Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Dizdari: Legjenda e Lev Jashinit dhe edicioni i parë i Kupës së Evropës

| E marte, 27.05.2008, 07:37 PM |


Besnik Dizdari
Legjenda e Lev Jashinit dhe edicioni i parë i Kupës së Evropës

Nga Besnik Dizdari

Le ta lëmë për një çast Shqipërinë tonë dhe të çlodhemi paksa përmes kësaj rubrike me Evropën plakë të futbollit. Le të futemi paksa në ate që në fillim është quajtur Kupa e Kombeve të Evropës e që sot quhet Kampionati Evropian i Futbollit, edicioni i 13-të i fundoreve të të cilit nis mbas vetëm 10 ditëve, më 7 qershor 2008, me premierën e Bazelit, Zvicra– Republika Çeke.

Kësisoji, mendojmë se krijojmë pak mjedis historie për një prej ngjarjeve më të mëdha sportive të vitit 2008, që për habi sivjet as që po i dëgjohet zëri në shtypin shqiptar sportiv dhe jo, të cilit ia morën mendtë për javë e muaj “pseudokonflikti pseudopolitik” i Federatës Shqiptare të Futbollit me qeverinë e shtetit të saj.

Kështu pra, në një 50-vjetor të madh sportiv (1958-2008) siç është ky i themelimit të Kampionatit Evropian të Futbollit, shtyrja disi mbrapa në vitet futbollistike të shekullit të kaluar, na duket vërtet çlodhës.

XXX

Kampionati Evropian i Futbollit, ose Kupa e Kombeve të Evropës zyrtarisht ka nisur më 5 prill 1958 kur në Dublin është zhvilluar ndeshja e parë e tij, ajo përuruese Irlanda– Çekosllovakia 2-0, kthimi i së cilës, Çekosllovakia- Irlanda 4-0 është zhvilluar në Bratislavë, 10 maj 1958, një tur paraeliminator ky, që kalonte formacionin çekosllovak në 16-she të Evropës. Ndeshja e parë e 1/8 fundore, është ajo BRSS – Hungaria 3-1 në Stadiumin “Lenin” të Moskës, ose “Luzhniki” i sotëm, ai stadium ku të mërkurën e shkuar u zhvillua fundorja e Ligës së Kampioneve 2008, ajo Chelsea– Manchester United.

50 vjet më parë aty, në “V.I.Lenin” ka qenë diçka tjetër: kanë qenë 120.000 spektatorë– një rekord i Kupës së Kombeve. Për fat protagonisti i tregimit tonë të sotëm, Lev Jashin, nuk ka luajtur atë ditë. Ai ka luajtur ndeshjen e kthimit, atë të 27 shtatorit 1959 në “Nepstadion” të Budapestit, sot “Ferenec Pushkash”. Edhe këtu kanë qenë jo pak, por plot 90.000 shikues, të cilët kanë admiruar mrekullitë e Lev Jashinit përballë të të cilit edhe pse pa Pushkash, Cibor, Koçish e Zakariash, të shpallur armiq të Kampit Komunist, prap se prap ishte një Hungari me Grosic e Bozhik, me Matrai, Albert e Tihi.

Mandej e ka marrë fjalën politika. Shorti i çerekfundoreve është më i pamshirshëm se kurr: BRSS – Spanja! Më 22 maj dhe 9 qershor 1960! Bashkimi Sovjetik i Jashinit kundër Spanjës së një 11-shi fantastik me Di Stefano, Gento, Suarez e Kubala, çeko-hungarezin i cili më 1948 kish luajtur edhe në Tiranë me Hungarinë, po tashmâ i natyralizuar si shtetas spanjoll me dëshirën absolute të vetë gjeneralit Franko! Në 1/8 Spanja vallëzon dy herë me Poloninë 4-2 e 3-0, por në 1/4 është po gjenerali Franko që përcakton gjithçka. Lufta e ftohtë qëndronte si një re e errët mbi Evropë. Kapriçiot e shortit vejnë përballë njëri-tjetrit në tetëshe Spanjën me BS-në. Franko vendos të tërheqë skuadrën! Ai nuk pranon të ndeshet me vendin komunist me të cilin nuk ka as dhe marrëdhënie diplomatike. “Ishte gjenerali Franko ai që me këtë gjest do “t’i siguronte” BS-së titullin e Kampionatit të Evropës". Kështu vazhdon të thuhet sot e kësaj dite. Kampionati humb kësisoj në mënyrën më artificiale Mbretërinë e Spanjës. Do të ishte BS i Lev Jashinit “mbreti”...

Ai do të dukej si një kampionat i vendeve komuniste: Jugosllavia mposht Portugalinë (1-2 e 5-1) falë emrave të mëdhenj: Kostic, Shekularac, Galiç, Zebec, Shoshkiç dhe Fahredin Jusufi me origjinë shqiptare... Eshtë edhe Çekosllovakia që skarton pa probleme Rumaninë (2-0, 3-0). Eshtë dhe fatmadhi BS që vjen në katër më të mirat pa ndeshje, falë Spanjës dhe Luftës së Ftohtë. Perëndimi ka vetëm një përfaqësues, Francën e Kopas... Dhe dueli që merr edhe në këtë rast një pamje politike.

UEFA ndërkohë kishte vendosur që finalet të zhvilloheshin midis 4 më të mirave në vendin e një prej të kualifikuarve. Nuk mund të kishte mëtues më të përshtatshëm se Franca. Kishte shpikur Kampionatin Evropian me Henri Delaunay-n e saj, kishte një traditë të mrekullueshme futbolli, kishte kushte, kishte një skuadër të rrallë, të tretën e botës...

Mirëpo, më 6 korrik 1960 në Paris, 26.000 spektatorë do të vëzhgonin gati me indiferentizëm gjysmëfinalen e parë, atë Francë-Jugosllavi. E treta e botës është pa yjet e Suedisë, të mëdhenjtë Kopa, Fontaine e Piantoni. Franca arrin deri në 3-1. Por në fund Jugosllavia fiton 5-4 dhe për Francën ky kampionat nuk përbën më një ngjarje për t'iu kushtuar...

Po për çudi, atë ditë të 6 korrikut në Marsejë, tifozat jugorë të Francës nuk janë dhe aq indiferentë. Skuadra e BS përballë një Çekosllovakie e cila mbas dy vjetëve do të bëhej Nënkampione e botës, do të vërtetonte se nuk ishte vetëm një skuadër që përfitonte thjesht prej tërheqjes zhurmëmadhe të Spanjës së Frankos. BS ka një skuadër të mrekullueshme, padyshim ndër më të mëdhatë në histori, emra të paharruar, Jashin, Voinov, Neto, Ivanov, Ponedelnik, Metreveli, Mes'hi. Dhe një trajner mitik për historinë e saj, më të madhin e BS-së në të gjithë kohërat: Gavril Kaçalin. Katër vjet më parë ai e kishte bërë Kampione Olimpike skuadrën sovjetike, e cila në të vërtetë në këto katër vjet nuk kishte shpëtuar prej një goditjeje klasore të disa prej yjeve më të mëdhenj të saj në olimpiadë. Po për fatin e saj të madh, ka Lev Jashinin. Dhe BS-Çekosllovaki 3-0! Diçka e papërmbajtshme, një furtunë tipike ruse, ndonëse Mes'hi dhe Metreveli i përkasin republikave të jugut të gjigandit euroaziatik. Dy herë shënon Ivanov dhe një herë Ponedelnik.

Kampionati i parë Evropian, ose Kupa e Kombeve të Evropës, kishte përcaktuar kësisoji brenda një dite dy fundorët (finalistët) e tij të parë: Jugosllavi dhe BS. Ky kampionat i një "përmbajtjeje thuajse krejt sllave", megjithatë kishte një "kamp" që shkonte me emocion te fundorja e parë e një Evropiani. Ishte "kampi socialist". Sot duket si kalim i një prehistorie edhe për ne, shqiptarët, të cilët nuk e kishim Kombëtaren tonë prej më se 7 vjetësh (vetëm dy ndeshje miqësore). Në Tiranë vërshonte shtypi sovjetik mbrenda ditës. Ne të rinj entuziastë për futbollin, zinim rradhën te "Libri Sovjetik" dhe zhyteshim në hollësitë e një Kampionati që sapo kishte lindur, ndonëse jo për ne. Na dukej se i njihnim të gjithë: Jashin, Netto, Ivanov, Ponedelnik, Voinov, shkrimet e fotot për ta mbushnin edhe faqet e shtypit shqiptar...

"Fundorja sllave", luhej në Paris, në Parc des Princes. 10 korrik 1960.

Gavril Kaçalin përballë treshes së trajnerëve jugosllavë A.Tirnaniç, D.Nikoliç, Lj.Lovriç, prej të cilëve Aleksandër Tirnaniç kish qenë një nga futbollistët pjesëmarrës të Kampionatit të parë Botëror të Futbollit më 1930 në Montevideo dhe kishte qenë trajner i Jugosllavisë në Tiranë në Ballkaniadën e 1946-tës ku Kampione e Ballkanit qe shpallë Shqipëria e Loro Boriçit!

Jugosllavët kanë një dyshe të famshme sulmi! Shekularac - Kostiç. Sovjetikët një përvojë të tanë. Të gjithë specialistët ishin të një mendimi: ndodheshin përballë forca fizike dhe atletike sovjetike nga njëra anë, dhe teknika e taktika jugosllave nga ana tjetër. Megjithatë një njeri qëndronte mbi të gjithë, "merimanga e zezë" - portieri Jashin, ku siç shkruan një vëzhgues "pret të gjithë gjuajtjet e pritshme, por edhe ato të papritshme". Jugosllavët, të cilët paraqesin edhe një temperament jugor tipik mesdhetar e nuk i kalojnë të 23 vjetët, shënojnë të parët me Galic në të 41'. Por në të 49' pas një fortune që ka zgjatur diçka më pak se 300 sekonda, Metreveli i jep kthesë lojës me golin e barazimit. Do të ishte një 1-1 që do të zgjaste tejet. Fituesja varet diku në një hapësirë të pamatë kohe. 1-1 zgjat e zgjat edhe përtej 90 minutave, përtej kohës së rregullt. Shtesë 2x15 minuta. Dhe përsëri 1-1 edhe mbas minutave 100. Skuadrat fillojnë e mendojnë për 11-metërshat kur ja tek mbërrin minuta 113 dhe Mes'hi nis një top të lartë nga krahu për te porta e Vidinicit ku fluturimi i qendërsulmuesit Ponedelnik dhe goditja e tij me kokë përballë një mbrojtje të ngurosur jugosllave, fikson një 2-1 që vlente sa Kupa e parë e Evropës!

Asgjë nuk do të ndryshonte më deri në fund, deri në vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit anglez Ellis. Bashkimi Sovjetik bëhet Kampioni i parë i Evropës dhe Kupa "Henri Delaunay" ashtu e rëndë, e lartë, krenare, por ende e panjohur, përfundon në krahët e rusëve...

Dhe mbi të gjithë Lev Jashin "marimanga" 31-vjeçare i Dinamos së Moskës, me krahët si tentakula, i veshur krejt në të errta, artisti i portës i një interpretimi krejt origjinal të një refleksi të pakrahasueshëm në të gjithë epokat e futbollit. Pëson vetëm 1 gol dhe mënjanon një seri tjetër. Ishte një formacion "veteranësh", siç përcaktojnë vëzhguesit, dhe në çdo repart të 11-metërshit shndriste nga një yll: Jashin në portë, Krutikov në mbrojtje, Igor Netto universali i madh, në mesfushë, Ivanov aty pranë tij dhe Metreveli në sulm. Veç tyre 23-vjeçari i Spartakut të Moskës, Viktor Ponedenielnik i cili është përcaktuesi i gjithçkaje me golat e tij. Do të kishte më pas një karrierë të shkëlqyer gazetari dhe kryeredaktori në të përjavshmen "Futboll-Hokej", një nga botimet më tipike të publicistikës sportive sovjetike.

Por, siç kam shkruar në Librin “Kupa e Evropës”, suksesi i madh është edhe vepër e Gavril Kaçalin, trajneri 49-vjecar me një karrierë 16-vjeçare si sulmues, deri më 1945 i Dinamos së Moskës. Njeriu i cili katër vjet më parë e kishte udhëhequr BS në titullin olimpik. Autor librash teorikë për futbollin, i pazëvendësueshëm deri më sot si autoritet i futbollit rus, takticien i madh, për herë një trajner i avangardës, autoritar, themelues i shkollës sovjetike të futbollit, ai do ta drejtonte BS-në edhe në dy Kampionate të Botës. Kur lë Kombëtaren më 1962 ai shkon në Tbilis dhe bën kampione të Bashkimit Sovjetik, Dinamon gjeorgjiane! Ky rast ishte sensacioni i futbollit të vendit të sovjetëve...

Kupa "Henri Delaunay" kish marrë rrugën e Moskës...

XXX

I pari i të parëve ishte portjeri Lev Jashin, i cili mbetet sot e kësaj dite, deri në këte 50-vjetor të Kupës së Evropës, i vetmi portjer i cili u shpall Kampion i Evropës duke pësuar vetëm një gol, atë të Galic. Sepse dy herë me Spanjën ndeshjet qenë fituar 3-0 në tryezë, ndërsa me Çekosllovakinë ai nuk kishte përsuar gol.

Ky është rekordmeni i vetëm, i pamposhtur sot e kësaj dite, Lev Jashin – Kampion i Evropës me vetëm 1 gol të pësuar! Eshtë legjenda

Ai ka lindur në Moskë më 22 tetor 1929 dhe në kapërcyellin 1944-45, ndërsa Ushtria Sovjetike tashmâ po i afrohej Reishtagut, ai, një djalë 15-vjeçar, dilte në fushën e lojës me skuadrën e Tushinos pranë Mokës, aty ku industria e luftës prodhonte me ritme të pandalshme prodhimet që po digjnin Berlinin e mposhtur. Për Lev Jashinin ishte paqa, ndonëse ai luante njëkohësisht edhe kampionatet e ashpra të hokejt. Në portë ai ishte portjeri më paqësor që do të njohë historia e futbollit botëror.

17 vjeç është portjeri i të rinjve të Dinamos së Moskës dhe nëse vonon të bëhet titullar, ky nuk ishte faji i tij. Aleksei Homiç, portjeri i Dinamos së Moskës, ishte një prej më të dëgjuarve në Rusi dhe nuk mund të zëvëndësohej aq lehtë, sepse përveç të tjerave, ndodhej në kulmin e famës së tij. Dueli i tyre, do të zgjaste gati deri më 1953, kur më në fund Jashini merr rolin e titullarit. Homiç largohet tashmâ për në Minsk dhe mbas pak, teksa bëhet një nga fotoreporterët më të mirënjohur të futbollit, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të fiksojë me aparatin e tij pritjet fantastike të Jashinit.

Lev Jashin nuk do t'i ndahet Dinamos së Moskës për 22 vjet me rradhë, nga 1950 deri më 27 maj 1971. Mbrenda këtij harku të zgjatur kohor ai ka dhe një kujtim shqiptar: ndeshjen e 22 gushtit 1953 në Moskë, Dinamo e Moskës - Shqipëria 4-0 ku edhe pse humbje e thellë shqiptare, mahnitet prej lojës së portjerit shqiptar Qemal Vogli, të cilit do t'i shtërngonte fort dorën në mbarim të 90 minutave me gjestin e bujarisë së tij të rrallë.

Çfarë qe pra ky njeri i një fiziku shtatlartë, disi të hollë, ndonëse midis formatit të tij (185 cm x 83 kg) nuk ka një mospërputhje atletiko-fizike, që të veçohet kësisoji edhe prej portjerëve të sotëm?

Enciklopedia franceze e sporteve e përcakton si "njeriun i cili dha një kontribut të madh në evolucionin e futbollit modern, duke e shndrrruar rolin e portjerit nga numri 1 rendor i 11-shit të skuadrës - në numrin 1 real, më të rëndësishmin e skuadrës së futbollit."

Vetë Jashin ka spjeguar: "Gjatë situatave të lojës, largësia midis portjerit dhe mbrojtësave është shumë e vogël dhe zotësia është që bashkëpunimi midis portjerit dhe mbrojtësave të tij, të lëvizjeve midis tyre, të zhvillimeve që ju dikton loja, të befasive të paparashikueshme që iu krijohen pikërisht në marrëdhëniet midis tyre, prej portjerit duhet të përftohen ndërhyrjet më të imta dhe delikate që mund të përjetohen."

Të gjitha këto janë idetë e shndrrimeve revolucionare, që i bëri lojës Lev Jashin i Dinamos së Moskës, i Kombëtares së Bashkimit Sovjetik, i Përfaqësueses së Botës dhe të Evropës. Dhe në të gjitha këto ai nuk qe thjesht pritësi i fundit i topit, por drejtuesi i tij, shpesh dhe i gjithë lojës së skuadrës së tij. Simbas studjuesve të lojës së tij, kjo është dhe merita më e madhe e Lev Jashinit.

XXX

Lev Jashin do të largohet nga futbolli me një ndeshje madhështore lamtumire Dinamo e Moskës - Përfaqësuesja e FIFA-s 2-2 para 103.000 shikuesve më 25 maj 1971 në Stadiumin "Lenin". Ai ishte 42 vjeç, duke qenë në 21 kampionate rradhazi të Bashkimit Sovjetik protagonisti i paarritshëm i tij. Dhe ishte portjeri i vetëm i cili në 100 ndeshje kishte arritur të mos pësonte asnjë gol!

Më 1956 ai është Kampioni Olimpik i Olimpiadës së Melburnit - pjesë e 11-shit të paharrueshëm Jashin, Bashashkin, Ogongov, Kuznjecov, Neto, Maslenkin, Tatushin, Isajev, Simonian, Salnikov, Ilin - fotot e të cilëve ne i prisnim për koleksion nga revistat sovjetike që mbrrinin në Shqipëri. Më 1960 ai me BRSS-në e tij është Kampioni i parë i Evropës, siç treguam. Por më 1964 ai dhe skuadra e tij arrijnë përsëri të jenë në fundore të Kupës së dytë të Evropës, kur munden 1-2 prej Spanjës “armike” në ndeshjen dramatike të 21 qershorit 1964 në "Estadio Bernabeu" të Madridit. Lev Jashin është më i miri i Kampionatit.

Ai kishte qenë edhe në fundoret e Kupës së Botës 1958 në Suedi - pjesëmarrja e parë sovjetike - dhe vetëm loja e tij e shkëlqyer bënë që BS të fitonte 1-0 ndaj Anglisë në ndeshjen shtesë për të qenë në 8 më të mirat e Botës, ndeshja ku, siç kanë pohuar studjuesit e futbollit, ai (Jashini) "i paraqiste botës së madhe të futbollit cilësitë e tij të jashtëzakonshme".

Lev Jashin do të marrë pjesë edhe në dy Kampionate të tjerë Botërorë dhe më 1962 në Kili ka ditën e errët të karrierës së tij, në ndeshjen me Kolumbinë, kur thjesht prej hutimit të parë dhe të fundit të jetës së tij, ai lejon që skuadra e tij nga 4-1 të rrëshqasë në 4-4! Mbrenda vetëm 10 minutash (67-77) Jashin pëson tre gola prej këmbëve të Coll, Rada dhe Klinger. Por në ndeshjen me Uruguajn, vetëm tri dit më vonë, ai është kryesori i fitores 2-1 që e çon BRSS-në përsëri në 8 më të mirët e Botës.

Më 23 tetor 1963 është me 11-shin e Botës për 100-vjetorin e Federatës Angleze të Futbollit.

Jashin është dhe në Kupën e Botës 1966 në Angli dhe ndeshjet e tij të shkëlqyera, kësaj rradhe e ngjitin skuadrën sovjetike në 4 të parat e Botës. “"Marimanga e zezë" Lev Jashin - numri 1 i sovjetikëve edhe pse 37 vjeç, konfirmoi se ishte ende një ndër më të mëdhenjtë e Botës", përcaktuan njëzëri vëzhguesit.

Ai shkon për herë të katërt në një Kampionat Botëror, ate të Meksikës më 1970, kur është 41 vjeç, por nuk pranon të jetë më tepër se rezervë i nxënësit të tij Kavazashvili, këshillat e përnatëshme ndaj të cilit, e shtyjnë këte të fundit drejt një forme të shkëlqyeshme.

Ai është portjeri i skuadrës së Botës më 1963 në ndeshjen kundër Anglisë, më 1968 në ate kundër Brazilit, më 1965 kundër Stok Sitit për lamtumirën nga futbolli të Stenli Metjusit (Matthews); e ndërkaq, është portjer i Evropës kundër Skandinavisë dhe kundër Jugosllavisë më 1964. Asnjë portjer deri më sot nuk ka qenë kaq herë i ndeshjeve të Botës apo të Evropës. Më 1963 Lev Jashini fitoi "Topin e Artë" të "France Football" si Futbollisti i Vitit në Evropë, çka nuk e ka arritur asnjë portjer deri më sot.

Sapo e la fushën e blertë, ai u bë nënpresident i Federatës Sovjetike të Futbollit, iu dha Urdhëri Lenin dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO) i blatoi Urdhërin Olimpik - i pari portjer futbolli që e mban ate.

Dhe fundi i tij thuajse tragjik. Një trombozë e pamshirëshme i detyron prerjen e këmbës së djathtë, atë të cilën ai gjithmonë e mbante me një gjunjëz në ndeshje dhe falë mbështetjes së parë mbi te, merrte forcën e elasticitetit të kërcimeve të tij elegante. Jetonte në një apartament më se modest të Moskës, aspak të përshtatshëm për jetën e qetë që duhej të kalonte njeriu i cili i kishte dhënë Dinamos së Mokës 5 kampionate dhe 3 Kupa të Bashkimit Sovjetik, ndërsa Kombëtares dhe futbollit sovjetik njinjishmëninë (identifikimin) në elitën e botës së futbollit në mbarë rruzullin. Në një kohë që historisë së njerëzimit i kishte lënë shkollën e vetme të portjerit, ate klasike dhe moderne, duke lënë mbas figurën e tij të pashlyeshme, ku madhështisë së futbollit i qëndronte pranë një thjeshtësi e parivalë. Ai luajti gjithmonë me një kasketë të cilët francezët e quajtën "sharmi i tij proletar" në kuptimin më të mirë të këtij përcaktimi. Ishte 79 herë i Kombëtares së BRSS, qysh nga 1954 dhe deri më 1970. Historia na thotë se nga 1967 e deri më 1970 megjithate ai nuk luajti asnjë ndeshje me Kombëtaren, por qe gjithnjë në përbërjen e gjërë të saj për të mos u shkëputur portjerët e rinj prej mësimit të tij. Në 21 kampionatet e tij me Dinamon e Moskës ai luajti 326 ndeshje, pësoi 255 gola ose 0.78 gola të pësuar për ndeshje - mesatarja më e suksesëshme që njeh historia e futbollit botëror për një portjer të këtij rangu të përbotshëm.

IFFHS (Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit) ka përcaktuar si Portjer të Shekullit, sovjetikun apo rusin Lev Jashin. Si anëtar i IFFHS kam votuar edhe unë e pikërisht për Lev Jashinin. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar në Lozanë, midis 100 Sportistëve të Shekullit XX përfshiu edhe Lev Jashinin.

Ky është dhe piedestali i tij vetanak. Ai nuk ka rivalë. IFFHS i ka dhënë atij plot 1002 pikë nga 717 që i ka dhënë të dytit, Gordon Banks - Kampion i Botës me Anglinë më 1966. Largësia, siç shihet, është tejet e madhe dhe Lev Jashini është i pakapshëm prej askuj.

Lev Jashin vdiq më 20 mars 1990 prej kancerit të stomakut duke e tronditur gjithë botën e futbollit. Kupa e artë e Portjerit të Shekullit, iu dorëzua vitet e fundit në ceremoninë madhështore të Fuldas në Gjermani nga IFFHS, bashkëshortes së tij, Valentina Timofejevna (Jashina) - një gazetare e njohur e Radio Moskës - me të cilën së bashku me të dy bijat e tij, Elena dhe Irina, ata kaluan një jetë të harmonishme familjare.

Më 12 janar 1998, FIFA themeloi për herë të parë “Hall international of champions” – muze botëror i futbollit me vetëm 10 emra: Jashin, Beckenbaur, Bobby Charlton, Cruyff, Di Stefano, Eusebio, Mathews, Pele, Platini, Pushkash! Gjashtë muaj më vonë FIFA themeloi trofenë me emrin “Lev Jashin” që qysh atë ditë i jepet portjerit më të mirë të Kupës së Botës.

Ai kishte qenë për të mbetur përjetë Kampioni i parë i madh i Kupës së Kombeve.