E enjte, 28.03.2024, 04:53 PM (GMT)

Faleminderit

Pjetër Marubi – babai i fotografisë shqiptare

E marte, 27.05.2008, 08:33 PM


Nga Qerim Vrioni

-Me rastin e 105-vjetorit të vdekjes së fotografit të shquar

Ardhja e italianit Pietro Marubbi (Piaçenca, 1834-Shkodër,1903) në Shqipëri në mezin e shekullit XIX, ishte ndoshta një rastësi, por për fatin e kulturës tonë rezultoi mjaft e mbarë. Ai ishte marrë në vendlindje edhe me veprimtari patriotike kundra pushtimit austro-hungarez. Ndjekjet për këtë e shtrënguan të ikte nga Italia dhe të shkonte në fillim në Korfuz e më pas në Vlorë. Këshilla e konsullit Italian në Vlorë për të shkuar në Shkodër “se atje ka katolikë”, nuk do zinte vend nëse atje nuk do gjente edhe mjedisin kulturor europian të këtij qyteti. Në qytetin e lindjen, Pietro Marubbi kishte lëvruar pikturën, skulpturën, arkitekturën dhe…fotografinë. Me këtë të fundit italiani nga Piaçenca vendosi të merrej në vendbanimin e ri. Kështu, ai rreth vitit 1855, hap në Shkodër atelien e parë fotografike me emrin “Studio Marubbi”, më e para në vend e nga të parat në Ballkan.

Filloi të fotografoj me procesin e kolodiumit të lëngët si në të gjithë Europën, kryesisht njerëz të njohur, por edhe të panjohur të qytetit. Ndër fotografitë e kësaj periudhe është dhe ajo e kaçakut të njohur të krahinës, Hamz Kazazi (1858), me të cilën ze fill fotografia shqiptare. Tri vjetë më pas (1861), realizon peizazhin e parë fotografik që paraqet Shkodrën Dalëngadalë, Pietro Marubbi nisi të përthithti mendësinë e shqiptarëve dhe në saje të mikpritjes së veçantë të shkodranëve ndaj tij. Kështu, pasi mësoi edhe shqipen, shkodranët ia shqiptarizuan emrin në Pjetër. Duke qënë nga pak edhe piktor e skulptor, ai kryen pikturat murale të Kishës Ortodokse të qytetit e po ashtu shpesh i merrej mendimi nga qytetarë të ndryshëm për aftësitë e fëmijve të tyre në artet pamore. Një nga këta ishte dhe Arsen Idromeno që me këshillën e mjeshtrit Marubi e dërgoi djalin e tij Kol të studionte pikturë në Venecie të Italisë. Ndoshta piktori i njohur Kol Idromeno është një dhuratë e madhe e Pjetër Marubit për kulturën tonë.

Ndër kohë, mjeshtri filon të dali nga atelieja e të fotografoj në natyrë subjekte shoqërore, por edhe historike. Kësaj periudhe i përkasin foto të tilla si shumë e njohura “Lypës në rrethinat e Shkodrës” (1875) me forcë të madhe shprehëse, si dhe “Portret gruaje”(1878) e “Cigania e vogël”. Me vlera të mëdha është dhe fotoja e Pjetër Marubit që paraqet delegatët e Vilajetit të Shkodrës në Lidhjen Prizrenit (1878) si dhe ajo që pasqyron Kryengritjen e Mirditës (1876-1877). Me këto foto ai nis bashkëpunimin e gjatë me revista të njohura europiane si “L’Illustration”, “La Guerra d’Oriente” dhe “The Illustraed London News”, duke u bërë kësisoj fotoreporteri i parë në histori të fotografisë shqiptare. Fotot e Marubit mbi lëvizjet luftarake të shqiptarëve për liri, janë pothuaj vërsnike me ato që mbahen më të parat fotografi botërore të luftës si të anglezit Fenton dhe amerikanit Brady. Përmendim gjithashtu se ai ka realizuar fotografitë e para në Malin e Zi (1865). Fotografitë në atelie, P.Marubi i realizonte me ndriçim natyror që hynte nga një baxhë (dritare në çati), ku hapësira e futjes së dritës ishte e ndryshueshme. Si sfonde, brenda në studio, mjeshtri ashtu si gjithë kolegët e tij europianë, përdorte beze të pikturuara të përshtatëshme me ate që do fotografohej, si natyra të qeta, peizazhe të natyrës shqiptare, pamje te mjediseve familjare etj.

Gjithashtu, ai vendoste shpesh brenda atelies edhe bar, degë e trungje pemësh, përherë me lidhje ideore me subjektin që do fotografonte. Në fillim , Marubi përdori procesin kolodium në përgatitjen e negativit, ndërsa rreth viteve1885-1890, e zevendësoi me pllaka të thata xhami të prodhuara në mënyrë industriale në fabrika me xhelatinë bromuri argjendi, çka lehtësonte mjaft dhe e bënte më praktik fotografimin. Pjesa më e madhe e fotove të tij, janë stampuar në bardhë e zi, por të tjera edhe në sepje. Krijimtaria fotografike e Pjeter Marubit, përfshin shumë zhanre si fotoportretin, peizazhin natyror dhe urban, etnografinë, historine, fotografinë me subjekte sociale etj. e, në një farë mënyre ajo përbën një “minierë” të vyer për studiues të fushave të ndryshme të shkencës. Aparatet e tij në fillim të veprimatrisë ishin prodhime franceze dhe gjermane me përmasa 30cm me 40 cm. Shumë foto të tij janë shtypur edhe si kartolina postare që kërkoheshin nga të huajtë për bukurinë dhe ekzotikën e tyre. Pjetër Marubi, është nderuar edhe me një medalje arit (“Premiato con Medaglia d’Oro”) për fotografi e, këtë e mësojmë nga një kartolinë, ku fatëkeqësisht, nuk përcaktohet as data e as vendi i konkursit.

Rreth vitit 1885, Pjetër Marubi merr si “djalë dyqani” pesëmbëdhjetvjeçarin, Mikel Kodheli, i cili krahas punëve të përditëshme, nisi të mësonte edhe të fshehtat e procesit të fotografimit. Kjo gjë i pëlqeu dhe mjeshtrit plak që filloi ta ndihmonte pa u kursyer djaloshin që jepte shenja se mund të bëhej fotograf i zoti. Dhe nuk u gabua. Pa mbushur ende njëzet vjeç, Keli (Mikeli) i njihte pothuaj të gjitha skutat e zanatit, madje edhe me kërkesa artistike.

Në vitet e fundit të jetës së tij, Pjetër Marubi, ndjente një farë qetësie shpirtërore. Ai jo vetëm që kishte “mbjellë” fotografinë në Shqipëri, por kishte krijuar edhe një vazhdues të denjë të punës së tij. E, kjo nuk ishte pak për të. Kështu, Kel Kodheli më pas me mbiemrin Marubi, pas shuarjes së Marubit-plak, e çoi më tej veprimtarinë fotografike të “Studio Marubi-Shkodër” si në pikpamje teknike, ashtu edhe artistike të filluar nga Pjetër Marubi, i cili gjithsesi e ka monumentalizuar emrin e tij si babai i fotografisë shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora