E premte, 29.03.2024, 02:11 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Armë kimike 2

E enjte, 14.11.2013, 08:10 PM


Armë kimike 2

Nga Elvi Sidheri

Ç’më frymëzoi njerëz dhe lexues të nderuar që t’i hyj prapë këtij sporti që më shtyn të shkruaj sërish për një temë kaq të pakëndëshme (për të cilën kurrë nuk do kisha dashur të shkruaj qoftë edhe një fjalë) si armët kimike?

Eh, po dihet përse!

Siç specialisti i armëve kimike, zoti Paul Walker, na ndriçoi sytë, veshët dhe mendjen (se ç’më fanit në tru ca imazhe të kërpudhës atomike, kjo ideja e ndriçimit gati verbues)...duke na bërë të ditur, atë që tashmë të tërë pa përjashtim feje, krahine dhe ideje, në Shqipëri, të tërë edhe e dinim.

Pra që puna e armëve kimike të Asadit, na paskësh qenë tashmë e vendosur, ato qenka marrë vendimi me propozim të kujt (qeverisë sonë apo të huajve të ndryshëm?)...akoma nuk i dihet edhe këto të nëmura armë në fjalë, do i sjellin me hir ose pahir në vendin tonë.

Sa bukur!

Ça flasim ne të tjerët atëherë (sipas çdo mendjeje normale dhe sondazheve që po gëlojnë anembanë shtypit dhe kafeneve apo shtëpive të gjindjes shqiptare këto ditë, 90 % e popullit janë kundër kësaj iniciative)!

Qeveria apo dikush jashtë kufinjve tanë (mister...?) na e paskan vendosur këtë çështje dhe bjeri legenit se i bie bukur o popull!

Se që thoni juve, sa i përket politikës shqiptare, në këtë rast do pranuar, papërjashtim, ne i ashtëquajturi popull, kemi vlerë vetëm si numër, si qënie me detyrim ligjor taksapagues (xhep apo arkë e buxhet-mbushës për shtetin që supozohej të na përfaqësonte dhe shërbente, por që është gati të na hedhi kokës armët mijëra tonëshe të Asadit)...apo si votues, vota e të cilëve, edhe kur s’i shkon dikujt përshtat, vidhet, përdridhet apo pse jo, edhe blihet!

Pra për të zgjedhurit tanë të respektuar dhe fort nderuar, ne mund t’i biem legenit gjithë ditën e ditës, maces me lugë, lugës me mace, qemanes apo edhe gërnetës sa të na shkulet gurmazi vendit, se ata o mbyllin veshët (dylli i pushtetit, bllokon shumë veshë politikëbërës), ose këtej iu hynë britmat tona e andej u dalin.

Kjo është e vërteta e zhveshur!

T’a lyejmë e t’a zbukurojmë është një përpjekje po aq e kotë, sa edhe tentativa për të bërë ndonjë vrimë në ujë.

Atëherë?

Kur pilafi nuk mban më qoftë as edhe një pikë uji, kur mund t’a marrim qetësisht figurativisht dhe realisht, me lëng se mishi u mbarua dhe kur arritëm tek pika fatale që derdhi vazon ashtu si edhe kur Kutia e Pandorës rrezikon të hapet njëherë e mirë, ç’na mbetet neve qytetarëve?

Nuk flas fare për të huajt, ata kanë punën e tyre dhe vazhdoj të mendoj e të kem bindjen, se dorë miqtë tanë (të dëshmuar aq herë kur ka qenë nevoja) amerikanë, nuk kanë, të paktën jo në mënyrën që po spekullohet tek ne, në këtë situatë që po krijohet.

Puna është tek ne, po qe se siç po thonë dhe siç duket të kenë vendosur, po sillen ato armë në tokën shqiptare, atëherë janë shqiptarët që duhet, njëherë të paktën në histori, të tregojnë se kanë një ndërgjegje dhe se vendi i tyre, toka e tyre, e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve të tyre, mirëqënia e Shqipërisë, u ka ndonjë domethënie dhe e kanë vërtetë përzemër.

Ndryshe, të presim qetësisht me indiferencën tonë FAJTORE karakteristike, që ato armë, ato gjëma kimike, t’i bien dhe t’i asgjësojnë (me tërë rreziqet vdekësore me “RR” të madhe të rastit) apo që t’i groposin në të shkretën nëntokë shqiptare.

Lumenjtë, detërat, liqenet, kastravecat, mollët, agrumet, lopët, derrat, viçat e qingjat tanë...do na falenderojnë në përjetësi për këtë sjellje dhe anemi e apati reaguese popullore tonën!

Qeverinë që na drejton për të thënë të drejtën prej shumë pak kohe, për t’a gjykuar qartë (na pëlqen apo jo)...e kanë votuar 57 % a më tepër shqiptarë!

Është një qeveri e ardhur në pushtet me një mandat të qartë popullor.

Por ky mandat, po qenë gjërat siç duken dhe si bien erë, nuk i lejon askujt, që të dëndi vendin, i cili banohet edhe nga këta banorë që e kanë votuar këtë qeveri...me armë kimike të tjetërkujt!

Për fat po shikoj reagim.

Për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptare, njerëzit mblidhen në masë, kudo për të protestuar pa një prapavijë të dukshme politike.

Kjo gjëmë në perspektivë (që mos u realizoftë)...këtë të mirë e dha si efekt!

Njerëzit, siç është edhe normale, tashmë po mendojnë për bijtë e bijat e tyre, për vete dhe për të ardhmen e këtij vendi dhe atë të brezave që do na pasojnë, të cilët me një mosreagim tonin sot, do t’i dënonim me një jetë të kushtëzuar pazgjidhshmërisht, nga mbeturinat kimike që neve do u kishim lënë si trashëgimi të hidhur atyre.

Protesta dhe reagimi qytetar popullor, Gjykata Kushtetuese po të jetë nevoja dhe parlamenti, po qe se ata që ulen në ato karrige, mendojnë se vërtetë përfaqësojnë këtë popull që në 90 % është kundër kësaj gjëme, Presidenti a kush të jetë, deri në Strasburg po qe nevoja, duhet të ngrihen në këmbë dhe të bëjnë detyrën e tyre pa hezitim, pasi çdo ngurim do ishte fatal për vendin dhe banorët e tij!

Kjo është diçka që shkon vendosmërisht mbi dhe përtej partive, të djathtës apo të majtës, jugut apo veriut, toskut apo gegës, fshatarit me këpucë të baltosura apo qytetarit me Versace.

Nuk duhet të ketë përçarje që të ndajë frontin e refuzimit mbarëpopullor ndaj kësaj tentative të kobshme për të dërrmuar të ardhmen e këtij vendi në çdo kuptim!

Unë shoh një front në këtë rast dhe vetëm kështu mund të jetë.

Shqiptarë jemi të gjithë (deri në provë të kundërt)...nuk besoj se ka të luajtur mendsh, që të mendojnë seriozisht, se Shqipëria mund të fitojë ndonjë gjë nga kjo iniciativë!

E di që tashmë ka nisur loja...”Hë se s’ka rrezik”...”Po ja, do na rritet prestigji në botë”...”Mbrapa protestave është opozita” (po mirë, edhe po qe se po tenton dikush në opozitë të përfitojë, edhe?Po me Gërdecin a s’u mor pafundësisht, edhe me të drejtë ish opozita e atëherëshme?Importin e plehërave nuk e kalëruan si kalë beteja të majtët, po marrëveshjen detare me Greqinë?Dhe mirë e kishin, kauzat ishin të drejta!...Tani edhe sikur jo për gjë tjetër, po ky 43 % opozitar, këta 700 mijë jo shuplaka-dhënës, kush i pyeti për këtë vendim madhor, s’kanë të drejtë zëri edhe këta?)!

Të zakonshme këto.

Ka një shprehja të majtë (por të majtët, sado të mos më pëlqejë mua, për revolucione, ia thonë shumë)...që thotë kështu:”EL PUEBLO UNIDO, JAMAS SERA VENCIDO”!

-“Populli i bashkuar, kurrë nuk do të përkulet apo mundet”!

Populli shqiptar është NJË!

Armët kimike, vrasin, rrjepin të gjallë, mbysin për 2 minuta edhe në masë 0.05 gramë këdo, të majtë apo të djathtë!

Rreziku i kësaj sipërmarrje pa sens, është i njëjtë për të gjithë ne.

Nuk duhet të ketë as dallim, as mëdyshje e aq më pak hezitim!

Të mos kujtohemi kur të jetë tepër vonë, kur Qafë Molla 20 km nga Tirana jonë e bukur apo Mjekësi i Elbasanit të fisëm, të jenë transformuar në varreza masive ku të jetë groposur bashkë me armët e flamosura të Asadit, edhe mirëqënia dhe e ardhmja e tokës dhe e banorëve të Shqipërisë!

Nuk është asnjëherë tepër vonë...thonë, por koha është flori dhe të gjithë nevojitet të jenë në vijë të parë, për të pamundësuar realizimin e kësaj ideje, këtij plani apo këtij vendimi!

Kështu edhe fjalët apo më mirë e thënë, dokrrat e ndonjë Walker-i tek Al Jazeera (çfarë zgjedhje perfekte për të kumtuar lajme të tilla)...që përveçse na tregon se vendimi tashmë është marrë dhe armët kimike të Asadit t’i mbajmë me shëndet, ndër të tjera, si arsyetim të faktit fare normal që i ngrenë si pyetje vetë gazetarët e kanalit në fjalë, pra të asaj përse pikërisht Shqipëria dhe jo ndonjë vend tjetër, ai gjen t’i përgjigjet me thagmën e tillë:”Ata kanë eksperiencë, sepse para disa vitesh kanë asgjësuar armët e tyre kimike”!

Ua o Zot!

Ça thotë ky re?

Ç’armë kimike paskemi pasur ne kështu që s’e dinim, se iu kishim futur tartakutin në bark tërë fqinjëve ashtu!

U mbars mali dhe polli në mi!

Pra e përkthyer jashtë sofizmave, kishim 16 tonë lëndë kimike, nga e cila 95 % ishin tretësira dhe vetëm 5 % material kimik i vërtetë.

Këtij po që i paskan thënë me plot gojën “Arsenal kimik”!

Tani pas kësaj përvoje të madhe me asgjësimin e këtij arsenalit tonë (që thonë se janë dashur 6 muaj të hiqet qafe me punë tejet intensive)...(dhe në Francë, sapo lexova se akoma mbajnë të stokuara, armë kimike të Luftës së Parë Botërore, para gati 100 vjetëve, se nuk dinë çfarë të bëjnë me to dhe s’i asgjësojnë dot...pse s’i sjellin tek ne se paskemi vend!)...marrim edhe 1290 tonë armë kimike të tmerrshme të Asadit (100 % puro armë kimike shkatërrimi në masë, jo 95 % tretësira si ato pak tonelatat tona)...pra 1274 tonë armë kimike më tepër se çfarë thuhet se kemi asgjësuar vetë më parë.

Kurse kupën sa më përket mua të paktën, e mbushën ata të LA Times, me një shkrim pa fund e pa krye, ku sipas asaj që kuptova, tallnin prapanicën me vendin dhe popullin tonë dhe asgjë më tepër!

Jo po “popull okult”...jo po...”s’kanë opinion publik” e gomarllëqe të ngjashme.

Të kishin shtuar edhe që kishim bisht, s’do më kishte habitur asnjëçikë!

Po qe se botuesit apo gazetari që kishte marrë mundimin të shkruante atë artikull, mendojnë se po flasin për ndonjë nënspecie njerëzore, atëherë e kanë shumë gabim.

Më qëlloi të shikoja “Django Unchained” këto ditë, se faktikisht s’e kisha parë akoma.

Film i bukur, western i qëmoti i rivizituar nga Tarantino me shije duke tentuar të ringjallte atmosferat mitike të “Western Spaghetti” të Sergio Leones dikur, muzikat e Ennio Morricone-s dhe ajërin e pluhurin e Perëndimit të Egër.

Por në thelb, aty shikoje njerëz me ngjyrë, që lidheshin me zinxhirë, kamzhikoheshin pashpirtësisht e shqyheshin nga qentë.

Mos të jenë duke kujtuar vallë tek LA Times apo tek ndonjë “specialist” armësh kimike si ai që foli në një TV dhe u rrek të na tregonte me ironinë më të paturpshme, se armët kimike do e bëjnë Shqipërinë më të pastërt se ç’është, se ne jemi njerëzit me ngjyrë të plantacioneve të pambukut të Jugut të SHBA-së së para 150 vjetësh?

E dinë ata që Lufta Civile amerikane shpërtheu për shkak të vullnetit të Presidentit Lincoln?

Po që Martin Luther King dhe Robert e John Kennedy u siguruan njerëzve me ngjyrë, këtyre qytetarëve të nderuar dhe të respektuar e shumë kontribues në zhvillimin dhe ngjizimin e Amerikës demokratike shumë-raciale, të drejtat e tyre të gjithanëshme?

Po që presidenti i SHBA sot është një afro-amerikan i nderuar e dinë këta që na tallen me ne sikur të ishim ndonjë sajesë okulte e padenjë për të pasur opinion publik dhe e denjë për t’u trajtuar si shkarkues WC-je kimike?

Nuk e dinë mesa duket!

Mos t’a marrin vesh kurrë atëherë, sepse kam bindjen që në Washington, e mendojnë ndryshe dhe këtij vendi e populli i duan vetëm të mirën, ndoshta shumë më tepër se ç’ia duam ne shqiptarët, vetë të mirën vetes si dhe vendit e kësaj tokës sonë të lashtë!



(Vota: 21 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora