E merkure, 24.04.2024, 10:59 PM (GMT+1)

Mendime

Marko Caka: Çudia e mediave dhe opozitës greke

E marte, 27.05.2008, 05:53 PM


Çudia e mediave dhe opozitës greke

Nga Marko Caka

Këtë të premte në sallën e gazetarëve në Ministrinë e Jashtme greke u zhvillua konferenca për shtyp e zëdhënësit të saj, Jorgo Kumucaku. Si jo rrallë herë, në këtë konferencë shtypi që mban dhe datën 23 maj të këtij viti, kishte në epiqendër pothuajse  vetëm çështjen e takimit të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni me homologen e tij greke, Dora Bakojanis. Disa gazetarë të mediave më kryesore greke e kishin nisur me një vërshim pyetjesh dhe e kishin mbërthyer zëdhënësin Komucaku për të dhënë llogari, se përse takimi i ministres së Jashtme greke, i zonjës Bakojanis me homologun e saj kosovar Skënder Hyseni nuk ishte zyrtarizuar dhe publikuar në faqen e dikasterit. Pra, duke i treguar se shefja e diplomacisë greke ka thyer edhe rregullat e Rezolutës 1244 të OKB-së, ku sipas tyre ministri i Jashtëm kosovar është i jashtëligjshëm dhe veprimi i zonjës Bakojanis është më se i gabuar dhe paprecedent. Ndërsa zëdhënësi grek Komucaku, në njërën anë shpjegon pak a shumë rregullat e lojës diplomatike që duhet të luajë Greqia, kur ka të bëjë për interesa madhore kombëtare. Pra, zoti Komucaku e di shumë mirë se sa e rëndësishme për Greqinë është që të mbash marrëdhënie të mira me shtetin e ri të Kosovës, kur dihet që Greqia është vend anëtar i BE-së dhe faktor kryesor për rajonin e Ballkanit. Jo më kot zëdhënësi Komucaku u sqaroi kolegeve gazetarë grekë, se Greqia nuk është hera e parë që zhvillon takime me drejtues të qeverisë së Kosovës kur ata kanë zhvilluar dhe takim të drejtpërdrejt në mars të vitit 2005 në Prishtinë, kur në Kosovë ishte president Ibrahim Rugova dhe kryeministër i pafajshmi i Gjykatës së Hagës, Ramush Haradinaj. Jo pa qëllim e cilësova gjykatën e Hagës se në atë kohë, mediat greke e trumbetuan arrestimin e luftëtarit Haradinaj si një fitore e të drejtës serbe. Dhe tani gjithë ato trillime që kanë shkruar ndaj ish-kryeministrit kosovar, pas fitores së pafajësisë së tij ishin një goditje e rëndë për të gjitha qarqet që janë të lidhura me shovinizmin antishqiptar e me krimet serbo-milloshevicjane. Prandaj dhe reagimi i mediave greke që janë të lidhura mish e kockë me doktrinën serbe, nuk duhet të përcillet si një çudi e madhe. Pastaj dhe mënyra se si e kishin sulmuar gazetarët grekë zëdhënësin e Bakojanis, tregon qartë se lojën e kujt luajnë mediat greke dhe pronarët e tyre. Është e qartë se këta media duan të mbrojnë interesat e kompanive të rëndësishme, të cilat bëjnë lobing për interesat e Serbisë. Të gjithë e dinë se sa e fuqishme ishte veprimtaria e kompanisë aksionere greke të metalurgjisë së Trepçës, e cila pasi humbi gjithçka me luftën e Kosovës, u vendos e tëra në shërbim si megafon i prishur i politikes shoviniste serbe, duke shtrembëruar përpara opinionit shoqëror grek realitetin e genocidit milloshevicjan ndaj kosovarëve. Madje si kjo kompani ka dhe kompani të tjera, që sot janë shumë të rëndësishme dhe në Shqipëri dhe mbeten enigmatike se çfarë pazaresh luajnë në kurriz të interesave tona kombëtare shqiptare. Jo më kot opozita greke  një muaj më parë akuzoi një nga drejtuesit e kompanisë së fuqishme greke MARFIN, se është i lidhur me mafien shqiptare. Dihet hapurazi që kjo kompani sponsorizon vazhdimisht  aktivitetet e rëndësishme në ndihmë të popullit serb. Madje dhe në disa evente që ka zhvilluar çifti mbretëror serb për fëmijët e Serbisë në Kosove, kompania MARFIN ka qenë e pranishme. Por akuza e opozitës se kjo kompani është e lidhur me mafien shqiptare, kjo është shumë e thellësuar dhe enigmatike. Akoma nuk dimë brenda nesh se kush luan lojën antishqiptare. Pra kush na qenkan këta mafiozë shqiptarë, të cilët për hir të interesave të fëlliqura personale bëkan pazare me një nga kompanitë që bën lobing për Serbinë në dëm të interesave madhore të popullit kosovar. Pastaj dhe çudia tjetër është se së bashku me reagimin e mediave greke kundra takimit Bakojanis-Hyseni, është bashkuar dhe opozita socialiste greke e drejtuar nga Jorgo Papandreu. Nuk është çudi që pas kësaj konference për shtyp të Kumucakut në 10:30, një orë më vonë në zyrat e PASOK-ut, kryetari i saj dha deklaratë për shtyp së bashku me kryetarin socialist serb, Ivica Dasic, po për këtë çështje dhe për qëndrimet që mban opozita greke, PASOK në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Pastaj kjo opozitë ishte kur për herë të parë theu tabunë dhe në samitin e radhës të BE-së të Selanikut të qershorit 2003, ku qeveria e PASOK-ut drejtonte presidencën evropiane dhe ftoi për herë të parë delegacionin kosovar të kryesuar nga ish-kryeministri Bajram Rexhepi. Ndërkohë që po ky delegacion kosovar kishte marrë pjesë dhe një muaj më përpara këtij samiti në konferencën e përvitshme “The ekonomist forum”, duke mbajtur dhe referate. Ishin po këta socialistë grekë që në zgjedhjen e Jorgo Papandreut, kryetar të Internacionales Socialiste në janar 2006 kishin të ftuar specialë liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kryeministrin e tanishëm, Hashim Thaçi. Ndërkohë që ndaj këtij personaliteti të shquar të popullit kosovar çfarë nuk është thurur nga mediat greke, duke hedhur baltë mbi veprimtarinë politike dhe heroike si lideri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra për zotërinjtë socialistë të PASOK-ut, sa ishin në pushtet sjellja e tyre ishte më se e ligjshme dhe e ”butë” me kosovarët, por tani pas 5 viteve u duket e çuditshme dhe e jashtëligjshme takimi i shefes së diplomacisë së jashtme Bakojanis me homologun e saj Skënder Hyseni. Kur dihet që çështja e Kosovës ishte më e ndjeshme dhe vendi ishte më i destabilizuar. Tani që Kosova është formuar si shtet demokratik multietnik, me një stabilizim të plotë që respekton maksimalisht të drejtat e minoriteteve dhe me një njohje unanime nga Amerika, BE-ja dhe nga 80% e vendeve më të zhvilluara të botës. Ndërsa për grekët akoma mbahet peng njohja e saj dhe më absurdja për mediat e saj dhe opozitën greke, të cilësohen të jashtëligjshme dhe takimet me drejtuesit elitar të saj, duke penguar qeverinë Karamanlis të marrë vendimin historik të njohjes një herë e mirë të pavarësisë së Kosovës. Sa për dijeni të disa kolegëve grekë dhe të opozitarëve flamurtarë të politikës serbe, tani Kosova e ka marrë rrugën e saj ligjimitime e të pakthyeshme të një shteti të pavarur dhe shumë shpjet po shkon drejt asaj të njohjes së plotë dhe të aderimit të saj në strukturat e OKB-së dhe të përfaqësimit të saj në strukturat euro-atlantike. Pra, duan apo nuk duan serbët dhe aleatët e tyre tradicionalë, se orientimi i Kosovës nuk kthehet mbrapsht dhe ka vetëm një rrugë, në atë të stabilitetit rajonal me orientim drejt anëtarësimit të saj si shtet demokratik në familjen e madhe të  Bashkimit Evropian.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora