E shtune, 20.04.2024, 12:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Universialiteti i një gjethi

E diele, 17.11.2013, 07:55 PM


UNIVERSIALITETI I NJE GJETHI

(Reth  vëllimit “ Në fytyrën e një gjethi” të Sabit Rrustemit, shtëpia botuese “Beqir Musliu” Gjilan)

Nga Vladimir Muça

1.Magjia e të bërit poezi

Librat shkruhen për të shërbyer si gaca, në mbajtjen ndezur të  ndërgjegjes kombëtare.Por hera herës, ata merrin dhe atributet e një çelësi të artë për të hapur portat e kujtesave etnike, duke u bërë dhe platformë e lançimit të ideve, prerogativave për brezat pasardhës.

Asnjë libër nuk shkruhet nga rastësia ; por autori niset nga një obligim fundamental i vullnetit inspirues, i cili, gjithnjë  vjen me një risi kuptueshmërie në raport me kohën dhe stadet zhvëllimore të shoqërisë. Marrja e këtyre cilësive rrotore, gjeneruese, është dhe magjia e të bërit poezi. Si e para fjalë e fjalëve më erdhën këto mendime teksa lexoja librin “Në frymën e një gjethi” , i cili për nga supermetafora përfaqësuese , që në ballinën e librit mëton të bëhet pjesë e një antologjie mbarëkombëtare.

Pjekuria 35 vjeçare e krijimtarisë, ka bërë që Sabit Rrustemi  të veçohet disi me këtë produkt poetik nga një lirizëm i vecantë, tërheqës, shumëdimensional, ku ndjenja lind e rritet jo vetëm në zona pllenuese të së mrekullueshmes , të ekzaltueses, por dhe në handikapin shoqëror. Pikërisht në këto raste ku bubrron Sabiti, në ato zgiqe të jetës , lirizmi shfaqet më i lazdruar, me valenca më të larta shkëlqimtare.Kjo është dhe fuqia zbuluese  e perceptuese e këtij lirizmi vetjak!

Shembuj janë poezitë “Në Kumanovë për një bukë furrë” , “Skaj pyllit me pisha”, “ Nata e para trembëdhjetë viteve”, ku “ LLojca  mbeti nën hijen e diellit/me dyzet e sa shtëpi/e një saç plumbash/përmbi krye”. Një poezi e tillë sjell shqetësimet e sotme e të përgjegjësive të secilit, ndaj qëndrimeve sociale kosovare mbas një sllavizmi serb shekullor.

Me poezitë “ Prekazi kjo amë e lirisë”, “ Shkolla jonë”, “Nesër”, “ Mëzi” , “ Blerësit e kohës tjetër presin”,  poeti afirmon se njeriu në aspektin kombëtar duhet  të kuptojë se krijimi e gjallërimi  i një shoqërie të re  nuk qëndron vetëm në rritjen e cilësisë personale të jetës , por dhe në përpjekjet për të njohur kontradiktat që na lindin në rrugë.Kjo vjen si domosdoshmëri për të rregulluar marëdhëniet ndërshoqërore, për të jetuar në harmoni në këtë botë ku rrisku social, secilit i rri si shpata e Demokleut mbi kokë.

2. Moderniteti e provincializmi poetik

Poeti Sabit Rrustemi i përket atij grup- targeti poetësh , të cilët përbëjnë atë hallkë të zinxhirit poetik kosovar e cila lidh trashëgimninë poetike të një brezi me shumë kulturologji poetike, mbartur nga një modernitet europian si Ali Podrimja, Esat Mekuli, Agim Vinca, Sabri Hamiti, Din Mehmeti, Agim Gjakova, Azem Shkreli dhe një grupi poetësh që po mundohem t’a  nxjerrin poezinë kosovare nga reçesioni ku është futur , duke infiltruar në të postmodernizmin e natyralizuar në kondicione të reja globalizuese.

Më shkoqur, mund të themi, nxjerrjen e saj nga provincializmi sundues. Folklorizmi në të cilin  e mbështollën domosdoshmëria e zhvillimeve historiko-shoqërore. Ky brez poetësh, aspiron për një poezi më gjithëpërfaqësuese , kërkon një militim poetik përtej  provinciales , ashtu siç militonin dikur etërit  poetikë.

Në konceptin stilistik, Sabiti nga mënyra se si ai e natyralizon modernitetin poetik europian, tregon për teknika të reja të shprehjes artistike. Siç duket ai ka marrë shumë  nga stilistika e Zhak Preverit dhe Ungaretit në përqasjet sociale dhe të natyralitetit poetik. Ai i ka si moto të punës parimet simboliste e impresioniste, duke e bërë pronë në bahçen poetike parimin : nxjerrjen e deduksioneve filozofike të efektit që lind prej një objekti e që interlokutohet si reagent ndjenjësor në konceptin filozofik. Kjo i jep poezisë së Sabit Rustemit zërin e fuqishëm poetik, vargut i jep ato tone të dlirta, por dhe fuqinë meditative e filozofike.

Në dukje poezia vjen tepër e thjeshtë, me një muzikalitet në dukje të shthurur metrik, por që në brendësi alternohet me asonanca a aliteracione . Një modernitet i tillë i natyralizuar ku toponimiteti dhe onomastika janë cilësi mbisunduese, ku autori:” S’e kam ndërmend/t’i ndahem këtij shtegu/kësaj përpjetëze Çipuri”. Autori nuk don t’i ndahet deri te “ajo rrugë/te ajo vojsë/që pret e vetme si ti”,” deri tek ajo majë/ajo shenjë e lashtë/ për të parë si kthehet,/me ag ai Top i Zjartë.”

Në mënyrën se si e zgjedh dhe e vendos fjalën, si e artikulon atë, si i përzgjedh figurat, si proçedon me gjuhën, strukturimin e shprehjes poetike, tregon për një korsi dalluese , emergjente do të thoja, në karrexhatën e poezisë kosovare. Siç duket, Sabiti punon shumë me fjalën dhe figurën, gjersa ajo të marrë format e dëshiruara poetike, kur ajo është siç thotë Janis Ricos “të mbartë një fuqi të jashtëzakonshme, të krijojë e maturojë njeriun, të krijojë  heroin  e të nxisë evokime të fuqishme”.

Kësisoj përmbajnë në vetvete sharmin e shkollës podrimjane por me më shumë kursimtari në zgjedhjen e kigos vargëzuese, drejt një moderniteti ungaretian, ku shkallëzimi vargëzues i ka lënë vendin shkallëzimit mendor drejt një “ Kulle Babeli”, për të prekur me dorë qiellin e shpirtit.

Në konceptin stilistiko- estetik autori paraqitet disi i vecantë , një poet origjinal në strukturimin poetik ku forca artistike nuk bazohet në manierat kozmofonike por  te  thjeshtësia e detajeve. Figuracioni, metafora, simboli, similituda fillon tek zanafilla e mikrokozmosit artistik, duke marrë shkëlqim nëpër kapriatat vargëzuese poetike në formatet e piramidave faraonike.

Në bazën e kësaj piramide vargu nuk merr formaturat e vjershërimit klasik.Në vetë vargun , strofën ka ritme dhe kombinime metrike të cilat alternohen me muzikalitetin e solfezhit të zemrës, e mbi të gjitha aranzhohet nga mendimi që interferohet me vargun paraardhës dhe pasardhës. Rima në këto poezi është në natyralitetin fonetik duke sfumuar nga aliteracioni i vargut  e rrjeshmëria mendimore.

Një shembull konkret është poezia “Kthim i mërgimtarit në shtëpi”, ku:

At Dheun e kish me vehte

nga majat e këpucëve

deri tek maja e flokut.

sa e fshihte brenda një pike loti

sa e shpaloste përmes një kënge

e asnjëherë se hiqte prej asaj zemre.

E Sabiti shpreh mendimin e qëllimin final, forcën proklamative e kushtrimore të poezisë, në mënyrë sa më mjeshtërore për tërë bashkëkombësit në rikthimin në AtDhenë e çliruar, të brishtë e të sakatosur nga sundimi sllavo –serb, nevoja për një UÇK  të re ndërtimore , ku vetë autori e fillon me një autokatarsis , siç shprehet tek poezia”Në natën e Madhe të Shëngjergjit”, ku:

Hoqa barin e keq të rrethojës

një ekspertizë të thellë i bëra gojës

dhe kësaj dhëmbje që pushton pragun

pastrova paraderën e nënpragun.

3. Ditari poetik e filozofia letrare

Në produktin letrar në suazën e një ditari poetik siç e nëntitullon autori , motivi kryesor i poezive është vitaliteti kombëtar, qëndresa e popullit . Në këtë kuadër spikat lidhja ngushtazi me mëmëdhenë, me historinë e zgjuar nga zhguni i harresave historike , zgjimi i ndërgjegjes kombëtare; ngrohja në diellin që po lind me ndriçimin mes djersës e gjakut, mes  një dashurie të sinqertë , e ndërsjelltë kombëtarisht e fqinjësisht, në vazhdimësinë e përtëritjen e brezave.

Sipas poetit “ Një fluturake/si murmërimë e largët ëndërre/ endej mbi shpresat tona, në ato ditë të zymta i përshkon breznitë duke vulosur gjithçka në shpirtin që herë mbytet në pika loti, e herë shpërthen si një vullkan në errupsion, duke vulosur në Llojcën e dashur, apo në Karadakun e Idriz Seferit, gjithçka kombëtare me një shpirt që edhe të përvëlon me zjarrin e dëshirave,  por edhe duke u mbarsur me nostalgjinë e Motit të Madh.

Kështu gjithçka ngjizet  me ndjenjat nga më njerzoret  ku: “ Një fëmijë/mbi supet e një prindi/këndonte e thërriste/A vritet pafajësia”.

Në poezitë “ Pesë prilli”, “Dhëmbja e varrosur mbeti”, “Një ditë e ngjashme me të tjerat”, “Kosharja”, etj, një cikël unitilarë do t’i quaja, me të cilët në formatet e një ditari poetik , ku refkektohet dukshëm shpirti i përvuajtur prej të dëbuarish , ku dhe një pëllëmbë hapësirë, ish zënë nga “korbat e zinj “ serb. Por “Ankthet nuk dëbohen/me lëkundje/ a prishje gjumi  /tërë natën / si fëmijë dënes lumi” në Pogrojë e Zhegër.

Siç e hyjnizon më tej autori tek poezia “Kosharja”, “Maja e saj/nuk matet me nivelin e detit/sall me thellësinë e shpirtit”.Ky hyminzim i vendeve historike  në ato ditë të rëndomta robërie  është apotheoza poetike e Koshares martire, në djepin e lirisë, si thagmë e rizgjimeve historike sepse këto vende : “ E lartë është /e paarritshme/ për ata që s’kanë frymë/zemër e sy “.

Dhimbjen ta kthejmë në forcën , sintetizon me alkiminë vargëzuese , gjatë gjithë librit autori . Jeta i ka dhe i pranon vuajtjet e persekutimet, por dhe gazmendin, besimin në ditët e ardhme.Njeriu merr misionin historik ta ndërtojë  e ta dojë jetën , duke pranuar si piskamën e vajit dhe të qeshurën e syrit, dashurinë dhe hidhërimin, dhimbjen dhe lumturinë.

Kjo është amalgama optimiste, në nënshtresa jetese që ka përshkruar e përshkon botën kosovare edhe : në fytyrën e një gjethi”, të vendit në protoplasmën e secilës, alkimohet jeta e gjallimi i saj.

4.  Poezia-portret dhe metafizika librare

Në këtë vëllim autori i ka kushtuar një vëmendje komplementare  poezive për miqtë , heronjtë, shokët e dashur bashkëvuajtës që unë  këto poezi do t’i quaja poezi- portrete.Në këto poezi, që janë si një letërlakmues  në mardhëniet ndërshoqërore të poetit, me ata njerëz të dashur, apo të rëndësishëm të cilët kanë ndikuar në jetën e poetit e formimin poetiko-intelektual. Në formimin si artist poeti  rimëshiron në vargje njeriun e paharruar në formën e një metafizike të re librore me detaje të karakterit shpirtëror.

Këto poezi –portrete me intonime popullore të ngritura në art , zënë fill me poezinë “Sherri asaj ëndërre”, kushtuar mikut dhe poetit Tahir Desku ku autori poetizon:

“se kush e kish parë duke puthur qytetin

një pano me ëndërra që nuk tresin

……………………………………………………..

prej burrave të çartur  Çiçavicës

mos të hyjë me atë këngë të Drenicës

i ri për plumb, i vonë për mbret

sherri i asaj  ëndërre u bë poet.”

Si me këtë poezi dhe tek të tjerat që e pasojnë  me shumi, kushtuar njerëzve të dashur të cilët kanë lënë gjurmë në botkuptimin e tij, në formimin si bashkëkombas, si artist i fjalës në obsesionet poetike, autori në situatat më të ngulshme për tokën amë, nëpërmjet poezive rimëshiron në një metafizikë të re  vargëzuese  njerëzit, me një qasje efektive në situatat që po kalonte  vendi.

Të tillë na përqasen në situata mistiko-historike figurat e Tahir Deskut, Oso Kukës, Mic Sokoit,Xun Çelikut, Idriz Seferit, Agim Gashit, Doreza, Abdyl Hoxha, Ilmi Piqit, Bacë Mehmetit, Mehmet Lofca, Pesë martirët, Njazi Jahja Mripës, Sali Çekaj,Fehmi Agani, Adem Jashari, Rexhep Ellmazi, Nekibe Këlmendi, Ali Podrimja, Gresës, bijës së tij të dashur, Ahmet Krasniqi, Zahir Pajaziti,Jusuf Gërvalla, Ardi Latifi  por dhe për”bablokun e një mikut”.

Një poet i tillë i lidhur kaq shumë me idhujtarë ,me miq e dashamirës, ku autori i ushqyer me kaq shumë burime shprehet:

Qiejt kam trazuar prej gëzimit

duke fshirë rrëketë e thella të gjakut

pikëllimit

për ta shijuar një buzëqeshje të çiltër

agimeve të lirisë.

Sepse këta idhujtarë janë bërë njësh me antropomorfinë e tij e siç e shqison në poezinë “Homazh për Ali Podrimen”:

“Eshtë strukur diku nën hijen e vargut

Për ta dëbuar etjen

Deri sa të kalojë kjo vapë”

Çlirohet emocionalisht poeti dhe lexuesi, tek  lexon këto poezi-portrete.

5. Epilog

Psikologu pas frojdist, filizofi zvicerian Karl Gustav Jung, në veprën e vet me titull “ Psikologjia dhe krijimtaria poetike” shkruan: “Eshtë  më se e qartë se psikologjia duke qenë shkencë e proçeseve të shpirtit, mund të hyjë në lidhjë të drejtë për drejtë  në studimin e letërsisë , me kritikën letrare. Se shtrati kryesor i të gjitha shkencave , ashtu  si i çdo vepre arti, është shpirti .Prandaj shkenca e shpirtit besoj, duhet të jetë në gjëndje të përshkojë  dhe të shpegojë dy gjëra në  ndërvajtjen e tyre ; se pari- në strukturën psikologjike të individit artistikisht produktiv”.

Në konceptualitete e Jacques Laccan të letrarizmit pasfrojdist, Sabiti këtë sentenceë psiko-analitike të Jungut e ka bërë të tijën në perceptimet poetike , duke e vënë si suport  të një moderniteti të natyralizuar në filozofinë poetike të ngjarjeve, fenomeneve e aktorëve që  i gjenerojnë ato.

Edhe në këtë kontekst , supermetafora e gjethit vjen me universialitetin e saj në të gjitha faqet e librit si zanafilla ku në klorofilën (ekstraktin e librit) me rrezet e Diellit ( rrezet e lirisë të amëshuar) kryhet sinteza e jetës të një kombi.

E gjej me vend, që në këto refleksione të bëj një reminishencë me një tankë timen që unë e kam shumë për zemër:

Në Bahçen e Zajes

këto ditë Nëntori

Gjethet e rëna

mblidhen rreth pemës

si fëmija në gjirin e nënës.

Kështu janë mbledhur në faqet e këtij libri këto gjethe  e shpirtërore me gjak e zemër, u mblodhën në ato vite të zymta të Motit të Madh nga e gjithë diaspora rreth pemës mëmë- Kosovë.Të mblidhen dhe sot mbas ndriçimit të Diell- Lirisë për t’ia shëruar  plagët, kushtrimon me thirrjen proklamatë autori.

Dyrrah 2013

E-mail:  Vladimir_muca@yahoo.com



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora