E premte, 29.03.2024, 11:44 AM (GMT)

Mendime

Afrore Shaipi: Shqiptarët në këtë përvjetor

E shtune, 23.11.2013, 05:59 PM


SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT NË KËTË PËRVJETOR

“…që sot Shqipëria të bëhet e lirë, më vete dhe e mosvarme.” (Ismail Qemali)

NGA AFRORE SHAIPI

Këto fjalë të datës 28 nëntor 1912 ishin fjalët që rrotulluan fatin e shqiptarëve dhe shënuan kthesë në historinë tonë. Këto fjalë e lindën Shqipërinë. Ato simbolizuan më së miri kulmin e përpjekjeve shekullore të tërë aty burrave e femrave, trimave e heronjëve, që e deshën Shqipërinë më tepër se veten, luftuan me mish e me shpirt për të mbrojtur kulturën dhe dinjitetin kombëtar. Duke ngritur në piedestal veprat e tyre, ne sot u jemi thellësisht mirënjohës po këtyre heronjëve të lirisë, të cilët të frymëzuar nga Skenderbeu vazhduan dhe rritën edhe më tej ndjenjën e atdhedashurisë. Me përkulje ndaj bëmave të tyre, ne sot u themi faleminderit të gjithë rilindasve, vizonarë dhe largpamës, anëtarëve të Lidhjes së Prizrenit, të Kongresit të Manastirit e deri tek Ismail Qemal Vlora, Hasan Prishtina e intelektualët tjerë, që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë, aktin më të rëndësishëm të kombit.

Shqipëria lindi më 1912! Lindi në një kohë trazirash dhe lindja e saj nuk e gëzoi askënd tjetër përpos popullit të vet. Pikërisht atëherë kur ky shtet i porsalindur ishte i brishtë, i dobët dhe i pambrojtur, atëherë kur kishte më së shumti nevojë për përkrahje dhe ndihmë, nuk gjeti askund! Kërkoi mbështetje, por mbështetje askush s’i dha! As fqinjët. As fuqitë e mëdha madje s’e ndihmuan. Për më tepër ato shkuan edhe më tej… Ende pa mbushur një vit, Shqipërinë e bënë copash, ia shpërndan tokat e tyre fqinjëve, e përdorën më tepër si pazar në traktate të ndryshme, pa pyetur vullnetin e popullit vendas shqiptar. Padrejtësia më e madhe ndaj kombit tonë u zyrtarizua para plot një shekulli, pikërisht më 1913, në Konferencën e Londrës, ku shqiptarët i ndanë në 5 shtete. Një gabim që historia e ruajti për plot një shekull dhe po e vuajmë të gjithë edhe sot e kësaj dite.

Shqipëria, e mbetur kaq e vogël gjeografikisht, pa Kosovën, Preshevën, Shkupin, Tetovën, Çamërinë, Janinën…pa gati gjysmën e vet, vendosi të ecë tutje. Me aq mundësi sa kishte. Me aq forcë që i kishte mbetur.

E kështu rodhën pastaj ngjarje të mëdha si Lufta I Botërore, Mbretëria e Ahmet Zogut – të vetmit mbret shqiptar, Lufta II Botërore, regjimi komunist i Enver Hoxhës, vitet ’90 kur u vendos sistemi demokratik e deri tek Shqipëria e ditëve të sotme. Një rrugëtim 101 vjeçar, gjatë të cilit Shqipëria u transformua, i rezistoi kohrave të ndryshme, sfidoi sisteme dhe përballoi ngjarje të mëdha! Bëri më shumë se një shekull jetë! Bëri më shumë se një shekull histori! Shqipëria pa, përjetoi e mësoi shumëçka nga e kaluara e vet.

Por tani, çfarë çmojmë më shumë gjatë historisë 101 vjeçare të shtetit?

Shqiptarët, jo vetëm ata të Shqipërisë por edhe përtej kufijve të saj, sot mburren për ato virtyte e vlera që ditën t’i mbrojnë aq mirë ndër vite. Vlera që mundohen t’i ruajnë edhe sot me krenari, si një imazh i veçantë i këtij shteti dhe kombi.

Shqiptarët gjithmonë janë karakterizuar me një tolerancë fetare të mrekullueshme. Nuk është se e themi vetëm ne, këtë e kanë dëshmuar edhe të tjerët. Gjithkush që ka qenë ndonjëherë në Shqipëri, është impresionuar nga bashkëjetesa fetare që kanë gjetur këtu. Myslimanë, katolikë e ortodoks, të gjithë së bashku kanë jetuar në harmoni me njëri tjetrin, sepse kanë qenë të vetëdijshëm se para se të jenë myslimanë apo katolikë apo ortodoks, ata në radhë të parë janë shqiptarë.

Shqiptarët gjithmonë janë shquar për mikpritjen bujare, ndjenjën e humanizmit dhe gatishmërinë për t’i ndihmuar atyre që kanë nevojë. Kjo u dëshmua edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur populli i Shqipërisë i hapi dyert qindra hebrenjve të arratisur. Edhe pse të vetëdijshëm për rrezikun që barte në atë kohë strehimi i tyre, ata zgjodhën të mbronin drejtësinë. Ata shfaqën zemërgjersinë e tyre! Vitet kaluan, por virtyti mbeti i njejtë. Më 1999, kur forcat policore dhe ushtria serbe, kishin dëbuar mizorisht mijëra kosovarë nga trojet e tyre, pasi kishin ushtruar mbi ta dhunë, gjenocid e masakra të tmerrshme, Shqipëria dhe shqiptarët jashtë saj, në Preshevë e Maqedoni i hapën dyert për bashkëkombasit e vet. Duke i ndihmuar atyre, ata shprehën vëllazërinë në mes vete dhe bëri të kuptohej se shqiptarët edhe pse të ndarë, janë një komb e kanë një gjuhë.

Por sot, ky përvjetor pavarësie si i gjen shqiptarët? I gjen ashtu të ndarë si para një shekulli! Por kanë kaluar shumë vite dhe kohët kanë ndryshuar. Sistemet kanë ndërruar dhe bota sot, pjesa më e madhe e saj, jeton në demokraci. Sot kërkohet respektimi i të drejtave të njeriut, qytetarëve e minoriteteve. Por sa respektohen të drejtat e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë: në Greqi, publikisht bëhen thirrje antishqiptare, në Maqedoni shqiptarët edhe pse bashkqeverisës kanë probleme të thella me zyrtarizimin e gjuhës, e ashtu si edhe në Mal të Zi të rinjtë shqiptarë rrihen rrugëve vetëm për motive etnike.

Ndërkaq ne, preshevarët, tashmë e kanë kuptuar edhe të tjerët se, ne përfaqësojmë popullatën më të diskriminuar në Ballkan.Jetojmë pa të drejta. Pa asnjë simbol kombëtar. As flamur. Një lapidar të heronjve kishim, edhe atë na hoqën. Bile na e hoqën me forcë! Erdhën me dhjetëra tanke e qindra xhandarë për ta rrënuar këtë monument, për ta bërë një “spektakël” dhune ndaj qytetarëve të pambrojtur. Është sikur duan të na heqin identitetin, të zhdukin gjuhën, të na mohojnë origjinën e të fshijnë dëshmitë e popullit autokton. As të arsimohemi nuk na lënë. Na marrin librat nga dora, duke na drejtuar armët e xhandarëve. Padrejtësi dhe diskriminim më të madh nuk besoj që ka! Në shekullin e sotëm ky është krim! Por ja që koha, me sa duket, nuk ka ecur për të gjithë. Në Preshevë sot ndodh ajo që ka ndodhur në Romë në shekullin VII, kur ka ekzistuar “ndalimi i kujtesës” – nëpërmjet shkatërrimit të përmendoreve, ndryshimit të emrit, ndryshimit të programeve shkollore – e kështu popullit iu është hequr e drejta për të kujtuar. Dëshmi e gjallë për këtë, sot është Presheva. Ajo është pasqyrë e një vendi pa përspektivë, i lënë pas dore, i harruar nga të tjerët dhe detyrohet që ngadalë- ngadalë e qetë- qetë të boshatiset.

E Kosova? Kosova sot është e pavarur. Ka 5 vjetë që është bërë republikë! Në fakt, kjo ishte fitorja më e madhe e kombit gjatë këtij një shekulli jetë të shtetit shqiptar. Ajo është njohur ndërkombëtarisht dhe gëzon mbështetje të plotë nga shumë vende të botës.

Kështu, shqiptarët e sotëm, ndryshe nga ata në të kaluarën, kanë dy shtete që do të forcohen edhe më shumë në të ardhmen. Kanë dy shtete që bashkëpunojnë shumë në mes vete dhe kjo është arritje e madhe për ne si komb. E të gjithë ne shqiptarët, të mbetur jashtë kufijve të tyre, duam nga to përkrahje dhe ndihmë. Por meqë Kosova është ende e mitur, me problemet dhe hallet e veta në shtetformimin e saj, përgjegjësia më e madhe bie mbi Shqipërinë. Mbi atë Shqipëri që e kemi adhuruar gjithmonë si gjënë më të shtrenjtë, për të cilën na kishin mësuar aq shumë vjershat e Naimit e Fishtës, për të cilën na kishin folur aq shumë gjyshërit e stërgjyshërit, e për të cilën, ndër vite kishim dëgjuar e kënduar aq shumë këngë patriotike. Mbi atë tokë që gjithmonë kishte qenë aq e shenjtë për ne. Mbi atë vend që na dukej më i bukuri nga të gjithë. Mbi Shqipërinë tonë të dashur, Shqipërinë 101 vjeçare.

Por sot, në këtë përvjetor pavarësie, si na duket realisht Shqipëria jonë?! Ajo ka ndryshuar shumë nga e kaluara. Sot, Shqipëria është aleate me fuqitë më të mëdha botërore, është një vend anëtar i NATOs,OSBE, e shumë organizatave tjera ndërkombëtare. Është një shtet që aspiron çdo ditë e më shumë të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Shqipëria e kohës sonë është “demokratike”. Pak a shumë. Demokracia e saj në fakt është akoma e dobët, e brishtë, e jo shumë e vërtetë dhe e mirëfilltë. Të kesh tolerancë fetare nuk mjafton për të qenë vend demokratik.

Ndryshe nga e kaluara, Shqipëria sot ka probleme me vetveten! Ajo sot sfidon shoqërinë e saj! Ajo lufton dhe duhet të luftoj edhe më ashpër me korrupsionin që po e fundos, e gati po i zë dhe frymën! Edhe pse duhej të ishte ndryshe, në Shqipëri sot mezi respektohet ligji. As drejtësia nuk respektohet aq sa duhet! Në Shqipëri, sot, më e rëndësishme dhe mbi të gjitha është bërë politika. Ose më saktë – partitë. Politikanët po marrin mbi vete edhe ligjin, edhe drejtësinë, edhe arsimin edhe gjithçka… Të gjitha janë në duart e tyre. Dje ishte dikush tjetër, sot janë të tjerë, nesër prapë do të vijnë disa të rinj. Por ata të gjithë të njejtin rol luajnë. E nëse Shqipëria nuk ka arritur ende të ndërtoj një shoqëri përparimtare, të krijojë një sistem vlerash, atëherë faji i mbetet atyre. Kjo më çon ndërmend fjalët shumë kuptimplote të Faik Konicës “Nëse Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të shkruhej: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia dhe vdiq nga politikanët”.

Urojmë që kjo të mos ndodh kurrë, urojmë që vetë shqiptarët do të vetëdijësohen e të zgjedhin për përfaqësues të tyre më të mirët e të rrënjosin thellë brenda vetes demokracinë e vërtetë. Mjaft më me Shqipërinë e Skenderbeut e Nënë Terezës, mjaft u mburrëm me ata që patëm në të kaluarën. Është koha që këtë krenari të madhe ta kthejmë në vepra. Të mundohemi ta bëjmë Shqipërinë edhe më të mirë sesa kjo që e kemi sot. Të punojmë denjësisht për të mirën e atdheut,  që nesër gjeneratat e reja të krenohen me Shqipërinë e ditëve tona. Urojmë që ky shekull i ri që nisi, të jetë edhe më i mirë se i pari, të jetë vetëm fillimi i një rruge të gjatë, të ndritur e plot suksese.Gëzuar!



(Vota: 42 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora