Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Tarelli: Kristaq Turtulli - “Pianisti”

| E merkure, 20.11.2013, 07:23 PM |


Përjetim gjatë leximit të librit “Pianisti”

Nga Kadri Tarelli, Durrës

Më pëlqen muzika, por i anashkaloj krijuesit dhe biogafitë e tyre. Edhe për artistët, kujdesem pak që të mësoj të fshehtat e jetës së tyre të trazuar. Më shijon arti dhe krijimtaria e tyre, ndaj i vlerësoj edhe për shpritin rrebel. Thjesht dëgjoj muzikë, madje edhe kur lexoj, apo marr mundimin të shkruaj, e le në sfond me zë të ulët.

Ma rekomanduan librin “Pianisti”, (novela), të shkrimtarit e romancierit të njohur Kristaq Turtulli, libër të cilin lehtësisht e gjeta në “Panairin e librit”, të organizuar në këto ditë nëntori 2013, në Tiranë.

Në kopertinë, dy duar me gishtat nevrik lozin mbi tastierën e pianos. E përfytyroja ndryshe: një zotëri i veshur me stilin klasik, e leshratë të lëshuara e të shpupurisura, etj, etj. Më pëlqen. Është një zgjidhje artistike mjaft e goditur, pamje e papërcaktuar, për të thënë atë çka gatuhet brenda nëpër rreshtat dhe faqet e shkrimit “Pianisti”, që i ka dhënë emrin edhe vetë librit.

Tregimi rrjedh natyrshëm, qetësisht si ujët e lumit Vjosa në ditëtë ngrohta të beharit. Më kishte marrë malli të kujtoja shumë fjalë të përdorura kohë më parë, e tani të “harruara”, e të lëna mënjëanë si të pavlera. Nis me një telefonatë të largët, për një lajm të keq, për një person e histori të largët e të venitur nga vitet. E rrëfyer në vetë të parë, me një fjalor për t’u patur zili, larg gjuhës standarte, duket sikur ngjarja është reale dhe përjetuar, siç mund t’i ndodhë çdokujt, pavarësisht se ku, në fshat apo qytet. Është një formë mjaft e gjetur e shkrimtarit rrëfimtar, që të bën ta çosh deri në fund leximin, ta besosh, madje edhe të bëhesh ortak me personazhin kryesor, “mësuesin e rusishtes”, për të shtuar diçka që ai s’e thotë, ose që qëllimisht e le si në mjegull.

Nuk ka nevojë të përshkruhet përmbajtja. Ç’ kuptim ka të ritregohet? Rreth tre personazheve vërtitet e gjitha. I pari mësuesi i rusishtes, pastaj Belbani (më shumë duket si emër i pabukur, qëllimisht i sajuar) dhe më tej Poli, ose më gjatë Polikroni. Tipa krejt të ndryshëm të gjendur në një qytet të vogël dhe të puqur rastësisht, ose mjeshtërisht nga autori. Çudi si mund ta gjejnë muhabetin mes tyre? Po kështu ndodh në jetë, mbase më shumë në provincë, ku s’ ke ku përplasesh, veç tek klubi “Kuçi gota” dhe tek gota e rakisë, ose tek loja e bilardos, kur fatmirësisht gjendet një e tillë. Këto s’para ngacmojnë ndjesi, pasi duken si një sfond i zymët i një pjese dramatike, që zhvillohet në një cep të botës dhe kaq. Edhe pakënaqësia dhe çfryrjet e mësuesit të rusishtes, duken të ftohta, pavarësisht se janë pjesë e jetë shqiptare, të atyre mijërara mësuesve që dekada më parë u degdisën dhunshëm në zona të largëta, në emër të detyrës dhe s’u shpërblyen si duhet, por që nuk u ngulën të krijojnë rrenjë. Nuk çudit njeri edhe Belbani, që me një kurs çfardo ishte përgjegjësi i shtëpisë së kulturës. Vallë vërtet s’kishte tjetër!? Me një fjalë ishte emruar drejtues i jetës artistike e kulturore të qytezës, ku kisht edhe një shkollë të mesme. Të zakonshme të tilla ndodhi. Ndërsa ndryshe është Poli: i heshtur, elegant, i drejtë sikur ka përpirë okllai, do të shtonte nonjë korçar shakaxhi. Fshatar i çuditshëm ky, i hekurosur, me jakën e këmishës të ngritur, sqimartar dhe i kujdesshëm deri në vogëlsi, aqsa mos i prishej hekuri i pantallonave kur ulet diku. Asnjë fjalë kush është e ç’ka në kokë. Enigmatik, sa bëhet i bezdishëm me heshtjen e tij. Vjen në çdo fund jave në qytet dhe kaq. Meritë e autrit që e le lexuesin të hamendësojë dhe të pyesë: More! Po ç’është ky fshatar, me pamje e veshje aristokrati, tamam si “dhija mes deleve”, që vjen e ikën si hije në jetë e rëndomtë të qytetit të vogël?

Lexon e lexon lexuesi, po pianisti s’po duket gjëkundi. Jetën e qytetit e  trazon Dodona, vajza e doktorit, studentja që me orë të tëra luan në piano në shtëpinë e kulturës. Thashethemet mbushin dynjanë, ushqimi shpirtëror për gratë, që s’kanë me se të merren dhe rrëmojnë plehun, apo trazojnë hirin në vatrat e shtëpive të botës. Dodona si në një çfaqje teatri, qëndron prapa perdes të vjetër e pangjyrë, apo mbledhur në një shtëllungë reje në ngjyrë të bardhë, që më së shumti bëhet gri, që endet në hapsirat qiellore pa kufi. Nuk duket në rrugica e as në qytet, nuk i a sheh kush fytyrën, ndërsa ndjehet çdo lëvizje e saj, çdo brengë, çdo psherëtimë, çdo lot i rrjedhur faqeve, madje edhe gjumi dhe frymëmarrja e mekur nga trishtimi. Dikujt i dhimbset, po të tjerët nuk e lenë në hallin e vet. Disa, sipas ligjeve të pashkruara të provinces, e shajnë, e mallkojnë, e dënojnë dhe ia nxijnë jetën.

Pikërisht në një çast pritje dhe padurimi çfaqet Poli “Pianist”. Habitet mësuesi i rusishtes, që më në fund e zbulon të fshehtën. Zemërohet Belbani, që doli në dritë mjeshtëria e Polit, mbase e dinte po nuk bënte zë. I ndjeshëm ndaj paafftësisë së vet, bëhet dru dhe gur. Ndoshta, është ai i paudhë, që i ka prerë rrugën artistit. Këtu lexuesi gjen shpjegim. Paraqitja dhe veshja e polit nuk është rastësi.

Një fund brilant i tregimit. Autori ka një frymëzim, që të ngazëllen. Të bën ta jetosh me shpirt të trazuar atë skenë, aq sa bëhesh njësh me të. S’ besoj se e ka sajuar. Lexojeni dhe do të bindeni. Më së shumti do të ndjeni kënaqësi të fjalës dhe rrëfimit të sinqertë.

Çdo lexuesi, duke përjetuar fundin e magjishëm, vetiu i lindin shumë pyetje, të cilat kërkjnë të dalin nga gryka e thesit mbushur plot:

Ç’e shtyu “Pianistin”, të mbyllet në vetvete e të ngujohet në një vend të humbur e të jetojë si asket?

Mos vallë ndonjë dashuri e shkërmoqur në vorbullat e jetës, ashtu si e Dodonës? Mbase!

Më tej akoma: kaq e fortë qënka dashuria!? Përgjigja:  

Veç ai që e ka provuar prushin e saj, e di. Të tjerët hamendësojnë dhe rrëfejnë.

Kristaq ! Urime dhe falënderim për këtë libër kaq të bukur!

Suksese!

-Perzgjodhi per botim në ZSh, L. Alia-