E enjte, 25.04.2024, 08:51 PM (GMT+1)

Mendime

Selim Nëngurra: Me dhimbje të madhe e përkujtoj 12 nandorin, ditën kur iku në amshim Daniel Gazulli

E marte, 11.11.2014, 10:00 PM


RIPUBLIKIM: ME DHIMBJE TË MADHE E PERKUJTOJ 12 NANDORIN, DITËN KUR IKU NË AMSHIM DANIEL GAZULLI

Nga Selim M. Nengurra

Lajmi për vdekjen e nji njeriu gjithmonë asht shokues , asht trishtues dhe nji forcë e quditshme e paspjegueshme na ban të ndalemi , të mendojmë, ta kujtojmë të vdekunin, dhe shpesh na ndalet fryma, shpesh nga vershojnë lotët dhe ulemi ose mbeshtetemi diku, në ndonji objekt, në krahnorin e ndonji të dashtuni që e kemi pran.

Shpesh edhe pijmë nji gotë ujë e disa instiktivisht ndezin cigare dhe me ofshama thithin tymin e sajë me fytyrën e zbehun e syt e perlotun.

Viti 2012 per mue ishte vit që do e mbajë mend gjatë sepse në interval kohe shumë të shkurt në boten e amshueshme iken dy nga bashkpuntorët e ZSH-së ( zemrashqiptare.net ) dy nga miqët e mi e edhe këshilltarët e redaktoret e shkrimeve të mia.  Së pari iku i persekutuemi nëpër kazamatet serbosllave Prof. Kadri Osmani - Mani e vetem pak javë ma vonë saktësishtë me 12 nandor si meteor që shkëputet nga galaktika dhe zhduket diku në hapsinën e gjithësisë iku në Boten e Amshueshme Prof. Daniel Gazulli.

Isha në vendlindje në Istog ato ditë dhe në mesditë të 12 Nandorit marr lajmin se rrethe orës 11.00 në Cervia të Italisë ku kishte shkue per nji kurim mjekësor papritmas vdes Daniel Gazulli.

Nuk mund tu besoja veshve per lajmin e dhimbshëm që ndegjova, isha vetem në banësen time dhe kur mora telefonatën  isha tue dal per të shkue me ngranë darkë diku në nji restorant.

Mu këputen kambët, mu ndal frymarrja per disa qaste, lotë të vakt vërshuen faqeve të mia dhe loti ishte i furishem sikur ta kishte pas burimin si ndonji lum nga thellësitë e tokës. Athue vallë edhe toka po derdhka lumej lotësh sepse paska ndonji dhimbje në mbrendinë e sajë. Nuk di ta tham këte unë, por di se nga mbrendia e shpirtit tim ndjeja dhimbje të mëdhaja e të thella dhe u ula në pragun e derës tue harrue gjithçka tjeter, doja ta shfryj dhimbjen time me lot ashtu  vetem në terrin e mbramjes në koridorin e ndertesës ku unë kam banesën. Ndejta aty mbi dhjet minuta dhe jovetem mustakët e mi të gjatë e të thinjët, por edhe këmisha në pjesën e perparme ishte ba qull nga lotët.

Per fat vjen komshija e ime E.D. dhe kur më shef ashtu ajo afrohet e më thotë se çka kam? Çka ka ndodhë, mos diçka me familjën në Norvegji? Jo i them unë dhe disi turpshem para saj provoj ti fshijë lotët, nuk ka ndodh asgja me familjën time në Norvegji, por më ka vdek miku im ma i miri që kam pas ndonjihere. Ajo me ato shprehjet tona podgurase tradicionale më shprehu ngushllime dhe më luti të ngritem e të futem mbrendë në banesë e mos të rri ashtu ulun në pragun e derës. Mora pak frymë dhe me forcat e fundit u ngrita dhe u perplasa në divanin që e kam te dera e dhomës ditore, qava derisa ma as loti nuk dilte, shterrova edhe lotët, por dhimbja ishte e madhe. Kuptova se paskam humb njeriun që rastësishtë e njofta, dhe që nga momenti kur u njoftuem mu ba personi im ma i randësishëm , mu ba njeriu pa të cilin as që mund mendoja se unë do zhvillohem në profesionin e gazetarisë e të publicistikë. Baca ( kështu e kam thirrë gjithmonë unë ) Daniel Gazulli nji ditë të shtatorit 2007 papritmas më dergon nji letër në hotmail adresen time, teksti i letrës ishte ky;  "... Selim i dashtun, unë percjellë dhe lexojë shkrimet e tua publicistike që i banë ne ZSH, dhe në Kosovaalbemigrant, ti shkruen mirë, ke edhe guximin qytetar e kjo do thotë se ti je intelektual, por nga sot e derisa të jam unë gjallë ti nuk guxon ta dergosh asnji shkrim në redaksi pa ma dergue mu paraprakisht që ta redaktojë e ta shkruej në Gegnishten të cilen shof se ti e don shumë..... "

Kishte shkrue pastaj se ka dëshirë të më njef ma shumë të din per familjen time dhe origjinën time familjare, per shkollimin tim dhe pregaditjen time profesionale.

U gëzova shumë dhe që atë natë i dergova nji shkrim që ta perpunonë Ai mjeshtër i madh i pendës, Ai njeri i permasave të pakrahasueshme intelektuale, me nji karakter të pathyeshem e moral të fortë çelik. Njeri me nji krenari dhe dashni per jetën sado që me vite e kishte plandos mjerimi me fajin e shoqnisë në shtetin Shqipni të cilin shtet Daniel Gazullie e donte aq shumë. Ai kishte edhe nji pamje të quditshme, nji pamje fizike HYJNORE. Shumë zemermirë e dorshlirë, bujar e mikpritës dhe falemnderues fantastik. Të gjitha këto tipare të këti Burri të Sapes së Zadrimes  i mësova e i ndjeva ende pa e takue por vetem nga letërkembimet pothuej të perditshme që kishim mes veti. Mezi prita të vjen koha e pushimeve verore dhe të shkojë e ta takoj këte njeri.

Mes korrik 2009 pasi mbarova me disa punë që kisha bashk me familëjn në Istog , unë me dëshirë të madhe i hypa makinës dhe u nisa per në Lezhë. Kisha lajmrue Bacën disa ditë ma parë se ato ditë do shkoj ta vizitojë dhe ta njof edhe nga afër. Kur kalova tunelin e Kalimashit e thirra në telefon dhe i thash se po vi, sa u gëzue Ai njeri, ndëgjova nji; ... mirë se të bjen Zoti o Selim vëllau, dhe asesi nuk më lejojë të flasë ma shumë në tel sepse dinte ai të kursen mikun, mos u hargjo, kur vish do flasim.

Ishte hera e parë që shkoja në Lezhë dhe pasi u futa ne qytet pyeta nji zotni se ku asht Biblioteka , më tregojë dhe aty parkova veturën.

Thirra Bacë Danielin dhe Ai erdhi pas pesë minutave. Për qudi sado që kurr nuk ishim pa që të dy nga larg njoftem njani tjetrin. Nga larg më ngrit dorën me pershendetje dhe me at buzqeshjen  e ti karakteristike erdhi me hapa aristokrati, u perqafuem dhe unë sdi pse u ngazlleva dhe më dolen lotët. Ishin lotë malli e gëzimi dhe Baca më qortojë, mos u lig o djali i Podgurit të Haxhi Zekës e Ibrahim Rugovës, ja tash po e shef Danielin, po bindesh se jam si të gjithë shqiptarët e tjerë, jam ashtu si ti e hajt mos e korit Podgurin me ti pa kush lotët.

Shkuem e u ulem në nji kafene aty para Bibliotekës, morem kafet dhe edhe nga nji raki. Baca pinte duhanin dhe ate e pash se e pinte shumë, folëm per shumçka dhe pasi më njoftojë per ngjarjen e Katedralës së Shen Kolit , per vendvarrimin e Gjergj Kastriotit, per histori që unë kurr si kisha ndëgjue, foli Baca edhe per veten , per familjen, per dashninë e madhe per vajzat e ti zonjat Linda dhe Vilma, per mbesen Alexis. Foli per bashkëshorten shendetlig dhe per motren e ti e cila i ndihmon në kujdesin per shtëpi dhe bashkshorten e smut, thirri nji njeri dhe i tha të mi sjell librat e botueme të Bacës, por as nuk harroi të më qorton, dhe këtë e bani pasi edhe unë i tregova shkurt per veten time, familjen time dhe hallet e mia. Folem pra si vëllau me vëllain.

Kritika e Bacës per mue ishte temperamenti im, fjalori im në shkrimet , ne komente e replikat me kundërshtarë. Mos e harro shkollën e Ibrahim Rugovës më tha Baca, kundershtarin e anmikun injoroje, mos bjer në nivelin e ti. Dhë kjo asht i vetmi rast që unë skam mbajt premtimin te Baca, sado që i premtova se do e zbus fjalorin ka pas shumë raste kur harroja premtimin dhe shpertheja kunder atyne që më sulmonin. Ama menjihere vinte reagimi me letër i Bacë Danielit. Mbaj mend se ma shumë se njihere më ka thanë, o Selim sikur tishe pran meje do ti ngreja veshët, po le at fjalor e ta hangert dreqi... Unë turpnohesha dhe posa bahesha gadi me i shkrue e me u arsytue, vinte nga ai letra tjetër; ... o Selim edhe unë u bana nervoz kur pash se si ke komentue dhe të sulmova , por mos mu idhno të lutem se unë di se ti je i mirë e fisnik andaj të due shumë. Qoje nji raki rrushi të Rahovecit atje ku je tash dhe po pajtohemi.

Baca Daniel ka kembye me mu disa dhjetra letra të tilla dhe që të gjitha i kam dhe i ruej si thesar të shtrejtë. Baca Daniel shumëhere më ka marr në mbrojtje nga sulmues qellimkëqi e provokues. Shumë here më ka pajtue me disa publicist nese unë jam perplas me ta. Ai ju ka folë njerzve gjithmonë mirë per mu.

Dhe nga takimi i parë me te në korrik 2009 unë secilin pushim veror kam shkue e e kam takue. Sa më gëzim baja rrugën Istog-Lezhë se dija se do takoj nji njeri të madh të kombit tonë, nji dashamirë timin dhe nji vëlla gjaku.

Me 21. gusht 2012. shkova perseri e tash bashk me zonjen time Nushën. U nisa per te ba disa ditë pushim në Shengjin e nga aty pastaj me ik per në Norvegji. Zonja ime dinte se unë do shkoj gjithsesi në Lezhë me takue Bacën Daniel, andaj më tha, me qo mue në hotel në Shengjin e pastaj këtheu ti në Lezhë te ai miku yt Danieli. Jo i thash unë do vish edhe ti me mue do shkojmë bashk ta takojmë. Ajo nuk e pranoj me dëshirë dëshiren time, por unë doja ta bind edhe ate se kush ishte ai Burr Zadrimor që unë e due aq shumë. Disa here kjo më kishte thanë se unë jam naiv dhe mendoj se njerzit janë të mirë pa i provue fare, por edhe Baca Daniel kishte shpreh dëshiren ta njef zonjen time, ti njef fëmijet e mi, ai më kishte kerkue fotografi të fëmijve, të nipave e mbesës dhe ja kisha dergue. Shkuem në Lezhë dhe e prita aty te Biblioteka si zakonishtë, erdhi baca , por këte here nuk ecte me ata hapa aristokratik, me at qendrimin e shtati të madh kreshnik, ecte disi ma ngadalë, ishte ma i plogshtë dhe pash nga larg se sëmundja e paska sulmue keq. Mirpo Ai perkundër shendetit të rrenuem nuk jipej, na perqafojë, së pari Nushen e pastaj mue ashtu shpejt na pyeti per shendetin dhe femijet dhe u ulem e porositem pijet. U çmallem me njani tjetrin per 3 orë rresht, Nusha nuk ja ndante syt dhe e ndëgjonte secilen fjalë të Ti, ndërsa unë shikoja se si i dridhej dora kur mbante cigaren, u tmerrova dhe thash ta lirojmë e të shkon e të pushon ai. Kerkova leje me u ngrit, por Nusha ndërhyni, po prit edhe pak ku po don ? ! U qudita sepse ajo që me pertesë erdhi me e takue këtë njeri tash nuk dëshron me u nda nga Ai. E edhe baca më qortojë, jo ske me u que, duhet me ndëgjue zonjën tande, hapi krihet dhe meqë ishte ulun mes nesh na perqafojë të dyve. Nuk i mungonin as shakatë, andaj i tha Nushës, per Zotin po e shof se je fisnike e sojnike se perndryshe skishe mujt me i dal mban me Selimin, me temperamentin e ti, por ti e din se Selimi asht i mirë , ka shpirt engjulli në mbrendi. Qeshem të tret dhe dikur kur pash se ai asht lodhë shumë u ngrita dhe u ndam në perqafime e me lotë.

Ah sikur ta dija se ma nuk do e shof as nuk do e ndëgjojë kurr bacën tim. Çka do baja ato qaste?!

U nisem dhe rrugës per në Shengjin e pyeta Nushen, bile e qortova dhe i thash, pse the të rrim edhe pak a se shifshe se i dridhej tan trupi , nuk qenka mirë Baca, dhe ti bile as që deshte me ardh e tani nuk doje me u ngrit?! Po ashtu asht më tha ajo, por te ky njeri pash nji Shejtë, nji njeri Hyjnor dhe dëshroja ta ndëgjojë se si fliste me aq qetësi, me aq saktësi dhe me aq vullnet e dashni per jeten, per njerzit e per gjithçka të bukur në jetë.

Kujtimi im per Burrin e madhë të Shqipnisë, nji nga personalitetet ma emblematike të kohes së sotme shqiptare, Prof. Daniel Gazulli do jetë i pashlyeshem derisa nji ditë ashtu si Ai edhe unë do iku në botën e Amshueshme. Baca Daniel do më mungojë shumë dhe po më mungon.



(Vota: 29 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora