E hene, 14.10.2019, 04:24 AM (GMT+1)

Kulturë » Muzikë

Flet tenori me famë botërore Agim Hushi

E hene, 18.11.2013, 07:03 PM


Politika shqiptare i ka shumë borxhe kulturës

Kultura jonë për fat të keq është nëpërkëmbur nga të pakulturuarit

Kulturën duhet ta përçojnë gazetarët, ndryshe kemi të bëjmë me dramë kombëtare

“Amore grande” një album që përcjell mesazhe dashurie mes njerëzve

Nga Albert ZHOLI

Para disa ditësh në hollin e TKOB, rastësisht takova tenorin me famë botërore Agim Hushi. Njiheshim prej kohësh nëpërmjet FB, por kurrë nuk ishim takuar. Takimi me të qe një befasi. Një njeri i qeshur, i dashur, komunikues, plot mirësi. Bashkë me bashkëshorten Kristinën, kritiken  korrekte të tij, biseduam gjatë rreth artit. Pashë se ai i njihte mirë problemet e artit shqiptar. Në bisedë ishte i thjeshtë dhe shumë korrekt. Kur do ndaheshim ai më dhuroi Cd (albumin) e fundit “Amore mio”. I detyruar nga profesioni kam 18 vjet që i frekuentoj rregullisht operat, kryesisht veprat premierë. Në këtë album dëgjova një zë perfekt, të plotë, plot emocion. Një vokal të përpunuar deri në detaj, një zë që të rrëmben për të të çuar në ëndrrat  e qetësisë shpirtërore. E dëgjova deri në fund dhe mund të them se ky album përbën një nivel artistik të arrirë, një orkestër perfekte tejet profesionale, një lidhje organike mes tingujve dhe zërit deri në përsosmëri. Harmonizmi i të gjitha elementëve orkestror dhe zërit magjik të Agimit, kanë një finesë dhe origjinalitet, që çdo kush pas dëgjimit të dytë, mund të thotë, ky zë qiellor është i Agim Hushit.

Problemet e kulturës janë evidente në Shqipëri si do t’i komentonit ju ato?

Unë dua të falënderoj përpjekjet që bën gazetaria shqiptare për evidentimin e problemeve, sukseseve, arritjeve, por dhe kritikat për fenomene të ndryshme. Por unë kam dhe një objeksion shumë të rëndësishëm. Kultura është damari më i rëndësishëm që e evidenton një komb. Kultura është ajo pjesë  në të cilën shërohen të gjitha problemet e kombit, qoftë ekonomike, qoftë sociale, qoftë sociologjike. Kultura është ajo fizionomi  që mund ti  shërbejë të ardhmes së kombit dhe mund ti çojë shqiptarët drejt realizimit të ëndrrave të tyre kombëtare por edhe më gjerë në konsolidimin e tij si shtet, si komb. E them këtë  se kultura jonë për fat të keq është nëpërkëmbur nga të pakulturuarit, është  trajtuar si tërësore, apo pësore, për të mos thënë që ndonjëherë nuk është trajtuar fare. Të trajtosh kulturën do të thotë të marrësh një përgjegjësi më të madhe se vetë filozofia apo politika e një vendi, të kuptosh kulturën do të thotë të kuptosh një qenie njerëzore, të kuptosh të qënit një qytetar i  mirëfilltë, i mbështetur  në traditat e kombit që kërkon të zhvillohet. Kur kultura nuk kuptohet, nuk vlerësohet, kur anashkalohet, sidomos nga  që e promovojnë atë, pra gazetarët, kur ata vetë nuk e kuptojnë këtë rol, këtë rëndësi specifike të kulturës, ahere kemi të bëjmë me një dramë kombëtare.

Dramë jo tragjedi?

Po, e them dramë kombëtare për arsye se kur shoh nuk shkruhet realiteti në të gjitha format, me problematikën, me stanjacionet me zhvillimet, kur nuk ka ngritje zëri për problemet e shumta kulturore, ahere politikanët flenë  rehat me fitoret e tyre numerike, pa pasur kurrë interes që të shqetësohen për ngrehinat kulturore në këto 23 vjet.

