E premte, 29.03.2024, 11:30 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Grupi i dyshuar për lidhje me “Al Qaedan”

E marte, 12.11.2013, 09:05 PM


Nga Selvije Bajrami

Disa muaj janë përgjuar në telefon si të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në Kosovë. Ky grup prej shtatë personave me nacionalitet shqiptar, në mesin e të cilëve njëri është i kthyer nga Siria, janë të rinj nga Prishtina dhe Gjilani, emrat e të cilëve janë siguruar nga gazeta “Zëri”.

Javën e kaluar disa nga ata ishin mbledhur afër liqenit të Gërmisë ku dyshohej se po përgatisnin një sulm terrorist. Kurse sulmin ndaj dy shtetasve amerikanë në Prishtinë ditë më parë dyshohet se e kanë bërë dy pjesëtarë të këtij grupi. Dhe nga përgjimet mësohet plani, i cili rezulton me aksionin e policisë për arrestimin e tyre.

Jo të gjithë janë kapur në Gërmi, aksioni është zhvilluar edhe në Gjilan. Në këto dy qytete janë arrestuar gjashtë prej tyre: V. Shala, G. Selimi, M. Hyseni, N. Sylejmani, A. Mehmeti dhe B. Mulolli, kurse njëri nga ata vazhdon të mbetet në arrati. “Gjatë arrestimeve në Gjilan përveçse është arratisur një person, njëri nga të arrestuarit është kapur në fshatin Bresalc teksa po tentonte arratinë”, ka thënë burimi brenda policisë.

Gjatë bastisjes së shtëpive të tyre, policia ka konfiskuar: një snajper, një karabinë, një pushkë gjysmautomatike, dy revole, një revole e modifikuar, rreth njëmijë e dyqind fishekë të AK-47, njëmijë e nëntëqind euro, dy vetura, BMW dhe Mercedes, si dhe prova tjera materiale.

Një ditë pas arrestimit të tyre, është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh.

Burime të gazetës bëjnë të ditur se masa e paraburgimit ndaj tyre është caktuar, përveç se janë të dyshuar për përgatitje për terrorizëm, edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Policia e Kosovës, një ditë pas arrestimit të tyre pati njoftuar se gjatë operacionit dhe bastisjeve të kryera në Gjilan e Prishtinë janë gjetur armë.

Por, gazeta ka mësuar nga burimet e saj brenda rastit se te personat e arrestuar janë gjetur edhe mjete eksploduese e madje të tilla që po përgatiteshin për sulm.

“Tek V. Shala dhe G. Selimi në ditën e arrestimit është gjetur edhe material eksploziv që ishte gati për të eksploduar dhe si i tillë ka qenë i lidhur me telefona komandues përmes të cilëve do të dirigjohej eksplozivi i gjetur në shtëpinë e njërit prej tyre në Gjilan”, ka thënë ky burim i gazetës pa specifikuar se ndaj kujt ishte përgatitur ky sulm.

Por, sipas shkresave aktuale të lëndës, mësohet se këta dy persona janë të dyshuar për sulmin fizik ndaj dy shtetasve amerikanë që ka ngjarë në Prishtinë, të dielën më 3 nëntor. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës se dy persona nga ky grup dyshohen për sulm fizik ndaj dy shtetasve të SHBA-ve.

Ndonëse Policia e Kosovës ka qenë e rezervuar në dhënien e detajeve përkitazi me rastin, hetimet dhe përgjimet e bëra si rezultat i të cilave edhe është kryer aksioni, tregojnë për lidhjen e disave nga të dyshuarit me organizatën arabe “Al-Qeada”. Në këtë mes, gjithnjë sipas burimeve të gazetës, është tashmë i paraburgosuri, G. Selimi. Ky i fundit, sipas të njëjtave burime, një kohë ka qenë luftëtar në Siri, ndërsa nga momenti i kthimit në Kosovë ai është hetuar nga policia.

Si rezultat i përgjimeve të policisë, është arrestuar ky grup nga Prishtina e Gjilani, i cili fillimisht dyshohej për kontrabandim të armëve.

“Gjatë përgjimeve të zhvilluara, policia ka kontaktuar me të dyshuarit, të cilëve për t’u bindur për veprimtaritë e tyre edhe u ka shitur armë dhe në fund është zbuluar aktiviteti i tyre”, ka njoftuar një zyrtar i afërt me rastin.

“Operacioni është zhvilluar me implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe ka rezultuar me arrestimin e 6 personave të dyshuar (katër nga këta të dyshuar janë nga Gjilani dhe dy nga Prishtina)”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Ndonëse rasti tashmë është cilësuar si përgatitje e terrorizmit, rasti ende nuk është marrë në duar të Prokurorisë Speciale. Paraburgimi ndaj gjashtë të dyshuarve është caktuar me kërkesë të prokurores kujdestare të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Bajram Tmava është njëri nga avokatët në këtë rast. Ai mbron interesat e të arrestuarit N. Sylejmani. Tmava për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk ka dhënë detaje mbi arsyet e paraburgimit të klientit të tij, përveç se e ka konfirmuar që paraburgimi prej tridhjetë ditësh është caktuar nën dyshimin se të pandehurit kanë kryer vepër penale të përgatitjes së terrorizmit dhe atë të armëmbajtjes pa leje.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora