Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Armë kimike 3

| E hene, 18.11.2013, 08:10 PM |


Armë kimike 3

Nga Elvi Sidheri

Kaluan protestat, kaloi sheshi i mbushur me të rinj, kaluan thirrjet shpesh edhe me theks dhe përmbajtje apokaliptike në Facebook, kaloi fjalimi i gjatë demagogjik i kryeministrit (“Laviret e bulevardit” u zëvendësuan me “Derra”) dhe qetësia ra sërish në të bukurin vendin tonë të bekuar nga Perëndia me natyrë, male, fusha e kodra, liqene e lumenj, detëra e maja të larta tërë pyje e gjelbërim, por të trajtuar nga dora njerëzore, si kryekoshin e mbeturinave të këtij kontinenti ku banojmë edhe ne shqiptarët.

Kush fitoi, kush humbi?

Është kjo pa as më të voglin dyshim, pyetja më retorike e mundshme, pasi të fituar ka shumë, të gjithë praktikisht, bashkë me kryeministrin të cilit i ra barra e rëndë (edhe po të qe ofruar vetë për këtë shërbim ndaj aleatit të madh, siç thonë gojët e liga)...që të mbajë mbi supet e tij 2 mujore (foshnje praktikisht sa i përket pushtetbërjes dhe pushtetmbajtjes, kur edhe pushtetmarrjen e siguroi falë aleatit politik më të padashur dhe të luftuar me mish e me shpirt përgjatë viteve të tëra)...peshën e një vendimi si ai që na deklamoi të premten e kaluar.

2 milionë e tetëqindmijë banorët e Shqipërisë dhe 1 milionë e gjysëm të tjerët që aty kanë lindur dhe që prej vitesh jetojnë jashtë mëmëdheut të tyre tashmë përfundimisht të sigurt pa armë kimike të tjetërkujt, janë të gjithë pra papërjashtim, vetëm fitues në këtë betejë të opinionit publik dhe shoqërisë civile, kundër importit të armëve kimike siriane.

Import dhe vendim që siç u pa qartazi, ishte fare i  padiskutuar me asnjë qytetar të këtij vendi më parë nga ana e qeverisë.

Të tjerat janë veçse fjalë në erë, gojë që futen në punë, përpjekje për të nxjerrë përfitime politike aty ku nuk del gjë, ngjyrë që tentohet partiakisht t’i kalohet përsipër me shpejtësi dhe pa bindje apo argumenta qënësorë, murit tek i cili shqiptarët pa dallim, shkruajtën të gjithë një refuzim të madh jo vetëm ndaj këtyre armëve kimike të Asadit, por edhe ndaj kujtdo që do të vendoste për fatin e tyre dhe brezave të ardhshëm, pa marrë as edhe mundimin më të vogël t’i pyesi njëherë sikur edhe sa për të thënë!

NATO nuk na e kishte kërkuar absolutisht dhe kjo u sqarua pa ekuivok.

Luftën në Siri nuk jemi neve që e kemi shkaktuar ndërkohë, Asadin s’e ka vënë në pushtet Shqipëria, kundërshtarët e tij s’i kemi shtyrë ne që t’a luftojnë diktatorin e as që të kryejnë edhe më tepër krime lufte sesa ai vetë që kur ka nisur ky konflikt që duket të ketë zënë mat një botë të tërë, duke përfshirë këtu edhe dy fuqitë e mëdha, SHBA-në dhe Rusinë që tenton të ngrihet sërish në lartësinë e BRSS-së së dikurshme.

Amerikanëve, aleatëve dhe miqve tanë më të mirë, nuk u tha njeri JO, as qytetarët e lirë shqiptarë që kishin ditë që e gdhinin para kryeministrisë dhe që ngrinin zërin e protestës anembanë vendit...e as edhe vetë kryeministri ynë i zgjedhur siç vetë nuk harron të na e kujtojë sa herë mundet, me 1 milionë vota “shqiptarësh të mirë”, por që në atë post edhe vënë kushtetueshmërisht, edhe që të përfaqësojë po ashtu ata 700 mijë derrkucët apo gicat që s’e patën dëshirën dhe zgjedhjen e lirë që t’a votojnë, si dhe shumëqind mijë të tjerë, që nuk kanë votuar fare për askënd.

Kryeministri në logorenë e tij karakteristike (jo se ai paraardhësi, fliste më shkurt dhe me më tepër kulturë komunikimi sidoqoftë)...na tha neve shqiptarëve dhe mbi të gjitha miqve tanë amerikanë, se ai vetë dëshironte megjithë shpirt, që të thoshte një PO aq të madhe sa brenda saj të hynin jo vetëm 1290 tonelatat e armëve kimike të Asadit (se pale me to siç na sugjeroi një deputet gjatë protestave, mund të lanim edhe duart pastaj, si të qe sapun)...por edhe uraniumi i pasuruar (për armë bërthamore) i Iranit e pse jo, edhe bombat bërthamore të Koresë së Veriut!

Keni ndonjë gjë shfarosëse (armë kimike, gaz vdekjeprurës të çdo lloji, pajisje bërthamore) ore regjimër diktatorialë të këtij planeti?-Silleni tek ne se kemi vend stokimi sa të duash (uzinat e kohës së monizmit, tunelet nëpër male e shkëmbinj bregdetarë), opinion publik fare, njerëz që t’a çajnë kokën për atë që dikush me sado pushtet të vendosë për fatet e tyre, edhe ashtu nuk kemi, prandaj jepini se na keni gati!

Amerikanët siç pamë dhe dëgjuam, pasi jetojmë për fat në një botë të globalizuar dhe të pranishme po aq në rrjetin global të internetit, sa edhe në realitetin jo-virtual, këtë kërkesë ua kishin bërë shumë vendeve, mes tyre edhe ne.

Të tërë deri tani, janë përgjigjur si ne!

Mos u armiqësuan edhe norvegjezët dhe belgët për shembull, me SHBA, për shkak të këtij refuzimi nga ana e tyre?

Mos do quhen tani ata shkaktarë të ngecjes së zgjidhjes së luftës në Siri, për shkak të këtij vendimi sovran të qeverive të tyre demokratikisht të zgjedhura nga popujt e atyre vendeve gjë?

Është e thjeshtë të kuptohet, që si norvegjezët e si belgët, kanë qeveritarë që e dinë shumë mirë se çfarë kapacitetesh kanë vendet e tyre për të marrë dhe stokuar në rastin më të mirë, apo edhe më tepër, për të asgjësuar brenda territorit të tyre, armë më një fuqi shfarosëse kaq të madhe.

Belgjika ndër të tjera është një vend gati po aq i madh sa Shqipëria (30 mijë kilometra katrorë) dhe me një popullsi dhjetë milionshe, pra me një densitet banorësh shumë më të lartë se vendi jonë, ku do të ishte e pamundur të plotësohej edhe një kriter i vetëm sa i përket stivosjes dhe procedurave të tjera që kanë të bëjnë me armët kimike.

Norvegjia mund t’i çonte armët e Asadit në arqipelagun e largët dhe të ngrirë Shpitzbergen, të banuar shumë pak, me tepër borë dhe faunë polare, ashtu si edhe minerale të shumta, por dyshoj që qytetarët tejet ambientalistë norvegjezë, do t’a kishin lejuar ndonjëherë të ndodhte një gjë të tillë.

Çdo vend sovran ka rregullat e tij, kriteret e detyrueshme mjedisore për të zbatuar dhe mbi të gjitha, kur bëhet fjalë për vendime kardianale, që lidhen me të ardhmen, mirëqënien dhe jetët e gjithë banorëve të vet, atëherë populli merret në konsideratë dhe çështje të tilla, në rradhë të parë diskutohen gjerësisht, bëhet fushatë ndërgjegjësuese lidhur me shkaqet dhe arsyet, të mirat apo të këqijat, ”Po”-në apo “Jo”-në, përfitimet apo ato humbjet që burojnë nga diçka e tillë.

Kur mbizotëron hutimi, terri, heshtja dhe fshehtësia apo mbyllja e qëllimshme e gojës nga ana e atyre që duhet të flasin dhe të sqarojnë popullin e vet, atëherë nisin legjendat urbane, zmadhohen gjërat, flitet për apokalips kimik, fillon frika e përgjithshme nga ndonjë incident shfarosës me përmasa biblike, dalin njerëzit në protesta, rrethohet paqësisht kryeministria, ka fushata mbarëpopullore në kërkim të “JO”-së dhe transparencës e gjëra të ngjashme.

Të themi dhe mendojmë, se katet e larta të pushtetit tek ne, kanë llogaritur gabim aftësinë reaguese të popullit të tyre, të cilin deri para pak ditësh (sidomos para të premtes 15 nëntor) e dinin pa këllqe, pa shtyllë kurrizore dhe pa zë, pa opionion të vetin e pa kurajo për të protestuar qytetarisht, masivisht, pa dallim moshe, arsimimi, shtrese shoqërore, bindje politike, krahine apo përkatësie fetare, kundër një vendimi.

Vendim për të cilin, popullit (masës, turmës, votuesve, sovranit)...s’ia kishte vlerësuar kush opinionin e vet apo marrë qoftë edhe formalisht, mendimin apo aprovimin e nevojshëm.

Demokracia, sovraniteti i popullit që bën qeverinë dhe institucionet falë votës së tij të lirë...këto pra, nuk janë dhe kurrësesi nuk duhet të mbeten vetëm fjalë të bukura për t’u thënë nëpër konferenca para të huajve, apo për t’iu hedhur si hi syve GJINDJES (të cilën, aty lart në “Olimpin” e politikës, e shohin përherë, tani ndoshta më pak të detyruar nga ngjarjet e fundit...si të pagdhëndur, injorante, pa opinion të pavarur, si të marrëshme për hunde në çdo situatë, të manovrueshme dhe të patru)...sa herë ndonjë lider politik, kryeministër, kryetar opozite apo parlamentar që zakonisht mezi lidh dy fjalë bashkë, mban fjalimin e rradhës para mikrofonave të medias.

Me 23 qershor, e majta e bashkuar fitoi, e bëri këtë ndryshim me një ortek votash popullore, ndokund (apo shumëkund siç thonë të mirëinformuarit jo vetëm djathtas), këto vota edhe u blenë për pak lekë (të varfër shqiptarët, edhe kërkesat i kanë të ulta), por një fakt i tillë i njohur, sadoqë i lënë në cep të vëmendjes, sërish nuk mohon dot të vërtetën e një triumfi të madh të ish-opozitës dhe një tkurrje madhore të së djathtës së majmur dhe përgjumur nga pushteti i gjatë.

Por më e rëndësishmja dhe themelorja e 23 qershorit, përveç “shuplakave” dhe 1 milionë folklorizmave të tjera harbute që këndon sot politika jonë (si “Luga në brez”e 45-ës, ”Çeku i bardhë” i 92-shit, premtimet e majta të 97-ës apo “Duart e pastra” të 2005-ës), qëndron në faktin, se banorët e fisëm të Shkodrës, sa edhe ata malësorët ose fshatarët e varfër të Veriut, nga Puka në Dibër, nuk pranuan më që të trajtohen nga e Djathta, si numra, si votues të verbëruar nga bindja e tyre kundrejt urdhërave të Partisë dhe Udhëheqjes (PD-së dhe ish-liderit të saj 23 vjeçar).

As “gogoli komunist” nuk funksionoi më, qoftë edhe tek shumë të djathtë 24 karatësh.

Ky ishte ndryshimi i madh dhe epokë-shenjues i 23 qershorit.

Ndryshimi politik, rotacioni (me gjysmën e qeverisë së shkuar akoma në pushtet)...”Rilindja” e supozuar e gjëra të tilla, janë me interes dhe impakt shumë më të vogël për zhvillimet e ardhëshme të vendit tonë, sesa kjo sjellje e mençur e votuesve të djathtë, që i treguan partisë së tyre, se duhet t’i trajtojë me respekt, t’ua dëgjojë zërin dhe t’i llogarisë si njerëz dhe jo numra pushteti.

Ngjarjet që na shpunë ne të tërëve si banorë të Shqipërisë, deri tek 15 nëntori, ishin stacioni i dytë, i këtij ndryshimi të padëgjuar, të jashtëzakonshëm, që nesër vendin tonë, do t’a transformojë në një shtet më të mirë (më të sigurt dhe pa armë kimike të satrapëve orientalë, tashmë jemi)...më të jetueshëm, vend ku qeveria dhe kryeministri, sado vota të kenë marrë në zgjedhje, sado deputetë të kenë në kuvend, sado të tillë të mund të blejnë kur ua do nevoja, sërish, nuk do të vendosin dot më për jetët tona, kur pesha dhe pasojat e vendim-marrjes së tyre, do të jenë kaq vendimtare për të ardhmen tonë të përbashkët.

Ç’do të ndodhte po të kishte referendum ndaj një PO-je?

Do t’a fusnim “kafshërisht” (shprehjet përhapen)...vendin në një referendum, që nuk kam dyshim, se shumëkush, nga çdo krah, do të shfrytëzonte rastin, t’a kthente nga një “Po” dhe “Jo” normale ndaj armëve kimike, në një mbështjetje apo refuzim kundrejt aleatëve dhe miqve tanë amerikanë!

Krim më të madh ndaj këtij vendi nuk do të kishte pasur!

Për fat që gjërat (falë demonstrimit popullor të forcës së opinionit publik të pjekur dhe të pavarur)...nuk shkuan deri aty!

Tani të gjithë marrim frymë më të lehtësuar, si ata që gjendeshin në sheshe apo kush i mbështeste me zemër (afër 90 %), ashtu edhe të tjerët që sot na flasin për pseudo-thyerje me aleatin tonë që aq shumë ka bërë për të ardhur dita, kur pikërisht këtë kulturë demokratike të tregonim hapur, të tërë ia kemi dalë mbanë, në një kontest ku ajo që fitoi ishte vetëm Shqipëria!