Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Lëngata Dardania

| E diele, 24.11.2013, 07:27 PM |


Gani MEHMETAJ

Lëngata Dardania

Dramë në tri akte

(Frgment)

Akti i parë

Dukja e parë

Skena është gjysmë harkore me prapavijë të errët. Një dritë e zbehtë bie për së kithi, kurse para skena ka një formë të gojës së çapëlyer, ku edhe dhëmbët e ngërdheshur në formë të mbajtëses së strehës rrinë si çekanë mbi kokat e atyre që dalin e hyjnë në skenë. Janë tehet e një si tarrace që e mbulojnë një pjesë të skenës, duke ta dhënë përshtypjen e dhëmbëve. Skena herë-herë duket ireale, sidomos në gjysmë errësirë.

Kori i Grave në të Zeza rri në cepin e djathtë të skenës. Vallja e tyre kohë pas kohe është si vallja e vdekjes, ndërsa përcillet nga muzika funebre e Shtrausit. Gratë rrinë në skenë vetëm në pjesën e parë të shfaqjes, më vonë zhduken.

Në skenë të gjithë hyjnë nga një deriçkë në të majtë. Secili që hynë brenda për herë të parë, së pari lëshon një britm: “ua”,, ndërsa deriçka vazhdimisht kërcëllinë nga vidat e vjetra të ndryshkura. Është një si pengesë të pragu i kësaj dere, një shkallë më e ulët, krejt e papritur, e cila i bënë të tremben ata që hynë për herë të parë. Parakalojnë njerëz të rëndomtë, ushtarë ngjyrash e uniformash të ndryshme, demonstrues, protestues, agjitues, kodosh e të ndershëm, njerëz të fushatave e anti fushatave, vendës e ndërkombëtar. Shumica janë të rrëmbyer, të emocionuar, më shumë të tensionuar, dalin e hyjnë si në han me përshëndetje po ashtu të ndryshme: me grusht (më vonë nuk e përsërisin këtë përshëndetje), me shuplakën e lakuar të cepi i ballit a kapelës.

Dalëngadalë drita bie mbi Korin e grave në të zeza. Ato rrinë të renditura bri njëra-tjetrës.

Kori i grave në të Zeza

Lufta tashmë ka përftuar,

Të gjallët ende s’janë qetuar.

Vrap andej e vrap këndej,

Njerëz të çartur gjithandej.

Bëjnë përpara e s’kanë fuqi,

tërhiqemi zvarrë pa katandi.

Aii, aii, të mjerat ne (vajtojnë).

(Muzika e lehtë gati mortore e ndjekë këndimin në kor të Grave në të zeza, të cilat bëjnë vallëzim të lehtë si vallëzim morti).

Derisa kori prej gjashtë femrash sillet në cep të gjysmërrethit apo gojës së çapëluar, në deriçkën e vogël ia beh një djalosh njëzetë e pesë vjeçar, i mbushur frymë e  i emocionuar. Rrapëllon në dyshemenë e deriçkës, përshëndet ushtarakisht me dorë në cep të ballit.

 

Endriti

Fituam! Armiku ia mbathi. Nuk e besoni?Nuk e besoja as unë derisa nuk i pash.

(Dëgjohet ushtima e jehonës së  turmës, duke përshëndetur kolonat e ushtarëve, ndërsa autoblindat dhe tanket shkelin zhurmshëm asfaltin ).

Endriti

Zgjohuni! Armiqtë nuk janë më!

(Djaloshi i emocionuar, i skuqur në fytyrë, skajeve të buzëve ka pështymë në formë shkume. Një tik nervor ia përshkon herë pas herë fytyrën. Shikon majtas e djathtas, pret reagimin euforik të njerëzve. Ende nuk është mësuar me gjysmë errësirën. Ndonjëherë i picërron sytë).

Endriti

Shpëtuam!

(Bie në gjunjë në dysheme dhe dënes nga euforia. Një deriçkë me kapak nga nën shkallët a nga bodrumi hapet me droje, nxjerrë kokën po ashtu me droje e frikë një kokë burri, mbi të dyzetat. Ai shikon më kujdes nga të katër anët. Kur sigurohet se ambienti është i sigurt, ai bënë hapat e tjerë duke nxjerr gjithë trupin. Fërkon sytë më të dyja duart si të përpiqej të këndellej krejtësisht. Prapa tij është një grua gati e të njëjtës moshë. Ajo mbanë për dore një vajzë afër të njëzetave. Gruaja gjithë kohën rri pas burrit, duke shikuar me druajtje. Madje, edhe më tutje e mbanë shtrëngueshëm për dore, sikur të druante se do t’i ik.

Dardani

Djalosh, kush erdhi e kush shkoi, ma sqaro të lutëm. Sepse, këtu u bë rrëmujë, se merr vesh qeni të zonë. Iku një ushtri, vjen tjetra. Janë ata që ishin apo janë të tjerët?

Endriti

(Pasi ngrihet rrëmbimthi ) Ata që ishin ia mbathen, ata që i kërkuam erdhën. I dëgjon?

(Dëgjohet jehona e zërave që i përshëndesin më eufori trupat, ndërsa kërcëllijnë zinxhirët e tankeve).

Dardani

Të lumtë ne. Dhe, kush doli t’ua dëshironte mirëseardhjen?

Endriti

Të gjithë. S’mbeti kush brenda, pos jush e ndonjë të përgjumuri tjetër.

Vesa

Ua sa mirë! Mami, ika unë!

Nëna

Prit moj, ku shkon? Mund të ketë snajper rrugëve. Rri këtu derisa të merret vesh a janë të sigurta rrugët e qytetit.

Vesa

Jo moj mami, të sigurta janë. Qyteti është i yni. I dëgjon se si brohorasin njerëzit.

(Dëgjohet jehona e turmës. Derisa ajo ik më vrap, Dardani shikon me huti, herë nga ana, nga iku e bija, të cilën s’e pengoi, herë nga fytyra e Djaloshit që i rri përballë).

Dardani

Prit, ma sqaro të lutëm: ata ikën, s’dua t’ua përmend emrin. Këta që i ftuam erdhën. Të lumtë ne. Por ç’do të bëjmë më ta? Do t’i strehojmë, apo do t’i lëmë në rrugë?

Endriti

Mos u brengos ti për strehimin e tyre. Ushtarët çdo herë e gjejnë strehë. Kanë çadra ata. I kanë llogaritur gjërat më kohë.

Dardani

Tw tjerwt tjerwt ku do tw strehohen. Ka shumw tw pastreh, thonw. Pastaj, a do të ketë luftë, apo i dhanë fund luftës?

Endriti

Lufta mori fund. Ne doo të gjendemi si të dimë. Do ta kemi më mirë se më parë. Mbase mund të ngushtohemi pak, a do të futemi në ndonjë strehë të huaj, përkohësisht, por do të gjendemi. Katundet janë braktisur. Refugjatët po kthehen.

Agimja

Në strehimoren tonë, s’do ta lëmë asnjëri.

Dardani

Jo moj grua, askush s’do të vi më në strehimore, e patën strehimoret. E dëgjon si thotë: lufta mori fund. Mund të kthehemi lartë në banesë.

Agimja

Nëse na e kanë lënë.

Dardani

Muret duhet t’i kenë lënë.

Endriti

E pash një komunikatë në rrugë, ku thuhej se nuk mund të hyni në banesë pa e kontrolluar njësitë speciale të anglezëve. Ka rrezik bombash të kurdisura apo minave të këmbësorisë. Armiku na i la peshqesh kur iku.

Agimja

U qyqja, ende do të rrimë nëpër bodrume. Po na i zunë të tjerët? Rrugët janë plot gjahtarë banesash.

Dardani

Shkuan ata që uzurponin banesa e prona. Nuk do t’i lënë të plaçkitin e rrëmbejnë forcat ndërkombëtare.

(Dëgjohet një rrapëllimë, që e dridh skenën. Duket si marshim tanku skaj themeleve të ngrehinës, apo zhurmërimë avioni që fluturon ulët, pikiato. Brenda askush nuk pipëtinë. Kori i grave në të zeza të cilat rrinë në cep, shtangen për një çast. Dikur shkarkohen  lemerish dhe rrinë të ngurtësuara edhe më tutje. Pastaj zhurma kalon duke vazhduar tutje.)

Zëri i turmës:

Nato, Nato (vjen si jehonë duke u larguar. Djaloshi shkon me vrap pas jehonës së turmës).

Agimja

(E entuziazmuar nga euforia). Lum të rinjtë, do të kënaqen sonte, do të festojnë gjithë natën nëpër rrugë. Gati u  çmendem nëpër bodrume e strehimore, kur fshiheshim si mijtë.

Dardani

Fëmijët i nxorëm në rrugë, por si do t’i fusin brenda, moj grua. Me festa e gjymryshe s’do ta kalojmë jetën. Mbase duhet të fillojmë nga puna e shkollat. Kush do t’i pastroj rrënojat? Ushtarët e huaj?

Agimja

Ua, qyqja! Mu kujtua banesa jonë. Si e braktisëm më frikë atë ditë, kur erdhën policët. Athua si do ta gjejmë?

Dardani

Mirë që shpëtuam. Banesa aty është.

Agimja

Mirë e ke. Të kënaqemi një herë, pastaj shohim. Po ne si do t’ia bëjmë? Do të dalim të festojmë apo do të rrimë e të shohim.

Dardani

Festat në rrugë do t’i kesh ditë e natë. Do të shpikin edhe festa të reja, mos u brengos.

(Nga deriçka e vogël pas klithmës së habisë futet Tomori, prapa tij është Rina, të entuziazmuar e të rrëmbyer.)

Tomori

Inxhinier, mirw je je?

Dardani

S’ka ku shkon mw mirw. E kalova edhe këtë rrëmujë.

Tomori

Shpëtuam! (shtrëngohen në ngrykë)

Rina

Ua doktoresha.

(Agimja përqafohet me Rinën.)

Agimja

(E shikon me përdëllim) Qenke dobësuar, moj Rina, por mirë dukesh.

Rina

Mirë që e mbajtëm shpirtin. Për makijazh e elegancë s’na shkonte mendja.

Dardani

(Tomorit, i entuziazmuar) Prapë u takuam. Ç’lajme na sjell?

Tomori

Disa shtëpi të periferisë digjen flakë. Ushtarët që ikën ua vunë zjarrin gjatë tërheqjes.  Nuk dihet për të vrarët e të plagosurit. Thuhet se ka shumë.

Dardani

Do të merret vesh edhe kjo punë. E keqja përhapet shpejt. Po qyteti si duket.

Tomori

Ishte shkreti tmerri para disa orësh, është rrëmujë tash. Ushtarë anglezë e civil vendës festojnë tërë zhurmë.

Dardani

Ku i more vesh të gjitha këto?

Tomori

Ia bëra një xhiro të shpejt qytetit, e pash gjendjen. Një pjesë e popullatës së bodrumeve bërtasin si të shkalluar, një pjesë shikojnë të shushatur si të përhumbur derisa hyjnë trupat angleze në qytet. Nuk dinë të gëzohen, apo nuk u besojnë  syve, çajnë e qeshin njëkohësisht. Duken si somnambul. Po këndej pari si është gjendja?

Dardani

(Shikon si i dal nga një ëndërr e frikshme, anon kokën herë nga njëri, herë nga tjetri, fërkon fytyrën e sytë me pëllëmbë të duarve)

Mirë që nuk jemi në ëndërr, apo jo? Mbaroi edhe ky ankth.

Rina

Nga dita e parë që ikëm, s’morëm asnjë lajm nga lagja.

Agimja

Mbase dikush ka mbetur, strehoheshim nëpër bodrume.

Rina

Qyqja, a u ka treguar kush se s’kanë pse fshihen më.

Agimja

Do ta marrin vesh si të dëgjojnë zhurmën e festës. Tre muaj s’dëgjuan festim as këngë, pos krismave dhe ulërimave të ushtarëve të çartur. Dje na çmenden fare me krisma, kur hynë ushtarët rus.

Rina

Ç’ paske  hequr!

Dardani

Mos i vajtoni më.

Rina

Keni lajme nga fqinjët?

Agimja

Në fillim flisnin me telefon më njëri-tjetrin. Pastaj u shkyçen linjat. Mbetem të shurdhër. Nëpër korridore janë dëgjuar vaje fëmijësh e britma policësh javën e parë të dëbimit, pastaj nuk u dëgjua frymë njeriu.

Rina

Çka s’flisnin kur ishim nëpër male, sikur u  vranë të gjithëve. Thuhej se u kanë grumbulluar nëpër stadiume futbolli, apo u kanë pushkatuar në periferi. Tmerroheshim kur i dëgjonim.

Agimja

( ofshanë thellë) Vranë sa munden, zoti i vraftë. Kur e nxirrnim kokën ndonjëherë më frikë nga dritarja me grila e bodrumit, shihnim kufoma nëpër rrugë apo në trotuare. Më  vonë e mbyllëm fare këtë dritare të vogël. Ka rrezik, më tha Dardani.

Rina

Ç’kemi hequr edhe ne nëpër male. Mos u harroftë.

Tomori

Mbase s’do të bëni garë kush ka hequr më shumë. (Qeshet me dashamirësi). Mirë që shpëtuam.

(U drejtohet të dyve)

Inxhinier, doktoresh, mirë u pafshim, ikën ne në banesë, të shohim se çka ka mbetur.

Dardani

U pafshim Tomor. Prit, me thanë sikur ka minat a bomba nëpër apartamente.

Tomori

E dëgjova, por do të jem i kujdesshëm. Mirë mbetshi!   (Ata largohen me furi, duke lënë një qetësi prapa)