Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Tini Qerragjija

| E hene, 18.11.2013, 08:42 PM |


Tini Qerragjija, e lindur më 1 shtator 1974, në djepin e kulturës shqiptare, në Shkodër. Ka mbaruar gjimnazin në Shkodër dhe ka studjuar e mbaruar me sukses të plotë, mësuesinë, në Universitetin Luigj Gurakuqi. Meqë në rrethanat tona të tmerrshme të korrupcionit, s‘kishte mundësi të punësohej në profesionin e saj të shenjtë, tre vjet më parë, Tini u detyrua t’ia mësyejë mërgimit dhe u bashkua me familjen e saj, në Venedikun e mrekullueshëm në Itali, ku edhe sot jeton e vepron.

Që në moshën e hershme rinore, Tini kishte pasion leximin dhe filloi edhe të shkruajë. Qysh kur ishte në bankat e gjimnazit, filloi të shkruajë në revistën e shkollës dhe atë të kishës, afër shtëpisë së saj. Që në poezitë e para të Saj, vërehej rrezatimi i një ylli të këndshëm artistik, në Shkodër po vezullonte edhe një yll i ri poetik. Është shumë normale dhe e arsyeshme të presim një poete të denjë nga Tini, sepse bota e saj është ndryshe nga moshataret e saj. Për atë parësore ishin librat dhe autorët klasikë, si: Viktor Hygo, Kamy, Kafka, Gibran etj. Ndërsa prej atyre shqiptar, më shumti i lexon Ismail Kadare-në, Dritëro Agolli-n, Mimoza   Ahmeti-n, e shumë të tjerë...

Tini ende nuk ka botuar libër, por e ka gati në dorëshkrim dhe së shpejti do e kemi në duar librin e saj të parë. Ka botuar në shumë revista dhe dritare interneti, në Shqipëri, në Kosovë dhe në diasporë.

 

DENONCIM

 

Ai gjurmon mbetjet e frymës,

Që kacavirren mbi lëkurën e zhveshur

Nga pikmentet surreale,

Të fateve,

Që thepisen nën rrogoset

Plot ulërimë grushtesh...

 

Aty ku kufinjtë

Përpjesëtohen...

Pertej halucinacioneve,

Duke zberthyer....

Atë univers të zbarkuar arenash,

Ku zhigolot e shitur pushtetesh

Pjellin mjerimet pa ngjyrë

të shpirtit...

 

Të atij shpirti gri...

Që ende gjurmon, mbetjet e frymës,

Pertej kufinjve perverse, të mbijetesës...

 

 

BARIU

 

I paepur

Zvarritet mbi atë fole të përfolur

Omegash

Ku synimet lakmojnë

Lëvozhgat ovale të tempujve

Që zgjojnë

Atë thirrje zanafillash

Prej vizioneve primitive

Të fyellit

Që rreshton figurat analfabete

Të përlara nga brymat kolektive

Të varfërisë

Duke u luhatur në ato çengele vathash

Ku çastet shumëzojnë numrat e varur

Kurrizesh

Ndërsa ti

I shtruar piedestalesh

Plot hire arritjesh

Feston përtej lakimeve

Të tredhur dënesjesh

Në ato bankete interaktive

Ku vlerat rrëshqasin mbi kupën

E përmbysur të suksesit

Duke plaqkitur shënjestrat

E çaluara

Mes turmës të zbehur premtimesh

Në ato moçale manifakturash

Ku vula ushujzash

Shtrydhin burimet e shqufurta

Kundërmuar fryme

 

 

GJETHJA

 

Gjethja një pikëlim e kryqëzuar

Ciklesh,

Përkëdhel fundet e rrjedhshme

Të erës,

Mbi ato fëshfërima të uritura

Fotonesh

 

Ajo

Një lamtumirë e adhuruar

Liturgjike

E flijuar në atë manastir

Fosilesh,

 

Rizgjon filizat përtej

Lutjesh

Mbi ato bulza të drujta

Folesh,

Që e nesërmja i përqafon në ato

Auditore të gjelbërta...

 

 

JETËS

 

Jeta,

një rrjedhë e trashëguar formash,

lutet në ato gravitete

devocionesh,

mes dhimbjeve të lëçitura,

në banketet e shpëtimit,

 

Ku alternativat varen në kordonet

e tejdukshme të iluzioneve,

 

Ku fajet u shesin mirazheve

pasqyrimin e vërtetësisë,

 

Ku uria ngop bordelet,

duke kafshuar simetritë e shpirtit;

 

Ku gijotinat ngecin,

mbi idetë e zbathura të përparimit,

 

Ku perëndorët çiftëzohen

me politikën e arnuar pushtetesh,

 

Ku meritat mbarsen,

në mbështjella vemjesh,

 

Ku dashuritë binjakëzohen

me degëzimet siamesë të çudive,

 

Ku faljet internojnë të pafetë,

në ato brigje monoteiste…

 

Aty, ku

hapat e rritur shkallëzimesh,

ndalojnë pragjesh,

duke mundur metamorfozat

abstrakte të frikës…

Për ZSH: Engjëll Koliqi