E shtune, 20.04.2024, 10:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Fajtorë - Romeo dhe Zhuleta

E diele, 10.11.2013, 06:56 PM


Fajtorë: Romeo dhe Zhuleta.

Tregim

Nga Kostaq Duka

Zakonisht pas ardhjes në Amerikë, ndryshimi i parë i dukshëm është  të shtuarit në peshë, rritja e masës së barkut e belit, fryrja e faqeve , shoqëruar me tendosjen e lëkurës ku buzëqeshja e vetkënaqësisë dëshmon tek të largëtit kënaqësinë e vetsigurinë e jetës. Ndodhi kjo edhe tek unë edhe pse e kam pasur merak të madh të qënit elegant e sportiv. Si mjek kjo e bënte edhe më të besueshme këshillën ndaj pacienteve të dhjamosur e me probleme diabeti e zemre, dukuri që në këto vitet e fundit u bë e zakonshme edhe në Shqipëri . I shqetësuar nisa t’i jap këshilla të tepruara nënës sime për të mos bërë më byrekë  e petanikë  e gatime të tjera me bazë brumin. Ajo mërzitet e ma kthen shpesh: Unë gatuaj si në Shqipëri as më shumë e as më pak por mos e vri mendjen edhe ashtu hollak s’të kishte lezet tani je tamam burrë, i gatshëm për nuse. Vete nga vete e nëna ime do shfaqë patjetër merakun e saj për nuse. Dhe mbase ka të drejtë. Pas  ndarjes me Irenën vajzën ezmere, e sy të mëdhenj e të zinj që nëna e quante kurbatkë unë s’kam guxuar ose më mirë të them kam mbetur krejt i tërhequr në marrëdhëniet me femrat.

Ç’të ishte ky shokim e frenim a thua kaq i madh ishte zhgënjimi e tronditja nga ndarja me Irenën?! Me mijra herë i kam bërë analizë vetes ku gabova në marrëdhënie me këtë vajzë e cila u dha që në fillim aq shumë drejt meje. Ajo pëlqente pasionin tim për mjekësinë, ëndrrën time për t’u specializuar si kirurg por edhe hobinë për letërsinë dhe artet sidomos artin dramatik dhe kinematografinë. Vjershat e monologet e mija që i shkruaja në copa letrash dhe ia jepja sa herë takoheshim kodrave të liqenit artificial ajo i lexonte me një frymë dhe madje i mësonte përmendësh. Si është e mundur ta ndërpriste në atë mënyrë gati të turpshme dashurinë tonë?! I sinqertë  deri në naivitet ndaj saj i tregoja si një fëmijë llafazan gati çdo gjë edhe për dashurinë time për qentë, macet, iriqët, breshkat e pëllumbat. Nuk harroj fytyrën e saj të llahtarisur kur unë i thosha se si kur një ditë m’u sëmur Lukoja qeni i murmë llupash i’a hapa gojën me zor  dhe futa dorën time në hapësirat e fytit për t’i hedhur aspirinën.

Me po këtë pasion e naivitet i flisja edhe për miqësinë time me Alfredin , aktorin e talentuar te Teatrit Kombetar, bjondin kaçurrel, shtatgjatë, sykaltër  që shihej si yll jo vetëm në skenë por dhe në  kinematografi. I tregoja jo vetëm për rolet e tij por edhe”bëmat”  dashurore, shkathtësinë e tij të dukëshme shumë më sipërore se e imja për të shtënë në dorë vajzat gjimnaziste e ato studente në vitet më pas. Sigurisht  për t’i bërë ëedhe më interesante këto tregime, unë s’nguroja të hiperbolizoja e ngjyrosja si të  mundja. Irena më ndiqte me një kureshtje e admirim të dukshëm duke thënë herë pas here: “Ua paska qënë fantastik!”.  Dhe ja kështu në bisedat tona Alfredi u bë i përditshëm. Shpesh kur  dukej se ne nuk kishim ç’të thoshim Irena  do hapte shtegun e njohur: Po nga  Alfredi ç’ka ndonjë gjë të re? Kaq dhe ai hynte i plotë, i magjishëm mes nesh. Pas gjithë këtyre nuk do të më habiste dëshira e shprehur si pa të keq nga Irena për t’u njohur me Alfredin. Po ai të njeh tashmë, unë i kam folur për ty, i thashë duke e ftuar të shkonim në teatër e ta takonim para shfaqjes. Asaj i ndritën sytë. Kjo dritë e çuditëshme më befasoi paksa por e kalova si pa të keq. Dhe u takuam aty tek dera e pasme e Teatrit Kombetar e lejuar vetëm për aktorët. Ai doli i veshur me rrobat e rolit që e kish cilësuar më të madhin e jetës së tij të Romeos së tragjedisë “Romeo e Zhulieta” .

Veshjet e ndritëshme, flokët bjonde, kacurrelë dhe sytë e kaltër mes errësirës që porsa kishte rënë krijonin një konstrast magjie. Kjo është Irena tha duke  i dhënë një përqafim pa të keq. Ti ma ke përshkruar por ajo është më shumë se simpatike ajo është e bukur. Irini sigurisht u miklua nga këto fjalë por tha vetëm kaq: Suksese ne shfaqje!

-Faleminderit urimi juaj do më sjellë fat.

Çuditërisht pas ndarjes me Alfredin kur unë prisja që ajo të fliste e të fliste gjatë  u bë e heshtur, një heshtje qe edhe sot pas kaq vitesh kur e kujtoj më  sjell një tronditje e nervozizëm.

I paduruar për reagimin e saj thashë: si t’u duk Alfredi? A nuk është i madh, i jashtëzakonshëm?! A nuk do të bëhet një yll i madh i teatrit dhe kinemasë?

Tha vetëm po, fare ftohtë e nuk e hapi më gojën. Gati në heshtje e bëmë rrugën deri  tek shtëpia e saj dykatëshe në fund të rrugës ku rrallë sheh të kalojnë këmbësorë jo vetëm në orët e natës por edhe të ditës. E përqafova dhe e putha në qafë duke prekur e larguar butësisht flokët e zinj e  të gjatë. Pastaj vendosa fytyrën e saj mes pëllëmbëve të duarve dhe duke e parë në sy i thashë për të mijtën herë: Irena unë të dua! Zakonisht pas kesaj ajo shpërthen furishëm në përqafime e puthje të nxehta por… nuk ndodhi kështu.

Edhe unë të dua por tani dua të  hyj brenda. Është vonë.

Jo asnjeherë ajo s’më kishte kujtuar zgjatjen e kohës përkundrazi merakut tim se mos prindërit do bëheshin merak ajo i përgjigjej: Ata e dinë që unë jam me ty shpirt. Ata të duan, tek ty shohin ëngjëllin mbrojtës. Kurse tani krejt ndryshe dhe ne mënyrë krejt të pashpjegueshme.

E ndoqa i ngurosur hyrjen e Irenës në shtëpi, hapjen e dritës në korridor, më tej në dhomën e saj, madje për minuta të tëra qëndrova mbështetur pas shtyllës elektrike deri sa ajo fiku dritën. Nisa të analizoj me hollësi gjithcka bisedova me të, që nga momenti kur u takuam, me tej çastet që kaluam para derës së teatrit në bisedë me Alfredin. As edhe nje fjalë e as edhe një veprim a gjest nuk më dukej i tepruar e aq më shumë i tillë sa të krijonte këtë ftohje e mërzitje të jashtëzakonshme tek Irena, përkundrazi i kisha folur me ngrohtësi e një ndjenjë euforie ngazëlluese. Kujtoja se ajo ishte e qeshur dhe me një kërshëri  të pafshehur për t’u takuar me Alfredin, heroin më shumë se hero, mbështjellë më një magji vezulluese në përshkrimet e mija si  të ishte nje marsian e jo një  i ri i zakonshëm me pasione per teatrin e kinematografinë. Rindeza atë çast kur ai i dha asaj një përqafim e tha se ajo më shumë se simpatike është  e bukur. Kaq. Dhe asgjë më tepër. E sigurisht ç’do të kish më shumë?! Pse, pse Irena pësoi këtë transformim?! Ku dreqin mbeti e mërzitur për më tepër e prekur dhe ofenduar prej meje?!

Ate natë gati nuk munda të flija. Më dukej se krejt papritur po e humbisja pa asnjë shkak të paktën të kuptueshëm prej meje. Të nesërmen, kur dola në rrugë, përkëdhelur nga rrezet plot dritë nisa të ndihesha më optimist dhe të tallesha me çastet e gjendjes sime të trishtuar një natë më parë. Sjelljen e Irenës nisa ta zhvlerësoj duke menduar se ajo mbase kish ndonjë shqetësim trupor që nuk donte ta ndante me mua ndaj edhe ngutej të  shkonte sa më parë në shtëpi. Jo,jo Irena më do, ajo është e imja dhe askush nuk mund ta largojë nga unë,  pohova me një ngazëllim e euforinë e zakonshme që është pjesë e qënësishme e vetes sime.

I telefonova me celular. Nuk m’u përgjigj. Kështu ndodhi edhe pas përsëritjeve të vazhdueshme.  Kalova edhe dy herë nga shtëpia e saj. Asnjë shënjë.

Pas dy ditësh, një komshije e saj shikimin e së cilës e kisha ndjerë sa herë takohesha me Irenën më sqaroi se ajo me prindërit kishte shkuar me pushime në Vlorë. E vërteta është se ajo ditë më parë më kishte thënë se prindërit donin të shkonin me pushime në Vlorë por ajo u tha se do të qëndronte në shtëpi se ishte duke u përgatitur për një provim të lënë për në vjeshtë. Irena ishte studente e shkëlqyer dhe provimin e kishte shtyrë vetëm për të marrë një rezultat të lartë. Faktin që prindërit do të shkonin vetë me pushime e pohonte me kënaqësi të dukëshme sepse ne do të ishim më të lirë në marrëdhëniet tona të dashurisë e unë mund të hyja lirshëm në shtëpinë e saj. Si është e mundur që ndroi mëndje? Jo këtë nuk mund t’ja fal, thashë me një inat të natyshëm mashkulli të prekur në sedër.

Atë mbrëmbje shkova ne teatër të takoja Alfredin dhe t’i shprehja shqetësimin tim të papritur në marrëdhënie me Irenën. Por nuk e gjeta. Portieri i teatrit më tha se trupa e aktorëve ishte nisur për një turne në rrethet e jugut Fier, Vlorë, Gjirokastër e do kthehej pas njëzet ditësh.

Kohë më të zbrazët se ato ditë pritjeje të kthimit  të Irenës nga pushimet nuk kam provuar kurrë në jetë. E vetmja gjë që më gëzoi ishte marrja e përgjigjes së dytë të llotarisë amerikane. Përfundimisht do të shkoja në Amerikë madje  shumë shpejt në mbarim të verës. Edhe Irena do të gëzohej. Edhe ajo e dëshironte Amerikën. Do të qëndroja ca vite vetë në Amerikë , më pas do të tërhiqja nënën e sigurisht pas martesës edhe Irenën.

Të them të drejtën sigurimi i llotarisë amerikane më dha një ndjenjë superiore. E ku kish si unë i doplomuar për mjek dhe me llotari amerikane?! Cila vajzë s’do të më kishte zili?! S’më pritej sa të vinte Irena e t’ja jepja lajmin.

Atë pasdite i sigurt për kthimin e saj, vesha pantallonat gri dhe bluzën me rrombe që ajo i pëlqente shumë e shkova nga shtëpia e saj. Trupa e teatrit ishte kthyer. Vazhdonte shfaqja “Romeo dhe Zhulieta”. Kisha blerë dy bileta. Me këtë rast takoheshim edhe me Alfredin. Diku pranë shtëpisë i bëra një thirrje me celular.  Kërkesës sime për t’u takuar i’u përgjigj pozitivisht edhe pse nuk ndjeva shumë ngrohtësi. Por këtë e kalova. Rëndësi kishte që më në fund do të takoheshim. Edhe ajo kishte veshur fundin e kuq dhe bluzën e bardhë më të preferuar për mua.

Më dha vetëm dorën duke i’u shmangur pa fjalë përpjekjes sime për ta përqafuar.

-Si e kaluat? – I thashë

-Si në Vlorë, s’ka më bukur.

-Kam dy lajme. Së pari më kryesori më ardhi përgjigja e dytë e llotarisë. Në tetor do të shkoj në ambasadë për të marrë vizën.

-Urime!

Thënia e saj ishte sa për mirësjellje shumë e ftohtë jo sikur kishte të bënte edhe me atë, me fatin e përbashkët të jetës sonë.

-Nuk gëzohesh?

-I’u thashë dhe e përsëris: urime!

Kësaj here ndjeva në zërin e saj një ironi të hollë gjë që për pak më bëri të nervozohesha. Heshta e u mbylla ne vetvete.Por edhe ajo nuk kishte dëshirë të fliste. I bënte hapat me kujdes e kokën e mbante drejt me një shikim në largësi. Flokët e gjatë, të zinj e të drejtë i derdheshin supeve, në harmoni si për të mbajtur drejpeshimin e trupit. Një moment mendova të ndroja qëndrim e ti bërtisja. Por pasi i hodha një shikim vjedhurazi në fytyrën e saj ndjeva një ngrirje dhe një trishtim që s’e kisha parë kurrë. Isha mësuar me qeshjen e saj spontane, të lirëshme, të natyrshme. Po afroheshim pranë Teatrit Kombëtar.

Kam blerë dy bileta. Vazhdon të shfaqet “Romeo dhe Zhulieta”

Ajo nuk foli a thua nuk e dëgjoi fare pohimin tim. Trishtimi u theksua me shumë.

-Ç’po ndodh me këtë vajzë, me çmëndi, sa nuk bërtita me zë të lartë.

-Më dëgjove? Kam blerë dy bileta.

-Të dëgjova. Por… unë nuk vi. Shfaqjen e ndoqa në Vlorë.

Futa dorën në xhep e preka dy biletat duke i bërë shuk.

-Por s’prish punë. E shikojmë përsëri. Me këtë rast takojmë edhe Alfredin.

Kësaj herë ajo kërceu me një zëmërim të dukshëm.

-Jo, jo nuk vi! Nuk mund të vi.

S’mund kurrsesi t’i jepja shpjegim mërzitjes e nervozizmit të saj. Irena nuk ishte më vajza ime e ëmbël, vogëlushja që më shihte ne sy, më  ndiqte me vëmëndje për gjithë bëmat e mia, madje edhe për dashuritë e marrosura pas kafshëve. Jo gjithçka  ishte përmbysur tërësisht. Ecëm pa folur. Papritur sytë e saj u lëngështuan nga lotët.Një sumbull s’u mbajt e u rrëzua poshtë rrëpirës së fytyrës së saj zeshkane.

E zura për krahu.

-Irena! Çfarë ke? Ti ke ndryshuar shumë!

Ajo nxori një shami dhe fshiu lotët.

Kthehemi në shtëpi. Nuk ndihem mirë.

Për një çast mendova për ndonjë sëmundje të ligë  duke shpjeguar me këtë edhe vendimin e papritur për tu bashkuar me prindërit në pushimet në Vlorë. Por nuk guxova të gërmoja më tej. Para derës së shtëpisë I thashë kur do të takoheshim.

Përsëri sytë e saj u lëngështuan.

Qëndroi disa çaste pa folur. Pastaj si në gjandje kllapie më tha: E kalofsh mirë në Amerikë.

-Ka ende një muaj. Kur do takohemi.

-Kurrë! Të lutem s’mundem. Mos kërko shpjegime.

Kësaj here shpërtheu në dënesë. Hapi derën dhe humbi mes errësirës.

Ngriva krejt. Jo kjo ishte e pamundur! Si mund të thërrmohej një ëndërr e bukur dashurie gati pa asnje grindje, asnjë mëri e shkak?

Edhe pse e kërkova shumë herë Irena s’iu përgjigj kërkesës sime për takim. Shkova disa herë dhe para fakultetit të saj por s’guxoja ta shkëpusja nga shoqet.

Ndërkohë po afrohej tetori. Përgatitjet për ikjen në Amerikë ishin shqetësimi kryesor. Dy tre ditë para ikjes u takova në birrarinë “Kristal” me Alfredin. Ai e quante fat të madh ikjen time në Amerikë.

Shiko- më tha- mos u jep vetëm pas shkollës. Shijo dhe lirinë e Amerikës, shijo jetën. E di që kur të takohemi një ditë do të jesh ndryshe.

Alfredi fliste gjithë gjallëri. Por unë e kisha mendjen gjetkë.

-Si ta shpjegoj largimin prej meje të Irenës Alfred, ajo më donte shumë.

-Të donte thua?! Harroje atë vajzë! Dashuritë e para janë si manushaqet, kanë cikël  të shkurtër, vijnë e zhduken në çast. Ej, shkundu po shkon në Amerikë.

Ishte e kotë të vazhdoja. Alfredi kishte botë tjetër.

Rrëmbyer nga jeta intensive në Amerikë, shqetësimet në punë, vazhdimi i studimeve për kirurgji u bënë të largëta dhe gati sikur të mos kishin të bënin me mua shqetësimet në marrëdhënie me Irenën. Gjithçka e quaja thjesht një përjetim të zakonshëm të moshës së herëshme të rinisë që sigurisht e provojnë të gjithë. Veç një gjë mbeti e pandryshuar : sjellja ime disi e ndrojtur, mbeshtjellë me një romantizëm e idealizim në marrëdhëniet me vajzat. Ardhja në Amerikë pas disa vitesh e nënës u shoqërua me merakun e saj për martesë që unë zhvlerësoja herë me të qeshur e herë me një seriozitet të tepruar: Ka kohë!

Herë, herë, ajo më kujtonte” Kurbatkën” siç e thërriste ajo Irenën duke bërë krahasime pa vënd. Ajo t’i mori mentë’ këto vajzat e këtushme  s’të  bien në sy.

Mundohesha të mos debatoja me nënën duke e mbyllur shpesh me thëniën: ka kohë. Përmendja e emrit të Irenës nga nëna në fillim më nervozonte por më pas s’më bënte përshtypje. Distanca sa vinte e zgjateje në kohë. Por ja që Bota është e vogël. S’kisha asnje javë që kisha krijuar faqen time në facebook, kur një kërkesë u shfaq nga vetë ajo Irena për t’u bashkuar me listën e miqve të mij. Fytyra e saj e vendosur në kornizën e vogël bri emrit ishte po ajo e viteve më parë gati e pandryshuar. Miratova kërkesën e nuk po guxoja të shkruaja diçka së paku mirëseardhët mes miqve, siç është e zakonshme. Hyra  gjithë kuriozitet në faqen e saj. U befasova nga ato që mësova. Irena ishte në Gjermani. Në një foto kishte dalë e qeshur me një fëmijë në dorë. Poshtë lexova diçiturën. “Jetë të lumtur biri im !”. Nuk u zgjata më tej. E mbylla fb. Gjithë kujtimet për të që unë kujtoja se ishin tulatur skuatave të shpirtit befas u gjallëruan.

Ajo qënka martuar, thashë me vete.  Kush do të jetë ai, ai horr i lig që e largoi prej meje?Të nesërmen e hapa përsëri fb. Irena më kishte dërguar një mesazh: Urime për realizimin e ëndrrës suaj të jetës për t’u bërë kirurg. (E mësova këtë në faqen tuaj. E bukur fotografia në ditën e graduimit. Kujdes, je shëndoshur shumë.) Siç mund ta kesh mësuar nga faqja ime në fb, jetoj në Gjermani. Jam martuar me një shtetas gjerman edhe ai jurist dhe kemi një djalë. E quajne Blendi. Të kujtoj shpesh. Dhe me shumë respekt. Sinqerisht, ju ishit aq i mirë dhe tepër i sinqertë. Kush u bë fajtor që ne u ndamë? Jam e bindur se këtë pyetje e ke bërë  dhe vazhdon ta bësh shpejt. S’di të jap një përgjigje të saktë. Por mbase, mbase shkak u bënë “Romeo dhe Zhulieta”. Ajo vizitë nga dera e prapme e teatrit, ajo thënia se unë me shumë se simpatike isha e bukur, thënë me aq lirshmëri sa më tronditi thellë shpirtin duke prekur sedrën time vajzërore. Ai çast i përmbysi të gjitha. Unë u marrosa, u marrosa krejt. S’më hynte asgjë në sy. Për t’u qetësuar pranova të shkoja në Vlorë me prindërit. Fati po e quaj të keq e solli të vinte ato ditë  në Vlorë edhe trupa e Teatrit Kombëtar po me shfaqjen “ Romeo dhe Zhulieta”. Unë shkova  me një dëshirë të papërmbajtur. Më tej me një guxim që ty do të habiste prita jashtë deri sa dolën aktorët. U takova me Alfredin. Sa më pa  më përqafoi sikur të më njihte prej kohësh. Dhe unë me naivitet u dhashë e tëra pas tij. Por gjithçka zgjati sa pushimet. Më pas ai u largua dhe kërkesës sime për takim i’u përgjigj: Harro gjithçka. Mes nesh s’ka ndodhur asgjë. Ishte kjo arësyeja e dëshpërimit tim kur u takuam në Tiranë e ju më thatë se kishit blerë dy bileta për të parë shfaqjen “Romeo dhe Zhulieta”. Ja kjo është e gjitha. Nuk mund të rija pa ua treguar. Jeta bëri të sajën. Erdha në Gjermani për mbrojtjen e masterit dhe bëra shok jete  një njeri të mirë e të kulturuar. Por ….kujtimet e dashurisë sonë, dashurisë sime të parë do të më shoqërojnë gjithë jetën. I’u riktheva faqes së saj në fb, e një nga një pashë gjithë fotot. Shkaku i ndarjes sonë u zbulua më në fund : “Romeo dhe Zhulieta”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora