E premte, 29.03.2024, 07:09 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Portat mbeten gjithmonë hapur

E merkure, 13.11.2013, 07:44 PM


PORTAT MBETEN GJITHMONË HAPUR

Impresione për vëllimin poetik “Porta të hapura” të Shefqete Gosalcit

NGA PËLLUMB GORICA

Palca e poezisë së vërtetë mbetet sinqeriteti. Asnjë poezi nuk mund të qëndrojë në këmbë, nuk mund të ngacmojë zemrat e të tjerëve e të lejë gjurmë në faqet e krijimtarisë poetike po nuk buroi nga sinqeriteti dhe po nuk përcolli mesazhe të sinqerta. Edhe poezia e poeteshës, këngëtares dhe ish luftëtares së UÇK, nga Prishtina Shefqete Gosalci, të cilën e përshkon një ndjesi e thellë shpirtërore, është frymëzuese e të flladit mendjen dhe zemrën kur e lexon. Të tërheq tematika e vargjeve të saj, gjetjet, brishtësia, forca, dhimbja dhe gëzimi me fllad lirie, trokthi i ëndërrave, që rrjedhin nga ujëvarat e shpirtit të poetes. Poetesha ecën pandalshëm në fushën e magjishme të letërsisë, plot lirizëm poetik, në kërkim të së përgjithshmes.

Dashuria e sinqertë për Kosovën, malli njerzor për gjithçka dhe meraku i shqetsimeve janë tri motivet kryesore të vëllimit të saj “Porta të hapura”. Togfjalëshi “porta të hapura” ngërthen aq shumë sintetizëm dhe simbolizëm në vetevete sa që poetja e vë në një konteks të tillë poetik, që lexuesi të jetë gjithmonë në  pozicionin e duhur  për të interpretuar në të gjitha dimensionet  strofën e veçantë apo gjithë poezinë. Kaq e zjarrtë është ëndrra, kaq i guximshëm është vargu i Shefqetes, sa që të nxit të gërmosh nëpër udhët e jetës ku ajo ushqen frymëzimin për të shkruar. Në përgjithësi sakrifica e sinqertë e poetes është njerëzorë jo deklarative ndaj ajo futet në rrjedhat e jetës thjeshtë e natyrshëm, duke konkluduar se: “ Më lëngëzon shpirti/Se asnjë dhembje/Nuk më dhëmb/Farkëto një diell/Me rreze shpate/Dhe vëre në qiell/Le të shpohen nga shpatat/Mjegullat e mëndafshta/Toka qielli unë/Të gjithë/Vetëm të ketë diell.”

Shefqete Gosalci me misionin  e saj paqësor e rindërtues që i ngarkon zoti dhe me besim të plotë se fjala e tij është dritë në rrugën e jetës,  poe edhe me kujdesin në udhët e vështira të jetës deklaron njerëzishëm: “më porositi-jetoni jetën/se ëndrra digjet/e vdekja kushton!” Prania e zotit ndër ne është e gjithkahershme e çdo kohe e domosdoshme. Dhe kështu me këtë porosi ajo ecën tokës dhe fluturon qiejve, zhytet në detin e parajsës dhe vetëm ëndërron pafundësi të mirash e të bukurash e fitore të merituara. Fantazia e saj është e pashterueshme kur shkruan: “Pashë në ëndërr/ëndrrën e ëndrrës sime.” Ai brez e popull që ëndërron të bukurën dhe të mirën, kërkon ta jetojë jetën me çdo kusht dhe se askush nuk mund ta ndërpresë brutalisht përtëritjen dhe vazhdimësinë e brezave. Bijtë e Kosovës martire u torturuan, u vranë e u dogjën barbarisht, sakrifikuan mbi çdo gjë e megjithatë ata rilindën si feniksa nga hiri i zjarrit kundër hasmit të shtruar këmbëkryq në trojet tona.

Poetja e njeh jetën në themelet dhe ka shumë vizion për rrjedhjën e saj dhe e përjeton çdo çast e minutë dashurinë e vërtetë, të ndihet shpirt i brishtë dhe  e fortë njëkohësisht, kur shkruan se: “për natën janë buzët/për ditën janë sytë.” Të gjitha ajo i dashuron, për të gjithë sakrifikon, respekton e vlerëson cdo gjë të krijuar me djersë e qëllim të mirë në këtë botë, por ama për Kosovën fal gjithçka: “Do bëhem Rozafë buzëçara ime e skuqur/Djepi kafshata dhe unaza ime e ngjyer në diell/Kalo Kosovë mbi mua/Njomi buzët në murin tim të lagur.” Duhet të jesh mjaft i guximshëm dhe i përleshur me dallgët e jetës, të jesh i përkushtuar deri në sakrificën sublime për përparimin që të shprehesh me vargje të tilla: “Lirinë e pagëzuam me këngë/E këngën mbajmë kafshuar/“Jetën ta njomi trekëndshi/djep magje,bunar/ylberit eca zbathur.”

Në vëllimin poetik “Porta të hapura”, autorja Shefqete Gosalci me figurat letrare, metafora e simbole, që kompletojnë portretin e një krijuese të talentuar, tregojnë që i është futur seriozisht rrugës së poezisë. Vargu i poezisë së Shefqete Gosalcit, herë rimon e herë harliset i lirë në hapsirën e mendimeve, herë gjëmon si kënga kosovare majëkrahu e herë flladit si mëngjes pranveror. Ajo ka besim për të ardhmen sepse mbështetet në një traditë të fuqishme nga se “shpresën e ujitëm me lot/ndër kohërat shamizeza.” Ndaj për tu konkluduar për sinqeritetin që përmendëm në fillim kur nisëm të shkruajmë këto mendime për poezinë e Shefqetes, kemi thënë gjithçka kur mërmërisim këto dy vargje: “Si pëllumba në fluturim/Shpirti im feston me vargje.”

Të tillë begati krijuese sjelltë më shumë e ardhmja për poeten Shefqete Gosalci, këtë zë të bukur të lirikës së sotme në Kosovë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora