E premte, 19.04.2024, 11:02 AM (GMT+1)

Mendime

Nebi Dragoti: Politika e keqe

E enjte, 21.11.2013, 08:36 PM


DËMTON POLITIKA E KEQE

PA EMËRUES TË PËRBASHKËT

NGA NEBI DRAGOTI

Hera-herës shikohet , se bëhet politikë e pastudiuar, politikë kalamanjsh për t’u dukur njëra apo tjetra palë. Ka veprime politikanësh sherrxhinjsh shterp si sherret e kalamanjve në rrugë për të cilat vazhdojnë edhe sot si refren i mbrapshtë. Bëhet kjo që iks politikan të duket mbi të tjerët, por në fakt del figurë qesharake në opinionin e përgjithshëm. Pjekuria është faktor determinant në dhënien e një vendimi politik me qëllim që askush mos të ketë mundësinë për ta rrëzuar atë. Kjo mungon në politikën tonë. Ka qënë qëndrimi më i  keq politik, se nuk ka pasur emërues të përbashkët në çështjet kryesore, kur, patjetër, për vendin kërkohet bashkëpunim ndërpartiak. Në këtë sens kërkohet platformë e përbashkët mirëkuptimi, madje, e sanksionuar dhe me ligj, ku në çdo rast të trajtohet me përgjegjësi politike si detyrë parësore. Në politikën kombëtare, aq më tepër, të vendosësh vetëm, kur ka thekshëm për zgjidhje problematikë ndërkombëtare, nuk mund të rrokësh meritë dhe , pastaj , të rrahësh gjoksin përpara shoqërisë pluraliste. Dhe, në qoftë se ndodh dhe e merr këtë meritë, ajo prapë mbetet e cunguar. Ky qëndrim cilësohet si politikë e keqe shqiptare, sepse kjo edhe është e vërtetuar nëpër vite dhe është konstatuar, se veç dëm i është sjellë Shqipërisë si në faktorin e jashtëm(në qëndrimin e tyre ndaj nesh) po ashtu edhe në faktorin e brendshëm, në të cilin ka sjellë zhurmë, ngërçe dhe jostabilitet. Populli ka një shprehje të artë:”Pësimi bëhet mësim”. Po kush dhe kur do të nxirret mësim?Është e pafalshme që akoma dhe në shekullin njëzet e një politika jonë të vazhdojë po me këtë sëmundje që na dëmton vlerat si komb, që na dëmton vizionin për të arritur pikësynimin, që na pengon për të punuar e për të ecur krahas kombeve të tjera të zhvilluara.  Pra, politika nuk i bën llogaritë mirë. Ajo tregohet dritëshkurtër, ngutet, nuk i parapeshon veprimet që ndërmerr për të qënë e qartë se ku del me këto veprime të pastudiuara. Me këtë qëndrim të gabuar politika jonë ka humbur kohë, ka dëmtuar veten dhe vendin. Po kështu i gabuar qe dhe mendimi për të mbajtur referendum(një fjalë goje kjo) për armët kimike, sikur nuk kishte rrugë të tjera më efikase, më të shkurtëra pa harxhuar fonte për votimin. Çarmatimi i armëve kimike siriane në vendin tonë zgjati shumë, në një kohë kur po të ishte bashkëpunimi pozitë-opozitë për këtë çështje delikate, do të vendosej më shpejt e më sakt përgjigja e pranimit “po” ose “jo” dhe zhurmë do të kishte më pak. Problemi në fjalë i takonte gjithë vendit dhe ishte mbi politikën. Problemi mbeti enigmë dhe veprimet e masivizimit të protestave nuk duhet të kishin marrë përmasat që morën. Në vend që të dëgjoheshin të parët specialistët e kësaj fushe për mundësinë ose jo të pranimit të çmontimit, në vend që të vendosnin specialistët për shkallën e rrezikshmërisë ose jo, u la spontaneanitetit popullor të kundërshtonte pa pasur qartësinë e duhur. As edhe drejtuesit e protestave nuk dhanë sqarime të hollësishme se ç’janë armët kimike, si bëhej prodhimi dhe a mund të bëhej çmontimi i tyre pa rrezikuar popullatën. Po të ishin parë drejt këto aspekte edhe paniku tek njerëzit do të ishte më i vogël, edhe mediat e huaja do të bënin interpretimet e duhura për problemin në fjalë. Si mediat brenda, ashtu dhe ato të jashtmet veç sensacionit për sensacion nuk shuan kureshtjen duke dhënë informacionin e duhur sa më shkencor. (Për sqarim:njeriu i prodhoi ato dhe po njeriu i asgjëson). E, po të ishin bërë të gjitha këto, nuk do të kishte diskutime, ku qimja të bëhej tra dhe trau të bëhej qime. Nga këto qime (për humor)edhe politika do të ishte më e pastër. Përsa i takon opinionit të dipllomatëve të mbajtur, mbasi qeveria në pushtet dha vendimin:”Jo çarmatimit të armëve kimike në Shqipëri”, shikoj se nuk ka konstruktivitet paqësor mirëkuptimi dhe qëndrim parimor. Nuk ka arsyetim dhe argumentim bindës pse u vendos kështu përpara opinionit botëror. Shikoj që nuk është qëndrim emancipues duke gjykuar parimisht, tamam si për vendin e tyre në këto reagime, duke u shprehur diku-diku se, gjoja, sipas ndonjërit dipllomat , u cënuan të drejtat, u penguan ato, ngadalsohet integrimi etj. etj. Ky problem nuk ka  pse  të diskutohet gjatë dhe të ketë hatërmbetje nga aleatët. Në këtë atmosferë desha të jap mendimin tim duke besuar se shprehem parimisht në të mirën e vendit tim dhe pa i bërë keq askujt shteti në Europë a në botë. Filozofia e këtij qëndrimi është e njohur dhe nuk prish solidaritetet ndërshtetërore. Çdo shtet vendos vetë për vendin e tij, pa dëmtuar askënd, vetëm mjafton që vendimet të kenë pjekurinë e duhur dhe të mirren në kohën e duhur. Prandaj dhe shtetet janë të pavarur. Integrimi në mos ardhtë sot, do të vijë , patjetër nesër, sepse këtij vendi të vogël paqëdashës ia ka nevojën bota. Për të sqaruar drejt këtë koncept, mjafton të sjellim shembullin e shtetit turk, i cili akoma nuk është futur në BE dhe vazhdon të jetë kandidat edhe pse ka një ekonomi më të mirë  e më stable nga ç’e ka vendi ynë. Ta krahasosh ekonominë turke me të Shqipërisë, jemi goxha larg. Përsa i takon ngritjes ekonomike të vendit tonë, ky vend ka probleme të theksuara,  që kërkojnë tepër punë për ta stabilizuar e për ta futur në binarët e duhur. Parësore e një vendi është zhvillimi i ekonomisë me parametra të kënaqshëm social. Kjo mungon dukshëm. Për ta arritur këtë duhet një farë kohe dhe, mbi të gjitha, varet se si punohet, se ç’rrugë përdoren për të kapur këtë kuotë, që është edhe standarti i dëshiruar dhe i domosdoshëm për shoqërinë tonë. Jo të punojnë të tjerët, të hamë ne!Jo të ndërhyjnë të tjerët për t’i dhënë leksion politikës tonë, sepse jo të gjithë na japin leksione të pastra pa pasur asnjë pikë interesi për veten. Në politikë askush nuk duhet ta mbajë barrën vetëm. Emëruesi i përbshkët, qëndrimi solid, në çështje delikate, që kërkojnë përgjigje, duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët me një ndërgjegje të lartë dhe transparente përpara popullit. Shkrimi analizë, shkrimi kritikë,  përsa paraqitëm,  ka vlerën e vet. Politika shqiptare të jetë e zonja e vetes dhe të mos presim të na japin mend të tjerët. Shqiptari është i mençur vetë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora