E premte, 19.04.2024, 05:59 PM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: Të gjithë në mbrojtje të vendit!!!

E merkure, 28.05.2008, 11:27 PM


Engjëll Koliqi
Deri kur me tregti e kusuritje mbi Tokën e Kosovës ?!

TË GJITHË NË MBROJTJE TË VENDIT !!!

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Tregtimet dhe kusuritjet mbi tokën e shenjtë ë Dardanisë nuk kanë të ndalur që nga antika, e mjerisht vazhdojnë edhe sot. Edhe mbas shpalljes dhe njohjes ndërkombëtare të shtetit të vogël me emrin Kosovë, të mbetur nën 11 mijë kilometra katrorë, vazhdojnë tregtimet dhe kusuritjet.

Moska kriminale gjithnjë kundër shqiptarëve

N'udhëkryqin e intereseve të fëlliqta, në kërkim të kusuritjeve mbi truallin e Kosovës dhe mbi kurrizin e kërrusur të popullit të saj, simbas traditës së mbrapsht të shekujve të kaluar, edhe sot kujdestarojnë autoritetet e Moskës zyrtare. Edhe sot, më e zhurmshmja në kërkim kusuritjesh mbi Kosovën, është klika mafioze KGB-iste e Vladimir Putinit, bashkë me aleatët kinezë dhe arabë – si gjithnjë aleatë të përbetuar të Beogradit gjakatar. Mafia ruse, që e ka dëmtuar rëndë popullin shqiptar, që në prag të Kongresit të Berlinit (të vitit 1878), me marrëveshjen famëkeqe ruso-turke, për ndarjen e tokave shqiptare, ka qenë fatale dhe e pamëshirshme edhe në çastet vendimmarrëse – me rastin e përfundimit të dy luftërave botërore.

Edhe me rastin e shpartallimit dhe të shpërbërjes së federatës jugosllave, mafia e Moskës është treguar e pamëshirshme dhe më shumë se kriminele, ndaj Kosovës e përgjithësisht kundër popullit shqiptar. Gjatë luftës në Kosovë, Moska zyrtare i kishte dërguar ndihma ushtarake kryekriminelit të Ballkanit – Slobodan Miloševi?. Ekspertë ushtarakë rusë janë vrarë në front, nga luftëtarët e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një ditë para ushtarëve të NATO-s, të ardhur nga Bosnja-Hercegovina, trupat ruse kanë pushtuar Aeroportin e Prishtinës, për t'i mbrojtur aeroplanët luftarakë, që i kishin stacionuar aty, të gatshëm për bombardime, në ndihmë kryekriminelit Miloševi?.

Autoritetet e Moskës e kanë kushtëzuar Marrëveshjen e Kumanovës mbi Kosovën, të 10 qershorit 1999, duke mos i lejuar autoritet kriminale të Beogradit të nënshkruajnë kapitullimin dhe duke "mjegulluar" gjërat, për t'i lënë Serbisë sa më shumë interese në Kosovë. Klika mafioze e Moskës, me aleatët kinezë dhe arabë, në vitin 1999 kanë çoroditur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke ia imponuar Kosovës edhe më sovranitetin serbian, megjithë gjenocidin e ushtruar mbi popullin e saj.

Edhe mbas luftës gjendje lufte

Vetëm pak mbas përfundimit të luftës në Kosovë, pushtetin në Kremlinin e Kuq të Moskës e kishte marrë diktatori KGB-ist Vladimir Putin. Klika mafioze e Putinit ka mësuar dhe përkrahur mafiozët e Koshtunicës në Beograd, për mbajtjen peng të mijëra kufomave të shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatë viteve 1998 e 1999, të transportuar në Serbi dhe të mbuluar në varreza masive, kryesisht afër Beogradit. Po ajo klikë mafioze e Moskës i ka inkurajuar mafiozët dhe kriminelët e kabineteve qeveritare të Beogradit, për fshehjen dhe mosdorëzimin në Tribunalin ndërkombëtar për krime lufte në Hagë, të kriminelëve që kanë vrarë e masakruar mijëra njerëz të pafajshëm, madje edhe gra, pleq e fëmijë. Ata i kanë inkurajuar dhe mësuar kolegët e tyre në Beograd edhe për zvarritjen dhe bllokimin e bisedimeve negociuese për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

Falë veprimtarive të hapta destruktive të aparatit të kriminalizuar KGB-ist të Moskës, bisedimet për statusin e Kosovës kanë dështuar, kështu që drejtuesi i autorizuar nga OKB i këtij procesi – ish presidenti finlandez Marti Ahtisaari, ka përgatitur pakon e rregullave dhe të ligjeve të pavarësisë së kushtëzuar dhe të mbikëqyrur për Kosovën – një pako ligjesh absurde, me të cilat më shumë kanë të drejta serbët që janë më pak se 5% në Kosovë, se sa mbi 95% e popullsisë tjetër të Kosovës. Me atë pako ligjesh të çoroditura na janë hequr simbolet kombëtare dhe na është imponuar hymni pa tekst. Po me atë pako ligjesh na janë hequr festat kombëtare dhe nuk kemi as Ditën e Çlirimit, që tregon haptas se Kosova ende nuk është e çliruar. Edhe zbatimi i këtyre ligjeve të çoroditura, që favorizojnë serbët, pengohet nga qeveria kriminele e Beogradit, gjithnjë me përkrahjen dhe nxitjen e vëllezërve kriminelë nga Moska, drejtuar nga prijësi i tyre Vladimir Putin.

Megjithë privilegjet, i pengon gjithçka ngjan në demokraci

Klani mafiozo-kriminel moskovito-beogradas, assesi t'i bindet bashkësisë ndërkombëtare, për respektimin e vullnetit të popullit të Kosovës dhe për të pranuar shtetin më të ri në botë. Kupola mafioze e Moskës, e udhëhequr nga kryekrimineli Putin, ende vazhdon t'i bllokojë proceset në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të zhvlerësuar Rezolutën 1244, për të mbyllur misionin famëkeq të UNMIK-ut dhe për t'i hapur udhë misionit tjetër arbitrar EULEX.

Mbas të ashtuquajturave bisedime shtesë, që poashtu dështuan dhe mbas bllokadave në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga klika mafioze moskovite, bashkësia ndërkombëtare u përball me një sprovë të re, në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Duke respektuar Planin e Ahtisaarit, u vendos që të themelohet misioni i ri arbitrar – kësaj radhe nga Bashkimi Europian – EULEX. Mirëpo, edhe këtë misoion Moska zyrtare, bashkë me satelitin Beograd, e kundërshtojnë tmerrëzisht. 

Në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, liderët e institucioneve shtetërore të Kosovës (presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit), e përgatitën shpalljen e pavarësisë, që u bë më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës dhe u nënshkrua nga 109 deputetë, prej 120 sa ka parlamenti ynë. Munguan nënshkrimet e 11 deputetëve serbianë, vende këto të falura sipas ligjeve absurde që i favorizojnë ata. Më 9 prill 2008 u miratua edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, gjithnjë me bekimin e bashkësisë ndërkombëtare, që poashtu u jep të drejta të tepruara serbëve në Kosovë, por që në emër të demokracisë e kemi pranuar – edhe si kusur të tepruar për të paguar shtetësinë tonë, simbas pakos së Ahtisaarit.

U bë një flamur pa simbole kombëtare dhe u miratua hymni pa tekst. Edhe në emër të decentralizimit synohet kostituimi i komunave të reja në lokalitetet me popullsi serbiane. Gjithçka e tepruar dhe e dalur jashtë normave të demokracisë. Dhe prapëseprapë Beogradi nuk do të ndjej për këto ndryshime. Qeveritarët serbianë ende trumpetojnë me ehon e avazit të tyre të vjetër, duke mos e pranuar shtetësinë e Kosovës dhe duke nxitur konflikte të reja. Moska zyrtare, në planet mafioze shumë të rrezikshme për paqen botërore shkon aq larg sa që bind Kinën dhe Indinë dhe kërkojnë bisedime të reja për statusin e Kosovës. Kërkojnë bisedime edhe tash tre muaj mbas pavarësisë, kur shtetin e Kosovës e kanë njohur më shumë se 40 shtete – shumica e vendeve të Bashkimit Europian dhe vendet kryesore të arbitrazhit botëror dhe të fuqisë ekonomiko-industriale (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia, Kanadaja, Australia...). Edhe në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara vazhdojnë orvatjet qyqare të mafiozëve zyrtarë  nga Moska e nga Pekini, për ta bllokuar një rezolutë të re mbi Kosovën, që do të shënonte fundin e UNMIK-ut dhe do të hapte epokën e EULEX-it. Vendet arabe dhe të tjera, që dikur ishin aleate të ish diktatorit pushtues Tito, në të ashtuquajturin bllok të të painkuadruarve, edhe më hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës. Edhe më vazhdon të jetë në fuqi marrëveshja famëkeqe ruso-turke e shekullit XIX, për ndarjen dhe copëtimin e tokave shqiptare dhe marrëveshjet turko-jugoslave, për zbrazjen e territoreve shqiptare nga shqiptarët dhe popullzimin e territoreve anadollake në Turqi, me shqiptarë.

Një marshim historik në mbrojtje të tërësisë territoriale të vendit tonë

Mendoj se ka ardhur koha e një vendim ihistorik: liderët e institucioneve të Republikës së Kosovës t'u thonë JO, njëherë e përgjithmonë, tregtimeve dhe kusuritjeve të autoriteteve të Moskës dhe aleatëve të tyre mbi tokat tona dhe mbi kurrizin tonë, kurse bashkësisë ndërkombëtare t'i kërkojnë veprim të menjëhershëm në mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të mbarëfunksionimit të Republikës së Kosovës mbi çdo pëllëmbë të territorit të saj, ose t'u kërkojnë leje për të vepruar vetë, me policinë tonë dhe me Forcat e Sigurisë së Kosovës. Do të ishte shumë i logjikshëm edhe një vendim i menjëhershëm, që nga data 16 qershor 2008 të urdhërohet mbyllja e përfaqësive të të gjitha vendeve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe largimi i të gjithë ushtarëve nga KFOR-i dhe i policëve nga policia ndërkombëtare, që vijnë nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin e vendit tonë. Me plot të drejtë ata (të armatosur) mund t'i konsiderojmë si pushtues mbi trojet tona.

Populli i Kosovës ka para veti edhe një detyrë historike – mbrojtjen e vendit. E dijmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar edhe me bekimin e qarqeve ndërkombëtare, hyn në fuqi më 15 qershor 2008. Që të nesërmen, pra më 16 qershor 2008 ua kemi borxh vendit tonë dhe gjakut të dëshmorëve të lirisë, që të ngritemi në mbrojtje efektive të çdo pëllëmbe të tokës që quhet Republika e Kosovës. Pra, më 16 qershor 2008 do të duhej që mbi një milion shqiptarë të marshojnë në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në komunat tjera (Zveqan, Zubin Potok e Leposaviq), duke kaluar urën famëkeqe ndarëse – pa armë, pa ofendime, pa sharje – me këngë patriotike e me britma të fuqishme për paqe, liri, demokraci e barazi. Megjithë kërcënimet që do të jenë evidente, nga KFOR-i, nga policia ndërkombëtare, por edhe nga agjentët serbianë që janë autorë të dhunës përtej Ibrit, një marshim spontan i popullit të Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës është i domosdoshëm dhe ai marshim duhet të ndodh pikërisht më 16 qershor 2008. Kështu, serbëve u jepet mesazhi vendimtar dhe i merituar. Ose do e pranojnë shtetin e Kosovës e do jetojnë (të privilegjuar) në mesin tonë, ose le t'i mbledhin plaçkat bashkë me mbeturinat e ëndërrave të tyre mitologjike dhe le të shporren drejt Karpateve. Mbase do e përjetojmë edhe Ditën e Çlirimit të Kosovës dhe do e kremtojmë gjithmonë më 16 qershor!!!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora