se ç’kishte ndodhur në shumë kohë.

Kolegia ime këtu në ZemraShqiptare, Entela Binjaku ishte një nga mbështetëset dhe promotoret më të mira, xhenuine dhe të zellshme të kësaj iniciative.

Ashtu si edhe ajo, që për temën në fjalë shkroi edhe një artikull mesa kujtoj (Let’s go green Albania), edhe unë jam absolutisht, pa ekuivok për një ambient të pastër.

Kujtoj akoma kur për herë të parë më ka rënë fati të dal jashtë shtetit, që përveç shumë detajeve të tjera të reja dhe ngazëllyese, pata vënë re një sjellje të veçantë tek vetvetja!

Kur mbaroja një kruasan, çokollatë ose lexoja me themel ndonjë gazetë sportive (Gazzetta Dello Sport ose Corriere...se kishin shumë faqe dhe dëndesha në informacione sportive), atëherë këto gjëra, ndryshe nga ç’do më kishte ndodhur natyralisht në tokën mëmë, nuk i hidhja fare përdhe pa vëmendje (dhe miq të dashur që më lexoni, në këto raste nuk kishim të bënim me ndonjë refleks timin të kushtëzuar sipas teorisë së “Qenit të Pavllovit”, pra nga frika eventuale se ndonjë polic do më drejtonte në “udhën e Zotit” ku plehërat nuk binin në shesh, por në kosh), por i gjithë ky ndryshim për të mirë, vinte nga fakti, se ai ambient i huaj që shkëlqente nga pastërtia, më dukej sikur të qe “mëkat” që të ndotej nga injoranca ime mjedisore (si dhe e shumë bashkëatdhetarëve të mi, se nuk do e marr unë tërë fajin mbi vete kot së koti tani).

Mbas udhëtimit të parë jashtë atdheut, mësova që kur të qeshë kthyer në realitetin tim mëmësor shqiptar, të më vinte sërish keq që plehërat që unë krijoja, t’ia ngjeshja si pa të keq mjedisit ku përditë frymoja dhe normalisht që edhe jetoja!

Ja pra sesi ndodh një ndryshim në mendjen njerëzore (edhe në trurin shqiptar, sado të mendohet dhe supozohet e legjendohet, se ky tru unik më tepër se i rrallë, me ndryshimin është në luftë si parim)!

Është kaq e thjeshtë që një gjë e mirë të ndodhi, që një ndryshim të mbivendoset përmbi shtresimet edhe shekullore të budallallëkut tonë kombëtar që shpesh e kemi trashëguar dhe ujitur e mbarështuar si pulë vezësh të arta.

Mua vetë, se nuk synoj që t’i mbush mendjen kujt, pasi vendim-marrja e secilit, ndërgjegja e kujtdo dhe liria e përgjithëshme e të menduarit, janë të shenjta sa më përket mua të paktën, mua pra, nuk më duken si më të mira, të çmuara dhe të pandotshme...tokat e huaja, jo më tepër se vendi im sidoqoftë.

Kështu kam mësuar vetë...”me iniciativë dhe vetveprim” (siç na ka pas deklamuar një parrullë e qëmoti)...se ndryshimi nganjëherë, fillon nga unë, si dhe nga çdokush, nga secili individ dhe banor i vendit tonë.

Më pas normalisht që unë duke mos jetuar brenda ndonjë flluske uji apo sapuni, e kam të qartë, se edhe po i hodha unë mbeturinat brenda në kosh, të tjerë do gjejnë rrugë alternative (goditje 3 pikëshe nga pozicione të pamundura, pra nga dritarja drejt e në kazan...ose si zakonisht, jashtë tij, në mes të rrugës), shteti apo bashkitë sërish do i djegin plehërat duke na qelbur dhe helmuar nga pak të gjithëve e tymosur tërë rrethinat e fushave të mbeturinave (prandaj thotë edhe populli për ndokënd:”Ky qeka si i tham n’tym”!...puna është se ne jemi bërë si popull ...të tharë në tym, si proshuta ambulante të thara në tymin helmues të plehërave të dekompozuara të  gjithëçfarëllojëshme).

Prandaj sërish nevojiten ligje dhe mbi të gjitha zbatimi i tyre i përpiktë!

Pastrimi vullnetar njëditësh, lëshon një sinjal, qoftë edhe të fortë, krijon një sensibilizim të shumëpritur, zgjon nga letargu shumë “arinj” njerëzorë shqiptarë, që janë mësuar keq me shijen e ndotur të plehërave në gojë dhe tymin e aromat e tyre, që u kanë zënë e mbyllur sy e veshë dhe që u kanë atrofizuar aftësinë për të menduar dhe reaguar!

Por një sulm me “goditje të përqendruar” njëditëshe, mbaron po brenda 24 orësh!

Po pastaj??

Plehëra prapë dhe...“Jetuan të gjithë të qelbur e të gëzuar”!

“Stinkily ever after”...-i thonë kësaj more njerëz.

Pra për t’a thënë edhe në shqip...:”Qelbësisht përgjithmonë”!

Mënjanë që unë nuk jam i dhënë pas aksioneve vullnetare, se më kujtojnë ato pastrimet gjasme me vullnet dhe detyrim nga Fronti dhe llazorickat e zonës (thashethem-bërëset e zakonshme, që në çdo kohë, epokë dhe regjim, përgojojnë, spiunojnë dhe flasin prapa shpinës së çdokujt).

Por aksioni, në kohë gjumi dhe indiferentizmi të gjithëanshëm, për shumëçka, jo vetëm ndotjen e pandalur, është një masë ekstreme tejet e nevojshme dhe për këtë arsye, në këtë rast e kam mbështetur me dëshirë.

Do ishte e udhës, që tani e tutje, ndërgjegjësimi i publikut shqiptar sa i përket çështjeve mjedisore, të shoqërohej edhe me ligje dhe dënime për ata që ndosin, duke nisur nga njeriu i thjeshtë që përton të çojë qesen deri tek koshi...e duke arritur deri tek shkatërruesit e ambientit si uzinat e çelikut apo çimentos, tek naftënxjerrësit e naftëpërpunuesit, tek makinat e para 40 vjetëve që qelbin ajrin që ne thithim, tek bashkitë që nuk ndërtojnë një “landfill” të vetëm për mbeturinat urbane e që shpenzojnë lekët për të punësuar militantë partiakë e kështu me rradhë se vargu është i gjatë.

Po e mbyll me të renë e fundit që neve futbolldashësve na erdhi si lajm që gjithmonë e kemi ditur.

Ja edhe Qemal Stafën po e kyçin për ndeshje ndërkombëtare!

Faleminderit FSHF, qeveri e shkuar dhe qeveri e tashme.

Na kënaqët.

Do jemi vendi i vetëm, që nuk ka stadium normal në kryeqytet, por tashmë do të nisim të...”bredhim si çifutët në shkretëtirë”...(filmi “Ballëpërballë)...dhe stadium si Qemal Stafa nuk do gjejmë!

T’i kujtojmë me mall dhe “lot e qurre” pse jo, edhe fitoret me Greqinë kampione të Europës, Belgjikën dikur apo ndeshjet e pafundme me Gjermaninë, Portugalinë, Francën, Danimarkën e sa e sa takime të tjera të paharrueshme.

Tani ose të mbarojnë “Loro Boriçin” (nisur në kohë të Ramizit)...ose o burra në Kamëz!