E shtune, 20.04.2024, 12:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Telenovelat dhe letërsia rozë

E hene, 18.11.2013, 09:05 PM


Intermexo

Edhe njëherë për telenovelat dhe letërsinë rozë

Nga Vangjush Saro

Po shoh që ndonjë mik tek-tuk mund të jetë “adhnuar” me mua, pas esesë “Nuk kam asgjë me telenovelat”, që u publikua në disa rrjete. Duke qenë se nuk jam një prej atyre që “nuk ua ndjen”, përkundrazi i druhem çdolloj mërie e mërzie (ndër miq), më duhet ta rimarr temën. Shpresoj, pa bezdisur askënd. Do të parashtroj të njëjtat bindje në lidhje me vlerat e kufizuara të telenovelave dhe të letërsisë së lehtë apo letërsisë rozë. Të kuptohemi, ato s’janë kundër njerëzimit, de. Ndonjëherë, kam parë serialë që më kanë pëlqyer. Kështu, unë e shikoja me një sy telenovelën turke “Gymysh”. Më pëlqente ajo “micka”, ngase ishte e ëmbël, e butë dhe në të njëjtën kohë, e qendrueshme dhe me karakter të fortë; një kombinim perfekt. Dikur kam ndjekur edhe seri të “Beautiful”. Por më pëlqente në mënyrë të veçantë “Friends”. Edhe “Two and a half men”, sidomos kur luante Charlie Sheen. Tani më tërheq shumë “Betrayal”, një serial me mjaft pretendime artistike...

Duhet të kuptojmë që gjithnjë janë shkruar letërsi të ndryshme dhe janë kultivuar arte po ashtu. Dy shekuj më parë, krahas rymave të tjera letrare, lindi edhe një drejtim që u quajt sentimentalizëm. Nuk është ndonjë mëkat se pëlqen apo shkruan në këtë atmosferë; përkundrazi, kjo letërsi heraherës lulëzon dhe shitet më shumë se letërsia më serioze. Autorët e saj janë të nderuar, ndonjëherë të pasur. Nuk është faji i tyre apo i paraardhësve të tyre që njerëzimit i mbetet pakgjë ose asgjë nga shkolla këso, ndërkohë që trashëgohen dukshëm pamje të letërsisë dhe artit të klasit më të lartë: U. Shekspir, M. Servantes, H. De Balzak, L.Tolstoi, F.Dostojevski, O. Uajld, M. Tuen, Xh. Ostin, K. Kolodi, F. Kafka, Xh. Xhojs, A. Kamy, etj., emra në dimensionin e të cilëve më vonë qasen bindshëm R. Frost, J. Borhes, H. Saramago, G. Markez, P.Coelho, D. Lesing (që sapo është shuar), etj.

Kështu janë punët. Nuk kisha dhe prapë nuk kam asgjë me telenovelat dhe me letërsinë e lehtë dhe rozë, qoftë poezi, qoftë prozë; shkoi edhe në rimë. Është një letërsi ku ka shumë afsh-e, psherëtima dhe shtirje, (gjëra që mua personalisht ma shpifin). Ato mund t’i pëlqejnë dikujt, madje shumëkujt, ato mund t’i çmendin disa lexues dhe këta, me lektisjet e tyre, i shpien autorët e shkretë në qiellin e shtatë; por fundja këto janë pëlqime vetiake, që shpjegohen me një sërë arsye dhe për të cilat duhet një kohë që t’i shtjellojmë. Formimi kulturor dhe shijet do të ishin më evidente në këtë shpjegim. Që t’i vë pikë, çdo punë, përpjekje e krijim, ka vlerën e vet. Edhe vendin e vet, doemos. Këtu ndahemi. Nuk ka asgjë për t’u “adhnuar”...

Lexohemi.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora