Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Basha: Programet serbe antishqiptare

| E merkure, 25.12.2013, 08:11 PM |


PROGRAMET E ELABORATET SERBE  ANTISHQIPTARE

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), në botën shqiptare ekzistonte një program kombëtar i ruajtjes së tërësisë së atdheut, dhe i bashkimit kombëtar, mbi bazën e të cilit ishin hartuar gjithë programet e Lëvizjes Kombëtare në vijim, kërkesa këto që vazhduan të prezantohen edhe në programet e lëvizjes ilegale, në vitet e mëvonshme.

LSHP kishte tri pikësynime kryesore: Shkundjen e zgjedhës osmane, pavarësinë kombëtare dhe bashkimin e të gjitha trojeve etnike brenda një shteti”[1]. Andaj, nga kjo del se ky qëllim programor mbeti i pa ndryshuar në thelb edhe në programin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit (1943), por edhe më vonë, pas mbarimit të LDB. Pikësynimi i parë mbeti po ashtu zgjedha nga okupuesi, por kësaj radhe nga okupimi sllavë. Gjithashtu, pavarësia kombëtare dhe bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare ishin thelbësore për lëvizjen ilegale. Sepse, e tërë kjo buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme për të qenë të bashkuar dhe të barabartë me popujt tjerë. Nuk gjendet në Evropën e sotme ndonjë komb tjetër, i cili të jetë cunguar aq rëndë dhe që t’i jetë bërë një padrejtësi aq e madhe sa ajo që pësuan shqiptarët në fillim të këtij shekulli[2].

Sllavët e jugut, të ardhur nga veriu i Karpateve, që nga dita kur u dukën në portat e Perandorisë bizantine nuk bënë asgjë tjetër veçse, u përpoqën me të gjitha mjetet e mënyrat për të zgjeruar hapësirën e tyre në kurriz të popujve të tjerë autoktonë evropianë e ballkanikë. Sllavët e invaduar në këto treva synim të përhershëm kishin spastrimin etnik dhe sllavizmin e trojeve arbërore – shqiptare nga banorët e saj të lashtë iliro-shqiptarë. Ata, përveç shfrytëzimit ekonomik, përdornin të gjitha mjetet mizore si vrasjet, terrorin, shpërnguljen e një numri sa më të madh shqiptarësh nga atdheu i vet dhe shkombëtarizimin e atyre që mbeteshin deri në asimilimin e plotë, si dhe në anën tjetër kolonizimin e atyre trojeve me elementin serbo-sllavë. Trysnia asimiluese arriti kulmin në kohën e sundimit të car Stefan Dushanit[3].

Serbët u bënë fqinjë me shqiptarët shumë shekuj më herët, atëherë kur erdhën e u vendosën poshtë Danubit dhe, si një metastazë vazhduan të zdirgjeshin poshtë e më poshtë nga jugu, duke i tkurrur vazhdimisht tokat shqiptare, duke i shfarosur, duke i përzënë ose duke i asimiluar shqiptarët, metoda këto të njohura të pushtuesve të djeshëm e të sotëm serbosllavë[4]. Por, duhet cekur se çdo dhunë e terror që aplikohej ndaj shqiptarëve ishte i legjitimuar dhe i shkruar në programet e tyre antishqiptare. Politika serbe antishqiptare dëshmohet nëpër mes të 32 programeve[5] të shkruara që gjenden në arkiva të ndryshme të ish-Jugosllavisë e të Serbisë.

Edhe pse shumë programe e elaborate serbe kundër shqiptarëve e Shqipërisë ishin shkrua në kohët më të hershme të periudhave historike, megjithatë aplikimi i tyre vije në shprehje edhe pas Luftës së Dytë Botërore në shtetin e “Ri” socialist duke bërë gjenocid dhe krime të papara. Programet antishqiptare jo vetëm që u aplikuan në mënyrat më perfide, bile urrejtja shkoi edhe më larg sa që në to u përfshi edhe Akademia e shkencave e Arteve Serbe, duke shkrua dhe specifikua si dhe në çfarë mënyre duhet të eliminohen shqiptarët nga trojet e tyre. Për copëtimin, uzurpimin, shpërnguljen, eliminimin e shqiptarëve nga ana e intelektualëve të njohur serb është shkrua shumë , por edhe tani shkruhet më të madhe. Por, pas përfundimit të LDB-së, me aneksimin e Kosovës Serbisë, programet serbe në mënyrë institucionale u futen në sistem dhe tërësisht u legalizuan. Më vonë, çdo gjë që u punua dhe katrahurat që përjetoi populli shqiptar në Jugosllavi ishin prodhim i programeve antishqiptare. Në vazhdim do të përmendja vetëm disa nga ato:

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë – Ilia Garashanin-i (1812-1874) figurë kryesore e regjimit konstitucional, u bë strumbullar i pikëpamjeve të zgjerimit të Serbisë. Pothuajse është i saktë edhe konstatimi se Garashanini i ka përcaktuar bazat e politikës serbo-madhe të bashkimit[6] “Naçertanija” e i Ilia Garashaninit[7]- Programi i parë politik i Serbisë së Madhe është Naçertania (Projekti) i Ilia Garashaninit i vitit 1844[8]. Ilia Garashanini, ministër i Brendshëm i Principatës së Serbisë, nga 1844-1852, i ka dorëzuar Aleksandër Karagjorgjeviqit një tekst kapital që ka kaluar tashmë si pronësi e brezave të ardhshëm politikë dhe shtetëror serbë. Ky dokument, i redaktuar më 1844, ka qëndruar për një kohë të gjatë si konfidencial, pasi duket se ka qenë botuar për herë të parë në Beograd më 1906. Ky nuk ka humbur asgjë nga interesi i tij i dikurshëm po ta gjykojmë sipas ngjarjeve që kanë sot për kuadër ish-Jugosllavinë, të cilat kanë rrënuar dhe gjakosur Kroacinë, e pastaj Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën.

Programi “Për një Serbi të Madhe Homogjene”, me autor Stefan Moljeviqin, (1887-1967), që ka qenë avokat dhe president i Klubit Kulturor Serb në Banjallukë dhe njëherësh anëtar i Partisë Indipendente Marr nga libri: Prof.dr. Hakif Bajrami, ANTIMEMORANDUM, Prishtinë, 2004

Demokratike të Svetozar Pribiqeviqit, para se të strehohej në vitin 1941[9], në Malin e Zi. Projekti politik i Moljeviqit mban datën 20 qershor 1941 dhe flet për prishje kufijsh, rregullime sociale të ardhshme që do ndiqet nga Serbia e zmadhuar në kuadër të Jugosllavisë, sapo të mbaronte Lufta e Dytë Botërore[10]. Në Projekt kërkohej që Serbia t’i marri të gjitha  territoret të fituara gjatë Luftës Ballkanike bile në Serbin e Madhe duhet të përfshiheshin edhe territoret e Shqipërisë Veriore e mos të flasim për Kosovën vetëm se duhet të spastrohet nga elementi shqiptar[11] me metoda të ndryshme.

Elaborati i Ivan Vukotiqi[12] - elaboratin e kishte paraqitur me 30 janar 1939[13], në të cilin theksonte: “Aneksimi i Shqipërisë Veriore dhe Shqipërisë së Mesme nga Jugosllavia është me interes vital për popullin tonë. Me këtë do të realizoheshin  aspiratat tona të natyrshme si dhe plotësimi i kërkesave  tona shekullore. Me vetë pozitën e sajë gjeostrategjike, Shqipëria është pengesë  për zhvillimin  ekonomik të Jugosllavisë. Prandaj , okupimi dhe aneksimi i Shqipërisë Veriore  nga Jugosllavia do të zhduki iredenten shqiptare tejet të rrezikshme për viset tona jugore. Elementi luftarak shqiptarë në territorin tonë do të shtypej duke u ndrydhur nga lindja dhe perëndimi, ashtu që fare lehtë do të asimilohej. Gjithsesi, linja Strugë-Librazhdë-Elbasan-Durrës do të kënaqte plotësisht kërkesat tona.

Konventa Jugosllavo-Turke e vitit 1938[14] për dëbimin me forcë të shqiptarëve në Anadolli, ishte po ashtu një projekt, në vazhdën e projekteve antishqiptare. Në vargun e dokumenteve antishqiptare bën pjesë edhe “Marrëveshja xhentëlmene”[15] për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, nënshkruar në Split të Kroacisë më 1953 nga Mareshali Tito (për të cilin mjaft shqiptarë të Kosovës kanë edhe sot nostalgji) e përfaqësuesi turk Fuad Kyprili. Kjo marrëveshje ishte ripërtëritje e Konventës së vitit 1938[16].

Elaborati i Ivo Andriqit[17]- Ivo Andriqi (1892-1975) një serb nga Bosnja, i cili përveç si shkrimtar (madje edhe fitues i Çmimit Nobël për letërsi në vitin 1961), është i njohur edhe si diplomat i rryer, me një përvojë shërbimi njëzetvjeçar  në diplomaci, në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene[18]. Sipas Hajro Hajrës, i cili është një njohës i mirë i veprës së Ivo Andriqit, që gjithashtu më 1990,në revistën letrare fjala, e ka botuar të përkthyer për herë të parë “Elaboratin” e tij, në dy faqe të saj. Në mes tjerash ai thotë: “Në vitet 1937-1939, Andriqi ishte emëruar zëvendësministër i punëve të jashtme në qeverinë mbretërore të Milan Stojadinoviqit dhe gjatë asaj kohe kishte kryer detyra shumë të ndjeshme e me përgjegjësi. Në janar 1939, pas një vizite që ministri i punëve të jashtme të Italisë Galeaco Çano kishte bërë në Beograd dhe kishte pasur takim me kreun e qeverisë mbretërore Stojadinoviq (ku temë bisedimesh kishte qenë edhe çështja shqiptare), ky i fundit e kishte angazhuar Andriqin që të hartonte një përkujtesë zyrtare (Aide Memoire) lidhur me çështjen shqiptare, për nevoja të brendshme të qeverisë së punëve të jashtme. Andriqi e kishte kryer me zell të madh detyrën që i ishte dhënë dhe Aide Memoire kishte qenë gati më 30 janar 1939”[19].

Elaborati i Ivo Andriqit, i cili u hartua me 1 janar 1939, në të cilën ky akademik, zgjidhjen definitive të çështjes së Kosovës e sheh duke e ndarë Shqipërinë në dy pjesë: njërën pjesë duhej ta pushtonte Italia, kurse pjesën tjetër, sipas Andriqit, duhej ta pushtonte Jugosllavia.

Elaborati i tij përbëhej  nga 12 faqe të shtypura në makinë shkrimi, në të cilën paraqet strategjinë albanofobe të Mbretërisë së Jugosllavisë SKS për ndarjen dhe zhdukjen e Shtetit Shqiptar nga faqja e dheut. Kërkesat të cilat paraqiten në Elaborat janë: Kërkojmë korrigjimin e kufirit me Shqipërinë në të mirë të Jugosllavisë, ashtu që lugina e Drinit bashkë me Shkodrën t’i takojë Jugosllavisë, pasi përbëjn një tërësi gjeografike dhe ekonomike për Malin e Zi dhe visit kufitar me Serbinë. Si për Serbinë e Mesme ashtu dhe për Malin e Zilugina e Drinit paraqet rrugën vitale dhe më të shkurtër për në Adriatik. Hekurudha transballkanike Danub- Adriatik duhet të kaloi luginës së Drinit. Prandaj, maksimumi që ne kërkojm është kufiri jugosllav që duhet të shkojë luginës së lumenjve Mat dhe Dri, që do të na ofrojë një siguri strategjike për Malin e Zi dhe Kosovën. Njëheri, duhet të sigurojmë rrafshin e Liqenit të Ohrit dhe të Prespës, duke aneksuar Pogradecin dhe fshatrat sllave midis Prespës dhe Korqës... Me aneksimin e Shqipërisë Veriore e Jugore me Adriatikun. Njëheri me copëtimin(ndarjen) e Shqipërisë do të zhdukej ndjenja e qendrës tërheqëse për pakicën kombëtare shqiptare në Kosovë, e cila në kushte të reja, do të asimilohej më lehtë. Me këtë eventualisht do të rritej numri i shqiptarëve edhe për 200.000-300.000 shqiptarë në një situatë të re, por shumica prej tyre janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët  mysliman asnjëherë nuk kanë qenë të mira. Po ashtu, çështja e shpërnguljes së shqiptarëve mysliman për në Turqi që do të realizohej në kushte të reja nuk mund të pengohej me çfarëdo aksionesh.

Programi “Iselavanje arnauta” (për shpërnguljen e shqiptarëve)[20]- U hartua më 1937 nga Vasa Çubriloviqi, përbën një nga kulmet e ideologjisë së “Spastrimit etnik”. Aty gjenden të gjitha këshillat dhe recetat e artit dhe mënyrës së serbizimit, duke propozuar një arsenal të tërë të shtypjes dhe të përzënies, një kombinim teknikash dhe masash me imazh intolerance kombëtare të ngritur në mision të shenjët e të përkushtuar nga shteti serb. Tani më është veç e ditur se që nga viti 1937, në programin e tij të famshëm, bënte plane për të vënë në veprim kundër shqiptarëve ca metoda që ndryshonin pak, krejt pak nga ato që kishte zbatuar Hitleri kundër çifutëve dhe nga Stalini kundër nacionaliteteve të pabindura të BRSS.

Prememorja e Çubriloviqit, është emblematikja e politikës së serbizimit të dhunshëm, të parashikuar nga disa qarqe të Beogradit, lufta e hapur e të cilit më 1991 dhe terrori që erdhi pas, përbëjnë shprehjen e tij më të përkryer. Format më shtypëse dhe më diskriminuese, ato më të pamëshirshmet, dhe më të prapambeturat janë vënë të tëra në repertuar të tij dhe janë sistemuar mirë e mirë në politikën e Serbisë. Mos të harrojmë edhe këtë se ky program fashizoid jo që nuk është kritikua asnjëherë nga politika e Beogradit, por këtë njeri të sjellshëm të metodave naziste dhe komuniste e kanë zgjedhur në postin më të lart kulturor serb në Akademinë e Shkencave e Arteve. Ky ishte akoma anëtarë i saj, kur disa akademikë përpunuan Memorandumin e  vitit 1986.

Elaborati i Dytë i Vasa Çubrilloviqit[21]- nuk u ndal vetëm me Memorandumin e vitit 1937, ai me një pasion të veçantë shkroi edhe një Memorandum në vitin 1944 po ashtu që ishte kryekëput kundër shqiptarëve dhe disa minoriteteve tjera në ish-Jugosllavi. Me këtë shkrim që e kishte shkruan në prag të përfundimit të Luftës Dytë Botërore, duke iu ofruar drejtuesve të qeverisë së koalicionit që drejtonte Tito, njohurit e tij prej eksperti në spastrimin etnik dhe idetë e veta mbi problemet e minoriteteve. Propozimet e tij sado që ishin si më pak më radikale, nuk ishin më pak të dhunshme dhe shfarosëse për shqiptarët.

Propozimet e Çubriloviqit kishin pikëmbështetje idetë e Naçertanies së Garashaninit dhe “opsionet lindore” të Nikolla Pashiqit, që nënkuptonin daljen e Serbisë në Detin Egje nga Selaniku dhe sigurimin e Ngushticës së Otrantos nga Shqipëria e Veriut

Në vazhdën e shumë programeve antishqiptare serbe pa dyshim se zë vend edhe “Libri i Kaltër”, i botuar më 1977 në Beograd, i përgatitur nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Më këtë libër argumentohej shkatërrimi i gjithë të drejtave që Kosova dhe shqiptarët kishin fituar nga Kushtetua e tre viteve më parë. Abrogimi i të drejtës së njësisë konstituive dhe i gjithë kompetencave (të kufizuara, krahasuar me njësitë e tjera të federatës), që buronin nga kjo e drejtë, ishte filozofia dhe synimi i Librit të kaltër.

Memorandumi i Akademisë Serbe[22]- Më 1986 Akademia  serbe , e cila gjithmonë ishte në shërbim të politikës hegjemoniste e nacionalshoveniste serbe, hartoi Memorandumin mbi pozitën politike, ekonomike dhe kushtetuese të Serbisë në ish-Federatën jugosllave.  Memorandumi qe botuar in extenso, në fillim nga revista “Nashe teme”, e Zagrebit, 1989, dhe pak më vonë, në qershor 1989, nga revista e Beogradit “Duga”. Emrat e autorëve nuk janë botuar kurrë. Por sipas medieve thuhej se shkrimtari Antonije Isakoviqi kishte kryesuar punimet e këtij grupi prej njëzet akademikësh autor të “tekstit të pambaruar”, dhe se frymëzuesit dhe redaktorët e tij kishin qenë filozofi Mihaillo Makoviq, historiani Vasilije Krestiq, gjuhëtar Pavle Iviq, mjek ushtarak Gojko Nikoliq si dhe në mënyrë indirekte, por të rëndësishme, shkrimtari Dobrica Qosiq. Sido që të jetë ky tekst ka përbërë pikënisjen e një koalicioni :parti-akademi-ushtri-shkrimtarë dhe kisha. Në këtë Memorandum nuk lihet anash as Kosova, në të cilën përshkruhet nga një urrejtje dhe me falsifikime të së kaluarës e të tashmes së shqiptarëve.

Si pasojë e këtyre programeve raciste serbe janë shkatërruar shumë familje shqiptare dhe pronat e tyre. Të gjitha këto projekte të gatuara në kuzhinat politike serbe, të tipit të Çubrilloviqit ose Millosheviqit kanë pasur synime të pastra raciste, meqë ngjashëm si Hitleri gjatë Luftës së Dytë Botërore kishin për qëllim zhdukjen masive të shqiptarëve, duke pretenduar në mitin se Kosova është djep i Serbisë e jo tokë shqiptare dhe zemra e hapësirës kombëtare siç pretendojmë ne shqiptarët.

Këto plane, projekte e memorandume antishqiptare nuk janë as të parat, as të vetmet që janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen kundër shqiptarëve. Synimet albanofobe të Serbisë po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ajo edhe sot, tenton të sundojë pjesë të Kosovës, kurse në trojet etnike shqiptare që kanë mbetur brenda kufijve të saj politikë, haptas shpreh urrejtjen dhe terrorin me të njëjtin intensitet.

Programin jugosllav të masave dhe aktiviteteve për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga KSA e Kosovës, kthimin e shpejtë të atyre që e kanë lëshuar dhe ardhjen e të gjithë atyre që dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në Kosovë”, të vitit 1990;

Beogradi gjatë viteve 1991 – 1999, ka hartuar edhe tri programe antishqiptare që kishin për qëllim, largimin e popullsisë shqiptare dhe vendosjen e serbëve–serbizimin e Kosovës. Projektet ishin; Projekti Gërshërët”, i cili kishte objektiv infiltrimin dhe kontrollimin e jetës dhe të skenës politike të Kosovës. Projekti Kafshimi i miut”, i cili kishte objektiv, infiltrimin dhe shkatërrimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe Projekti “Patkoi”[23], Operacioni famëkeq serb “Patkoi”që bënte të kuptohet se për çfarë qëllimi ishte dedikuar. Qëllimi ishte që 1.000.000 shqiptarë të dëbohen jashtë Kosovës; deri në 500.000 të vriten dhe të likuidohen, 500.000 të tjerë të mbesin në Kosovë[24], por t’i nënshtrohen Serbisë dhe se ky numër nuk do të paraqiste kurrë më problem për Serbinë[25].

Lufta e fundit në Kosovë, e vitit 1998-1999, ngjarjet që ndodhen brenda kësaj kohe, si: dalja publike e UÇK-së më 28 nëntor 1997, masakrat e forcave serbe mbi familjen Jashari më 5-7 mars 1998, por edhe mbi shumë familje të tjera në Kosovë, masakra e Reçakut, bombardimet 77-ditësh të NATo-s e deri te fitorja e UÇK-së dhe NATO-s, kundër caqeve të forcave paramilitare dhe çetnike serbe, në qershor të vitit 1999, po shënonin një etapë të re për popullin e Kosovës.

Me gjithë këtë, Serbia prapë nuk u ndal së vepruari kundër popullit shqiptar të Kosovës. Më 2003, Sinodi i Shenjët i Kryepeshkopatës së Kishës Ortodokse Serbe nxori memorandumin me titull: “Memorandumi për Kosovën dhe Metohinë”, Beograd, 2003, f. 215, redaktuar nga peshkopi Anastasije Jevtiq. Ndërkaq, më 2004 Dobrica Qosiq ua propozoi politikanëve serbë ndarjen e Kosovës[26].

Këto plane, projekte e memorandume antishqiptare nuk janë as të parat, as të vetmet që janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen kundër shqiptarëve. Synimet albanofobe të Serbisë po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ajo edhe sot, tenton të sundojë pjesë të Kosovës, kurse në trojet etnike shqiptare që kanë mbetur brenda kufijve të saj politikë, haptas shpreh urrejtjen dhe terrorin me të njëjtin intensitet.



[1] Zekeria Cana, Porosit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për çështjen kombëtare, në Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe vendi i saj në histori, Prishtinë 2008, f.317.

[2] Kristaq Prifti, Konsiderata etnike dhe historike rreth çështjes së bashkimit kombëtar të shqiptarëve, (Çështja e Kosovës- një problem historike dhe aktual), Tiranë 1996, 233.

[3] Prof. dr. Jusuf Osmani, SHQIPTARËT E KOSOVËS NË LUFTË SHEKULLORE KUNDËR PUSHTETIT SERB, Kumtese e paraqitur ne Konferencën qe organizoi Akademia e Shkencave me rastin e 28 Nentorit 2012 ne NY. gazetadielli.com, Dec 13, 2012

[4] Hajro Hajra,  Projekti për zhdukjen e shqiptarëve i nobelistit Andriq,

  xa.yimg.com/

[5] Prof.dr. Hakif Bajrami, ANTIMEMORANDUM, Prishtinë 2004, 207

[6] Xhelal Zejneli, Naçertania e Garashaninit – kjo murtajë e zezë e Ballkanit, tetovaobserver.blogspot.com

[7] Mirko Gërmek, Marc Gjidara dhe Neven Shimac, Spastrimet etnike, Dokumente historike mbi një ideologji serbe,  Tiranë, 2002, 61

[8] Hajro Hajra, punim i cituar

[9] Safet Hasani: Planet serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, www.gazetakritika.net, Sep 26, 2013

[10] Prof. Savash VELIU, Projekti për spastrimin etnik shqiptar, prishtinapress.info, 15 Mars, 2013

[11] Jusuf Osmani, Shqiptarët e Kosovës në luftë shekullore kundër pushtetit serb, December 13th, 2012

[12] Nuri Bashota, Halim Spahia, Personalitet i ndritur i luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar, Prishtinë, 2012, 309

[13] Hajro Hajra, www.albaniapress.com

[14] AJ.S. 67. F. 1/17.

[15] Dëbimi i shqiptarëve dhe kolonizimi i Kosovës (1877-1995), Prishtinë, 1997, f. 61

[16] Hajro Hajra, punim i cituar.

[17] Elaborat Dr-a Ivo Andrica o Albaniji, Suvremena Povijes, br. 5, 1978, f. 97

[18] Hajro Hajra: Projekti për zhdukjen e shqiptarëve i nobelistit Andriq, Portali http://www.zemrashqiptare.net,  04.06.2009,

[19] Po aty.

[20] Mirko Gërmek, Marc Gjidara dhe Neven Shimac, Spastrimet etnike… vep e cituar, f. 156

[21] Po aty, f. 232

[22] Po aty, f. 237

[23]Safet HASANI http://www.gazetakritika.net , 26/09/2013

[24] Vrasjet dhe masakrimet në Kosovë – Shprehje e politikës gjenocidale serbomadhe, Kushtrim Hyseni, KMDLNJ, Buletini, nr.13, tetor – dhjetor 1999, fq. 110.

[25] Kumtese e paraqitur nga Jusuf Osmani,  ne Konferencen qe organizoi Akademia e Shkencave me rastin e 28 Nëntorit 2012 ne NY. Ne gazetën Diellin e kishte sjell Bajram Doka.

[26] Nuredin Ahmeti, Nga “Naçertania” deri te Pavarësia e Kosovës, Gazeta “Drita”, Australi, 2012; orientalizmi.wordpress.com   08/05/2012,



sabile_basha@hotmail.com