Mos vallë dhe CD jote e fundit, brenda këngës ka tematika që trajton këto fenomene dhe probleme?

Besoj se ka. Ose përbëjnë thelbin e CD sime të re. “Amora Grande”, (Dashuria e madhe) është kjo për të cilën folëm më sipër. Bota po kalon një krizë, një krizë që është shumë dimensionale. Aktualisht nuk ka ndryshuar as fuqia punëtore, as fabrikat, uzinat, (madje janë shtuar), nuk janë tharë lumenjtë, nuk janë tharë detet, nuk është zbehur dielli, përkundrazi shkenca  është zhvilluar më shumë. Ndërsa të ardhurat e njerëzve kanë rënë dhe po shihet një varfëri globale. Pikërisht, sot vihen re politikanë që nuk respektojnë sa duhet vlerat kulturore, ndaj dhe bota ka një krizë. Pa kulturë, s’ka përparim, s’ka prosperitet. Me atë bindjen time prej artisti, duke qenë se kam studiuar për letërsi dhe kam lëvizur shumë nëpër botë, nuk them se kam arritur ndonjë gjë të madhe, por në jetën time me atë kulturë që kam, kam respektuar vendin tim, dijet e mia, kam transmetuar arritjet kulturore të kombit tim. Ndaj them që edhe në gazetari edhe në politikë, kur flitet për artin duhet të thellohen, të thellohen në mesazhet që japin, në realitetin që japin, sepse rubrika kulturore  zgjon vlerat për të cilat njerëzit kanë nevojë të marrin sot në botën e globalizmit. Rubrikat kulturore të jenë të ndjeshme, të balancuara, korrekte dhe të vazhdueshme. Duhet përhapur balanca kulturore korrekte, pa ngritur idhuj  që nuk kanë vlerë dhe të përcjellin ndërtuar, vlera që kanë vlerë. Rubrikat kulturore janë nj mesazh më i madh se çdo fjalim politik. Kjo është dhimbja ime në rubrikat kulturore në mediat shqiptare. Faqet e gazetave mbushen me politikë, hapen me politikë dhe kultura rri në fund

Të ndalemi më gjatë tek CD-të e fundit?

“Amore mio”, është akumulimi im shumëvjeçar në fushën e muzikës që përfaqësoj, si në nivel artistik edhe atë profesional. Kjo është për mua një ngjarje e madhe, si një arritje e pjekurisë time artistike, por  që është pjesë e kulturës shqiptare, e vendit që unë përfaqësoj.

Me cilën orkestër është realizuar kjo CD?

Kjo CD është realizuar me një orkestër shumë profesionale, me një dirigjent të shkëlqyer. Pra Orkestra ku është realizuar CD është në Sofje, me shumë profesionalizëm. Është  detyrë e kritikës t’i nxjerrë në pah këto vlera, por unë do të përcjell paksa mënyrën e realizimit. Pasi tashmë kjo CD nuk më përket mua, por dëgjuesit shqiptar, kulturës shqiptare, artit shqiptar.  Pra i gjithë incizimi është bërë në Sofje të Bullgarisë, ndërsa montazhi përfundimtar në Vjenë.

Si është pritur në Austri kjo CD?

Unë s’duhet të flas për veten time, por di që nga e gjithë kritika europiane, është mirëpritur dhe kjo CD do të bënte krenar jo çdo individ, por edhe çdo komb. Dojçe Gramafon e quajti një stuhi, lum ndjenjash, stuhi e paparë. Por janë shumë kompani të tjera menaxhimi që ju mund t’i gjeni në internet se si janë pozicionuar, duke e cilësuar që nj CD e tillë kërkon nj distributor botëror. Pra tashmë jemi në trataktiva për lidhjen me menaxherë të ndryshëm apo distributorë që kjo CD (album) të shkojë tek të gjithë dëgjuesit në shkallë botërore. Gramola, ka marrë ekskluzivitetin në Vjenë, një Shtëpi Diskografike më e vjetra, e vitit 1924, ku pronarë  janë familja Uinters. Kjo Shtëpi Diskografike ka marrë më parë të drejtën e distribuimit të CD-ve të tenorëve më të mëdhenj. Vetë kryetari i kësaj Shtëpie ka theksuar se dalja e kësaj CD-je ka treguar se Shqipëria ka një kulturë të madhe. Madje, më ka bërë dhe një pyetje me cilët tenor të mëdhenj botërorë ke studiuar dhe unë i thashë me Ramiz Kovaçin në Shqipëri. Por jam specializuar me Franko Karelin. Ky art theksoi lidhjet me një kohë të Di Stefanos së madh.

Pse pikërisht titulli “Amore Grande’?

Unë kam dhënë dashuri gjithë jetën, jam përpjekur që botën ta shoh në anën e saj më të mirë të saj, se n.q.s  e sheh në këtë mënyrë, mund të bësh korrigjimet për të kontribuar në të mirë të njerëzimit. Unë besoj tek fjala e mirë, mesazhi i mirë, buzëqeshja e mirë, tek shpirti i mirë, tek kolegjialiteti,  reciprociteti, tek çdo e mirë që bota të eci përpara. Me këtë CD desha të ndërtoj një repertor me plot mesazh, me dashurinë për botën, për njeriun, pasi kjo CD më ka kushtuar  shumë kohë. Më ka kushtuar kohë, pasi doja të ishte një CD e freskët, origjinale, pasi shumë këngë të tjera si  “Un amore cosi grande”, “Amore mio”, janë këngë që kanë kënduar të gjithë tenorët më të mëdhenj në të gjitha kohërat. Këtu janë këngët e Pavarotit, Di Stefanos, dhe për mua është një  kontribut sado modest për kulturën shqiptare. Për këtë arsye për këtë CD punova dy vjet, natë e ditë, jashtë formateve mediatike, jashtë trumbetimit me bujë, pasi ky album CD më mbush më frymëzon, dhe më shtyn për më përpara. “Amore Grande” u krijua si një formë dashurie, me pak nostalgji, me pak lot, por aty janë bindjet, gëzimet, arritjet e mia, janë zhgënjimet dhe peripecitë në rrugën e vështirë të artit.

- Në repertorin tim kam shumë opera, por un s’jam partizan i sasisë, por i cilësisë. Po them se dhjetë opera i kam të mijat dhe ato janë operat më të vështira dhe më të kërkuarat si: Turandot, Manon Lescout, Il Trovatore, Cavaleria Rusticana, Otello, Pagliaci, Tosca, Aida, Andrea Schenier, Carmen

- Tenorët e mijë të preferuar janë: Di Stefano, Pavaroti, Domingo, Jose Carreras dhe Profesori im Franco Corelli

Familja

- Familja edhe tek një këngëtar si për çdo profesion tjetër do thoja, është ajo energji dhe forcë e padukshme që të jep krahë, të mbush dhe të shtyn përpara, ti japësh gjithçka publikut por dhe atyre njerëzve tuaj të dashur që prej vitesh nuk lodhen duke të ndjekur, duke të ndihmuar që performanca jote të jetë maksimale, duke ndarë me ty çdo detaj dhe shqetësim që ofron jeta artistike e një këngëtari që është çdo dit në lëvizje

E veçanta

Duke qenë se un kisha përfunduar një herë studimet e larta, në kohën e monizmit ishte e ndaluar vazhdimi i dy fakulteteve, kështu që u vendos që duke patur parasysh dhe formimin tim të përgjithshëm kulturor, që unë të vazhdoja vetëm studimet muzikore si një rast i veçantë, në Teatrin e Operës duke qenë njëkohësisht i emëruar aty si solist. Dhe mësuesja ime e kantos u caktua Nina Mula, mësuesi personal i solfezhit i madhi Simon Gjoni dhe mësuesja e pianos Lili Tafaj. Unë u emërova në një institucion të tillë kulturor që ishte maja dhe kulla e fildishtë e kulturës shqiptare e asaj kohe, ku unë firmosja borderonë përkrah emrave të mëdhenj si: Gaqo Cako, Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, Tatiana Kora, Edit Mihali, Ibrahim Tukiçi, Hysen Koçia, Shqipe Zani, Gjergj Sulioti e Fitore Mamaqi.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT