Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Veshjet popullore të Sulovës

| E premte, 22.11.2013, 09:08 PM |


VEÇORITË E VESHJEVE POPULLORE TË SULOVËS

NGA PËLLUMB GORICA

Sulova e gjendur midis Elbasanit dhe Beratit, është një krahinë me veçori etnografike. Pjesë të kulturës së pasur materiale shpirtërore të kësaj krahine janë edhe veshjet popullore. Veçori kryesore e veshjeve të periudhës të herëshme është se kanë qenë të thjeshta, të gërshetuar me larmi ngjyrash, në përshtatje me kushtet natyrore dhe klimën mesdhetare. Sulovarët e kanë dashur dhe e duan të bukurën, të pastërtën dhe e kanë shprehur në veshjet e shumëllojta dhe larmishme, zbukuruar në kohëra me shije dhe aftësi punimi. Studiusi Petrit Basha, autor i disa librave për traditat e Sulovës thekson se: “ Në veshjen e popullsisë kanë ndikuar rritja e mirqënies dhe ngritja e nivelit kulturor. Ato janë përpunuar, në përshtatje me veçoritë e jetës e të historisë që ka kaluar populli. Këto veshje kanë variante që ndryshojnë sipas moshës, seksit, kushteve të punës, zakoneve e festave”.

Deri vonë veshja popullore ishte shenjë që tregonte krahinën etnografike. “Sulova bashkë me fushën e Elbasanit dhe Dumrenë për kostumet popullore bënë pjesë në një njësi etnografike.” (“Enciklopedia Elbasani”, faqe 306) Tani ajo e ka humbur gati kudo këtë domethënie të dikurshme dhe tek tuk e gjen të ruajtura në veshjet e grave. Veshjet popullore janë përdorur në përditshmëri deri në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar, duke u zëvendësuar meë pas me veshje të kohës. Rrallë janë mbajtur ndër të moshuar deri në fund të viteve ‘80.

   Veshja  popullore ka qenë e zakonshme dhe endej e gjitha me dorë, me zbukurime të shumta, që të befasojnë me bukurinë dhe teknikën e punimit. “Për t’i prerë, qepur e zbukuruar veshjet popullore prej shajaku, me katër dhe dy lisa në tezgja, ishin grate që dinin t’i bënin mire këto punë, nga disa të tilla në fshat, jo të gjitha.” (Petrit Basha “Tunja pranë kalasë”, faqe 128) Ka zotëruar veshja prej leshi e bërë me avlëmend, e prerë dhe e qepur nga gratë në shtëpi. Me lesh përgatiteshin më shumë veshjet e burrave, kryesisht ajo që përdorej në dimër. Qepeshin guna, tirqe, shallvare, xhedikë etj. Pas leshit vijnë veshjet prej liri e cila ishte lëndë  jo vetëm për pregatitjen e veshjeve të brendëshme, por edhe e shtrojeve të fjetjes. Nga të vjetrit ruhet në kujtesë përdorimi i lirit. Në  krahinën e Sulovës dikur është kultivuar  shumë bima e lirit për vet kushtet e mira klimaterike e toksore që ka ajo. Këtë e tregojnë edhe toponimet Linore: Lëmi i Lirit, Arat e Lirit, Bregu i Lirit etj.  Shumica e pjesëve të veshjes veçanërisht veshja e grave punohej me pëlhura pambuku të endura nga vet gratë. Me pëlhura pambuku qepnin linjat, përparëset, lëveret, mëngët etj.

   Veshjet popullore të Sulovës kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve etnografë, në mënyrë të veçantë veshja e grave. Sipas studiuesve, përparësja e nuseve sulovare (bokshja) është e veçantë. Por, në përgjithësi, veshja e grave të Sulovës është identike me veshjen popullore të gjithë trevës së Myzeqesë. Në veshjen e grave bie më tepër në sy linja e gjatë prej pëlhure, përparëset aq të bukura dhe lëveret e kokës punuar me mjeshtëri nga vet gratë. Si gratë dhe burrat mbanin brez kuq e zi me motive të ndezura që mbështilleshin rreth belit disa herë. Brezi i burrave ishte më i gjatë. “Pas Luftës së Parë Botërore veshja popullore e burrave të Sulovës pësoi ndryshime, duke u zëvendësuar me veshje të kohës, ndikim direkt i veshjeve qytetare” (Abas Dojaka “Të njohim veshjet tona popullore”, faqe 182.) Ndërsa tek grate veshja u përdor deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Tregtia që bënin banorët, kryesisht në pazaret e  njohura të Elbasanit e sidomos të Beratit, kjo prej afërsisë gjeografike me këtë qytet të njohur tregëtar të kohës,  i detyronte të blinin pëlhura, por edhe pjesë veshjesh të përgatitura. Lëvizjet demografike nga njëra krahinë në tjetrën për shkak të kushteve ekonomike, por edhe prej faktorëve të tjerë social si hasmërive, lidhjeve të krushqive detyruan vendosjen në Sulovë të jo pak familjeve nga Shpati, Vërça, Nahija e Beratit, Tomorrica, të cilat ndikuan edhe në veshjet popullore me elementë të tjerë.

   Veshja e grave Deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore gratë e Sulovës preferonin veshje të gjata, të linjta me zbukurime. Veshje të bukura, të punuara me aq mjeshtri nga vet gratë sulovare. Shumë të përhapura kanë qenë përparëset e endura me motive, që në gjithë sipërfaqen shkëlqejnë. Janë dalluar dy variante kryesore: veshja me linjë e me jelekë dhe veshja me linjë e me gufe.

Veshja me linjë

Në veshjen e grave pjesa kryesore është fundi (linja) prej pëlhure pambuku me kinda. Gjerësia e saj shkon deri në nyja e këmbës. Në krye të linjës qepej një copë e kthyer që futej ushkuri, me gjerësi 5 cm. Pjesë tjetër e veshjes ishin bluza (mëngët), prej pëlhure me vija ngjyrash të ndryshme të kuqe, bardha, verdha të zeza, paraqiste ca tipare të veçanta në prerje. Nën mëngë vishej këmisha prej pambuku e bërë me pëlhurë vegle jo të bardhë, por me vija e motive të thjeshta me krahë të gjerë, që vinte duke u ngushtuar në afërsi të duarve. E zbukuruar me qëndisma e penj, ngjyra të ndryshme me temina. Jeleku prej stofi i zbukuruar me fije ari, vishej më tepër nga nuset dhe qepej në qytet e Elbasanit e Beratit. Përparësja e pambuktë që mbahej në Sulovë ishin më të mëdhatë që janë mbajtur në territoret shqiptare dhe ndër më të bukurat e më të ngarkuarat për sa i përket kompozimit të ngjyrave. Ajo zbukurohej në gjithë sipërfaqen e saj, ndërmjet të cilave endeshin motive rombike, ku mbizotëronte ngjyra e kuqe e verdha, portokallia, kafe dhe të zeza. Mbulesa e kokës (lëverja) bëhej prej pëlhure pambuku, në formë katërkëmbëshi, kënd drejtë, mjaft e gjerë dhe e gjatë njëkohësisht. Hidhej mbi kokë dhe lëshohej lirshëm për t’u varur prapa shpatullave që shkonte deri tek thembrat e këmbëve. Përmasat e saj mbi 150 cm. Zbukurohej në të katër anët me vija e motive rombike të ngjyrave të ndryshme. Gratë e moshuara e mbanin lëveren më pak të zbukuruara, ku në të katër anët dominonin ngjyrat blu e të zezë.

Veshja me linjë e me gufe

E njohur në veshjen e grave ka qenë edhe veshja e linjës me gufe (bluzë), që zakonisht nuk ndryshon nga veshja e treguar më lart, të cilën e vishte nusja e re pas disa ditë martese deri në moshën e mesme. Gufja ishte prej pambuku me ngjyra të ndryshme, mëngët e së cilës janë mjaftë të gjerë dhe të fryra në pjesën e parakrahut. Rrallë në stinën e ftohtë gratë vishnin një xhoke të shkurtër shajaku me prerje e thjesht në ngjyrë të bardhë. Në shtresën e pasur të kësaj krahine gratë përdornin përveç xhokës së bardhe prej leshi e ngjashme me atë të Dumresë dhe Myzeqesë edhe mëngoren e bardhë e zbukuruar anash me gajtanë. Xhokës së bardhë i shtohej edhe guna e ngjashme me atë të barinjve. Në veshjet e grave janë edhe elementë të tjerë që plotësohet nga veshja e brendëshme: Të mbathura të gjata deri te thembra e këmbës prej pëlhure liri ose pambuku, çorapet prej leshi të zbukuruara me motive rombike, opingat (qosolet) prej lëkure lope. Stolitë në Sulovë kanë qenë të pakta.  Unazë, vathë, varëse qafe me rruaza. Veshja popullore plotësohej me brezin e leshtë që ngjishej sipër linjës, i punuar me vegjë me fije leshi të hollë me ngjyrë të kuqe e me vija të holla të zeza, kafe e ngjyra të tjera.

Veshja e burrave Në Sulovë dikur janë mbajtur disa tipa veshjesh për burra: Veshje me fustanellë, me xhedikë dhe me shallvare.

  “Veshja me fustanellë është mbajtur deri në prag të Pavarësisë e cila përdorej në një masë mbizotëruese në Sulovë si në shumicën e krahinave në Shqipëri. Fustanella e bërë prej pëlhure pambuku e punuar në shtëpi, gjatësia e saj deri në gju, me 30- 100 pala”, shkruan Abaz Dojaka në librin “Të njohim veshjet tona popullore”, faqe 188. Ajo është mbajtur sipas gjendjes ekonomike dhe shtresës shoqërore. Dhe përbën një element të kostumit kombëtar shqiptar. Sa i përket veshjes me fustanellë mbështetur në gojëdhëna del se është përdorur në raste festash, gëzimesh, fejesa, dasma etj dhe nuk ishte veshje pune. Jeleku dhe mëngoret ishin prej shajaku të bardhë e të zbukuruar me gajtanë. Kanë mbajtur edhe jelekë e mëngore prej cope të qëndisur me gajtanë ari, të blerë në pazaret e Elbasanit e Beratit që më shumë këto i mbanin shtresat e pasura. Në kokë  burrat sulovarë mbanin takie të bardhë e ngjashme me atë të Myzeqesë. Më vonë është përdorur qeleshe prej haseje. Kjo më shumë si depërtim i  saj nga krahina e Shpatit. Këmisha pregatitej prej kambriku me mëngë të gjëra të gjata. Fanella  thurej prej leshi. Në këmbë  visheshin opinga me lëkurë kafshësh me majë të kthyer me një xhufkë leshi të kuqe ose të zi. Si mbathje në këmbë çorape leshi. Mbi çorapet vishnin deri në gju tirqe të bardha prej shajaku, që ishin një tjetër pjesë e kostumit popullor. Kostumi plotësohej nga një brez i leshtë që ngjishej pas beli i gjatë deri 2 m dhe i gjerë 15 cm, me ngjyra të ndezura të punuar nga vet gratë në shtëpi.

Veshja me xhedikë

Pas daljes nga përdorimi të fustanellës filloi të përhapet veshja me xhedikë. Xhedikët ishin një lloj pantallonash shajaku të bardhë, të cilat më vonë u bënë të zeza deri në nyje të këmbës. Kjo veshje plotësohej me këmishën, të mbathurat, jelekun, mëngoren, opingat, takien e bardhë. Kjo veshje popullore është mbajtur me disa ndryshime në jetën e përditshme.

Veshja me shallvare

Sipas specialistëve të fushës etnografike, kjo veshje është përdorur në Sulovë në fillim të viteve ‘30 të shekullit të kaluar. E veshur nga të gjitha moshat. Pregatitej në tezgja prej leshit të deles. Ato qepeshin në shtëpi nga grate me një prerje të thjeshtë. Pjesë përbërëse ishte këmisha prej pëlhure të pambuktë, xhamadani, mëngorja prej shajaku të zbukuruar me gajtanë, të mbathurat, çorape të ngjashme me të Myzeqesë, opinga prej lëkure lope dhe takie prej pëlhure. Veshja e mësipërme në dimër plotësohej me gunën prej lesh dhie.

Veshjet popullore sot ruhen me merak nga gratë në Sulovë. Me zhvillimet që solli gjysma e dytë e shekullit që lamë pas, ato dolën nga përdorimi gradualisht, duke mbetur kujtime të një kaluare të largët. Veçse, do të jenë festat popullore, fejesat, dasmat, festivalet folklorike, këto ngjarje të shënuara të shpirtit të popullit, që të nxirren nga arkëzat këto veshje popullore. Janë vlera, të cilat i flasin kohës, për të pasur çfarë t'u tregojmë brezave, si thesare të trashëgimisë kulturore.