E enjte, 12.12.2019, 06:27 AM (GMT)

Kulturë » Kinema

Albert Verria

E diele, 26.02.2006, 06:31 PM


Albert Verria

Intervistë me aktorin e njohur, Albert Verria

Kapedani, në një film filozofik për ekzistencën

Oliverta Lila

E takojmë në Vlorë. Është një takim i trupave të varietesë shqiptare. Dhe ai nuk mungon asnjë mbrëmje në teatrin ?Petro Marko?. I veshur me një pardesy të errët, kapele dhe syzat elegante, ai na befason me energjinë që përcjell gjatë një bisede. Po ta shihte dikush në rrugë, do ta thërriste me emrin e një personazhi që e identifikoi që në rininë e tij. Është aktor shumë i dashur për adhuruesit e skenës dhe ekranit. Gjatë karrierës së tij artistike, iu ka dhënë jetë shumë roleve. Megjithatë, të gjithë do ta thërrisnin ?kapedani?. Aktori i njohur, Albert Verria, ka hyrë tashmë në moshën e pensionit, por nuk e quan veten pensionist. Akoma nuk pajtohet me urdhëresën e moshës për të pushuar. Madje është në fazën e reflektimit dhe autokritikës artistike. Ai tregon se përveç angazhimeve në teatrin e Vlorës, ka shkruar vet dy-tre skenarë. Dhe një prej tyre pak kohë me parë, e ka realizuar si film ku protagonisti kryesor është uni i tij. Duke folur qetë na tregon më tej për të gjitha këto detaje.

Keni shumë vite që jetoni mes personazhesh të ndryshëm. Si kanë qenë vitet e fundit për ju?

Unë tani jam në pension, por asnjëherë nuk e kam konsideruar veten pensionist. Gjithmonë kam qenë në aktivitet. Përveçse kam punuar në teatrin e Vlorës dhe kam qenë i angazhuar në disa filma, mbi të gjitha po punoj edhe vetë. Kam shkruar dy-tre skenarë, disa prej të cilëve i kam realizuar. Së fundi kam bërë një skenar që e kam realizuar edhe si film të titulluar, ?Me vetveten?.

Kur e keni xhiruar këtë film dhe cili është boshti i tij?

Këtë film e kam xhiruar vitin e shkuar dhe është më tepër një skicë vizuale. Është një monolog me vetveten, ku unë flas për problemin e pavdekshmërisë së njeriut. Dhe merret me një gjë abstrakte e cila shkëputet nga trupi i njeriut në momentin që humbet fizikisht. Kjo subkoshiencë e cila jeton nëpërmjet fuqisë penetruese të saj, futet në celulat e trurit të njeriut dhe e bën atë ose një gjeni për të ardhmen, ose një njeri që e komandon djalli që ndodhet brenda vetvetes.

Jemi mësuar t'ju shohim në role ?të buta?. Pse pikërisht një film me një temë që hyn në hulumtime filozofike?

Që të jetosh në pafundësi, duhet t'i japësh shoqërisë vlera që të jetojnë me shekuj. Shumë figura të shquara që nga bota e antikitetit si, Sofokliu, Eskili, Aristofani, që nga koha e Mesjetës si, Sheksipi, Da Vinçi etj janë njerëz që kanë vdekur, por janë gjallë me veprat e tyre që arrijnë deri sot. Me të drejtë Da Vinçi shprehet ?Ç'është gjumi? Gjumi i përngjan vdekjes, atëherë përse nuk bën vepra që t'i përngjash të gjallëve?! Ndërsa ti je i gjallë dhe i përngjan të vdekurve të trishtuar...? Me anë të tij, dua t'i uroj njerëzve që të mbeten sa më të virtytshëm për shoqërinë dhe në kujtesën e brezave që do të vijnë.

Duke qenë i ndërtuar në formë monologu, do të thotë që personazhi i vetëm i filmit jeni ju?

Diku unë shprehem: ?Unë do të vras, do të vras pikërisht këtë djallin që është futur brenda shpirtit tim, i cili nganjëherë paraqitet tepër i fuqishëm?. Duke personifikuar një shoqëri të tërë njerëzore unë lë shumë personazhe aty brenda. Të gjithë kanë vdekur, dhe njerëzit dialogojnë me njëri-tjetrin me subkoshiencën. Vet ekzistenca e mosekzistencës, vet arsyeja e mosarsyes, vet djalli që ekziston brenda shpirtit tonë, na frenon dhe na bën njerëz që merremi me anët më të këqija të jetës. Është i karakterit filozofik, por mendoj se mesazhi është shumë i qartë.

Duke përfshirë edhe këtë film të fundit, keni provuar në disa natyra rolesh. Keni qenë edhe pjesë e estradës...

Një nga arsyet që unë kam marrë pjesë në estradë, ka qenë për faktin se aktori duhet të provojë shumë momente. Estrada është një gjini e vështirë dhe të bësh humor gjithashtu është e vështirë. Jo të gjithë bëjnë humor dhe aq më tepër në skenë. Aktori i estradës, ka një veçori specifike. Jo vetëm që duhet të jetë tepër organik, por duhet të jetë edhe këngëtar, duhet të ketë një plastikë tepër të zhvilluar, një mimikë që lind spontanisht nga materiali dramaturgjik duke qenë sa më ekspresiv. Aktori vihet para një përgjegjësie shumë të madhe. Fakti që kam luajtur në estradë më ka dhënë mundësi që t'i perfeksionoj këto cilësi të mjeshtërisë aktoriale.

Ju keni qenë i ftuar në ?Ditët e humorit shqiptar 2005? në Vlorë. Si e shihni të ardhmen e kësaj gjinie?

Në Shqipëri ka një aktivitet të mekur për vet kushtet financiare, dhe nuk kanë dhënë ndihmesën e tyre që këto trupa të mos mbeten inerte. Ky takim për mua ka vlera të jashtëzakonshme, sepse bëhet në një periudhë ndërprerje prej gati 10 vjetësh dhe të gjitha trupat që morën pjesë në këtë takim erdhën me një përgatitje tepër të shpejtuar dhe gjetën me aq sa kishin mundësi një spektator të mrekullueshëm. Në të ardhmen, ky duhet të jetë një takim i denjë. Mund të ftohen edhe trupat e humorit shqiptar të Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi si edhe trupa të huaja.

Humori është një gjini që populli e do shumë dhe në të gjitha premierat e të gjitha rretheve, i ndjek me një interes të madh. Estradat e Shqipërisë kanë aktorë të nivelit të lartë, dhe besoj se në të ardhmen do të jenë shumë më të përgatitur.


Flet aktori i njohur, Albert Vërria

“Tani që jam 70 vjeç, nuk i ngjaj xha Sulos”

Aurora Damini

E quajnë tashmë me shumë emra, sipas roleve, por nga shumica e spektatorëve, ai do të mbahet mend si kapedani. Aktor i mbi 30 roleve në kinematografi dhe i mbi 90 roleve në dramaturgji, Albert Vërria ishte vetëm 30 vjeç, atëherë kur mori përsipër dhe i habiti të gjithë me interpretimin e tij të natyrshëm dhe të bukur të plakut 70-vjeçar plot me teka. “Më tërhoqi aq shumë sa i përpirë prej rolit thosha frazat e filmit në mes të rrugës. Iu dhashë me mish e me shpirt atij roli”, thotë aktori Vërria, tani kur kanë kaluar 40 vjet nga ajo kohë. Por si dhe në ç’mënyrë arriti ky djalë i ri të sillte në ekran një figurë në moshë të thyer? Pse zgjodhi rolin e kapedanit dhe cili është aktori Albert Vërria. Në një intervistë për “Tirana Observer”, ai jep përgjigjet e këtyre pyetjeve.
Kur lindi dëshira juaj për skenën dhe ç’kujtoni nga ajo periudhë?
Që në shkollën fillore, një mësues spikati tek unë dëshirën për të qenë në skenë. Unë jepesha me mish e shpirt dhe e dija që e ardhmja ime ishte aktrimi, edhe pse asgjë të trashëguar nga të afërmit e mi nuk kam në këtë fushë.
Cilët kanë qenë ata që spikatën të parët talentin tuaj?
Shkolla e lartë ishte një përvojë e madhe për mua. Pedagogët e mëdhenj si: Kujtim Spahivogli, Naim Frashëri, Drita Pelingu spikatën tek unë talentin.
Cili ka qenë roli juaj i parë në skenë?
Mbaj mend se për diplomë kishim një komedi të Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë” dhe publicisti Javer Malo, si një profet, ka paralajmëruar lexuesit që atëherë po lindte një aktor i talentuar. Shpresoj mos t’i kem zhgënjyer shikuesit dhe publikun tim.
Po më pas si vazhdoi jeta juaj artistike?
Më pas vazhduan pafundësisht role të tjerë në teatër si tek drama “Familja e peshkatarit” në rolin e gungaçit, një personazh mbresëlënës ku unë mora çmim të parë në Festivalin Kombëtar të Teatrove në Tiranë. Në trupën e Vlorës, ku unë kam punuar që pas mbarimit të shkollës së lartë, pas viteve ‘63 e deri më sot, kam punuar me shumë regjisorë si: Leka Bungo, Nazmi Bonjaku, Pëllumb Kulla, e deri tek më të rinjtë si: Besnik Aliaj dhe në të gjitha herët kam pasur jo vetëm marrëdhënie të mira, por edhe shumë profesionale.
Roli juaj më i veçantë është ai Xha Sulos te “Kapedani”. Si u njohët me rolin dhe në ç’mënyrë u bë i mundur realizimi i tij?
Ka qenë një takim spontan dhe i rastësishëm në stacionin e trenit në Tiranë, ku regjisori i mëvonshëm i komedisë së suksesshme “Kapedani”, Ismail Xhabjaku, mes turmës së madhe të punonjësve të teatrit të Vlorës, më spikati mua. Me ç’më tha më vonë atë e tërhoqi mimika ime. Më tha të bëja kinoprovën dhe unë isha që në fillim i gatshëm për këtë. Mora veprën dhe e përpiva menjëherë. Më tërhoqi aq shumë sa i përpirë prej rolit thosha frazat e filmit në mes të rrugës. Iu dhashë me mish e me shpirt atij roli. Mbaj mend se para hotel “Dajtit” njerëzit kthenin kokën dhe më shikonin sikur shikonin ndonjë UFO. Mbledh veten dhe e kuptova se flisja me zë, ose më saktë luaja me vetveten. Sigurisht që njerëzit mendonin se kam qenë i çmendur, por shumë pak kohë më vonë, ata që ndoshta e mbanin mend fytyrën time (besoj se fytyra ime nuk harrohet kollaj, bën shaka aktori) më kanë parë tek filmi “Kapedani” dhe e kanë vlerësuar “lajthitjen” time.
Në atë kohë ju ishit vetëm 30 vjeç, por duhej të interpretonit një burrë të moshuar 70-vjeçar. Çfarë vështirësish keni ndjerë për t’iu përshtatur rolit?
Isha vetëm 30 vjeç, por duhej të bëja të pamundurën. Të dilja jashtë karakterit dhe vetes sime. Të bëhesha plak, konservator, me një apati ndaj grave, i mykur dhe prapa dynjasë, vetëm për hir të atij roli që unë e doja aq shumë. Të gjitha këto nuk ishin në karakterin tim. Bëra kinoprovën në prani të mbi 200 vetëve dhe iu dhashë me mish e shpirt atij roli. Më pas iki në qytetin tim në Vlorë dhe pas pak ditësh më erdhi telegrami nga Kinostudioja se e kisha fituar kinoprovën dhe se unë, përkrah të madhit Nikolin Xhoja, do të xhiroja filmin. Mbaj mend se kur shkova në studio dhe më bënë grimin, dola një kapedan i vërtetë, kapedan 30-vjeçar, por që dukesha si 70 e kusur vjeç. Unë as tani që jam 70 vjeç nuk kam këto vese. (Qesh). Regjisorët e filmit “Kapedani” ishin Fehmi Oshafi e Muharrem Fejzo dhe vepra ishte shkruar nga Skënder Plasari, e para dhe e fundit vepër e tij. Kështu “lindi” “Kapedani”, që edhe sot e kësaj dite kur e shoh më pëlqen dhe më tërheq.
Në karrierën tuaj artistike numëroni mbi 30 role në kinematografi dhe 90 role në dramaturgji. Si ndiheni pas kësaj pune të madhe?
Albertit i është dashur të transformohet në koprac, fantazmë, njeri të rrjedhur, memec, prapanik e konservator, si një xhongler ku aktori duhet të ketë fytyrën e vet njerëzore. Brenda shpirtit të njeriut, brenda karakterit të tij mpleksen tragjikisht engjëlli dhe djalli. Kuptohet që djalli është i zi dhe i fuqishëm, herë-herë edhe triumfon, por më në fund njeriu i mirë ia del dhe i thotë me krenari: Të mposhta djall brenda meje! Por jam i kënaqur me skenën dhe ekranin.
Në shumicën e rasteve keni interpretuar në role negative. Çfarë ndjesie ju ka dhënë interpretimi i tyre?
Rolet negative më kanë dhënë një sadisfaksion të thellë, pasi rolet pozitive, të njohur në të shumtën e rasteve, kanë qenë të bardhë, të veshur me propagandë morale. Unë jam prerë, gjakosur, jam hedhur nga shkëmbi; gjithë të zezat më kanë punuar në rolet e mia dhe si të thuash jam më i persekutuari ndër aktorët e tjerë. Por rolet janë dashuria ime e vetme, të cilat nuk më kanë zhgënjyer dhe që vazhdoj t’i luaj me ekspresivitetin e një të riu.
Cilat janë ato gjëra të cilat Alberti i quan “të shenjta” në jetën e tij?
Rolet dhe dashuria për mbesën time (këtu aktori nxjerr nga gjoksi foton e mbesës së tij të vogël), janë ato që më mbushin jetën, një jetë të gjallë dhe aktive për popullin tim. Kam pasur vështirësi të shumta në jetë, por edhe një jetë tjetër sikur të kisha, profesionin e aktorit do të kisha zgjedhur sërish…

Pasaporta

Emri: Albert
Mbiemri: Vërria
Vendlindja: Fier
Ditëlindja: 3 shtator 1936
Arsimimi: Pasi mbaroi shkollën e mesme bujqësore punoi si zooteknik në vitet 1956 - 1959
Përfundon shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” (1959 -1963)
1963- Emërohet aktor në Teatrin e Vlorës
Në vitin 1979, Albert Vërrisë i është dhënë titulli “Artist i Popullit”.

Role

Teatër: “Fytyra e Dytë”, “Revizori”, “Fundi i një komedie”, “Lidhur si fishek gjerdani”, “Vite të vështira”, “Pallati 176”, “Sakrifica”.

Filma: “Përse bie kjo daulle”, “Kapedani”, “Brazdat”, “Operacion Zjarri”, “Shpërthimi”, “Shtigje lufte”, “Në fillim të verës”, “Thirrja”, “I treti”, “Nga mesi i errësirës”, “Koncert në vitin 1936”, “Përtej mureve të gurta”, Dëshmorët e monumenteve”, “Goditja”, “Agimet e stinës së madhe” etj.

Vërria: Si dola jashtë vetes sime

Ka qenë një takim spontan dhe i rastësishëm në stacionin e trenit në Tiranë ku as/regjisori i mëvonshëm i komedisë së suksesshme “Kapedani”, Ismail Xhabjaku, mes turmës së madhe të punonjësve të Teatrit të Vlorës, spikati Albert Vërrinë, i tërhequr nga mimika e veçantë e të riut 30-vjeçar. “Më tha të bëja kinoprovën dhe unë isha që në fillim i gatshëm për këtë. Mora veprën dhe e përpiva menjëherë. Më tërhoqi aq shumë sa i përpirë prej rolit thosha frazat e filmit në mes të rrugës. Iu dhashë me mish e me shpirt atij roli”, thotë Vërria, duke kujtuar ballafaqimin e parë me rolin e xha Sulos. “Mbaj mend se para hotel “Dajtit” njerëzit kthenin kokën dhe më shikonin sikur të isha ndonjë UFO. Mbledh veten dhe e kuptova se flisja me zë, ose më saktë luaja me vetveten. Sigurisht që njerëzit mendonin se kam qenë i çmendur, por shumë pak kohë më vonë, ata që ndoshta e mbanin mend fytyrën time, më kanë parë tek filmi “Kapedani” dhe e kanë vlerësuar “lajthitjen” time”, thotë duke qeshur Vërria. Ishte vetëm 30 vjeç dhe duhej të bënte të pamundurën për të realizuar sa më të plotë dhe të natyrshëm një plak 70-vjeçar. “Duhej të dilja jashtë karakterit dhe vetes sime. Të bëhesha plak, konservator, me një apati ndaj grave, i mykur dhe prapa dynjasë, vetëm për hir të atij roli që unë e doja aq shumë. Të gjitha këto nuk ishin në karakterin tim”, kujton tani aktori Vërria. “Bëra kinoprovën në prani të mbi 200 vetëve dhe iu dhashë me mish e shpirt atij roli. Iki në qytetin tim në Vlorë dhe pas pak ditësh më erdhi telegrami nga Kinostudioja se e kisha fituar kinoprovën dhe se unë, përkrah të madhit Nikolin Xhoja, do të xhiroja filmin”, kujton Vërria, duke pohuar se është habitur edhe vetë pas grimit në studio. “Mbaj mend se kur shkova në studio dhe më bënë grimin, dola një kapedan i vërtetë, kapedan 30-vjeçar, por që dukesha si 70 e kusur vjeç”.

Vërria tek “Trapi i vjetër”

Së fundmi, është rishfaqur në ekranin e “Vizion +” në një telekomedi, të quajtur “Trapi i vjetër”. Aktori 70-vjeçar, Albert Vërria, këtë radhë është “më bashkëkohor”, se te “Kapedani” dhe jo xha Suloja “i prapambetur” dhe jashtë mode. Në telekomedinë me regji të Spartak Pecanit e Naum Shundit, Vërria interpreton përkrah aktorëve të tillë si: Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Malkaj, Naum Shundi, Valentina Kita etj., apo emrave të rinj si: Çiljeta Xhilaga. Telekomedia me skenar të Vangjel Kozmajt ka në qendër të saj një hotel të quajtur “Trapi i vjetër”. Si pronë e një ish-trafikanti, ky hotel do të bëhet vendi ku mbretërojnë thashethemet, aferat, vendi ku merr udhë kontrabanda, vendi ku takohen politikanët, zyrtarë të lartë shtetërorë, nëpunës apo dhe njerëz të thjeshtë, atje ku të tjerë argëtohen dhe kalojnë momente intime. “Trapi i vjetër” është një pjesë e tranzicionit shqiptar, dhe nëpërmjet komikes synon të godasë anët e errëta të këtij realiteti.

VLERËSIME për ...

Pëllumb Kullën
Në trupën e Vlorës, ku unë kam punuar që pas mbarimit të shkollës së lartë, pas viteve ‘63 e deri më sot, kam punuar me shumë regjisorë të asaj kohe e deri te më të rinjtë. Në të gjitha herët kam pasur jo vetëm marrëdhënie të mira, por edhe shumë profesionale. Një ndër këta regjisorë është Pëllumb Kulla, për të cilin ruaj respekt edhe sot.

Nikolin Xhojën
Filmin “Kapedani” e kam realizuar me regjisorët Fehmi Oshafi dhe Muharrem Fejzo. Për mua ishte një kënaqësi e madhe dhe surprizë të interpretoja përkrah të madhit, Nikolin Xhoja, të cilin e pëlqeja shumë dhe e vlerësoja si aktor. Puna me të ishte vërtet e bukur.

Naim Frashërin
Mbaj mend se për provimin e diplomës kishim një komedi të Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë” dhe ky ka qenë roli im i parë në skenë. Por për “lojën” dhe jetën time në skenë, në radhë të parë falënderoj pedagogët e mi, mes të cilëve të madhin, Naim Frashërin. Shkolla e lartë ishte një përvojë e madhe për mua.

TO - Maj 2005

 

Flet aktori 70-vjeçar, Albert Vërria
“Projektet e shumta që nuk kam realizuar ende”

Fjorela Katroshi

Jetëshkrimi:

Emri: Albert Vërria
Datëlindja: 3 shtator 1935
Vendlindja: Fier

Karriera tij numëron mbi 80 role teatrale dhe 30 role në filma

Arsimimi: Pasi mbaroi shkollën e mesme bujqësore, punoi si zooteknik në vitet 1956 - 1959

Përfundon shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” (1959 -1963)
1963- Emërohet aktor në Teatrin e Vlorës

Në vitin 1979, Albert Vërrisë i është dhënë titulli “Artist i Popullit”.

Teatër: “Fytyra e Dytë”, “Revizori”, “Fundi i një komedie”, “Lidhur si fishek gjerdani”, “Vite të vështira”, “Sakrifica”.

Filma: “Përse bie kjo daulle”, “Kapedani”, “Brazdat”, “Operacion Zjarri”, “Shpërthimi”, “Shtigje lufte”, “Në fillim të verës”, “Thirrja”, “I treti”, “Nga mesi i errësirës”, “Koncert në vitin 1936”, “Përtej mureve të gurta”, Dëshmorët e monumenteve”, “Goditja”, “Agimet e stinës së madhe” etj.

Ai sapo ka mbushur të 70-at dhe ka ende vullnetin e mirë për të realizuar dhe sjellë pranë publikut krijimet e tij. Para 40 vjetësh, ai u bë një ndër personazhet më të dashura për publikun dhe vazhdon të jetë edhe sot. Mjafton të përmendim filmin “Kapedani” dhe imazhi i parë që mund të krijohet, është ai që kishte zët gratë, xha Sulo, personazhi i interpretuar nga aktori Albert Vërria. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, Vërria rrëfen për projektet e tij që kanë mbetur ende në copa skenarësh dhe nuk janë realizuar ende. Ai tregon me pasion duke kaluar nga një krijimtari në tjetrën dhe duke rrëfyer për subjektin e secilës.
Ju sapo keni xhiruar një kinokomedi shumë të mirënjohur të titulluar “Trapi i vjetër”, në të cilën nuk keni pasur një rol protagonist. Si ju duket vetja në këtë rol?
Në kinokomedinë “Trapi i vjetër”, unë jam Foni, një personazh që nuk zë rol kryesor, por vetë ndërtimi i karakterit bën që të evidentohet krahas roleve kryesore. Personazhi është vazhdimisht në një zemërimi të brendshëm, por nuk jam nisur kurrë nga motivi për të qeshur, por kam luajtur dramën e tij edhe pse kjo dramë është shumë qesharake. Foni është një lloj karakteri që unë si aktor, një karakter të tillë nuk e kam njohur kurrë, prandaj rolin e pranova me kënaqësi dhe bëra të mundur që krahas personazheve të tjerë dhe ky rol të ketë vendin e tij dhe të mbahet mend nga kujtesa e spektatorëve.
Jeni bërë shumë i njohur me xha Sulon në filmin “Kapedani”, i cili shihet nga të gjithë me mjaft dëshirë edhe sot që kanë kaluar 30 vjet nga xhirimi i tij, pse nuk e interpretuat për herë të dytë xha Sulon?
Unë e kam eksperimentuar një gjë të tillë, por nuk mund të arrija atë qëllim që kisha për arsye të fondeve. Megjithatë, unë e kam xhiruar filmin dhe në të trajtohet hakmarrja e grave deri në përdhunim. Filmi është konceptuar në formën e një ëndrre që shikon xha Sulon me peripeci të jashtëzakonshme e situata nga më të ndërlikuarat. Personazhi ruan të gjitha tiparet e karakterit të Sulos, por në sensin e kundërt të filmit “Kapedani”, ku gratë e zhburrërojnë.
A keni projekte për të ardhmen?
Kam dëshirë të xhiroj një film që e kam titulluar “Epsepsion”. Një fenomen që ndodh një herë në një milion vjet, kur të gjitha personazhet bien viktima me ndërgjegje të plotë ndaj një mashtruesi. Pjesa është një kinokomedi me situata tepër të ndërlikuara komike dhe me karakteristika e tipare të veçanta. Dëshira ime për të realizuar këtë projekt është e madhe dhe jam i gatshëm për të bashkëpunuar me këdo, mjafton që ky skenar të bëhet realitet, pa u nisur fare nga përfitimet vetjake. Gjithashtu, krahas këtij filmi, unë kam realizuar dhe një film tjetër më titull “Fantazma”, ku kam shkëputur disa monologë nga dramaturgjia botërore si: “Monologu i Harpagonit” te komedia “Kopraci”, “Tartufi”, “Ezopi”, “Fantazma”, “Makbethi” dhe personazhi Albert, i cili transformohet në këto personazhe. Mesazhi i gjithë këtij filmi jepet nëpërmjet larjes së hesapeve, hakmarrjes, hipokrizisë, korrupsionit, etjes për para dhe mbi të gjitha që njerëzit të gjejnë gjuhën e përbashkët për të mirën e njerëzimit. Në të njëjtën kohë kam përfunduar një film tjetër, i cili titullohet “Monolog me vetveten”. Unë merrem me një fenomen që është sa absurd aq edhe konkret në nëndijen tonë. Nëpërmjet këtij filmi, unë kam dashur të shpalos idenë: që njerëzit të mbeten gjallë edhe pas vdekjes, duhet të lenë pas vepra që t’i shërbejnë të tashmes dhe të ardhmes.
Ju tashmë keni arritur në moshën e tretë. Si nis dhe si përfundon një ditë e zakonshme për Albertin?
Ky vit për mua është një vit jubilar, pasi përkon me 70-vjetorin tim. Në gjithë këto vite jetë, 40 ia kam kushtuar artit skenik e kinematografisë dhe e kam të vështirë dhe pothuajse të pamundur të ndahem prej tyre. Ditën time edhe pse në moshë të tretë, e kam intensive. Lexoj shumë libra shkencorë, artistikë, filozofikë, më pëlqen astronomia dhe bota e antikitetit. Lexoj me ëndje filozofët e lashtësisë, ku gjej mendime që përkojnë edhe me botën e sotme moderne. Jam një familjar i kujdesshëm. Kam dy djem dhe një mbesë të vogël një vjeçe e gjysmë që e quajnë Zhaklin, të cilën e dua me shpirt dhe shpresoj që ajo mund të ndjekë rrugën e gjyshit.

TO - Shtator 2005



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT