E enjte, 25.04.2024, 07:28 AM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: Modele të mbrapshta

E merkure, 20.11.2013, 08:19 PM


Modele të mbrapshta

Nga Arbana Xharra

Dy kryeministrat Hashim Thaçi dhe Edi Rama përpiqen të shfaqen në opinion sa më shpesh me flamurin e BE-së në duar dhe gjithnjë thirren në interesat e përbashkëta drejt integrimeve euroatlantike. Kur përfshihen në skandale, për të nënshtruar opinionin e përmendin aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me NATO-n, me botën perëndimore në përgjithësi.

Të dy përfaqësojnë dy shtete me imazh të keq, por të cilat kanë fat: gjenden gjeografikisht afër Evropës, ndërsa në aspekte të tjera ndodhen tepër larg standardeve evropiane. Korrupsioni, krimi, prostitucioni, droga dhe shumë krime të tjera njollosin vazhdimisht imazhin e errët që kanë Kosova dhe Shqipëria. Të dy këta kryeministria përfaqësojnë qeveritë ku grupe interesi të lidhura me shtetin kanë më shumë fuqi sesa vet pushteti e ku fuqia financiare grupet e tilla i pozicionon edhe mbi ligjin.

Edhe pse Rama rishtazi erdhi në pushtet, ai po shfaq mbështetje të madhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit. Dhe jo vetëm nga pozicioni i homologut, por edhe në disa raste të tjera Rama ka bërë përpjekje të sforcuar të jetë në krah të Thaçit në momente kur i është dashur këtij të fundit për interesa kryekëput personale, siç ndodhi me fushatën elektorale në Prizren.

Bile me këtë rast na u shfaq një e përbashkët që kanë Rama e Thaçi: admirimi i të dyve ndaj kryeministrit autoritar turk Rexhep Taip Erdogan. Një risi ishte kur kryeministri i Shqipërisë bashkë me Thaçin gati sa nuk iu gjunjëzuan Erdoganit me përpjekjen e tyre për t’u bërë vëllezër me të javë më parë në Prishtinë, kur u bë përurimi i aeroportit të Prishtinës. Ndërkohë që Thaçi duke spekuluar me traditën e miqësisë po tenton të fsheh adhurimin real për autoritarizmin, demokracinë e kontrolluar dhe qeverisjen në dorë të fortë.

Kurse Ramën e pamë ndryshe nga ai politikan që erdhi në pushtet me flamurin e Evropës në duar. Nënshtrimi i tij politikë karshi figurave me mangësi serioze demokratike nuk dallonte nga sjellja e Thaçit.

Mund të shtrohet pyetja se çfarë e lidhë partinë e Thaçit me partinë e Ramës. Në kongresin e fundit të PDK-së, i cili hyri në histori si kongresi i përçarjes, kjo parti u shndërrua në djathtiste – si me shkop magjik. Mjaftuan urdhrat e shefit për të ndryshuar në dokumente profilizimin e partisë brenda pak minutash.

Në fakt PDK nuk ishte e majtë asnjëherë dhe nuk do të arrijë të bëhet e djathtë dot. PDK është vetëm një ndërmarrje për menaxhim të resurseve të shtetit dhe mbajtjes së pushtetit me metoda klienteliste.

Shumë mbështetës të Thaçit gjatë luftës kanë përshëndetur dhe pozuar me grusht në stilin e Stalinit dhe të Enver Hoxhës dhe rregullisht i kanë raportuar liderit socialist të Shqipërisë Fatos Nano. Se ç’kishte të bënte Enver Hoxha me të majtën socialdemokrate dhe ç’kishte të bënte Fatos Nano i kazinove kapitaliste të Selanikut dhe Vjenës me të majtën, këtë me gjasë mund ta shpjegojë vetëm Thaçi.

Në fakt PDK nuk përfaqëson asnjë shtresë shoqërore pos zhvatësve, atyre që janë pasuruar jashtëligjshëm dhe disave që janë pjesë e krimit. PDK sot ka vështirësi të mëdha të ruajë shumicën parlamentare. Sistemi i sundimit është në nivel të pazarit dhe kjo është parë sërish këto ditë kur Thaçi vraponte në Prizren, duke tentuar ta mashtrojë Zafir Berishën me premtime të llojllojshme dhe politikisht të pamoralshme.

Me këtë mënyrë të qeverisjes Thaçi e ka dëmtuar rëndë demokracinë parlamentare, e cila sot është vetëm një dekor pa asnjë përmbajtje. Nga ky sistem politik kosovar, Edi Rama nuk ka çka të mësojë, derisa në Shqipëri ai gjendet para detyrave të mëdha për të ndrequr gabimet e qeverive paraardhëse.

E udhës është që Rama e Thaçi të mos mësonin gjë nga Erdogani dhe të mos përpiqen të kopjojnë përvojat e deritanishme politike në të dy vendet. Asnjëra palë nuk ka me çfarë të krenohet. Të arriturat e mëdha (pavarësia e Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO) nuk do të kishin ndodhur pa mbështetjen thelbësore perëndimore.

E Kosova ashtu sikurse edhe Shqipëria, për të qenë perëndimore e kanë të nevojshme të jenë demokratike.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora