E merkure, 24.04.2024, 09:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Bahri Myftari: Patrioti

E diele, 10.11.2013, 06:33 PM


Patrioti

Tregim nga Bahri Myftari

Arsen Malo kishte ardhur në kryeqytet vitet e fundit. Të gjithë familjen e pati punësuar rreth Pallatit të Madh të Kulturës. Me tezga ambulante për secilin; tregtonte cigare, çakmakë, stilolapse e kinkalerira të tjera. Vetë

shërbente prej mëngjesit e deri në mbrëmje mu aty poshtë shkallëve kryesore, e shoqja prapa pallatit, klientët e së cilës më të shumtët ishin artistë të operas dhe baletit, dy djemtë, të dy në moshë shkolle kishin zënë dy krahët anësorë. I pesti anëtar i asaj familjeje të thjeshtë, djali i madh, pati marrë kurbetin. Arsen Malo nuk qahej për mund, për lodhje. Ai fshatar derdeng, që i pati mbirë ndër duar kazma e lopata, tani, në atë vend të privilegjuar, nga ku mund të shihte t’i parakalonte tërë kryeqyteti; burra, gra, të rinj, vajza të bukura, djem të veshur shik, të huaj të të gjitha ngjyrave; të bardhë biond, të zez kokorodh dhe të verdhë me sy prej ketri, ishte fat i madh për të.

Nuk e zinte kurrë me gojë vendlindjen, vendin e origjinës, ndonëse ajo krahinë jo vetëm brenda përbrenda, por në tërë anën e Ballkanit Perëndimor ishte e pashoqe. Me male të lartë, dimër të butë e me borë të shndritshme deri në pikun e verës, pllaja e lugina që do ta shkulnin azmën me forcë. Me frutikulturë të hatashme, mollë, ftoi që e mban aromën për gjatë tërë vitit, arra që çaheshin me dy gishta të dorës, rrush, me lëngun mjaltë, që nxirrte atë rakinë me famë deri matanë Atlantikut dhe verën që po çante edhe në tregun francez. Ja, tërë këtë mbrekulli të krijuar prej zotit dhe njeriut, e kishte harruar. I vetmi që e lidhte me origjinën ishte patrioti i tij, Klodian Guri. Klodi pati lënë në gjysmë fakultetin e agronomisë dhe nëpërmjet një kursi 6-mujor ishte konvertuar në jurist, profesion që, për fat të shoqërisë nuk e ushtroi kurrë. I mbetur pa punë, dhe i papërfillur prej shokëve të vet që tashmë gjendeshin në majë të pushtetit, ai, Klodian Guri ngriti një organizatë të tipit OJQ, të cilën shpejt e inaguroi si fondacion me një emër pompoz, fondacioni “Atdheu e bijt” por edhe këtë emërtim e zëvëndësoi shpejt, e pagëzoi instituti “Fati i shqiptarëve nëpër botë” edhe pse, pas kaq vitesh me kufij të hapur, ende nuk kishte vajtur qoftë dhe një herë në Tetovë a Prishtinë. Arsen Malo krenohej me të. Klodian Guri ishte perëndia. Vërtet Klodi ishte bir fshati, por për nga shijet, për nga mënyrat se si vishej, se si mbathej ia kalonte edhe spitullaqit më të madh të kryeqytetit. Këpucët, kostumet, deri dhe kollaret ishin të blera në dyqane speciale... Dhe Arturi, shok i Klodit, mësues matanë Dajtit, thoshte se Klodi ishte pa punë, ishte... E pabesueshme! Ziliqar i madh ky kokëmadhi i Matit, i jepte fund Arseni.

Shpesh Klodi fliste në radio, dilte në televizor, por kur botonte ndonjë shkrim në gazetë, Arseni lumturohej.

Atë ditë gazeta qëndronte tërë ditën mbi tezgë, kthyer me kast për nga emri i autorit: Klodian Guri, president i institutit : Fati i shqiptarëve nëpër botë. Patrioti im ky, jemi prej një fshati, kemi kullotur dhitë bashkë, pa kur ishim fare të rinj, bënim dhe ca punë të tjera atje në korije... Përfundonte faqe të tjerëve i gëzuar Arseni. Dikush për qejf të Arsenit, i hidhte një sy tangent shkrimit, një tjetër lexonte nëpër buzë adresën, e një të treti fjala president, e habiste krejt. Sido që të ishte, kjo reklamë pati bërë të vetën. Kjo e pati shpëtuar prej Ludvigut, policit të bashkisë që, edhe pse mbante një emër mbreti, kishte një sjellje prej halabaku. Kërkoni dy paketa në ditët qyl. Edhe pezullimin e aktivitetit të të dy djemve, se me gjasë ishin në moshë shkolle, po ajo reklamë, po ai emër, e prapsoi.

Mbi të gjitha, djali i madh në Itali, ishte përfundimisht punë e Klodit. I pati dhënë 5000 euro, po pse kanë të ngopur ata nëpër ambasada! Kështu Arsenit i pati thënë Klodi dhe ai s’kishte pse dyshonte. Madje, edhe kur krejt pa dashje i vërtitej dyshimi, përskuqej deri tek veshët.

Një mbrëmje korriku, vonë, pas një dite të nxehtë e të lodhshme, e tërë familja, po bënte bilancin e tregtisë për gjatë dy javëve. Djali që shërbente në krah të djathtë të Pallatit të Kulturës sepse nguronte të fliste.

Ai, i turpëruar, hante fjalët dhe shifrat. Të tjerët i thanë të qetësohej. Atëherë, djali shpjegoi : Një vakt dreke Klod Guri e pati thirrur në shtëpi. I kishte treguar faqen e institutit në internet, mbushur plot ftesa e falenderime nga shumë vende të botës, madje edhe prej Amerike. Zgjidh, ku do të shkosh? i pati thënë ai djaloshit. Prej asaj dite e këtej, Klodi vjen e më kërkon... Të merr lekë, të kërkon lekë? U nxeh i ati. Po të njëjtin pohim bëri edhe djali tjetër. Të dy prindërit vështruan njëri-tjetrin. I urdhëruan djemtë të largoheshin. Kur mbetën vetëm, edhe e shoqja, tha se i kishte dhënë... Lekë, lekë! gërthiti Arseni. Pas kësaj heshti, derisa u dhembën kockat.

Kur e shoqja po bëhej gati të largohej, ai e ndali. Edhe atë diç e mundonte. Mjaft, mjaft, i foli vetes. Nuk mund ta mbante më fshehur. I tregoi asaj se në kredinë e vogël që kishin marrë për të shlyer qeranë e vitit, gjysmën ia kishte dhënë Klodit. Borxh, borxh, për fjalë të nderit... u ngushëllua. Më premtoi se nuk do të kalonte ora e jo dita nga afati i caktuar... Por, ... kanë kaluar dy javë dhe ai... E shoqja s’po duronte më. Shkoi tek djemtë. Arseni mbeti vetëm. E mbërtheu një dhimbje stomaku gërryese. I kërrusur mbi vete e gdhiu natën. Të nesërmen, nuk la vend pa kërkuar. Fakti që ai e kishte hapur lojën deri edhe tek fëmijët ishte e rëndë, tepër e rëndë! Ku ta gjente? Më i sakti, nëse nuk do tallej, ishte Arturi. Ai gjendej kollaj. Sipër, tek kafja. Për ç’punë më pyete, i tha ai sipas avazit, për ç’zyrë? Nuk ka zyrë patrioti yt, zyrë për të, është gjithë Shqipëria.

Ziliqar, zemërzi, iu hakërrye Arseni. Po atë mbrëmje djali që tregtonte në të djathtë të pallatit, i tha se e kishte takuar Klodin. Erdhi e më tregoi një ftesë për dy vetë, për në Itali, kishte një konferencë po në atë qytet ku është vëllai... Mjaft, mjaft, bërtiti i acaruar egër i ati, ti je ende kalama, ku do të vesh. Po unë, po jot ëmë ç’të bëjmë.. Të mori lekë? Kur djali tundi kokën, Arseni e qëlloi, e qëlloi aq fort sa atij, të shkretit, i rrodhi gjaku prej hundësh... Ky qe fundi i urtësisë së atij burri. Bëri një veprim që as ndaj kafshëve se pati bërë. U përpoq për ditë me rradhë ta zbuste djalin, veç gjithnjë duke shtuar orë e çast inatin ndaj Klodian Gurit. Rastësisht një njoftim në gazetë i tërhoqi vëmendjen. Në të lexohej emri i Klodian Gurit, i ndjekur nga pas me titujt e mëdhenj. Zhvillohej një mbledhje në “Hotel Tirana”. Palosi tezgën me inat. Nuk i punohej. Nuk ndihej i qetë. Shkoi dhe zuri vend tek shkallët e hotelit. Një polic i bëri shenjë të largohej. Ai u bind. Mbërriti kryetari i bashkisë, nënkryetari i parlamentit dhe të tjerë që shiheshin për çdo natë në televizor. Atëherë rruga u lirua. Arseni ngjiti shkallët. Salla ishte përplotazi. Nuk ishin njerëz të sërës së tij. Ishin të veshur tjetërlloji, u shndërriste lëkura, ishin të ushqyer mirë. Kush i pati mbledhur ata njerëz të zgjedhur në atë sallë? Sakaq, atje tek presidiumi u shfaq Klodian Guri. Arseni bëri drejt tij. Zemërimi, inati, i errën sytë, i acaruan mendjen. Kishte rrahur djalin, për shkak të atij. Kishte qëlluar djalin. E kishte gjakosur. Ta merrnin vesh edhe këta që janë këtu në sallë. Gjaku i të birit  i ngjyrosi muret... Prandaj, borxhin dhe në dreq shkofsh! Dikush e mbërtheu prej supeve. Ishte polici i shërbimit dhe në krah të tij ai, ai i mallkuari, kokëmadhi i Matit. Ai u ul dhe pranë tij ata që s’reshtën së vrojtuari. Ndërkaq mbledhja nisi. Nënkryetari i parlamentit përshëndeti. Nuk la fjalë e lavdërime për Klod Gurin. Ai arriti ta quaj “yll”, majë të intelektualëve, qytetar i duhur, i nevojshëm, i shkëlqyer. Kur salla shpërtheu në duartrokitje, Arsen Malo s’bëri të njëjtën gjë, por uli kryet si i zënë në faj.Zoti më mbajti mëndjen,tha, desh lashë nam para këtyre njerëzve të ditur! Sikur iu lehtësua pesha e borxhit dhe, sakaq humbi drejt Klodian Gurit, i cili sapo u ngrit e gati duke kërcyer iu ngjesh podiumit, tani idukej vetëm koka, pak me qoshe, por me një ballë të shtyrë thellë si prej filozofi. Ai përmendi një shifër të shqiptarëve jashtë atdheut që e detyroi sallën të shpërthente në habi. Kur e pa s’e s’pati kundërshtime ngriti lart saktësinë e shprehur, madje shumicën syresh, të paktën të atyre që endeshin rrugëve të Evropës t’i kishte takuar personalisht. Foli për ambasadorët, për shkujdesjen, indiferentizmin e tyre, për zemrën gur, për dyert që u mbylleshin atyre bij nënash, nga ata katilë burokratë. Ende pa mbaruar fjalën ai, nisi të shfaqej në monitor, shkurtazi një dokumentar që tregonte një nënë nga Shqipëria, e cila pasi u lodh së kërkuari djalin e vet në dhjetra qytete të Italisë së Jugut, mundi ta gjejë, për fatin e saj të zi, të vdekur,  varrosur diku në një kishë të një fshati të humbur. Peripecitë, vuajtjet, sakrificat, vajet e saj, e kishin tulatur sallën. Secili, aty brenda, pati mbetur pa frymë. Kur mbaroi, pati përlotje. Një ndër ta, ishte Arsen Malo që, për çudi, e vështroi me ëmbëlsi Klodin. Ndjeu krejt papritur një pendesë që shkonte deri në dhimbje, ndaj asaj çka pati menduar pak më parë për patriotin e vet; që ta turpëronte faqe të gjithëve, faqe atyre burrave me lëkurë të shndritshme dhe të veshur allsoj. Të gjithë zunë të lëviznin. Këtë bëri edhe Arsen Malo, veç jo aq i vrullshëm dhe i inatosur sikundër erdhi, por i bërë...Iku. Nga larg Klod Guri i bëri një shenjë Arturit, kokëmadhit që në kësi rastesh i gjendej gjithnjë pranë, ky shpejtoi dhe e qetësoi Klodin duke i thënë se ai Arsen ardhur si qen i tërbuar, iku si pulë...

-Forca e fjalës!- ia ktheu tjetri duke i shkelur syrin.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora